Monday, 22/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Shkollat tona edukim apo dhunë?


Shkollat tona edukim apo dhunë?


shefqet

Dr. Shefqet Krasniqi

Dhuna që shpërtheu në mes të filloristeve, ku “Duda” rrihte pa mëshirë shoqen e saj, mori dhenë dhe pothuajse tronditi mbarë opinionin. Në fakt një dhunë e këtillë nuk do të dihej po të mos bëhej publike nga vetë agresorja pasi që dhunën e ushtruar me krenari e incizonte dhe më pas ajo skenë famëkeqe u publikua në rrjetet sociale si “Youtube” dhe “Facebook”.

Sikur për çdo lajm tjetër, që postohet në këto rrjete, edhe për këtë rast u fol e u përfol thuajse u derdh gjaku deri në gju. Ndoshta pse ‘beteja’ ishte në mes vajzash e jo në mes djemsh, apo se dikujt iu desh ta zhvendosë vëmendjen e publikut, për qëllime të caktuara si shpesh më parë, e pse jo edhe për të shfrytëzuar këtë rast për fushata parazgjedhore, pro-et-contra, që po zhvillohen këtyre ditëve.

Shikuar më ndryshe, në krahasim me problemet reale më të cilat ballafaqohen shkollat tona, fillore dhe të mesme, mendoj se rasti i “Dudës” mbetet ndër më të voglat dhe më të thjeshtat. Rastet e rrahjeve për vdekje, therjeve me thikë, gjuajtjeve me armë, madje edhe vrasje të nxënësve mes veti janë jo të rralla në shkollat tona, e sidomos në kryeqytet.

Dikush mund edhe të vë në pikëpyetje këtë konstatim apo të konsideroj të stërmadhuar, por nëse i shtrojmë vetës vetëm një pyetje do ta kuptojmë se deri në ç’masë ka arritur pasiguria në shkollat tona. E ajo pyetje është pse shkollat tona, ato të kryeqyteti në veçanti, ruhen nga policia?

Fatkeqësisht, asnjëherë nuk është arritur ndonjë zgjidhje konkrete gjer më tani. Gjendja mbretëron po ashtu siç ka qenë, madje niveli i edukimit të nxënësve, si duket, po pëson rënie e degradim për çdo vit.

Nxënësit po lazdrohen e rebelohen çdo vit e më shumë, kurse ne, me ose pa dëshirë, po ua japim krahun. Sa për ilustrim po marrim rasti i fundit, pra rasti i “Dudës”.

Imagjinojeni gjithë atë poshtërim, nënçmim e abuzim që i bën ajo shoqes së vet dhe atë duke incizuar për ta parë bota, megjithatë, asnjë ligji nuk e kap, policia nuk e merr në pyetje, drejtoria e arsimit nuk ka të drejtë ta përjashtojë nga shkolla. Pra, konkretisht, asgjë nuk ndërmerret dhe ajo vazhdon të mbetet e pandëshkuar.

Ndaj, më thoni për hir të Zotit, pse mos të lazdrohen fëmijët tanë, e të mos ngrehin kokën lartë e të ju shesin trimëri jo vetëm kolegëve të tyre por edhe mësimdhënësve. Ata(o) edhe ashtu janë në fazën e pjekurisë që u duket vetja të fuqishëm mbi çdo gjë.

Ndaj, mendoj se duhet të jemi shumë më konkret dhe real sepse nuk jemi askund në tokë të bukës, siç thotë populli. Ne jo vetëm që po ua hapim dyert banditëve për të vjedhur, korruptuar e plaçkitur pasurinë shoqërore e individuale, por ne po ua hapim dyert edhe ‘banditëve të vegjël’. Këta ‘banditë të vegjël’, sikurse ata të mëdhenjtë, frikësojnë e shantazhojnë kolegët e tyre të sinqertë, të urtë e të zellshëm, ashtu që tu tregojnë se në këtë vend rregull vendos kush është më ‘banditi’ e jo kush është më i zellshmi e më i suksesshmi në mësime.

