Monday, 16/7/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Sjellja e mire



Sjellja e mire

gruaja
• TË DREJTAT E PËRBASHKËTA • ..(34)
? Sjellja e mirë ?

Bashkëshortët i përgatisnin të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) ushqimin (dihet se ai jetonte nën të njëjtën çati me bashkëshortet dhe të afërmit e tij) e prej tij asnjëherë nuk janë dëgjuar fjalë të pakëndshme kur i shërbehej ushqimi. Nëse ushqimi ishte i mirë, ai falënderonte Allahun dhe pastaj atë që e kishte përgatitur, e nëse nuk i pëlqente, ai nuk e shante apo qortonte atë që e kishte gatuar.
Jeta e mirë dhe e lumtur bashkëshortore ka nevojë për butësi dhe sakrificë reale, ka nevojë për nxitjen e ndjenjave që çojnë në mirësjellje, bashkëpunim dhe dashuri. Në një hadith të saktë, të transmetuar nga nëna e besimtarëve, thuhet se ajo i jepte të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) kos dhe lëngje. Në këtë hadith tregohet se kur Profeti (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) kërkonte diçka për të pirë prej Aishes, ai shprehej “ti do pish para meje”. Ai e dinte se Aishja nuk pinte para tij. Ajo ishte grua fisnike dhe e dinte se nuk i takonte asaj të dilte përpara tij: ajo i respektonte të drejtat e bashkëshortit të saj. Kur ai i jepte leje për të pirë e para, ajo refuzonte. Kur ajo refuzonte, i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) betohej që ajo të pinte para tij. Pasi ajo pinte, ai e vendoste buzën në të njëjtin vend ku kishte pirë ajo. A mos vallë ai thjesht donte të pinte aty ku piu ajo? Jo, për atë Zot! Por kjo sjellje e bënte bashkëshorten e tij që të kuptonte vendin që ajo zinte tek ai, në mënyrë që ajo ta ndiente dashurinë e tij.





I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) nuk i afrohej Allahut vetëm duke qëndruar në ruku dhe në sexhde, por dhe duke u sjellë mirë me bashkëshortet e tij, duke i gëzuar dhe vlerësuar ato. Kjo është feja e përsosur e Allahut që e bën njeriun të mirë, të sjellshëm e të suksesshëm në çdo aspekt të jetës. Kjo dëshmon se përsosmërinë dhe përkryeshmërinë e sheriatit të Tij. Ai solli ligjin më të mirë të moralit dhe sjelljes që duhet të ketë çdo bashkëshort ndaj bashkëshortes së tij.
I Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) kur nisej për në Kuba garonte me Aishen (Zoti qoftë i kënaqur me të) duke vrapuar, por ajo ia kalonte. Më vonë ajo u shëndosh e iu shtua pesha, i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) ia kalonte dhe më pas thoshte “kjo është me atë të parën (pra, jemi: një me një)”. E bënte këtë që asaj të mos i mbetej hatri, t’i vinte keq apo të mërzitej. Kjo sjellje tregon butësi, urtësi dhe mirësi në jetën bashkëshortore. Për Zotin, nëse shkon pas shembullit të të Dërguarit të Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të), kupton se vetëm aty do ta gjesh udhëzimin më të përkryer për jetën bashkëshortore. Tek ai do të gjesh formën më të bukur të jetës familjare. Ai ka qenë personi më i përsosur, më i kompletuar dhe ë i suksesshmi, përfshirë këtu edhe jetën bashkëshortore. Shtëpitë e muslimanëve mund të përmirësohen vetëm duke praktikuar butësinë dhe mirësinë. Nëse shikon tek ndonjë burrë të sillet mirë me të shoqen, do vëresh se Allahu (subhanehu ve teala)e ka begatuar atë tek fëmijët dhe bashkëshortja e tij. Ky njeri ka për të kaluar një jetë të lumtur dhe të qetë. Kush i frikësohet Allahut (subhanehu ve teala), bën një jetë të mirë bashkëshortore. Nëse të dy bashkëshortët ia kanë frikën Allahut, atëherë Ai u dhuron atyre jetesë të mirë larg mërzisë. Ai i bën që të shohin dhe dëgjojnë vetëm gjëra që i kënaqin, e të mos shohin dhe dëgjojnë gjëra që i pikëllojnë. Andaj muslimani e ka detyrë të zbatojë porositë e Allahut në Kuran dhe porositë e të Dërguarit të Tij për realizimin e kësaj detyre të rëndësishme.
Nga gjërat e rënda për një burrë është sjellja e keqe, ofendimi dhe mosbindja nga ana e gruas së tij, ndërkohë që ai sillet me dashuri, mëshirë dhe butësi me të. Por edhe më e keqe se kjo është rasti kur është gruaja ajo që sillet mirë dhe me edukatë, ndërsa bashkëshorti i kundërpërgjigjet me vrazhdësi, me fjalë e sjellje të këqija, të cilat e dëmtojnë dhe ia plagosin zemrën.
Dijetarët kanë thënë se kur njëri prej bashkëshortëve bën durim dhe sillet mirë me bashkëshortin tjetër, edhe kur i fundit sillet keq me të, shpërblimi tek Allahu për veprën e tij të mirë është edhe më i madh sesa shpërblimi i tij në kushte të zakonshme.
Kur një burrë shkoi tek i Dërguari i Allahut (lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të) i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë i ruaj lidhjet me farefisin, ndërsa ata nuk i ruajnë me mua ->SQARIM: Në kuptimin që u jap por nuk më japin, i vizitoj por nuk më vizitojnë.<-, u bëj mirë, ndërkohë ata më bëjnë keq, sillem me durim e butësi dhe i toleroj, por ata më injorojnë, më fyejnë dhe sillen në mënyrë vulgare.” Profeti iu përgjigj: “Nëse sillesh me ta siç the, atëherë je sikur po ju jep për të ngrënë hi të nxehtë ->SQARIM: Pra ka krahasuar gjynahun që ata i ngarkojnë vetes si pasojë e sjelljes së tyre ndaj farefisit me dhimbjen që i shkaktohet atij që ha hi të nxehtë. Ndërsa mirësjelljen që u bën nuk e gjen asgjë e keqe, por ata marrin gjynah të madh, si pasojë e lënies pas dore të së drejtës së tij dhe keqbërjes ndaj tij.
Gjithashtu është thënë se kuptimi është se me mirëbërjen ndaj tyre i bën të ndiejnë poshtërim e përçmim në vetvete; si puna e atij që u jep të hanë hi të nxehtë. Po ashtu është thënë se ajo që ata hanë nga të mirat që u jep është si hiri i nxehtë që djeg zorrët.<- dhe Allahu do të vazhdojë të të ndihmojë e të të mbrojë nga keqbërja e tyre, përderisa vazhdon kështu.” Allahu (subhanehu ve teala) nuk ia humb shpërblimin atij që bën punë të mira. ------------------------------------------------------ Pjesë nga libri: “KODI I FAMILJES” Autor: Muhamed el-Muhtar ESH- SHINKITI- ------------------------------------------------------ Vazhdojnë postimet të kapitujve tjerë, inshaAllah..





Categories

Archives