Tuesday, 25/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shtëpia është mirësi



Shtëpia është mirësi

          S’ka  dyshim  se  All-llahu  i Lartmadhëruar i nderoi  muslimanët  dhe  u vendosi  atyre  rregulla  në mënyrë  që t’i ngritë ata  në shkallë të larta  të moralit, që të jenë  të dobishëm për shoqërinë  dhe njerëzimin në tërësi, aq më tepër  një  rëndësi të veçantë  All-llahu  xh.sh  i ka dhënë familjes  si bazë e formimit dhe edukimit  të muslimanëve.  Për  këtë  dhe All-llahu xh.sh. thotë:

“All-llahu ua ka bërë shtëpiat e juaja vendbanim” (En-Nahël: 80).

Ibni Kethiri r.a., gjatë tefsirit të këtij ajeti thotë: “All-llahu tebareke ue te’ala përmend begatitë e Tij që ia ka dhuruar robit; prej këtyre begative është edhe shtëpia që është vend ku banojnë, mbrohen dhe në të cilën kanë shumë dobi”.

Vallë çdo të thotë shtëpia për ne? A nuk është shtëpia vendi ku hamë, pimë, flejmë, pushojmë dhe kemi marrëdhënie bashkëshortore!?  A nuk është vendi ku tubohemi me familjen tonë? A nuk është vendi ku mbrohet gruaja?

All-llahu i Plotfuqishëm thotë:

“Dhe rrini në shtëpitë tuaja e mos shfaqni bukurinë tuaj… ” (El-Ahzab:33)

Nëse shikon gjendjen e njerëzve që nuk kanë shtëpi, të cilët jetojnë rrugëve ose nëpër parqe, ose nëse shikon gjendjen e refugjatëve të cilët jetojnë nëpër kampe të ndryshme, kupton begatinë e shtëpisë. Gjithashtu e kupton rëndësinë e shtëpisë dhe se çfarë çrregullimi buron nga mosposedimi i shtëpisë kur të dëgjosh dikë duke thënë: nuk kam vendqëndrim të caktuar, një ditë flej tek filani, ditën tjetër në kafeteri, në park ose në bregdet; rrobat gjithmonë i mbaj me vete.

All-llahu xhel-le xhelaluhu hebrenjtë prej fisit Benu Nadir i dënoi duke ua marrë këtë begati dhe duke i nxjerur prej shtëpive të tyre. E tregon këtë duke thënë:

“Ai është që në dëbimin e parë i nxorri prej shtëpive të tyre ata nga ithtarët e librit, të cilët nuk besuan. Ju nuk menduat se ata do të dalin, e ata menduan se fortifikatat e tyre do t’i mbronin prej ndëshkimit të All-llahut, po All-llahu u erdhi atyre nga nuk e kishin menduar dhe në zemrat e tyre hodhi frikën ashtu që me duart e veta dhe me duart e besimtarëve rrëzonin shtëpitë e tyre; pra,  merrni  mësim o ju të zotët e mendjes”! (El-Hashr: 2)

Cka e stimulon muslimanin për t’i dhënë rëndësi përmirësimit të shtëpisë?

Një: Mbrojtja e vetvetes dhe familjes prej Zjarrit të Xhehennemit.

All-llahu xh.sh. thotë:

“O ju që besuat, ruani veten dhe familjen tuaj prej një zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë (zjarrin) e mbikëqyrin engjëj të rreptë e të ashpër që nuk kundërshtojnë All-llahun për asgjë që Ai i urdhëron dhe punojnë atë që janë të urdhëruar”. (Et-Tahrim: 6)

Dy: Përgjegjësia e madhe që ka bariu (përgjegjësi) i shtëpisë para All-llahut subhanehu ve teala Ditën e gjykimit.

Pejgamberi a.s. thotë:





“All-llahu i Lartësuar do ta pyetë çdo bari (përgjegjës) për tufën që e ka pasur nën përgjegjësinë e tij, a e ka ruajtur apo e ka humbur, derisa të pyetet njeriu për anëtarët e shtëpisë së vet”. Hadithi është hasen, tra. Ibni Hibbani.

Tre: Pasiqë shtëpia është vendi ku mbrojmë veten, jemi të qetë prej të këqiave dhe është vendi ku duhet ndejtur muslimani gjatë kohës së fitnes, atëherë duhet dhënë rëndësi të ndejturit në shtëpi, ngase Muhammedi a.s. thotë:

“Xhenneti qoftë për atë që e mbisundon gjuhën, i mjafton shtëpia e vet dhe për atë që qan mëkatin e vet”. Hadithi është hasen, tra. Taberaniu.

Muhammedi a.s. thotë:

“Atë që bën njërën prej këtyre pesë veprave, All-llahu i Lartësuar do ta sigurojë: atë që viziton një të sëmurë, atë që del për të luftuar, atë që hyn tek imami (kryetari) për ta ndihmuar dhe madhëruar dhe atë që rri në shtëpi, njerëzit janë rehat prej tij, por edhe ai është rehat prej njerëzve”. Tra. Ahmedi.

Muhammedi a.s. thotë:

“Shpëtimi i njeriut gjatë kohës së fitneve (sprovimeve) është të rrijë në shtëpinë e vet”. Hadithi është sahih, tra. Ibn Ebi Asimi në librit e tij Es-Sunneh.

Muslimani mund të shikojë dobinë e kësaj çështjeje në kohë të vetmisë, në kohë kur nuk do të mund t’i ndryshojë shumë vepra të këqija, në këtë rast shtëpia i bëhet vendbanim në të cilin e mbron veten prej veprës së ndaluar dhe shiqimit të ndaluar, gjithashtu mbron familjen e vet nga lakuriqësia, kurse fëmijët nga shoqëria e keqe.

Katër: Njerëzit pjesën më të madhe të kohës së tyre e kalojnë në shtëpi, sidomos kur është shumë nxehtë ose shumë ftohtë, kur bie shi, pasi të kryejnë punën dhe pas mësimit. Për këtë shkak këtë kohë (që kalojnë në shtëpi) duhet harxhuar në vepra me të cilat është i kënaqur All-llahu, përndryshe do ta harxhojnë këtë kohë në gjëra të ndaluara (haram).

Pesë: Shtëpia është faktor i rëndësishëm për ndërtimin e shoqërisë islame, ngasa qeliza kryesore e shoqërisë është shtëpia. C€ِdo shtëpi është një tullë në shoqëri, nëse këto tulla janë të mira, kjo shoqëri do të bëhej aq e fortë saqë do t’u qëndronte ballë armiqëve të All-llahut, në të do të përhapej e mira dhe do të ndalohej e keqja.

Kjo shtëpi mund të nxjerrë burra që do të përmirësojnë hallin e shoqërisë. Vetëm prej shtëpive të tilla mund të dalin thirrës shembullorë, kërkues të diturisë, muxhahidë të sinqertë, femra të ndershme, nëna edukatore… etj.

Dhe se fundi  lusim All-llahun që të na falë dhe ti udhëzojë familjet  tona  dhe t’i bëjë vatrat tona  dritë nga ku do të dalin  udhëheqës dhe dijetarë  që do të drejtojnë këtë ummet  drejt  së vërtetës  dhe sinqeritetit ,  dhe  t’i  ruajë  ato  prej  degjenerimit  dhe  shthurrjes që ka kapluar botën sot .

Përshtati: Ibrahim Feimi