Sunday, 24/6/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Sa është normative mjekësia e Muhamedit (alejhi selam)

Sa është normative mjekësia e Muhamedit (alejhi selam)

Mjekësia e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. bëjnë pjesë në atë pjesë të sunnetit të Pejgamberit a.s. i cili nuk ka karakter normativ. Ajo është kryesisht rezultat i diturisë së tij, i përvojës jetësore të cilat bazohen në kërkesat e rrethanave momentale.

Muhammedi a.s. vendos principe të caktuara siç janë:

– urdhrat që duhet shëruar, sepse Allahu i Madhërishëm, për çdo sëmundje ka dhënë ilaçin:

 Nga Usame ibn Sheriku transmetohet që beduinët e kanë pyetur të Dërguarin e Allahut, s.a.v.s., a duhet të shërohen, për çfarë u ka thënë: “Po o robër të Zotit, shërohuni, sepse Allahu nuk ka dhënë sëmundje, e që për atë nuk e ka përcaktuar ilaçin”. E pyetën: “I Dërguar i Allahut cila është kjo sëmundje? “Pleqëria”, u përgjigj Pejgamberi s.a.v.s.(1)

– që duhet shëruar kryesisht me atë që është e lejuar: Ebu Derda transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:“Vërtetë Allahu xh.sh. e ka dhënë sëmundjen dhe ilaçin, dhe e ka përcaktuar për çdo sëmundje andaj shërohuni, por mos u shëroni me atë që është e ndaluar”.(2)

-ose ka jap udhëzime për të mbrojtur organizmin, siç është hadithi në të cilin qëndron që njeriu ka obligim edhe ndaj trupit të tij:

Abdullah ibn Amr ibn el As, transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Abdullah, kam dëgjuar që ditën agjëron e natën falesh?! I thashë: “Po i Dërguar i Allahut!”, atëherë më tha:

“Mos e bëj këtë, agjëro dhe ushqehu, falu dhe flejë, sepse ti ke obligime edhe ndaj trupit tënd, ndaj syrit tënd dhe ndaj bashkëshortes sate”.(3)

Të gjitha këto urdhëresa të Pejgamberit s.a.v.s. janë të obliguara për të gjithë pasuesit e tij pa marrë parasysh ku dhe kur kanë jetuar.

Ilaçet për të cilët i Dërguari i Allahut s.a.v.s. veçanërisht ka shprehur lavdërim janë:

  • mjalti
  • aloa vera

Ummu Kajs bint Mihsan ka thënë: “Kam dëgjuar Pejgamberin s.a.v.s. duke thënë: “Shërbehuni me drurin e alojës, sepse ajo është shëruese për shtatë sëmundje, në mes së cilave dhe inhalimi në hundë tek dhembja e kokës dhe vërja në gojë te inflamimi i pleurës (pleuritis)…”(4)

  • qimoni (fara e zezë)

Aisha r.a. transmeton që Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Kjo farë e zezë është ilaç për çdo sëmundje përveç samës!E ç’është sam? – e kam pyetur – “Vdekja” – u përgjigj ai, s.a.v.s.(5)

E kaluara legjendare dhe autoriteti që gëzon aloa vera, ka preokupuar shumë hulumtues që edhe sot e kësaj dite të zbulojnë përbërësit shërues dhe vetitë fitoterapeutike të kësaj bime. Përveç vitaminave dhe mineraleve, aloa vera përmban edhe aminoacide esenciale, enzime si amilaza, kataliza, fosfataza, proteaza, bradikina, etj.

Aloa vera ndihmon tretjen, aktivizon qarkullimin e gjakut, funksionimin e veshkave, të mëlçisë, fshikëzës së tëmthit, lehtëson dhembjet reumatike.

Është efikase te herpesi zoster, psoriaza, ekzema, infeksionet bakteriale dhe këpurdhore, zbret nivelin e kolesterinës dhe triglicerideve, si dhe nivelin e sheqerit në gjak te diabetikët, ngrit sistemin imunologjik dhe ka efekt antikancerogjen.

Ndërsa sa i përket farës së zezë, hulumtimet shkencore kanë vërtetuar se ajo forcon sistemin imunologjik të njeriut, i cili është bazë në luftë kundër sëmundjeve.

