Thursday, 23/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shteti që nuk e do dijen


Shteti që nuk e do dijen


shefqet

Dr. Shefqet Krasniqi

Nuk do mend se arsimi dhe dija, edukata dhe morali janë bazat kryesore të formësimit të një individi e familjeje e prej aty më pas edhe ndërtimit të shtetit. Ndaj absolutisht nuk ka mundësi të jetë i barabartë ai që di, mëson, lexon e studion, me atë që nuk e përfill shkencën dhe dijen, zaten fjala e parë e zbritur nga Zoti në Kur’an ishte mu kjo:

“Lexo, mëso, studio në emër të Zotit tënd, i Cili krijoi çdo gjë.” (Alek, 1)

Andaj Zoti edhe i lavdëroi shumë ata që merren me dijen dhe janë të dhënë pas saj, ndaj pikërisht barabarësinë e vuri në pikëpyetje:

Thuaj: A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Zumer, 9)

Kjo për faktin se Zoti ka krijuar njeriun duke dalluar atë dhe privilegjuar nga çdo krijesë tjetër, duke e pajisur atë me aftësi për të ditur respektivisht për të mësuar. Kështu, Zoti kërkon që njeriu t’i shfrytëzojë këto mundësi që i ka, të lexojë, të mësojë e studiojë, dhe përmes këtyre shkathtësive të arrijë ta njoh Zotin e vet, ta njoh veten, rrethin e tij, ligjet e kësaj natyre, etj., dhe kështu jo vetëm që do të ngritet vet, por do ta ngritë e çojë përpara edhe shtetin dhe mbarë shoqërinë, e pse jo edhe mbarë njerëzimin.

Mu për këtë, ato shoqëri që kanë punuar me këtë parim, respektivisht kanë investuar dhe kontribuar në zënien e dijes, gjejmë se kanë ecur shumë përpara, jo vetëm sot, por përgjatë gjithë historisë. Një gjë e tillë i ka përcjellë të gjitha civilizimet që nga ai kinez, indian, persian, egjiptian, grek, deri tek civilizimi islam dhe në fund ai perëndimor. Edhe sot gjejmë shtetet dhe qeveritë të cilat synojnë përparimin dhe ngritjen e vendit, investojnë me të madhe në arsim dhe në shkencë. Zaten ky është edhe faktori kryesor për përparimin dhe zhvillimin e atyre vendeve. Andaj, investimi në dituri është më i mirë dhe më dobiprurës sesa në çdo lëmi tjetër. Madje, unë konsiderojse investimi më i qëlluar, më i dobishëm dhe më i rëndësishëm nga të gjithë lëmenjtë, është investimi në arsim, edukim dhe siguri të vendit. Është e vërtetë se kemi nevojë për investime në të gjitha institucionet, por arsimi, edukimi dhe siguria e vendit duhet medoemos të jenë primare.

Nëse kthehemi në vendin tonë, të cilin e duam më së shumti, gjejmë se Qeveria aktuale, respektivisht Ministria e Arsimit, pati shpallë dijen si objektiv kryesor. U dhanë premtime të mëdha. Thanë se Kosova do të jetë shteti i dijes. Hapën universitete dhe licencuan të tjera, por rezultatet gjithmonë munguan. Madje tash së fundmi po duket se implementimi i këtij objektivi iu është besuar profesorëve dhe menaxherëve të gabuar, të cilët po udhëheqin me institucionet tona të arsimit të lartë. Dalin dhe plagjiatura, kopjime e falsifikime. Sikur shteti i dijes ka tjetër qëllim, jo të avancimit me studentë, por me profesorë, dhe këtë, kuptohet, jo për hatër të dijes por xhepit. Mendoj se është për t’u përshëndetur hapi për rishikimin e diplomave dhe avancimit shkencor të profesorëve, në veçanti të atyre të pasluftës. Nuk ka shkencë dhe dije të mirëfilltë pa profesorë cilësorë e kualitativë. Shkenca nuk njeh dallavere e hatër, ajo njeh vetëm seriozitet dhe punë, asaj duhet përkushtuar shumë, për të dhënë pak.

Një shkrim tjetër i dobishëm  RTK - Njëanshmëri edhe në fe

Problemet në Universitetin Shtetëror “Hasan Prishtina” janë në rritje e sipër, zaten atje moti janë vërejtur parregullësi dhe dallavere, që nga pranimi i studentëve fillestarë e deri tek përfundimi, deri tek avancimi i profesorëve, etj.. Ah sikur të mbetej me kaq, do ishte shumë e lehtë, mirëpo mësimi dhe edukimi në vendin tonë është rrëmujë në të gjitha nivelet, që nga fillorja. Sot shkollat tona janë vend ku shpërndahet droga, pihet duhani e alkooli, përhapet imoraliteti, bile aty përdoren edhe armët, andaj nuk është për t’u çuditur kur prindi përcjell të birin për në shkollë në mëngjes, e ai i kthehet në mbrëmje në arkivol.

Pra, jo vetëm që ka probleme të mëdha në zënien e dijes, shkencës, por edhe atë të edukimit. Që të dyja këto ka mundësi të ndreqen e të rregullohen me emrin e Zotit, e para do kohë më shumë, ndërsa e dyta është më e lehtë dhe më e shpejtë.

Futeni lëndën fetare nëpër shkolla dhe për pak vite mbi 50% të problemeve mes nxënësëve do të pakësohen. Ky nuk është ndonjë çelës ‘magjik’, por përvojat e të tjerëve në këtë drejtim na e kanë dëshmuar këtë. Për këtë kam shkruar edhe më herët, ndaj edhe nuk kam fare dyshim për këtë që po them. Por, përderisa qeveria jonë, shteti ynë i dashur e injoron plotësisht këtë faktor, edukimin fetar, të cilin e kanë parasysh pothuajse të gjitha shtetet e botës, atëherë kjo është bazë për dyshim se shteti nuk ka as interesimin më të vogël për të çuar para proceset, për ta ngritur e avancuar vendin.  Zoti mundet, por me këta njerëz, me këta qeveritarë, vështirë se ka përparim dhe përmirësim, së paku në periudhën afatshkurtër. Zoti e bëftë hair, e ruajttë këtë vend, e në veçanti këtë rini nga qëllimkëqijtë, amin dhe deri javën e ardhshme me një temë tjetër selam alejkum

Categories

Archives