Tuesday, 23/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

RTK – Njëanshmëri edhe në fe


RTK – Njëanshmëri edhe në fe


shefqet krasniqi

Dr. Shefqet Krasniqi

Gjatë javës së kaluar ishin pashkët, respektivisht njëra ndër festat më të rëndësishme të të krishterëve të cilët pretendojnë se Jezusi, respektivisht Isai alejhi selam u ngrit nga varri pasi që e kishin gozhduar dhe u ngrit në qiell, teori që natyrisht Kur’ani e kundërshton ashpër, ashtu siç e kundërshton mundësinë që Isai alejhi selam të jetë biri i Zotit. Ai është njeri sikurse njerëzit tjerë, përveç se ai është i dërguar dhe i shpallur Pejgamber sikurse edhe Pejgamberët e tjerë para dhe pas tij, asgjë më tepër.

Sido që të jetë, në këtë rast nuk e kam ndërmend të flas për këtë temë, sepse për të kam folur me dhjetëra herë dhe së fundi e kemi cekur edhe në librin tim më të ri “Merjemja, gruaja më e veçantë”, por ajo çka më shtyri të shkruaj është fakti se kësaj radhe festa e pashkëve edhe pse shkoi mbarë, për të u fol e u përfol gjatë në aspektin e sigurisë, veçanërisht të ndërkombëtarëve.

Unë mendoj se shumë prej ndërkombëtarëve të ngarkuar me punë tek ne, e ndiejnë veten më të sigurt në Kosovë sesa në vendet prej nga vijnë, për të mos thënë më të sigurt sesa në të gjitha vendet tjera. Falë Zotit, kjo siguri është vërtetuar që moti në të gjitha rrafshet. Madje këtë siguri e kanë dëshmuar shumë ndërkombëtarë të profileve të ndryshme. Shqiptarët përpos që e kanë si zakon t’i respektojnë të huajt, ky respekt shqiptarëve u shtohet edhe më shumë për faktin se shumica e tyre janë muslimanë, ngase feja në mënyrë të prerë ndalon keqbërjen ndaj mysafirit në çfarëdo forme, edhe nëse ai është i një përkatësie tjetër fetare. Për këtë kemi shumë argumente fetare. Ani pse “mal pa ujqër nuk ka” siç thotë populli, por në vija të trasha shoqëria jonë është shumë mikpritëse, andaj aspak nuk ka pasur nevojë të flitet e të diskutohet aq shumë për mundësinë e ndonjë rreziku gjatë kësaj feste. U fol gjithashtu edhe për mundësinë e njohjes së Kosovës si shtet nga ana e Vatikanit, e që vet Vatikani është deklaruar për të satën herë se nuk do ta njohë Kosovën përderisa atë ta bëjë vet Serbia, e që nënkupton të mos e njohë kurrë, deri në kiamet.

Çështje tjetër, e cila mendoj se shumë kujt i ka ra në sy gjatë kësaj feste, është qëndrimi i njëanshëm i RTK-së ndaj besimit katolik. Se RTK nuk është duke vepruar siç i ka hije si medium i pavarur, këtë e kanë thënë kritikë të shumtë. Dyshimet për shërbimin ndaj partive të caktuara kanë ekzistuar që moti, ndërsa ato me kalimin e kohës edhe janë vërtetuar. Por, siç duket, RTK nuk ka marrë mësim. Përkundrazi, ajo jo vetëm në kuptimin politik, por edhe në atë fetar, po shpreh anime të caktuara. Është vënë re përgjatë gjithë kohës simpatia për Kishën Katolike dhe liderët e saj. Shumë më shumë u jepet hapësirë atyre nëpër emisione dhe debate televizive sesa muslimanëve, ani pse jemi mbi 95%. Natyrisht, nuk dua të them që atyre të mos u jepet hapësirë fare, pra nuk kemi asgjë kundër dhënies së asaj hapësire, sepse edhe ata janë pjesë e shoqërisë sonë, por ata të dalin dhjetëra herë ndërsa ne muslimanët a dalim apo nuk dalim njëherë kjo gjithsesi nuk është në rregull.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Nëse Islami është i vërtetë, pse muslimanët janë në këtë gjendje të mjerë!?

Edhe tash së fundmi me rastin e festës së Pashkëve, RTK, jo vetëm që shfaq këtë simpati, porse atë e bën edhe në mënyrë paksa të tepruar. Ajo publikoi lajmin e atyre 20 personave që kinse u konvertuan në krishterim, gjë që nuk do të duhej ta bënte me atë ritëm e theks. Nuk ka gjë të keqe të transmetojë festën dhe mesazhet, por jo edhe të publikojë artikuj që mund të jenë fyes dhe që shkelin politikat e një mediumi të një shteti laik. Paramendoni çfarë rrëmujë do të shkaktohej sikur me rastin e Bajramit të sillnim në Xhami 20 të krishterë dhe ta deklaronin Islamin, gjë që shumë thjesht mund të bëjmë madje edhe ndërkombëtar po qe nevoja. Kjo, natyrisht se do të ndizte debate dhe reagime që do të vazhdonin me javë. Nuk dua të më gjykojë dikush sikur po nxitoj. Shikojeni artikullin e publikuar në RTK dhe do të vëreni se dikujt iu është nxituar ta publikojnë atë për qëllime të caktuara. Artikulli nuk ka as edhe redaktimin më të thjeshtë gjuhësor. Është përplot gabime, madje që në titull. Në mediume sikur RTK këto gabime janë të pafalshme. Në vend të kësaj, ndoshta më e udhës do të ishte që RTK të organizonte debate për qëndrimin e Vatikanit, të cilit edhe i përket vet Kisha Katolike, dhe i cili refuzon të na pranojë për shkaqe tejet fyese për ne si shtet duke na quajtur “Djep i Serbisë”, ani pse ne i kemi ofruar krejt çka është kërkuar, duke rrënuar edhe shkollën më të vjetër dhe duke ndërtuar në vend të saj Katedrale, vetëm e vetëm për t’iu hyrë në hatër, por jo, ata nuk duan as të dëgjojnë për ne. Është e vërtetë se ata janë të lirë të veprojnë e të mendojnë çka të duan karshi nesh, fundja nuk mund t’ua obligojmë, por siç thotë populli “ai që nuk të do, me zor mik nuk mund ta bësh”.

Allahu i përmirësoftë mediet tona, intelektualët dhe udhëheqësit tanë si dhe popullin në përgjithësi. Amin, deri në javën tjetër selam alejkum.

Categories

Archives