Shkencëtarët sot kanë zbuluar se kokrra e kimit të zi është e pasur me selen. Seleni jo vetëm që është mineral antioksidativ, por luan rol të veçantë në rregullimin e tajitjes së hormonit mashkullor (testosteronit) dhe në krijimin e spermatozoideve. Kokrra e kimit të zi, rrit imunitetin, është ilaç antisklerotik, karninativ (mënjanon gazrat e tepërt në zorrë), rregullon peristaltikën, forcon muskujt, veçanërisht muskulin e zemrës, qetëson dhe lehtëson dhembjet reumatike, rregullon proceset oksidoreduktive dhe vendos ekuilibrin në sistemin neuroendokrin. (6)

  • kanterizmi (djegia e plagëve)
  • lëshuarja (derdhja) e gjakut duke prerë lëkurën (hixhami)

Hixhami në praktikën e të dërguarit të Allahut, s.a.v.s.

Definicioni i hixhamit (cupping)

Fjala “el-haxhm”, prej nga rrjedh fjala hixham në gjuhën arabe d.m.th. thithje (mess).

Pra, kjo është metodë terapeutike e lëshimit të gjakut duke prerë lëkurën në sipërfaqen e saj në kupëzore.

Haxhxham është personi i cili e kryen hixhamin, ndërsa mihxhem, bombola në të cilën thithet gjaku gjatë hixhamit, si dhe nevojiten thika skalperi, apo lanceta me të cilën prehet lëkura e pacientit.

Hixhami është përdorur edhe tek popujt e lashtë si, kinezët, egjiptianët, babilonasit, persianët, bizantinët, e më pastaj edhe arabët e kanë praktikuar në periudhën e injorancës. (7)

Hixhami sot, tërësisht në mënyrë legale bëhet në Kinë, Finlandë, Greqi, Francë, Siri dhe në shumë vende tjera. (8)

Ekzistojnë dy lloje të hixhamit: i thatë (el-xhaffe), pa lëshimin e gjakut dhe me lëshimin e gjakut (er-ratbe). Hixhami me lëshimin e gjakut (i cili më së shumti) praktikohet, së pari lëkura e pacientit ngacmohet me vakum, pastaj në disa vende prehet me skalper sipërfaqësisht vihet bombola në vendin e prerjes dhe nëpërmes thithjes, gjaku rrjedh në bombolë.

Hadithet e Pejgamberit, s.a.v.s. për Hixhamin

Nga Ibn Abbasi, r.a. transmetohet që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Shërimi gjendet në mes të përdorimit të shurupit të mjaltit, lëshimit të gjakut duke prerë lëkurën dhe kanterizimit me zjarr, por unë ia kam ndaluar kanterizimin ummetit tim”. (9)

Ibn Abbasi ka shënuar gjithashtu që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Është i bekuar ai rob i cili lëshon gjak me anë të prerjes së lëkurës. Kjo pastron gjakun, qetëson pezmatimet e brendshme dhe forcon të parit”. (10)

Ai gjithashtu ka thënë se lëshimi i gjakut duke prerë lëkurën (hixhami), është njëri prej ilaçeve më të mirë.

Nga Ebu Kebshe el-Enmariu transmetohet se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka bërë hixhamin në kokë dhe në mes shpatullave duke thënë: “Kush e lëshon këtë gjak, kjo nuk do ta dëmtoj fare. Përse mos ta shëroni sëmundjen me mjete adekuate”. (11)

Nga Ibn Abbasi, r.a. transmetohet që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Ditët më të mira në të cilat bëhet hixhami janë 17, 19 dhe 21 të muajve hënor, ndërsa në natën e Israsë nuk kam kaluar pranë asnjë grupi melekësh e që nuk më kanë thënë: – Muhammed! – urdhëro pasuesit e tu që të shërbehen me hixham!” (12)

Imam Tirmidhiu ka treguar se hadithi i përmendur më sipër, të cilin e ka transmetuar Ibn Abbasi, që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Dita e 17, 19 dhe 21 të muajit hënor (lunar) janë ditët më të mira për lëshimin e gjakut me anë të prerjes së lëkurës dhe derdhjen e tij në kupëzore”. (13)

