Friday, 20/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Sëmundja e diabetit dhe agjërimi


Sëmundja e diabetit dhe agjërimi



Nr. 71 – Akademia Ndërkombëtare e Fikhut Islam

Vendimi nr. 183 (9/19)

Subjekti: Sëmundja e diabetit dhe agjërimi

Asambleja e Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, e dalë nga Organizata e Konferencës Islamike, e mbledhur në sesionin e saj të nëntëmbëdhjetë në Emiratin e Sharikas (Emiratet e Bashkuara Arabe) në datat 1-5 Xhumadi el-Ula 1430 h / 26-30 Prill 2009 e.s., nisur nga traktati i marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Organizatës Islamike të Shkencave Mjekësore dhe Akademisë Ndërkombëtare të Fikhut Islam, e nënshkruar nga të dyja palët, pas kërkesës së bërë nga Akademia në lidhje me studimin e çështjes “Sëmundja e sheqerit dhe agjërimi i Ramazanit” si dhe pas dy seminareve të mëparshme të zhvilluar nga kjo Organizatë në 2.4.1429 h / 3.11.2007 e.s dhe 8.4.2008 e.s. dhe pasi mori në shqyrtim studimet e paraqitura pranë Akademisë rreth sëmundjes së diabetit dhe agjërimit, pasi dëgjoi diskutimet që u zhvilluan rreth temës dhe pasi u paraqitën aspektet mjekësore e fetare e ndikimi i tyre mbi agjërimin e të sëmurëve me diabet, vendosi si më poshtë:

Së pari: Njohje e shkurtër me sëmundjen e diabetit

Sëmundja e diabetit është çrregullim i nivelit të glukozës (ose sheqerit) në gjak dhe në veçanti rritja e nivelit të saj përtej normave natyrale. Sëmundja e diabetit shkaktohet nga: mungesa e hormonit të insulinës, që prodhohet nga qelizat të veçanta të pankreasit, ose nga sasia e ulët e saj, ose -në disa raste- nga reagimi i dobët e i qelizave të trupit ndaj insulinës.

Së dyti: Llojet e diabetit

Sëmundja e sheqerit përfshin brenda saj disa lloje të ndryshme diabeti, të cilat ndryshojnë shumë mes tyre, si për sa i përket shkaqeve ashtu edhe mënyrës së kurimit. Këto lloje sipas emërtimit të bërë nga organizmi i OBSH-së, i specializuar për diabetin janë:

1. Diabet i llojit të parë (Diebetes Mellilitus type I) që kontrollohet me insulinë me doza të ndryshme brenda ditës.
2. Diabet i llojit të dytë (Diebetes Type II) që nuk përdor insulinë.
3. Diabet shtatzënie (Gestitional Diabetes)
4. Lloje të tjera diabeti:
a) Diabet që shkaktohet nga disa sëmundje të pankreasit.
b) Diabet që shkaktohet nga çrregullime hormonale të hipofizës, gjëndrës së veshkave dhe qelizave të pankreasit.
c) Diabet që shkaktohet nga disa barna.

Së treti: Klasifikimi mjekësor i të sëmurëve me diabet:

Të sëmurët me diabet janë klasifikuar në katër grupe:

Grupi i parë: Të sëmurë ku (për shkak të agjërimit) mundësitë e rritjes së sheqerit janë të mëdha dhe të rrezikshme, e provuar kjo nga ana mjekësore. Këto raste sëmundje karakterizohen nga situatat e më poshtë:
· Të sëmurët kanë rënie të theksuar të sheqerit për një periudhe kohore tremujore para ardhjes së muajit të Ramazanit.
· Të sëmurë të cilët kanë të përsëritur rënien apo ngritjen e nivelin të sheqerit në gjak.
· Të sëmurë që vuajnë nga situata të humbjes së vetëdijes për shkak të uljes së sheqerit, situatë me të cilën përballen disa prej të sëmurëve me diabet, në veçanti ata të llojit të parë, te të cilët janë të shpeshta rastet e uljes së theksuar të sheqerit për periudha të gjata kohore.
· Të sëmurë që dihet se kanë vështirësi për të kontrolluar sheqerin për periudha të gjata kohore.
· Të sëmurë që paraqesin raste të shtimit të ketoacidosës diabetike ose shtim të komës diabetike, dhe kjo për një periudhë kohore tre muaj para se të vijë muaji i Ramazanit.
· Të sëmurë me diabet të llojit të parë.
· Të sëmurë me sëmundje të tjera akute që shoqërojnë diabetin.
· Të sëmurë me diabet që janë të detyruar të kryejnë punë të rënda fizike.
· Të sëmurë me diabet që u bëjnë dializë veshkave.
· E sëmurë me diabet gjatë shtatzënisë.

