Wednesday, 22/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shpjegimi i ëndrrave dhe shpjeguesit e ëndrrave

Shpjegimi i ëndrrave dhe shpjeguesit e ëndrrave

Shpjeguesit e ëndrrave kanë bërë një art special dhe një diciplinë të veçantë, për të cilën nevojitet njohuri, kuptime dhe meditime, e cila kërkon studimin e personit dhe rrethanat në të cilën jeton personi i cili ka ëndërruar, njohja e traditave, mentalitetit dhe zakoneve të popullit të cilit ai i takon. Nëse bëhet fjalë për arabin, atëherë nevojitet njohja e literaturës arabe dhe kulturës e civilizimit e posaqërisht Kur’anit dhe Hadithit.
Shpjeguesi i ëndrrës nuk mund të kufizohet në përkthimin e simbolit të caktuar me shpjegim përkatës ashtu siç bëjnë njerëzit e rëndomtë kur konsultojnë librat e shpjegimit të ëndrrave, por duhet bërë një operim të tërë, duke vendosur ëndrrën në kontekstin e tij të plotë dhe në kornizën e gjallë të tij.
Andaj teoria e Frojdit mbi ëndrrat është tërësisht e gabuar. Ai, si dhe teorikët tjerë materialist, të gjitha gjërat i kanë vështruar nga prizmi i materjes. Të gjitha ëndrrat Frojdi i ka përfshirë në një manifestim të ndërdijes.
Nuk kam dyshim se disa ëndrra paraqesin dëshmi të ndërdijes dhe janë një formë e një ure lidhëse në mes dijes dhe ndërdijes.
Këtë e vërtetojnë edhe fjalët e Pejgamberit s.a.v.s. “Atë çfarë njeriu i flet vetës e sheh në ëndërr”.
Këtë lloj të ëndrrave në mënyrën më të bukur e kanë shpjeguar dijetarët islam në shumë vepra të tyre, por gabimi kryesor i Frojdit qëndron në atë që ka menduar se të gjitha ëndrrat duhet shpjeguar me një princip të njejtë.
Gjatë historisë së islamit, përveç shpjegimeve të ëndrrave të cilat i kanë bërë dijetarët islam, kanë ekzistuar edhe njerëz të rëndomtë të cilët me sukses kanë depërtuar në ndërdijen e njerëzve duke zbuluar fshehtësitë e tyre me shpjegimin e ëndrrave.
Njëri prej shpjeguesve më të njohur të ëndrrave ka qenë Ibn Sirini. Ai analizën e psikës njerëzore përmes ëndrrave e ka filluar para 13 shekujve.
Pas tij u paraqit imami i madh Abdul Gani en Nabulusiu, i cili me ndihmën e diturisë të cilën ia dhuroi Allahu i madhërishëm, kësaj dicipline i dha një frymë shkëlqyese dhe bukuri të madhe.
Parase të flasim mbi shpjegimin e ëndrrave në islam në bazë të psikoanalizës, duhet të përqëndrohemi në dy aspekte të kësaj çështje:
a) lidhshmëria e gjumit dhe ndjenjave:
Ndjenjat fetare dhe kulturore të pjesëtarëve të secilit popull dallojnë nga ndjenjat e popujve tjerë. P.sh. është dallimi tejet i madh në mes ndjenjave të një muslimani të edukuar në frymën islame dhe një japani budist. Natyrisht që ëndrrat e muslimanëve janë të përziera me ndjenjat e tija islame dhe nacionale dhe që ëndrrat e japanit budist korrespondojnë me rrethanat përkatëse fetare dhe nacionale të atij nënqielli. Personi i cili shpjegon ëndrrën mund ta kryej detyrën e tij me sukses vetëm nëse i njeh mirë ndjenjat fetare, kulturore dhe nacionale të personit i cili ëndërron. Për këtë shpjeguesit musliman të ëndrrave bazohen së pari në versetet kuranore dhe hadithet e Pejgamberit s.a.v.s. me të cilët edhe bazohet gjendja emocionale e një muslimani.
Frojdi mendon se ata të cilët kanë nivel të njejtë të arsimimit në ndërdijën e tyre shërbehen me simbole dhe shenja të ngjashme ose të njejta të cilat nëpërmes të ëndrrave të tyre duhet zbuluar.
b) simbolet dhe aluzionet në gjumë:
Për shkak të refleksit të papërshtatshëm në shoqëri si dhe normave moraloetike të përgjithshme, ndërdija nuk lejon që përmbajtja e saj të manifestohet në gjumë në formën e saj reale. Për këtë mendimet e fshehura paraqiten në forma të ndryshme, në forma të simboleve dhe aluzioneve. Shpjeguesi i ëndrrës duhet të jetë veçanërisht i ndjeshëm dhe i aftë që nga elementet e paraqitura të ëndrrës përplot simbole dhe aluzione , të jetë i suksesshëm të zbuloi të vërtetën e cila fshihet pas tyre duke i dhënë kuptim të vërtetë dhe të plotë shpjegimit të ëndrrës.