Në hadithin tjetër Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Shërohuni duke e lëshuar gjakun me anë të prerjes së lëkurës në kupëzore dhe mos lejimin që t’ju mbysë tensioni i lartë i gjakut (arab. Tebejjug)”. (14)

Ebu Hurejre e transmeton hadithin në të cilin i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Ky (hixhami) është ilaç për çdo sëmundje”. (15)

Enesi r.a. ka thënë: “I Dërguari i Allahut, s.a.v.s. është shëruar me anë të lëshimit të gjakut duke ia prerë lëkurën ndërmjet shpatullës (scapulae) dhe dy venave të pasme të qafës (Vv. Cervikales superfitiales). (16)

Aliu r.a. ka treguar se meleku Xhibril a.s. ishte ai që e ka përcaktuar lëshimin e gjakut të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s. në kupëzore me anë të prerjes sipërfaqësore të lëkurës. (17)

Në Sahihu-n është shënuar gjithashtu se i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. e ka përdorur lëshimin e gjakut me anë të prerjes sipërfaqësore të lëkurës kundër dhembjes së kokës e cila e mundonte gjatë kohës sa ishte në haxh dhe i veshur me ihram. (18)

A është hixhami pjesë e sunnetit normativ apo jo

Hadithet e saktë të cilët i përmendëm, qartë tregojnë se lëshimi i gjakut në kupëzore (hixhami) është mënyrë e dobishme e shërimit, por nuk ka argumente kategorike në bazë të cilave mund të pohojmë se hixhami mund të mendohet si sunnet normativ. Në bazë të këtij fakti mund të thuhet se hixhami është një akt i lejuar dhe i preferuar.

Hadithet të cilët flasin që melekët sugjerojnë Pejgamberin s.a.v.s. që pasuesit e tij të shërbehen me hixham, si dhe hadithet që flasin se hixhami është mënyrë e dobishme e shërimit duhet kuptuar në formë sugjerimi dhe këshillimi të cilat bartin karakter të kësaj bote dhe të cilat juristët e sheriatit i quajnë instruksione (emru irshad) e jo urdhra ligjdhënëse (emr teshri’). Pejgamberi s.a.v.s. udhëzon besimtarët që të shërbehen me te sepse ai ishte i butë dhe i mëshirshëm, i ndjeshëm dhe i kujdesshëm ndaj tyre, por në këtë nuk ka asgjë që tregon që hixhami është pjesë e sunnetit normativ, i cili si akt i obliguar ose i lavdëruar, duhet pasuar, kështu që ai i cili e bënë këtë do të jetë i shpërblyer me thevab, ndërsa i dënuar ai i cili e anashkalon.

Dallimi në mes instruksionit dhe aktit të lavdëruar është në atë që për aktin e lavdëruar pason shpërblimi i asaj bote, ndërsa për instruksione dobitë e kësaj bote. (19)

Koha kur duhet kryer hixhami

Për kohën kur duhet bërë hixhamin ekzistojnë shumë hadithe, por më i sakti është atë që e transmeton Enesi r.a. që Pejgamberi s.a.v.s. e ka bërë hixhamin në venet e qafës dhe në mes të shpatullave dhe këtë e bënte me 17, 19 dhe 21 të muajit hënor. (20)

Muveffekuddin el-Bagdadi në veprën “Et-Tibbun-nebevi” – (Mjekësia e të Dërguarit të Allahut), thotë se duhet pasur kujdes në kohën kur e ndalon Pejgamberi s.a.v.s., për kryerjen e hixhamit, përveç kur personi është i shëndoshë, ndërsa nëse është i sëmurë, hixhami mund të bëhet në çdo kohë, meqë transmetohet që i Dërguari i Allahut e ka bërë hixhamin si muhrim, ndërsa në ihram është në fillim të muajit.

Është e njohur praktika e Ahmed ibn Hanbelit i cili e praktikonte hixhamin pa saktësuar datën dhe kohën.

Lëshimi i gjakut me anë të prerjes së lëkurës në kupëzore, nuk duhet të përdoret pas ushqimit ngase kjo mund të pengoj procesin e digjestionit.

I Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Lëshimi i gjakut me anë të prerjes së lëkurës në kupëzore pa ngrënë është ilaç, ndërsa pas ngrënies është sëmundje, edhe në ditën e 17 të muajit hënor është ilaç”.

