Thursday, 30/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Shkaqet e lumturisë


Shkaqet e lumturisë


lumturia

Lavdërimi dhe falënderimi i takon vetëm Allahut, prandaj Atë e lavdërojmë dhe prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë dhe tek Ai pendohemi. Allahun e lusim të na ruaj nga të këqiat e shpirtërave dhe veprave tona. Atë që Allahu e udhëzon s’ka kush e largon nga udhëzimi, kurse atë që Allahu e lë në devijim s’ka kush e sjell në udhëzim. Dëshmoj se nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut, si dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij, salavatet dhe selamet qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij.
Ju përshëndes të gjithëve në këtë takim, ku shpresojmë te Allahu ta bëjë takim të bekuar për ne dhe të kemi të mira dhe dobi në të, vërtetë se Allahu dëgjon, Ai është afër dhe i përgjigjet lutësit.
Do të flasim rreth një teme të emërtuar me emrin “shkaqet e lumturisë”, ku sic e dini është një temë e gjërë dhe ka shumë aspekte në të, por do të përpiqem të përmend disa nga gjërat më të rëndësishme lidhur me këtë, duke shpresuar tek Allahu që të na jap sukses në fjalë dhe vepra të qëlluara, të cilat Ai i do.

Fjala më e mirë me të cilën e hapim këtë temë është fjala e Allahut, në të cilën thotë “Cilido mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë” (En Nahl: 97). Qëllimi me këtë ajet është ajo se, Allahu ka pëmend dy fryta madhështorë që dalin nga besimi në Allahun dhe nga vepra e mirë, e ato janë: jeta e bukur në këtë botë dhe shpërblimi i madh në botën tjetër.

Realiteti i lumturisë është rehatia e zemrës, dhe sado që njeriu hulumton për ta sqaruar realitetin e lumturisë, nuk do të mund të gjejë fjalë më të qëlluar se kjo. Pra realiteti i lumturisë është në rehatinë e zemrës dhe në largimin e shqetësimit dhe telasheve, sepse kur zemra rehatohet dhe qetësohet, atëherë mu ky është realiteti i lumturisë. Nga kjo mësohet se lumturia nuk arrihet me grumbullimin e pasurisë apo me pozitë, e as me ndonjë gjë tjetër, por ajo arrihet duke arritur rehatinë e zemrës dhe duke larguar nga ajo shqetësimin dhe telashet.

Zemra nuk është krijuar për gjë tjetër, përpos që t’i bëj ibadet Allahut dhe t’i nështrohet Atij, prandaj nëse zemra largohet nga qëllimi për të cilin është krijuar, atëherë ajo nuk do të jetë rehat dhe do t’i ikë lumturia. Pra realiteti i kësaj teme është ky: nëse zemra largohet nga qëllimi për të cilin është krijuar, e që është ibadeti dhe nënshtrimi ndaj Allahut, atëherë lumturia do të largohet nga ajo dhe do ta kaplojë shqetësimi, brengat dhe telashet. Për këtë, të gjitha lutjet e Pejgamberit (salallahu alejhi ve selem) që janë rreth largimit të brengave, vërejmë se ato përfshijnë teuhidin, sikurse është hadithi i transmetuar nga Ibni Abasi, i cili përmend se në rast brenge Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) thoshte: “Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut të Madhërishëm dhe të Urtit, nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut, Zotit të arshit madhështor, nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Allahut, Zotit të qiejve dhe tokës, Zotit të arshit fisnik”. E po ashtu hadithi që tregon për një grua, së cilës Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) i tha: “Do t’i mësoj disa fjalë, të cilat do i thuash në rast brenge: “Allahu është Zoti im dhe nuk i bëj ortak askë”, si dhe duaja e Junusit (alejhi selam), për të cilën ka thënë Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem): Çdo njeri që ka brengë dhe e thotë këtë dua, Allahu do t’ia largojë brengën: “Nuk meriton të adhurohet me të drejtë askush pos Teje, Ti je pastër nga mangësitë, me të vërtetë unë kamë gabuar”. Pra të gjitha duatë e transmetuara nga Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem), e që janë përdorur për largimin e brengave, përmbajnë teuhidin.

Nga kjo vimë në përfundim se themeli i lumturisë është teuhidi, sinqeriteti dhe imani në Allahun, sepse Ai ka urdhëruar robërit e tij të besojnë, të bëjnë vepra të mira dhe ibadete. Për këtë Allahu thotë në ajetin me të cilin filluam: “Cilido mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur…”, kjo jetë e bukur, e cila është realiteti i lumturisë, është fryt i imanit dhe veprës së mirë. Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Kur t’ju vijë udhëzim nga ana Ime, kush do ta pasojë atë, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim” (Ta-Ha: 123), në këtë ajet është mohuar humbja nga rruga e drejtë, gjë që me të pohohet udhëzimi në rrugën drejtë, ndërsa me mohimin e mjerimit pohohet lumturia. Pra lumturia është në pasimin e udhëzimit të Allahut me besim dhe vepra të mira. Gjithashtu Allahu thotë: “Tâ, Hâ. Ne nuk ta kemi shpallur Kuranin ty (o Muhamed), që të biesh në mjerim” (TaHa:1-2) dmth e kemi zbritë që të jesh i lumtur ti dhe umeti yt, pra Kurani është libri i lumturisë , siq është transmetuar në një dua: “Bëje Kuranin pranverë për zemrën time, largim të pikëllimit dhe ankthit tim”, bile kjo është ndër lutjet që ka udhëzuar Pejgamberi (salallahu alejhi ve selem) ta themi në rast se jemi goditur me brenga dhe ankth, siq është transmetuar nga Ibën Mes’udi: “Çdo njeri që e godet ankthi dhe pikëllimi, e më pas e lut Allahun me këto fjalë: ‘O Allah, unë jam robi Yt, i biri i robit dhe robëreshës Sate, çështja ime është në dorën Tënde, vendimi Yt mbi mua është i pakthyeshëm, gjykimi yt mbi mua është i drejtë. Të lutem me çdo emër Tëndin, me të cilin ke emërtuar Veten, apo e ke zbritur në librin Tënd, apo ia ke mësuar dikujt nga robërit e Tu, apo e ke mbajtur fshehur në diturinë Tënde, bëje Kuranin pranverë për zemrën time, dritë për gjoksin tim, largim të pikëllimit dhe ankthit tim’. Allahu do t’ia largojë ankthin dhe pikëllimin e tij dhe do t’ia zëvendësoj me gëzim”.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Fundi i ecjes drejt suksesit, është arritja e suksesit!

