Sunday, 21/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Sëmundjet e trupit



Sëmundjet e trupit

anatomija

Sëmundjet e trupit





Për sëmundjet e trupit, All-llahu i gjithëfuqishëm dhe më i madhërishmi, thotë:
“Nuk është mëkat (të ngelë pa dalë) për të verbërin, për të çalin, e as për të sëmurin!” (El Fet-h, 17)
Ai, Zoti i plotfuqishëm, e përmend gjithashtu sëmundjen e trupit lidhur me ritualin e haxhit, me agjërimin dhe me cilësitë higjienike të marrjes së abdestit, pa marrë parasysh dobitë e tjera. Ai dëshiron t’u tregojë atyre që e lexojnë Kur’anin, se si mirëqenia praktike, ashtu edhe mirëqenia shpirtërore, është e fshehur në Kur’anin famëmadh, d.m.th. t’ua tërheq vëmendjen që të veprojnë mbi bazë të asaj që përmbajnë sekretet e tij. Për dallim nga të tjerët, kjo do t’i ndihmojë ata që e kuptojnë Kur’anin për t’i plotësuar kërkesat më të larta me rastin e zbatimit të udhëzimeve hyjnore. Kjo për arsye se janë tri rregulla themelore për shëndetin e trupit: mjekësia parandaluese (preventive), vetëpërmbajtja nga ajo që është e dëmshme, dhe pastrimi i trupit nga sekrecionet që e dëmtojnë.
All-llahu i gjithëfuqishëm i përmend këto tri parime në këto tri vende:
në versetin mbi agjërimin: “(Jeni të obliguar) Ditë të caktuara, e kush është i sëmurë prej jush ose është në udhëtim (e nuk agjëroi), atëherë ai (le të agjërojë) më vonë aq ditë”. (El Bekare, 184).
Sipas kësaj, Ai ia ka lejuar të sëmurit ta shtyjë agjërimin e vet derisa të shërohet nga sëmundja, udhëtarit që ta shtyjë agjërimin e obliguar përkohësisht dhe ta ruajë fuqinë për shkak të ngarkesës fizike gjatë udhëtimit;
në versetin mbi haxhin, Ai thotë: “Po kush është prej jush i sëmurë ose ka mundim koke (e rruhet para kohe) kompensimi është: agjërim, sadaka ose kurban”. (El Bekare, 196)
Këtu përsëri All-llahu i gjithëfuqishëm ia lejon personit të sëmurë ose atij që është i sëmurë nga zgjebja, zbokthi ose morrat, apo nga ndonjë sëmundje tjetër e lëkurës së kokës, që ta rruajë kokën gjatë kohës kur e vesh ihramin, edhe pse nuk është e lejuar, t’i eleminojë avullimet e dëmshme që do të mblidheshin përreth kokës, dhe për pasojë do ta mbyllte frymëmarrjen e poreve dhe, ndoshta, do të shkaktonte infektimin e folikulave të qimeve (folikulitis). Kur të rruhet koka, hapen poret dhe këto avullime dalin në lëkurë dhe e bëjnë të mundur procesin e pastrimit natyror. Kështu, nga versetet e cituara të Kur’anit, dhe ajo që do të mund të kuptohej nga shpjegimet hyjnore, lejohet mësimi në zgjidhjen e sëmundjeve të lehta në mënyrë që të ndihmohet shërimi i sëmundjeve serioze, prandaj, për këtë arsye, është zhvilluar metoda deduktive, që njihet me emrin qiyas, për eleminimin (pastrimin) e helmeve të dëmshme dhe gëlqerizimeve të tjera. Kjo metodë ndahet në dhjetë pjesë të trupit të njeriut duke përfshirë: gjakun kur vlon (rrjedh), farën (spermën) kur vrushkullon, urinën, fecesin, fryrjen (ënjtjen), vjelljen, teshtitjen, gjumin, urinën dhe etjen. Secili nga këto dhjetë elemente, kur grumbullohet, shkakton sëmundje dhe pastaj e bën të domosdoshme pastrimin;
nga pikëpamja e vetëpërmbajtjes dietetike (arab. himyah), udhëheqja shpirtërore është përkujdesur në Kapitullin e abdestit, ku All-llahu i gjithëfuqishëm thotë:
– “Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësia (nevojtorja) ose keni takuar gratë, e nuk gjeni ujë, atëherë mësyne dheun dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart (tejemum). All-llahu shlyen e falë mëkatet”. (En Nisaë, 43)
Në këtë rast All-llahu i gjithëfuqishëm ia lejon të sëmurit që të zëvendësojë abdestin e zakonshëm me tejemum (pastrim simbolik) dhe mos të përdorë ujin, kur përdorimi i tij i jashtëm është i dëmshëm. Kjo është edhe një vërejtje për njerëzit, e cila u tregon atyre se duhet të ruhen nga të gjitha ato që e dëmtojnë trupin, qoftë me karakter të jashtëm qoftë me karakter të brendshëm. Por All-llahu i gjithëfuqishëm ua ka dërguar robve të vet parimet themelore të shërimit mjekësor dhe të rregullimit të tyre.
Në këtë vepër, ne do t’i paraqesim gjithashtu udhëzimet mjekësore që janë dhënë nga i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., dhe me siguri nuk ka rrugë më të mirë për përdorimin e kësaj diturie. Sa i përket shërimit të zemrës, ajo mund të shërohet vetëm nëpërmjet pejgamberëve të All-llahut. Prandaj, një zemër, për t’u shëruar dhe pastruar nga ndyrësitë, së pari duhet ta njohë Krijuesin dhe Zotin, emrat dhe cilësitë e Tij, veprat dhe rregullat e Tij, të ndjekë veprimin e Tij, të mendojë për urtësinë e Tij. Dhe që e tërë kjo të veprojë në ato zemra të tilla në atë mënyrë që ato zemra të dëshirojnë atë që urdhëron e dëshiron Ai, ndërsa të vetëpërmbahen nga ajo që Ai e ndalon dhe e urren. Dhe nuk ka jetë dhe shëndet të vërtetë përveç në këtë mënyrë. Këto dituri mund të mësohen vetëm nga mësimet e të dërguarve të Tij, (Qofshin të gjithë në paqe!), në të kundërtën meditimi do të jetë krejtësisht i gabuar dhe i pafrytshëm. As nuk mund të mendojmë se do të mund të veprojmë në kundërshtim me udhëzimet, ndërsa zemrat të jenë të shëndosha. Do të mashtrohet ai që mendon kësisoj, sepse një mënyrë e këtillë do të jetë vetëm ushqim i jetës dhe i fuqisë së qenies së tij shtazore. Jeta e tij do të jetë e pakuptimshme dhe e ngjashme me jetën e kafshëve, ndërsa zemra e vërtetë dhe e devotshme është e çliruar nga parafytyrime të tilla të ulëta. Ai që nuk mund ta dallojë ndryshimin ndërmjet këtyre dy gjërave të zemrës, duhet të qajë për jetën e zemrës së vet. Sepse ajo është plotësisht e vdekur. Zemra e vërtetë është e mbushur me dritë, ndërsa zemra e vdekur është mbytur në ambisiet e errësirës.