Mënyra e komunikimit në atë botë të ndërdijes, gjithsesi ndryshon qenësisht nga mënyra e komunikimit në botën reale në të cilën jemi mësuar. Për këtë, meqë nuk mundemi lehtë ta kuptojmë mesazhin e dërguar në gjuhën e ndërdijes, duhet të mundohemi të deshifrojmë dhe shënojmë me shenjat tanë. Gjuha e ëndrrave, meqë përbëhet nga shenjat dhe simbolet, mund ta krahasojmë me gjuhët e vjetra siç janë gjuha e vjetër egjiptase, kaldeike apo meksikane, kështu që çdo herë këto simbole mu sikur hieroglifet duhet të shpjegohen dhe tregohen tek ne me shenjat ekzistues. Në një hadith, Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ëndërrat kanë epitetin e tyre të veçantë, andaj quani dhe shpjegoni sipas tyre”.
Nëse forma e brendshme kthehet dhe paraqitet në formën e dukshme, ne këtë e quajmë ëndërr, ndërsa në rastin e kundërt, kur imazhi i dukshëm ndryshon dhe kalon në formën e brendshme të fshehët këtë ne e quajmë analizë.
Tani do të paraqesim disa shembuj të ëndrrave që janë interesant për psikoanalizën islame:
1. Një njeri i tregoj Ali ibn Husejnit r.a.: “Ëndërrova duke urinuar në dorën time!” – “Je martuar me gruan e ndaluar” – i tha Aliu. Kur pas kësaj hulumtuan rastin, vërtetuan se gruaja ishte me fis nga qumështi. Në këtë ëndërr shohim se dora, e cila siç e dimë është një pjesë e trupit të njeriut, është simbol për motrën e cila është anëtare e familjes, ndërsa urina simbolizon spermën, kështu që imam Aliu r.a. urinimin në dorë e shpjegoi bashkëjetesën me gruan e ndaluar. Nëse njeriu në këtë rast e ka ditur se gruaja me të cilën jeton në realitet motra, ëndërra është një psikotest dhe vëretje e ndërdijes. Por, nëse ai këtë nuk e di, atëherë ëndërra kuptohet si inspirim.
2. Transmetohet që një njeri erdhi te Ibn Sirini duke i thënë: “ëndërrova duke quruar vezën, të kuqin e hudhësha, ndërsa të bardhin e vezës e haja”. Ibn Sirini i tha: “Ky njeri plaçkitë varrezat e të vdekurve”! Kur e pyetën se si e shpjegoi këtë, u përgjigj: “Veja simbolizon varrin, i kuqi i vezës trupin, ndërsa i bardhi qefinat e të vdekurit, të cilat ky i shet”. Mashtrimi i njeriut në fjalë i cili natën plaçkiste varrezat duke vjedhur qefinët u paraqit në formë ëndërre por me formë të ndryshuar nga ndërdija e tij. Shpjeguesi me përvojë, Ibn Sirini me sukses e shpjegoi këtë ëndërr duke e zbuluar fshehtësinë.
Këta shembuj të shpjegimit të ëndërrave që i përmendëm tregojnë se psikotestet dhe kërkimi me ndërdijen e njeriut nëpërmjet shpjegimit të ëndrrave nuk është gjë e re të cilën e ka menduar Frojdi. Në mesin e muslimanëve kanë ekzistuar njerëz të zgjedhur dhe individ të ditur të cilët shumë para Frojdit e kanë zbuluar këtë metodë.
Te Ibn Sirini erdhi një njeri duke i thënë: “Ëndërrova që në shtëpinë time hyri një gjel dhe i hëngri disa kokërrza elbi”. Ibn Sirini i tha: “Kur të vjedhet diç nga shtëpia eja tek unë”. Pas disa ditësh erdhi ky njeri tek Ibn Sirini dhe i tha: “Nga shtëpia më është vjedhur sexhadeja”. Ibn Sirini i tha: “Ta ka vjedhur muezini”. Njeriu shkoi tek muezini dhe kërkojë që t’ia kthej sexhaden i cili pas një konflikti të shkurtër ia kthej.
Shohim se kjo ëndërr ofroi dy informata të panjohura, njëra që do të ndodhë vjedhja dhe tjetra – aktorin e ngjarjes.
Pra, mundemi të konkludojmë që ekzistojnë ëndërra të cilat nuk mund t’i shpjegojmë sipas rregullave të psikoanalizës dhe mësimit materialistik.
Këto mund t’i shpjegojnë vetëm njerëzit që njohin dhe besojnë në botën jashtë natyrës së dukshme dhe materien.
Aspekti jo materialistik dhe inspirimi shpirtëror në disa ëndërra janë aq të rëndësishëm, siç kemi theksuar më parë, andaj Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Ëndërra e vërtetë e besimtarit është një e dyzet e gjashta pjesë e profetësisë”.
(Ahmedi, Tirmidhiu)

Mendojmë se për fenomenin e gjumit dhe të ëndrrave duhet të shkruhet edhe më tepër nga aspekti islam, sepse është mëkat për besimtarët që për shpjegimin e ëndrrave të kërkojnë përgjigje në komentet e mistifikuara dhe jo reale.
Në fund mund të konkludojmë se gjumi, si fenomen tejet interesant shkencor, duhet kuptuar si mrekulli dhe mëshirë të Allahut të madhërishëm, si pushim të organizmit, e veçanërisht si pushim të sistemit nervor, në mënyrë që të nesërmen të jemi të gatshëm për kreativitet të begatshëm, duke përfituar nga dhuntitë e shumta të Gjithëkrijuesit, por njëherit duke e falënderuar vazhdimisht, siç na mëson verseti i Kur’anit në vijim:
“Po mëshira e Tij u bëri juve natën dhe ditën për të pushuar në të dhe për të përfituar nga begatitë e Tij, prandaj, të jini mirënjohës!.”
(Kasas, 73)

Categories

Archives