Tuesday, 18/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Si plogështira mendore prek njerëzit?!



Si plogështira mendore prek njerëzit?!
Plogështia është një faktor, që e mban larg nga të menduarit shumicën e njerëzve. Për shkak të plogështisë mendore, njerëzit e shohin çdo gjë siç e kanë parë gjithmonë dhe në mënyrën që janë mësuar ta shohin. Ja një shembull nga jeta jonë e përditshme: në përgjithësi, mënyra se si amvisat e pastrojnë shtëpinë i ngjason mënyrës, se si e pastronte nëna e tyre. Ato as që mendojnë se si mund të pastrojnë më mirë dhe në mënyrë më praktike dhe as nuk përpiqen të gjejnë mënyra të reja.
Po kështu, kur diçka ka nevojë për riparim, njeriu përdor ato mënyra e mjete që ka mësuar e njohur që në fëmijëri. Njerëzit, në përgjithësi, nuk kanë dëshirë të zbatojnë një mënyrë të re, që mund të jetë më praktike dhe më e efektshme. Mënyra e të folurit të tyre, gjithashtu, është e njëjtë. P.sh., mënyra se si flet një llogaritar është e njëjtë me atë të të gjithë llogaritarëve të tjerë që ai ka njohur. Mjekët, bankierët, shitësit… njerëzit nga të gjitha shtresat kanë mënyra të veçanta të foluri. Ata nuk përpiqen që të mendojnë për të gjetur mënyrën e duhur të të folurit, më të mirën dhe më të përshtatshmen. Ata, thjesht, imitojnë atë që kanë dëgjuar. Moskokëçarja rreth këtyre problemeve, gjithashtu, vjen nga plogështia e të menduarit.
Pa dyshim, shembujt e përmendur këtu janë probleme, nga të cilat njerëzit vuajnë çdo ditë të jetës së tyre, por ka disa çështje shumë më të rëndësishme që, nëse njerëzit nuk mendojnë për to, kjo mund të bëhet shkak që ata të vuajnë humbjen e përhershme. Shkaku i kësaj humbjeje është heqja dorë nga të menduarit mbi qëllimin e ekzistencës në këtë botë, mosmarrja parasysh e faktit se vdekja është e pashmangshme dhe se, përfundimisht, do të vijë dita e dhënies së llogarisë pas vdekjes. Në Kur’an, All-llahu i fton njerëzit të mendojnë mbi këto çështje vendimtare:
Ata mashtruan vetveten dhe i humbën ata (idhuj) që patën trilluar. S’ka dyshim se ata në botën tjetër janë më të humburit. Ndërsa ata që besuan, punuan vepra të mira dhe u përulën ndaj Zotit të tyre, janë banues të Xhenetit, ku do të jenë përgjithmonë. Shembulli i gjendjes së këtyre dy grupeve është si shembulli i një njeriu shurdh e të verbër dhe një njeriu tjetër që sheh e dëgjon. A janë në pozitë të barabartë? Përse nuk përkujtoni?! Hud 21-24
Atëherë pra, a është Ai që krijon i barabartë me atë që nuk krijon? A nuk po mendoni? En-Nahl 17