Në esencë, dhënia e përparësisë datës dhe kohës kur duhet bërë hixhami, kryesisht lidhet me masat e sigurisë ndaj personit të shëndoshë.

Sa i përket hadithit: “Shërohuni me hixham dhe mos lejoni t’ju mbysë tensioni i lartë i gjakut”, ky ka të bëjë kryesisht me ata që vuajnë nga tensioni i lartë në çast, pasi metoda e hixhamit lehtëson këtë sëmundje dhe prevenon komplikimet e mundshme të tensionit të lartë.

Ebu Bekri r.a., nuk e praktikonte hixhamin ditën e martë në përputhje me hadithin: “Gjaku nuk koagulohet sa duhet (nuk mpikset) të martën”. (21)

Ebu Hurejre r.a. ka transmetuar hadithin vijues: “Nëse ai që praktikon lëshimin e gjakut në kupëzore me anë të prerjes së lëkurës (hixham) të shtunën ose të mërkurën, sëmuret nga leukemia ose lebra (gërbula), le të fajësojë vetveten”. (22)

Pjesët e trupit ku bëhet hixhami:

a) në kokë (jafuh)

Më parë e përmendëm hadithin të cilin e transmeton Ebu Kebshe el-Enmari në të cilin thotë se Pejgamberi s.a.v.s. ka bërë hixham në kokë dhe në mes shpatullave.

Nga Abdullah ibn Buhajne r.a. transmetohet që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka bërë hixham në rrugë për në Mekë, si murim. Hixhamin e bëri në mesin e kokës. (23)

Nga Ebu Hurejre r.a. transmeton që Ebu Hindi i bëri hixham Pejgamberit s.a.v.s. në tepen e kokës, me ç’rast Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë: “Benu Bejada, martoni Ebu Hindën dhe njëra prej vajzave tuaja le të bëhet bashkëshortja e tij. Nëse në atë që shëroheni keni dobi, atëherë ky është hixhami”. (24)

b) në venat e qafës (ahdeajn) dhe në mes shpatullave (kahil)

Nga Enes r.a., transmetohet që Pejgamberi s.a.v.s. ka bërë hixham në venat e qafës dhe në mes të shpatullave, ditën e 17, 19 dhe 21 të muajit hënor. (25)

Nga Enesi r.a. transmetohet që Pejgamberi s.a.v.s. tre herë e ka bërë hixhamin në venet e qafës dhe në mes shpatullave. (26)

c) në shputat e këmbëve

Enesi r.a., transmeton që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka bërë hixham, si murim në shputën e këmbës për shkak të një infeksioni. (27)

d) në ije (virk)

Nga Xhabiri r.a., transmetohet që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka bërë hixham në ije (virk) për shkak të një infeksioni.(28)

Këto hadithe të sakta të cilat flasin për pesë pjesët e trupit në të cilat i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka bërë hixhamin, tregojnë që ky akt është i lejuar dhe i arsyeshëm nga ana e sheriatit.

Çfarë shëron hixhami

Për sëmundjet që mund të shërohen me hixham kryesisht flasin hadithet e dobët.

Sipas tyre hixhami mund të shëroj:

  • të gjitha sëmundjet e sistemit kardiovaskular;
  • kokëdhembjet dhe llojet e migrenës,

Nga Ibn Abbasi r.a., transmetohet që i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. e ka bërë hixhamin si mahrim në kokë për shkak të migrenës. (29)

  • aktivizon organizmin e njeriut në tërësi;
  • forcon memorien;
  • vepron në mënyrë preventive te çmenduria, epilepsia dhe ngjashëm;
  • ndihmon shërimin e plagëve dhe lëndime të ndryshme të organizmit;
  • zbrit tensionin e lartë të gjakut;

Çfarë duhet bërë me gjakun e thithur gjatë hixhamit

Në hadithet e Pejgmaberit s.a.v.s., kërkon që gjaku i thithur të gropohet. Por meqë hadithet janë të dobët dhe në te nuk mund të themelohet rregulli i sheriatit mund të konkludohet se gjaku i thithur mund të hidhet, por në aso mënyre që mos ta dëmtoj personin në të cilin bëhet hixhami, por as mjedisin, meqë sipas sheriatit mendohet si i pa pastër, ndërsa nga aspekti mjekësor përmban baktere.

