Tuesday, 20/11/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Salatul Kusuf – Namazi me rastin e eklipsit te diellit apo hënës



Salatul Kusuf – Namazi me rastin e eklipsit te diellit apo hënës

Prayer-of-the-solar-eclipse-in-IslamFalënderimi i qoftë Allahut të madhëruar, Krijuesit të qiejve dhe tokës, Dhuruesit të territ dhe të dritës, Ai i cili krijoi diellin dhe hënën si dy argumente të fuqisë së Tij dhe na urdhëroi që mos ti bëjmë sexhde as diellit as hënës por t’i bëjmë sexhde Atij.

Salavati e selami qofshin mbi Muhamedin, salallahu alejhi ve sel-lem. Krijimi i tokës dhe qiejve, harmonia e ligjeve qe ekzistojnë në të janë prej argumenteve më të qarta për fuqinë e Tij. Sikur të mos ekzistojë një Krijues dhe Rregullues i tyre do të ndodhnin shumë çrregullime në Univers. Koordinatat e lëvizjes së planetëve dhe largësisë së yjeve janë aq precize sa që një ndryshim i vogël në të do të shkaktonte shkatërrime të mëdha në kozmos. Me gjithë atë Allahu i madhëruar, me urtësinë e Tij ka caktuar disa ndryshime për ta përkujtuar njerëzimin se sa e madhe është fuqia e Tij dhe sa i dobët dhe i pafuqishëm është njeriu ndaj ligjeve të cilat i ka vendosur Sunduesi i kësaj gjithësie, Allahu, qoftë i lartësuar Ai. Prej këtyre shenjave është kur dielli apo hëna, për një kohë të caktuar, humbin shkëlqimin e dritës për shkak të qëndruarit të hënës apo tokës në mes njërit trup dhe diellit.

Kjo gjë ka qenë e njohur në kohën e Muhamedit, salallahu alejhi vesel-lem, dhe ka qenë një rast i rëndësishëm se ka ndodhur në kohë kur vdiq djali i tij Ibrahimi. Në atë rast njerëzit akoma ishin nën ndikimin e besimeve të kota dhe disa menduan se kjo gjë ndodh për ndonjë ngjarje të madhe. Resulullahu, salallahu alejhi ve sel-lem, shpejtoi që të shpjegojë se kjo gjë nuk ka ndodhur për atë shkak të cilin menduan ata dhe tha:
“Më të vërtetë dielli dhe hëna janë dy prej argumenteve të Allahut (të fuqisë së Tij) dhe ato nuk e humbin dritën për shkak vdekjes së ndonjë personi as për shkak gjallërimit të tij dhe kur të ndodhë kjo shpejtoni për tu falur dhe lutur Allahun (me frikërespekt) deri sa të largohet ajo qe ju ka ndodhë” (transmeton Buhariu në Sahihun e tij 2\529 Muslimi2\618 dhe tjerë)
Hadithet e Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem gjithashtu na tregojnë mënyrën se si falet ky namaz:

1 – Thirrja për këtë namaz bëhet me fjalët (ESSALATU XHAMIATUN) e cila d.m.th Tubohuni për namaz. Këta na e transmeton Abdullah ibn Amr ibën As, radijallahu anhuma, në hadithin të cilin e trasmeton Buhariu (11\6382) dhe EbuDavudi(4\1524) dhe tjerë.

2 – Mënyra e të falurit është transmetuar në hadithin të cilin e përcjell Aisheja, radijallahu anha, e cila thotë:
“Kur ndodhi kjo, Resulullahu, salallahu alejhi ve sel-lem, doli në xhami dhe i radhiti njerëzit në safe, pastaj mori tekbirin fillestar dhe lexoi Kur’ an gjatë, pastaj mori tekbir dhe shkoi në ruku ku qëndroi gjatë por më shkurtë se sa qëndrimi i tij në këmbë. Pastaj u ngrit nga rukuja duke thënë: semia All-llahu limen hamideh dhe përsëri lexoi Kur’an gjatë, por më shkurt se sa leximi i Tij para rukusë. Pastaj mori tekbirin dhe shkoi në ruku ku qëndroi gjatë por më shkurt se sa qëndrimi i Tij në rukunë e parë, pastaj u ngrit duke thënë: semia All-llahu limen hamideh, Rabbena lekel hamd
e pastaj shkoi në sexhde. Në rekatin e dytë veproi si në rekatin e parë.
Pra, fali dy rekate me katër ruku dhe katër sexhde. Para se të përfundojë namazin, ndriçoi përsëri drita e diellit.” Transmeton Buhariu 2/1046; Muslimi 2/619 dhe tjerë.





Ky namaz mund të falet edhe vet, pa imam ose xhemat.

3 – Hutbeja pas namazit: Prej sunetit është këshillimi i njerëzve pas namazit siç ka vepruar Muhamedi, salall-llahu alejhi ve sel-lem. Këtë e shohim prej haditheve të cilët i kanë transmetuar shumë shokë të
Pejgamberit, salall-llahu alejhi ve sel-lem, si Ebu Musa el-Esh’ari, Esma dhe Ajsheja, radijall-llahu anhum.

4 – Hukmi i namazit të kusufit: Thotë ibn Haxheri:
“Shumica e dijetareve janë të mendimit se është sunet i fortë edhe pse ka dijetar te cilët kanë thënë Vaxhib.” (Ebu Avene dhe Ibën Huzejme) 2/525 Mendimi më i vërtetë është se kjo është sunnet i fortë sepse
Pejgamberi, alejhis-selam, nuk e ka cekur me namazet e obliguara të cilët ia ka treguar Beduinit dhe ka dëshmuar se do të jetë prej të shpëtuarve nëse i falë pesë kohët e namazeve të obliguara. Allahu e di më mirë.

Përfundimisht e lus Allahu azze ve xhel-le që të na udhëzojë në rrugën e drejtë të na përforcojë në të dhe të na mundësojë ta përhapim sunetin në tokën e Tij.

Talha Kurtishi