Tuesday, 22/8/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Sadakaja

Sadakaja

Sadaka është dhënia shtesë krahas zekatit obligativ. Ai i cili jep sadaka e do Allahun dhe është i dashur nga Allahu, sepse ka mposhtur veten në aspekt të dashurisë ndaj pasurisë. Allahu i Madhërishëm për njeriun thotë në Kuran: “Dhe ai është që shumë e do pasurinë.” (El-Adijat:7)

I Dërguari i Allahut kur flet për sadakanë thotë: “Sadakaja është argument i besimit të fshehur në zemër” Dijetarët e kanë komentuar në shpjegimin e këtij hadithi, duke thënë se i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem e ka quajtur “argument i besimit të fshehur në zemër” shkaku se natyra e njeriut është që kur jep diçka duhet ta këmbejë me diçka tjetër, kjo është natyra që Allahu xhel-le shanehu i ka krijuar njeriut. Dhe fakti që njeriu të jep diçka pa e këmbyer me diçka tjetër është argument i besimit që fshihet në zemër.

Allahu i Madhërishëm dëshiron që robi i Tij të jetë dhurues dhe dorëlirë. Prandaj, Ai shpërblimin të cilin e ndanë Allahu do t’ia shumëfishojë. Allahu thotë në Kuran: “Shembulli i pasurisë së atyre që e japin në rrugën e Allahut është si një kokrre që i mbinë shtatë kallinj, në secilin kalli njëqind kokrra. Allahu ia shumëfishon (shpërblimin) atij që dëshiron, Allahu është Bujar i Madh, i di qëllimet”. (El-Bekare:261).
Po ashtu transmeton Ebu Hurejra se i dërduari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Sadakaja nuk pakëson pasurinë” (Transmeton Muslimi, Tirmidhiu, Ahmedi).
Prandaj, besimtarë i vërtetë është ai i cili beson se kur jep Allahu ia shton, ndërsa vesi i dorështrëngimit, vesi që njeriu është lakmitarë për veten e tij, të gjitha këto janë rezultat i punës së shejtanit që bën me njeriun
I Dërguari i Allahut thotë: “Sadakaja fikë hidhërimin e Allahut ashtu siç fikë uji zjarrin”. Pra. nëse Allahu është i hidhëruar ndaj teje për ndonjë vepër jo të mirë, për ndonjë fjalë, për ndonjë vështrim, për ndonjë dëgjim, për ndonjë përgojim, për ndonjë sjellje jo të mirë, kur të jep sadaka shuhet hidhërimi Allahut ashtu siç ka thënë i Dërguari i Allahut sal-all-llahu alejhi ve sel-lem.
Transmeton Ebu Hurejra se i Dërguari i Allahu sal-all-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Nuk ka ditë që nuk zbresin dy melajke prej Allahut xhel-le shanehu dhe thonë: O Allah jepi atij që jep dhe atij që nuk jep shkatrroja pasurinë. Prandaj duhet që të jemi të kujdesshëm që melajket të mos luten kundër nesh.Ai i cili jep sadaka është më i lumtur se sa ai që e pranon atë. Kështu ka vepruar edhe Pejgamberi alejhi selam. Kur i vinte ndokush i cili kishte nevojë, ai i jepte përparësi para vetës nganjëherë me ushqim, nganjëherë me sadaka, nganjherë me dhurata, e nganjëherë me blerjen e gjërave të caktuara.
Sadakaja për të qenë e pranuar, duhet të jetë nga fitimi i ndershëm dhe i pastër. I Dërguari i Allahut alejhi selam thotë: “Allahu është i ndershëm dhe nuk pranon përveç asaj që është e pastër” (Transmeton Muslimi). Po ashtu i Dërguari i Allahut sal-all-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “Ruajuni prej zjarrit të xhehennemit qoftë duke dhënë edhe një gjysmë hurme”. Kjo është argument se nuk është kusht i sadakasë sasia por e rëndësishme është që të jepet me sinqeritet dhe ajo që jepet të jetë hallall.
Aishja radijallahu anha transmetohet se ka dhënë ndonjëherë edhe një kokërr rrushi dhe ka thënë: “Unë shpresoj në çdo grimcë të kësaj kokrre rrushi shpërblim te Allahu”. Ndërsa për atë që jep sadaka për syefaqësi te njerëzit, kjo jo vetëm që nuk është e pranuar te Allahu, por është si shembulli i dikut që i vjel të mbjellurat e veta dhe i djegë me dorën e vet.Koncepti i lëmoshës në Islam është më i gjërë për atë që nuk posedon pasuri. Prandaj sadaka nuk është vetëm ndarja e pasurisë por sadaka kemi edhe lloje të tjera. Kur i erdhën disa njerëz të cilët nuk kishin pasuri dhe ankoheshin se i kanë arritur të pasurit, dukë thënë: “O i Dërguar i Allahut, pasanikët na tejkaluan me shpërblime, ata falin namaz si ne, agjërojnë si ne, kurse (përveç kësaj) nga teprica e pasurisë së tyre japin sadaka”. Pejgamberi alejhi selam tha: “A nuk ju ka dhënë Allahu edhe juve me çka të bëni sadaka? Vërtet, çdo tespih (lavdërim Allahut) është sadaka, çdo tekbir (madhërim Alllahut) është sadaka, çdo tahmid (falëndërim Allahut) është sadaka, çdo tehlil (thënia: La ilahe il-lall-llah) është sadaka. Urdhëresa për të mirë është sadaka, ndalesa kundër të keqës është sadaka, edhe marrëdhënia seksuale (bashkëshortore) është sadaka”. Njerëzit i thanë: “O i Dërguar i Allahut, a edhe kur ndonjëri prej nesh kryen marrëdhënie epshore ka shpërblime?” I Dërguari i Allahut tha: “Më thuani, nëse epshin e tij e përdorë në haram, a nuk ka mëkat? Po ashtu nëse e përdorë në hallall, do të ketë shpërblim”. (Transmeton Muslimi, Ahmedi, Ibn Hibbani)
Po ashtu i Dërguari i Allahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë: “T’i drejtosh buzëqeshje fytyrës së vëllait tënd është sadaka. Urdhëresa për të mirë dhe largimi nga e keqja është sadaka. Njeriu që ka devijua dhe e udhëzon është sadaka. Të largosh gurë, dhe ferra nga rruga, edhe kjo është sadaka. Nga kova jote të derdhësh ujë në kovën e vëllait tënd edhe kjo është sadaka” (Transmeton Tirmidhiu).

Një shkrim tjetër i dobishëm  KJO ËSHTË SFIDA MË E RËNDË

Pra, përveç dhënies së pasurisë që është sadaka, kemi edhe dy lloje të tjera të sadakasë. Njëra është bamirësia ndaj krijesave dhe tjetra e cila po ashtu nuk është materiale që hyjnë llojet e ndryshme të dhikreve.

Blerta Shaqiri

 

Categories

Archives