Kompensimi material i personit që kryen hixhamin

Në hadithet e Pejgamberit, s.a.v..s., flitet për kompensimin material të personit i cili kryen shërbimet e hixhamit.

Nga Enes ibn Maliku, r.a., transmetohet që Pejgamberi s.a.v.s., e ka ftuar djaloshin që kryente hixhamin dhe ia bëri, me ç’rast Pejgamberi s.a.v.s., e shpërbleu dhe sugjeroi që tatimi t’i zvogëlohej. (30)

Nga Ibn Abbasi, r.a., transmetohet që ka thënë: “Pejgamberi s.a.v.s., personit që ia bëri hixhamin i dha kompensim material, e sikur kjo të ishte e përbuzur nuk do t’ia jepte”. (31)

Nga Enes ibn Maliku, transmetohet që Pejgamberi s.a.v.s., personit që ia bëri hixhami ia bëri kompensimin material.(32)

Mirëpo ekzistojnë gjithashtu hadithet e saktë që ndalojnë marrjen e çfarëdo kompensimi material për kryerjen e shërbimit gjatë hixhamit.

Rafi’ ibn Hadixh, transmeton që ka dëgjuar nga Pejgamberi s.a.v.s. duke thënë: “Fitimet më të këqija janë: fitimi nga prostitucioni, fitimi nga qeni dhe fitimi i personit që bën hixham”.

Shumica e juristëve të sheriatit dhe të gjitha shkollave juridike të sheriatit mendojnë që fitimi i personit që kryen hixhamin është i lejuar, në bazë të transmetimit të Ibn Abbasit, r.a. në të cilin qëndron: “…personit që ia ka bërë i ka dhënë kompensim material, dhe sikur të ishte kjo e përbuzur nuk do ta bënte”.

Ibnul Xhevziu mendon që është e përbuzur marrja e kompensimit material për kryerjen e hixhamit, sepse bëhet fjalë për shërbimet e cila në rast nevoje bëhet obligim i myslimanit ndaj myslimanit, për çfarë për këtë nuk duhet marrë kompensim. (33)

Për çdo rast kjo hyn në kornizat e jurisprudencës së zakonshme. Kështu nëse në një vend, shërbimet e tilla paguhen, atëherë nuk ka pengesë që të paguhet bërja e hixhamit, në të kundërtën nuk duhet marrë kompensim material.

Në fund të kësaj trajtese për hixhamin, ashtu si e ka pranuar dhe praktikuar Pejgamberi s.a.v.s. dëshiroj të përkujtojmë hadithin në të cilin i Dërguari i Allahut, s.a.v.s. ka thënë: “Kush vë në praktikë një gjë pozitive i cili pas tij do të praktikohet do të ketë shpërblim për atë, por edhe shpërblim për të gjithë ata që pas atij e bëjnë dhe që shpërblimi i atyre aspak nuk do të zvogëlohet. Por, kush e futë në praktikë një gjë të keqe, veprimi i cili praktikohet do të ketë mëkat për te, por edhe mëkat i të gjithë atyre që e bëjnë pas tij, dhe që mëkati i tyre aspak nuk do të zvogëlohet”. (34)