Nëpërmjet këtij hadithi mund të vimë në përfundim të disa shkaqeve të lumturisë, sepse në përfundim të këtij hadithi është përmendur rezultati: “Allahu do t’ia largojë ankthin dhe pikëllimin e tij dhe do t’ia zëvendësoj me gëzim”. Hadithi sjell si rezultat lumturinë dhe gëzimin, prandaj mund t’i numërojmë katër shkaqe të lumturisë që përfitohen nga ky hadith, nga fjala: “Allahu do t’ia largojë ankthin dhe pikëllimin e tij dhe do t’ia zëvendësoj me gëzim.

Shkaku i parë i lumturisë: realizimi i ibadetit dhe nënshtrimit ndaj Allahut; e kjo është e qartë në këtë hadith: “O Allah, unë jam robi Yt, i biri i robit dhe robëreshës Sate”. Dmth ta realizosh nënshtrimin, përuljen dhe imanin se Allahu e meriton me të drejtë të adhurohet dhe askush tjetër pos Tij nuk meriton adhurim, t’i nënshtrohesh Atij duke shpresuar në mëshirën e Tij dhe duke patur drojë nga dënimi i Tij, atëherë do ta realizosh nënshtrimin dhe ibadetin ndaj Tij. Kur ta realizosh nënshtrimin dhe ibadetin ndaj Allahut, atëherë do të fitosh lumturinë nëpërmjet derës më të madhe të saj, bile nëpërmjet shtyllës dhe themelit të saj.

Shaku i dytë i lumturisë, që përfitohet nga ky hadith, është besimi në kaderin (caktimin) e Allahut, besimi se e tërë çështja e njerëzve është në dorën e Tij, besimi se gjykimi i Tij nuk ndryshon, askush s’mund ta kthejë gjykimin dhe caktimin e Tij, ajo që dëshiron Ai bëhet, e ajo që nuk dëshiron nuk bëhet, i Tij është vendimi në çdo kohë. Kjo është një derë e madhe e lumturisë dhe rehatisë së zemrës, sepse shumë herë zemrat goditen nga sprovat duke u ikur lumturia dhe duke u shkaktuar dhembje, por imani në Allahun dhe bindja se çdo gjë ndodhë me caktimin dhe dëshirën e Allahut, si dhe bindja se ne jemi të Allahut dhe tek Ai do të kthehemi, bëjnë që zemra të ketë rehati. Për këtë, lidhur me kuptimin e ajetit: “Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij.” Et-Tegabun: 11, disa nga selefët kanë thënë: “Këtu është për qëllim besimtari, kur e godet ndonjë bela ai e di se ajo është nga Allahu, prandaj pajtohet me atë dhe dorëzohet”. Për këtë, në rast se besimtarit i vie ndonjë bela, atëherë atij nuk i ndodhë ajo që i ndodhë pabesimtarit, sepse në rast fatkeqësie, besimtarin e sheh duke thënë: “Caktimi është i Allahut dhe Ai vepron si të doj, të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi, O Allah më shpërble në këtë fatkeqësi dhe ma zëvendëso me një gjë më të mirë se kjo”, e më pas kjo i sjell rehati, i qetësohet zemra dhe i largohet brenga. Kjo është lumturi dhe rehati e zemrës, e cila fitohet me realizimin e imanit në kader.

Ndërsa besimi në kader është njëra ndër shtyllat e imanit, bile siq thotë Ibën Abbasi, ai është rregulluesi teuhidit, me ç’rast ai thotë: “Besimi në kader rregullon teuhidin, ndërsa ai që i beson Allahut dhe nuk beson në kader, atëherë mosbesimi i tij në kader i rrënon teuhidin”. Për këtë, Ibën Ebi Davudi në poezinë e tij të quajtur “El Haijeh” thotë:

Në kader bëhu i bindur
Sepse ai është shtylla e fesë
E feja është shumë e gjërë

Pra feja është e gjërë, ajo përfshinë shumë gjëra, por shtyllë e kësaj feje është besimi në kader, i cili është bazë prej bazave të imanit. Kjo është një ndër dyert dhe bazat e lumturisë, është besimi i njeriut në kaderin e Allahut, në atë se ajo që do Allahu bëhet ndërsa ajo që nuk do nuk bëhet. Për këtë edhe është cekur kjo fjalë në hadith: “çështja ime është në dorën Tënde, vendimi Yt mbi mua është i pakthyeshëm, gjykimi yt mbi mua është i drejtë”. Ndërsa kur njeriu e mjekon veten me këso lloj lutjesh, duhet të sjell në mendje kuptimin e tyre dhe ta realizoj imanin me to, në mënyrë që ndikimi i tyre të jetë më i fuqishëm.

Autor: Dr. Abdurrezak el Bedr

Tags:

Categories

Archives