Monday, 25/6/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Si ta zgjedhim shokun/shoqen e jetës?

Si ta zgjedhim shokun/shoqen e jetës?

Zgjedhja e shokut/shoqes së jetës, sa e lehtë aq dhe e vështirë

Si ta zgjedhim shokun/shoqen e jetës? Është një pyetje e lehtë të cilës i përgjigjen praktikisht kushedi sa mijëra persona. Por, me gjithë lehtësinë për t’iu përgjigjur kësaj pyetje, vlen të themi se një pjesë e konsiderueshme e kanë shumë të vështirë si praktikisht, ashtu dhe teorikisht.

Para se ti përgjigjemi kësaj pyetjeje, unë do të shtroj një pyetje tjetër, para së cilës çuditen shumë njerëz dhe më thonë:”E përse na pyet?!” Pyetja është:”Përse martohesh?” Kujtdo që ia kam drejtuar, më sheh me habi dhe shumica më përgjigjen në mënyrë jo të qartë dhe të kuptueshme “Martohem siç martohen të gjithë njerëzit.” Pyetja tjetër që u bëj është:“Po përse martohen të gjithë njerëzit?”

Kështu, përgjigja mbetet e paqartë në mendjen e atyre që hedhin hapin e martesës, ndërkohë që kjo përgjigje është shumë e rëndësishme në përzgjedhjen e shokut ose shoqes së jetës. Kur unë ndërmarr hapa për gjetjen e shokut/shoqes së jetës, duhet të kem një objektiv dhe qëllim të qartë dhe përzgjedhja do të ndikohet nga objektivi si dhe shkalla e qartësisë. Mos vallë martohem thjesht për të përmbushur instinktet e mia seksuale? Apo martohem për të krijuar një familje? Mos martohem për të lindur fëmijë të shumtë, me të cilët të mburrem nesër? Mos martohem thjesht si bindje ndaj Zotit? Mos martohem për të populluar tokën dhe për rrjedhojë për të realizuar objektivin hyjnor si mëkëmbës i Tij? Apo martohem për të gjitha këto që lartpërmendëm?

Brenda një kuadri më të plotë, martesa është bindje ndaj Zotit, pasi nëpërmjet saj realizohet objektivi më i lartë hyjnor i krijimit të njeriut. Mandej, si objektiv mund të jetë dhe plotësimi i instinkteve seksuale dhe kënaqësia që të fal pasja e një bashkëshorti/bashkëshorteje dhe më pas e fëmijëve, të cilat vijnë si rrjedhojë dhe pasojë e objektivit të lartë. Bazuar në objektivin dhe qëllimin që kam nga martesa, ndryshon dhe sjellja ime me palën tjetër si dhe roli që pritet të luaj. Pra, roli ndryshon sipas qëllimit nga martesa.

Mes arsyes dhe emocioneve

Para se të pyes veten kë të zgjedh dhe me kë të martohem, duhet ta pyes dhe të sqarohem “përse martohem?” “Çfarë roli do të kem në këtë martesë?” “Çfarë kërkoj dhe cili do të jetë roli i palës tjetër?”

Një pyetje tjetër e rëndësishme është:”A ta zgjedh duke u bazuar tek arsyeja apo emocionet dhe ndjenjat?” Ndonjëherë, kjo pyetje mund të shtrohet dhe në këtë formë:”A të martohem sipas mënyrës klasike me ndihmën e familjes dhe duke u bazuar në arsyen, apo të martohem duke u bazuar tek ndjenjat dhe emocionet e mia, pra ta bëj zgjedhjen kryekëput vetë?”

Forma e shtrimit të pyetjeve, na bën të besojmë se ka dallim mes zgjedhjes logjike dhe asaj emocionale. Shpesh herë, mendohet se në martesën klasike, përjashtohen ndjenjat. Ka dhe të tjerë që thonë se njeriu nuk duhet ti besojë arsyes, por zemrës, pra të martohet me kolegen në punë, shkollë, komshiun etj… Në fakt, perceptimi i drejtë i kritereve dhe mënyrës së zgjedhjes, e shtyn njeriun të kërkojë shokun/shoqen e jetës që i plotëson këto kritere.