Pra, në kundërshtim me të gjitha normat mësimore ku më i disiplinuari dhe më i arsimuari duhet të jetë ai që udhëheqë. Aq më keq kur në këtë rast agresori është “bandite”, pra femër, e përpiqet t’i bëjë shoqet e saj që t’ia kenë frikën. Prandaj, si arsyetohet mos ndëshkimi i ‘mini-kriminelëve’ nëpër shkolla fillore e të mesme? Me arsyen se janë të vegjël, pa pyetni njëherë viktimën e ‘Dudës’ si ndihet nëse mendoni se ato ishin të vogla?

Një shkrim tjetër i dobishëm  Qabja madheshtore

Është për të tu dhimbsur fakti se askush realisht nuk merret me këto probleme kaq serioze për të ardhmen e rinisë, e njëherazi edhe të vendit.

Madje as kandidatëve për kryetarë komunash sikur nuk u bënë ndonjë përshtypje dhuna nëpër shkolla, ndaj edhe nuk ofrojnë asnjë sugjerim apo reagim të planifikuar përkitazi me parandalimin e kësaj dukurie tepër të dëmshme për shoqërinë.

Ah sikur të kishim vetëm këtë dukuri!, do të ishte lehtë, por mendoj se ato janë të shumta saqë ndoshta nuk ka ndonjë dukuri negative e që nuk është prezent në shkollat tona, fillore e të mesme, duke filluar nga dhuna e abuzimi, rrahjet e therjet me thika, e deri të alkooli, prostitucioni e droga.

Se këndejmi, të rrallë janë ata prindër sot që nuk shqetësohen për fëmijën e vet kur ta dërgojnë në shkollë derisa të kthehet, se mos po ia zë belaja me dikë. Shkollat tona janë bërë sikur një ‘xhungël’ ku gjen lloj-lloj bishe a egërsire që nuk kanë ndonjë qëllim tjetër, vetëm se ta shqyejnë dikë.

Tashmë edhe shkollat tona, për fat të keq, duket sikur ngjajnë me shkollat e Kolumbisë, Meksikës apo Brazilit, ku njeriu del shëndosh e mirë nga shtëpia, por ka mundësi të kthehet në arkivol. Allahu na ruajt.

Nuk ka fare dyshim se për t’i luftuar këto dukuri kaq të rrezikshme e shqetësuese për shoqërinë tonë duhet një mobilizim i përgjithshëm i qeverisë, administratave shkollore, prindërve dhe mbarë opinionit, secili në fushën e vet.

Gjithsesi gjykatat duhet ta bëjnë punën e vet, ligjet duhet të jenë më të ashpra edhe për nxënës, sepse ai që mësohet që nga fëmijëria me stilin ‘cawboy (lexo: loparë-çoban)’, ai edhe kurrë të rritet do të bëhet i tillë, madje ndoshta trimërohet edhe më shumë.

Po ashtu nuk ka fare dyshim se rol më rëndësi në këtë drejtim do luante edukata fetare, sikur të futej nëpër shkolla, sepse një fëmijë i edukuar mirë mbi baza fetare nuk ka mundësi të ushtrojë dhunë ndaj askujt.

Nëse i hedhim një sy shkollave më të dhunshme në ShBA, si p.sh. shkolla e mesme ‘Strawberry Mansion’ në Fidelfi, shohim se personeli i shkollës, përfshirë edhe policinë shkollore, fillojnë ditën me lutje në mëngjes. Andaj, thirrja jonë e vazhdueshme për ta futur edukatën fetare nëpër shkolla nuk është e rastësishme dhe ajo shpreh vullnetin e një numri të konsiderueshëm të qytetarëve.

Megjithatë vazhdimësia e injorimit të kësaj kërkese, sikur të ketë hasur në vesh të shurdhër, mund të jetë edhe e kushtueshme për disa nga nxënësit tanë.

Dikur do të ju bie ndërmend qeveritarëve tanë, ku ta di unë, ndoshta kur ndokush prej fëmijëve të tyre të ketë fatin e vajzës viktimë në rastin e “Dudës”, por atëherë do të jetë tepër vonë. Allahu na drejtoftë këtë qeveri, e na ruajt e udhëzoftë këtë rini. Amin… dhe deri javën tjetër me një temë tjetër. Es-selam alejkum.

Categories

Archives