Konkludim

  • Një numër i madh i dijetarëve islam, posaçërisht juristët e sheriatit (ibn Kutejbe, el Karafi, ibn Kajjim el Xhevzi, ed-Delevi, et-Tahir ibn Ashur, Reshid Rida, Mahmud Sheltut, el-Karadavi, etj., mendojnë që është e domosdoshme në shembullin e jetës së Pejgamberit s.a.v.s. të dallohet pjesa normative dhe jo normative, pjesa e cila është e obliguar për të gjithë pasuesit e tij dhe ai i cili është shprehje e dimensionit të tij njerëzor dhe i cili nuk është obligativ për pasuesit e tij.
  • Hixhami është formë e shërimit tradicional popullor, të cilin e kanë njohur kinezët, egjiptasit, bizantinët, persianët, ndërsa e kanë praktikuar edhe arabët në kohën e injorancës;
  • Në sunnetin e të Dërguarit të Allahut, s.a.v.s., hixhami përmendet si pjesë e praktikës dhe traditës së arabëve të asaj kohe;
  • Në hadithet e saktë përmendet që melekët e kanë urdhëruar Pejgamberin, s.a.v.s. të bëjë hixhamin, por në këto hadithe nuk ka shpjegime konkrete cilat sëmundje me të shërohen, si bëhet ajo, në cilën periudhë kohore dhe moshë;
  • Është e qartë se Pejgamberi s.a.v.s. është shprehur me lëvdatë për rëndësinë e hixhamit dhe me të është shërbyer për shërimin e llojeve të ndryshme të sëmundjeve;
  • Nuk ka hadithe të sakta të cilët në mënyrë precize se cilat ditë janë të lavdëruara të bëhet hixhami. Një këshillë e cila përmendet është që ajo të bëhet në ditën e 17, 19 dhe 21 të muajit hënor të kalendarit;
  • Në disa hadithe të saktë flitet për pjesët e trupit në të cilat bëhet hixhami: tepja e kokës, venet e qafës, në mes shpatullave, ijeve dhe shputave të këmbëve, etj.;
  • Në hadithet e Pejgamberit s.a.v.s., shumica e të cilëve janë të dobët, flitet për dobitë e hixhamit, gjegjësisht për sëmundjet të cilat mund të shërohen me hixham. Kështu në hadithet përmenden që me të mund të shërohen sëmundjet e sistemit kardiovaskular, kokëdhembja dhe migrena, në mënyrë preventive vepron kundër çmendurisë, epilepsisë, ndihmon në shërimin e plagëve dhe lëndimeve të ndryshme, zbrit tensionin e lartë të gjakut, forcon memorien, gjegjësisht aktivizon organizmin e njeriut në tërësi;
  • Nuk ka hadithe të saktë që do të tregoj çfarë duhet bërë me gjakun e thithur. Për këtë, është e lejuar të mënjanohet në çfarëdo mënyre që lejojnë kriteriumet e sheriatit dhe shëndetësore;
  • Sipas mendimit të shumicës së juristëve të sheriatit është e lejuar të merret kompensim material për shërbimet e hixhamit;
  • Këshillimi i hixhamit nga Pejgamberi s.a.v.s. bën pjesë në instruksionet që kanë të bëjnë me aktivitetet e kësaj bote e nuk mendohet si urdhër i sheriatit. Nga kjo rezulton që nuk do të jemi mëkatar nëse nuk e aplikojmë hixhamin, ose e lëm anash atë që ka qenë pjesë e jetës së shëmbëllyer të Pejgmaberit s.a.v.s., për të cilin është shprehur me lëvdatë;
  • Për hixhamin, veprimin dhe efikasitetin e tij, fjalën do ta japin ekspertët mjekësor. Te sëmundjet që argumentohet se është e dobishme dhe efikase duhet aplikuar, e sidomos besimtarët, duke e kuptuar si ilaç të cilin aq shumë e aplikoi dhe lavdëroi Pejgamberi, s.a.v.s.

Literatura

  1. Ibn Kajjim el Xhevzi: “Mjekësia e të Dërguarit Muhammed a.s.”, Gjakovë, 2003.
  2. Abdurrahman Xhelaluddin es Sujuti: “Mjekësia Profetike”, përkthim, Gjakovë, 2004.
  3. Ph.DM.H. Kamali: Principles of islamic jurisprudence, fq. 66-67
  4. Dr. Jusuf al Qardawi: “Poslanikova medicina”, Novi horizonti, april, 2006, nr. 80 fq. 15.
  5. Waddah Maxhaddin al Hatib: “al-Hixhama fi al-fikh vel-hadis”, Dar al-fikr, Damask, 2004.
  6. Doc.dr. Zuhdija Hasanoviq: “Hixhama i njeno mesto u sunnetu Bozhijeg Poslanika, s.a.v.s.”, Evropski simpozijum o hixhami, Sarajevë, 2006.