Zogu me dy krahë

Arsyeja dhe zemra duhet të jenë në ekuilibër të plotë, gjë e cila na shtyn ta krahasojmë martesën me zogun me dy krahë, atë të arsyes dhe të emocioneve. Ai s’mund të fluturojë veçse nëse të dy krahët janë në mënyrë të balancuar dhe të ekuilibruar. Niveli më i ulët i emocionit në momentin e përzgjedhjes është pranimi dhe përshkallëzimi drejt dëshirës për tu lidhur. Ajo mund të arrijë deri në dashuri të ndërsjellët mes dy palëve. Sakaq arsyeja heton përputhshmëritë mes dy palëve, në aspektin psikologjik, social, ekonomik, shkencor, fizik dhe fetar.

Zgjedhja me arsye

Teksa përcakton përputhshmëritë e shokut/shoqes së jetës, nuk duhet të harrosh se person pa të meta nuk do të gjesh kurrë. Për këtë, të lipset të vendosësh prioritetet e tua dhe ti radhitësh sipas shijeve të tua, duke caktuar kriteret që mund të heqësh dorë prej tyre për hir të disa kritereve të tjera. Për shembull, nëse në krye të listës do të vendosësh pamjen fizike dhe bukurinë, duhet ta marrësh në konsideratë se kjo mund të bwhet nw kurriz tw statusit social apo ekonomik.

Nëse nuk i cakton prioritetet, do të fokusohesh tek çdo mangësi që pikas tek shoku/shoqja e jetës, duke e renditur në krye të listës së prioriteteve, e për rrjedhojë, asnjëherë nuk do e bësh dot zgjedhjen. Në çdo rast, do të dalë para mangësia të cilën e refuzon, ose do të hutohesh e nuk do të dish ç’të thuash. Kjo, sepse personi perfekt i cili plotëson të gjithë kriteret nuk ekziston.

Radhiti prioritetet

Radhiti përputhshmëritë në rend zbritës sipas prioriteteve të tua, të cilat sigurisht ndryshojnë nga një person tek një tjetër, mandej vlerësoji secilën prej tyre duke i vënë një notë të caktuar. Pasi ta bësh këtë me të gjithë përputhshmëritë, hidhi një vështrim të përgjithshëm, duke e vlerësuar personin në mënyrë unike, duke hetuar nëse është person i përshtatshëm për shok jete apo jo, nëse mund të mësohesh me të metat dhe gjërat negative të tij pa ta nxirë jetën, apo jo.

Në këtë periudhë, duhet të jesh i/e sinqertë me veten, nuk ka vend për komplimente gjatë zgjedhjes së shokut/shoqes të jetës, pasi në fund të fundit, ti do e paguash faturën. Prandaj duhet të jesh i ndërgjegjshëm dhe i vetëdijshëm për hapat që po hedh. Duhet ta shohësh personin ashtu siç ishte në çastin e parë kur e pe, pa pritur parimisht që do të ndryshojë qoftë në formë, qoftë në karakter. Tani je i/e lirë në zgjedhjen tënde, por pas pak do të mbash përgjegjësi për këtë zgjedhje dhe do të paguash faturën.

Feja dhe kriteret e tjera të përputhshmërisë

Profeti Muhamed a.s i orienton të rinjtë dhe të rejat në përzgjedhjen e shokut të jetës, duke thënë:”Kërko atë të përkushtuarën fetarisht, tu mbushshin duart me dhe!”  dhe ”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i moralshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje…”

Disa i perceptojnë shumë ngushtë këto udhëzime profetike, sikur Profeti a.s i ka kufizuar kriteret e përzgjedhjes vetëm tek kriteri i fesë. Në fakt kjo nuk është aspak e vërtetë. I dërguari i Zotit a.s, me udhëzimet e mësipërme synon që përzgjedhjen e shokut të jetës ta vendosë në linjën e fesë, por pa neglizhuar kriteret e tjera. Prandaj shohim që në hadithe të tjera, Profeti a.s e plotëson me kritere të tjerë. Kështu, ai bën thirrje që dy palët të shihen, sepse kështu fitohet një faktor më shumë për vazhdimësinë e martesës. Ai i njeh vajzës të drejtën ta refuzojë djalin që i ka zgjedhur babai, nëse nuk përputhet me të.