Grupi i dytë: Të sëmurë te të cilët shfaqen relativisht mundësi të mëdha të shtimit të sheqerit në gjak për shkak të agjërimit dhe të cilët vlerësohen nga mjekët se janë të ekspozuar ndaj këtyre ndryshimeve. Rastet e tyre paraqiten si më poshtë:
· Ata të cilët vuajnë nga rritja e sheqerit në gjak me mesatare “180 – 300 mgm/dsl, 10 mlm- 16.5 mlm” dhe ku përqindja e hemoglobinës së akumuluar (të glukozuar) e kalon 10 %.
· Ata që vuajnë nga dëmtimi i veshkave.
· Ata që vuajnë nga dëmtimi i arterieve të mëdha (siç janë sëmundjet e zemrës dhe arterieve)
· Ata që jetojnë vetëm dhe mjekohen nëpërmjet injeksioneve me insulinë ose me kokrra për uljen e sheqerit, të cilat nxisin qelizat të prodhojnë insulinën në pankreas.
· Ata të cilët vuajnë nga sëmundje të tjera tek të cilët rritet rreziku i dëmtimit të shëndetit.
· Të thyerit në moshë që vuajnë edhe nga sëmundje të tjera.
· Të sëmurë që marrin kura që japin pasoja mendore.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Mbajtja e qenit nga aspekti fetar dhe shkencor

Dispozitat fetare për grupin e parë dhe të dytë:

Në rastet kur i sëmuri i përket këtyre dy grupeve, dhe është e sigurt se agjërimi e dëmton atë, ose është vlerësuar kështu sipas opinionit të mjekut të besueshëm specialist, atëherë ai i sëmurë që i përket këtyre dy grupeve dhe gjendet në ndonjë nga situatat e përmendura më sipër nuk duhet të agjërojë, për të mos dëmtuar shëndetin e tij, sepse Allahu i Lartësuar thotë: “dhe mos e çoni veten tuaj në shkatërrim.” (el-Bekare: 195) dhe thotë: “dhe mos e vritni veten! Vërtet, Allahu është i Mëshirshëm me ju.” (en-Nisa: 29). Mjeku në këtë rast e ka për detyrë t’i sqarojë këtyre njerëzve rrezikun e agjërimit dhe mundësinë e madhe për t’iu përkeqësuar sëmundja, e cilat mund të jetë –sipas mundësisë më të madhe- e rrezikshme për shëndetin dhe jetën e tyre.
Mjeku e ka për detyrë në këtë rast të shterojë të gjitha procedurat e mundshme mjekësore, të cilat i mundësojnë të sëmurit të agjërojë pa dëmtuar shëndetin .

Për grupin e parë dhe të dytë të cilët janë të shtrënguar të mos agjërojnë për shkak të sëmundjes vlejnë dispozitat e mos agjërimit që përmenden në fjalën e Allahut: “nëse ndonjëri prej jush është i sëmurë ose duke udhëtuar, le të agjërojë aq ditë sa i ka prishur në ditët e tjera pas. Ata që kanë vështirësi për të agjëruar, duhet të ushqejnë si shpagim nga një të varfër për çdo ditë agjërimi.” (el-Bekare: 184)
Ai që agjëron edhe pse ky agjërim e dëmton atë, agjërimi i tij është i saktë, por në këtë rast ai ngarkohet me gjynah.