.
1. Tirmidhiu nr. 1961; Ebu Davudi nr.3357, 3376; Ibn Maxheh nr.3427; Ahmedi nr. 17726, 17727, 17728
2. Ebu Davudi, Sunen, “Kitab et tibb”, nr. 3376
3. Buhariu, Sahih – “Kitab an-nikah”, nr. 4800; Muslimi, Sahih -”Kitab as-sijam”, nr.1966; Nesai, Sunen -”Kitab as-sijam”, nr. 2350; Ahmedi, Musned -”Al-muksirin es-sahaba”, nr. 6538
4. Buhariu, Sahih – “Kitab et-tibb”, nr. 5260
5. Buhariu, Sahih – “Kitab et-tibb”, nr. 5255, Ibn Maxheh, Sunen -”Kitab et-tibb”, nr. 3440; Ahmedi, Musned – “Baki musned el ensar”, nr. 23916
6. Imam Xhelaludin es-Sujutiu, “Mjekësia profetike”, përkthim, Gjakovë, 2004
7. As-Suyuti: “Vjerovjesnikova medicina”, përkthim nga anglishtja: Haris Murtiq, Sarajevë, 2003/1424, fq. 27-29
8. Waddah Maxhad-din el Hatib: al Hixhama fi al-fiqh ve el-hadith, Dar al-fikr, Damask, 2004, fq. 15
Muttefekun alejhi
9. Buhariu, 10/126, 127; Muslimi, 1577
10. Ebu Davudi, Sunnen, “Kitab et-tibb”, nr. 3361, Ibn Maxheh, Sunnen, “Kitab et-tibb”, nr. 3475. Hadithi sipas kualifikimit të ekspertëve të hadithit është me varg transmetuesish të mirë
11. Ahmedi, Musned, Hakimi, el-Mustedrak, Sujutiu, el Xhamius-sagir, sahih (i saktë)
12. Tirmidhiu, 2045, senedi është da’if
13. Ibn Maxheh, 3486; Ebu Davudi, 3861; Bejhekiu, 9/340; me sened hasen
14. Ebu Davudi, Sunnen, “Kitab et-tibb”, nr. 3861, me sened hasen
15. Tirmidhiu në Sunnen, nr. 2052; Ebu Davudi, 3860; Ibn Maxheh, 3483; Ahmedi, 3/119, me sened sahih. Të sakt e ka vlerësuar Hakimi me të cilin është pajtuar Dhehebiu
16. Sujutiu në El Xhamius-Sagir
17. Buhariu, 10/128, në hadithin të cilin e tregon Abdullah bin Buhajre
18. Waddah Maxhad-din al-Hatib, vepra e cituar, faqe, 42
19. Tirmidhiu, Sunnen “Kitab et-tibb”, nr. 1976 dhe Hakimi
20. Ebu Davudi, nr. 3862
21. Hakimi, 4/49; Bejhekiu, 9/340, me sened të dobtë
22. Buhariu, Sahih – “Kitab el-haxh”, nr. 1705; Muslimi, Sahih – “Kitab al-haxhxh”, nr.2088; Nesai, Sunen, – “Kitab menasik el-haxhxh”, 23. nr.2801; Ibn Maxheh, Sunen, -”Kitab et-tibb”, nr. 3472; Ahmedi, Musned -”Baki musned el-ensar”, nr. 21846
24. Ebu Davudi, Sunen -”Kitab an-nikah”, nr.1798
25. Tirmidhiu, Sunen -”Kitab et-tibb an Resulil-lah”, nr.1976 dhe Hakimi
26. Ebu Davudi, Sunen -”Kitab et-tibb”, nr.3362. I saktë, sipas kushteve të Buhariut dhe Muslimit
27. Ebu Davudi, Sunen -”Kitab el Menasik”, nr. 1566; Nesai, Sunen -”Kitab menasik el-haxhxh”, nr. 2800; Ahmedi, Musned -”Baki musned el-muksirin”, nr.13314
28. Ebu Davudi, Sunen -”Kitab et-tibb”, nr.3365
29. Buhariu, Sahih -”Kitab et-tibb”, nr.5266
30. Buhariu, Sahih -”el-Ixhara”, nr.2160; Muslimi, Sahih -”el-Musakat”, nr. 1577
31. Buhariu, Sahih -”el-Ixhara”, nr.2158; Muslimi, Sahih -”el-Musakat”, nr. 1202
32. Ibn Maxheh, Sunen -”Kitab el-tixharat”, nr. 2155
33. Waddah Maxhad-din al-Hatib, vepra e cituar, faqe, 86
34. Ibn Maxheh, Sunen -”Kitab el-mukaddima”, nr. 199

radiojetaislame.com

Categories

Archives