Kështu, shohim që feja është një kuadër i cili nuk i hedh poshtë kriteret e tjerë, të cilët garantojnë një lidhje martesore të suksesshme.

Ndjenja e stresit është normale

Në fund, mbeten dy shqetësime të cilat i hasim tek ata që janë në procesin e zgjedhjes së shokut/shoqes së jetës. Shumë prej tyre ankohen se nuk e ndjejnë gëzimin dhe harenë që kanë pikasur tek të tjerët, përkundrazi ndihen të stresuar dhe plot ankth. Një ndjenjë e tillë, i çon të mendojnë se ndoshta zgjedhja nuk ka qenë e drejtë, sidomos pas faljes së namazit të istihares. Këtë ndjesi ata e interpretojnë si rezultat dhe pasojë të namazit të istihares.

Shkurtimisht, them që ky stres është normal dhe përjetohet nga çdokush që po hedh hapin drejt jetës bashkëshortore. Disa e shprehin këtë stres, kurse disa të tjerë e fshehin pas gëzimit dhe haresë. Burimi i këtij stresi qëndron në ndjenjën e njeriut se është para një hapi të madh në jetën e tij, si dhe fakti se gjendet para një pyetjeje që nuk di ti përgjigjet momentalisht: Vallë a kam zgjedhur personin e duhur?

Ajo është një ndjesi e cila zbehet me të filluar procedurat e mëpasshme të lidhjes. Ndoshta mund ti kthehet sërish sa herë që gjendet para një hapi të ri, p.sh teksa kalon nga periudha e fejesës në atë të celebrimit dhe më pas dasmës, e që përfundimisht largohet me fillimin e jetës bashkëshortore.

Qëndrimi i familjes ndaj zgjedhjes

Zgjedhja e shokut/shoqes së jetës, duhet të paraprihet me një diskutim të gjatë brenda familjes, me qëllim që të arrihet mirëkuptimi lidhur me këtë hap. Kështu, as ata s’kanë përse të befasohen me zgjedhjen tënde dhe as ti s’ke përse të befasohesh me refuzimin e tyre. Ata duhen dëgjuar me qetësi dhe s’ka përse të konsiderohet çfarëdo mospajtimi i tyre si mungesë kuptimi dhe vlerësimi të ndjenjave të tua. Në fakt, mendimet e tyre duhen peshuar me objektivizëm dhe qetësi

. Bazuar në përvojën e tyre të gjatë jetësore, mund të shohin gjëra që ti nuk i sheh dot. Unë nuk po them të pranojmë gjithçka që thonë ata, por as të refuzojmë gjithçka që e thonë. Dijeni mirë se nëse familjarët e ndjejnë se ju e keni bërë zgjedhjen mbi baza të shëndosha dhe se jenë të vetëdijshëm për hapin që po hidhni, nuk do ju kundërshtojnë.

Në fund, duhet të jesh i qartë me përgjigjet e pyetjeve: Përse martohem? Çfarë pres nga shoku/shoqja e jetës?

Dijeni se mbështetja tek Zoti dhe nijeti juaj për martesën, janë faktor ndihmues pasi të ndërmarrë hapat objektiv. Arsyeja, emocionet dhe mbështetja tek Zoti përbëjnë trinomin e zgjedhjes së asaj që është sa e lehtë, po aq e vështirë.

By: Dr. Amër Ebu Halil

Përktheu: Elmaz Fida

Categories

Archives