Grupi i tretë: Në këtë grup bëjnë pjesë ata të sëmurë ku probabiliteti që për shkak të agjërimit tu ngrihet sheqeri është në mundësi mesatare. Në këtë grup futen rastet e të sëmurëve që kanë diabet të qëndrueshëm dhe që e kontrollojnë sheqerin në gjak me kura të përshtatshme që ulin sheqerin duke ngacmuar qelizat e pankreasit të prodhojë insulinë.

Grupi i katërt: Në këtë grup bëjnë pjesë ata të sëmurë ku probabiliteti që për shkak të agjërimit tu ngrihet sheqeri është në mundësi të vogla. Në këtë grup futen rastet e të sëmurëve që kanë diabet të qëndrueshëm dhe që e kontrollojnë sheqerin në gjak me dieta ose kura të përshtatshme që ulin sheqerin dhe nuk i ngacmojnë qelizat e pankreasit të prodhojë insulinë, por vetëm rrisin efektivitetin e saj.

Dispozitat fetare për grupin e tretë dhe të katërt:

Këtyre dy grupeve nuk u lejohet ta prishin agjërimin, sepse të dhënat mjekësore nuk tregojnë se agjërimi rrit mundësinë e rritjes së sheqerit në gjak dhe i dëmton atyre shëndetin dhe jetën, përkundrazi shumë prej tyre agjërimi mund tu bëjë mirë.

Mjekët e kanë për detyrë tu përmbahen këtyre dispozitave dhe të japin kurën e duhur për secilin rast më vete.

Akademia sugjeron gjithashtu se:

1. Mjekët duhet të marrin njohuri të mjaftueshme të dispozitave të fesë në lidhje me këtë çështje. Kjo kërkon që organizmat e interesuar të përgatisin informacionet përkatëse në lidhje me çështjen dhe t’ua shpërndajnë atë këtyre njerëzve që duhet.
2. Dijetarët që japin fetva dhe thirrësit islamë janë të detyruar t’i drejtojnë të sëmurët, të cilët kërkojnë prej tyre opinionin e sheriatit, që domosdoshmërish të paraqiten te mjekët tek të cilët ata kurohen dhe të cilët e kuptojnë dimensionin fetar dhe mjekësor të agjërimit dhe të konsultohen me ta. Ata duhet të kenë frikë Allahun për çdo udhëzim që japin në të tilla raste, duke i dhënë atë që i takon dhe i përshtatet gjithsecilit më vete.
3. Nisur nga rreziqet e mëdha reale që i shkaktohen shëndetit dhe jetës së të sëmurit nga përkeqësimi i sëmundjes së diabetit, është e detyrueshme të ndiqen të gjitha mjetet e mundshme për të udhëzuar dhe informuar të sëmurët me dispozitat e mësipërme, duke futur këtu edhe hutbet e xhumasë dhe mjetet e tjera të informacionit. Rritja e ndërgjegjësimit rreth sëmundjes dhe mënyrës sesi duhet të sillemi me të ulë shumë pasojat e saj dhe lehtëson procesin e pranimin të dispozitave fetare dhe këshillave mjekësore për kurimin e saj.
4. Organizata Islamike e Shkencave Mjekësore në bashkëpunim me Akademinë Ndërkombëtare të Fikhut Islam duhet të marrë përsipër nxjerrjen e një broshure udhëzuese rreth kësaj çështje, në gjuhën arabe dhe gjuhë të tjera dhe të punojë për përhapjen e saj në mes mjekëve dhe dijetarëve islam, si dhe ta përhapë atë në internet për të përfituar të sëmurët prej saj.
5. Tu kërkohet ministrive të shëndetësisë të vendeve islame të vënë në zbatim programe kombëtare në fushën e parandalimit, kurimit dhe ndërgjegjësimit rreth sëmundjes së diabetit dhe dispozitave fetare që lidhen me të.

Burimi: http://www.fiqhacademy.org.sa/

image_pdf

Categories

Archives