Friday, 17/8/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Rëndësia e edukimit të fëmijëve



Rëndësia e edukimit të fëmijëve

Duke ditur se edukimi i fëmijëve ka një rëndësi të veçantë, Sheriati islam i stimulon dhe nxit muslimanët për t’a përvetësuar këtë vlerë. Tekstet e Kuranit dhe të traditës profetike janë të shumtë në këtë drejtim.
Thotë Profeti a.s:”Kush kujdeset dhe edukon dy ose tre vajza, dy ose tre motra, derisa ato të vdesin ose të vdesë edukuesi i tyre, do të jetë pranë meje si këta dy gishta” dhe ngriti larg gishtin tregues dhe atë të mesit.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Kushdo që ka tre vajza ose tre motra, dy vajza ose dy motra, i frikësohet Zotit në përkujdesjen ndaj tyre dhe sillet mirë me ta, ka fituar xhenetin.”
“Çdo musliman që ka tre vajza, shpenzon për ta derisa të martohen ose të vdesë, do të jenë mbrojtje për babanë nga zjarri.”
Një nga gratë e pranishme ndërhyri dhe e pyeti Profetin a.s:”Po nëse ka vetëm dy vajza o i dërguar i Zotit?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Edhe nëse ka dy vajza.”
Në një transmetim tjetër, thuhet se një grua e pyeti:”Po nëse ka vetëm një vajzë o i dërguar i Zotit?”
Profeti a.s iu përgjigj:”Edhe nëse ka vetëm një.”
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”Nuk ka gjë më të mirë që një prind mund t’i japë fëmijës, sesa një edukatë e mirë.”
Nga këto hadithe dhe shumë hadithe të tjerë, shohim që edukimi i fëmijëve është një nga misionet më të shenjtë në islam.
Kushdo që lexon Kuranin, patjetër që do të hasë në fragmente të shumta ku trajtohen lidhjet prindër-fëmijë. Një ndër këto fragmente është dhe Lukmani që edukonte dhe udhëzonte djalin e tij drejt të mirës. Madje, në Kuran kemi një sure të plotë me emrin e Lukmanit.
Në Kuran gjendet një sure e plotë rreth njërit prej Profetëve të Zotit, Jusufit a.s. Që në fillim të sures, ne lexojmë dialogun mes Jusufit a.s dhe babait të tij Jakubit a.s, mes Jusufit dhe vëllezërve të tij.
Në Kuran kemi dhe lidhjet që Daudi a.s kishte krijuar me djalin e tij Sulejmanin a.s. Të gjithë këto dhe të tjera që gjenden në Kuranin famëlartë, tregojnë rëndësinë e edukimit në islam. Në të kundërt, përse duhej t’i përmendë Zoti në librin e tij, Kuranin?!
Gjatë pregatitjes së kësaj teme, unë shfletova literaturën islame dhe kam gjetur një pasuri dhe trashëgimi shumë të madhe, përsa i përket rëndësisë së edukimit të fëmijëve.
Dijetari i njohur musliman, Ibnu Ebi Dunja, ka shkruar mbi treqind e gjashtëdhjetë libra, ku shumica i përkasin çështjeve edukative.
Thotë Profeti a.s:”Edukimi i fëmijës nga ana e prindit, është më e vlefshme se dhënia e sadakasë.”
Çdo minutë, orë dhe çast që prindi shpenzon në edukimin e fëmijës së tij, konsiderohet si sadaka, madje më e vlefshme dhe e dobishme.
Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë:”I fisnikëroni fëmijët tuaj dhe u jepni edukatë të mirë.”
Dijetari musliman Ibnul Xheuzij, ka shkruar një libër me titull “Sajdul Hatir” në të cilin ka përmbledhur të gjithë meditimet dhe përsiatjet e tij. Një ditë, Ibnul Xheuzij ishte ulur dhe pranë tij kaloi një qen gare. Gjatë rrugës, qeni kaloi pranë disa qenve rrugaçë, të cilët me t’a vënë re filluan t’i lehin. Qeni i garës, u hodhi një vështrim të shpejtë qenve rrugaçë dhe pa ua kthyer të lehurën, vazhdoi rrugën. Kjo sjellje, i bëri përshtypje Ibnul Xheuzit, dhe menjëherë shkroi diçka rreth rëndësisë së edukimit. Edhe pse ishte një qen, ai i garës nuk ua ktheu me të njëjtën monedhë qenve të rrugës. Njerëzit e mëdhenj, të mirëedukuar dhe të ditur, nuk merren aspak me shpifjet dhe ofendimet e sharlatanëve.
Një herë, një injorant dhe i paditur, e ofendoi imam Shafiun. Imam Shafiu nuk i ktheu asnjë përgjigje, por vazhdoi rrugën i qetë. Më vonë, ai shkruan disa vargje rreth një ngjarjeje të tillë, ku thotë:
Një horr në më shau, fisnikërinë ma shton
Njëlloj po t’i përgjigjem, kjo aspak s’më fisnikëron
I shtohen paturpësitë, kurse mua vlera
Si aroma e temjanit, kur digjet kahera.

Kurse dijetari musliman Ibnu Pasqual, kur shkroi librin e tij mbi moralet dhe edukatën, përmendi dhe dallimet mes një papagalli që flet dhe një tjetri që nuk flet. 
Diçka të tillë e kam zbuluar dhe vetë personalisht. Një ditë ndodhesha në tregun e zogjve. U afrova tek një shitës dhe duke i bërë me shenjë, e pyeta:”Sa kushton ky papagalli këtu?”
Ai u përgjigj:”Dyqind dollarë.”
Duke i treguar një papagall tjetër të ngjashëm me të parin, e pyeta:”Po ky këtu?”
Ai u përgjigj:”Njëzet dollarë.”
I habitur e pyeta:”Këta të dy kanë të njëjtën madhësi dhe të njëjtat ngjyra. Përse kjo diverencë kaq e madhe në çmim?”
Shitësi u përgjigj:”Nëse do t’a dish pse-në, foli vetë dy papagajve.”
Unë iu drejtova papagallit të shtrenjtë dhe i thashë:”Esselamu alejkum.”
Me të njëjin ritëm, papagalli tha:”Esselamu alejkum.”
Pastaj iu drejtova papagallit të lirë dhe i thashë:”Esselamu alejkum.”
Ai lëvizi kokën sa majtas-djathtas dhe nuk nxorri asnjë zë. Kështu, papagallit të parë i ishte rritur çmimi për faktin se ai mund të mësohej dhe edukohej. Ndërkohë që papagalli i dytë ishte i lirë, pasi ishte e pamundur të mësohej dhe edukohej.
Prandaj Profeti a.s thotë:”Edukimi i fëmijës nga ana e prindit, është më e vlefshme se dhënia e sadakasë.”
Sa më shumë të lodhemi dhe të shpenzojmë në edukimin e fëmijëve tanë, aq më të larta dhe të kënaqshme do të jenë rezultatet. Është si puna e hurmave arabe, sa më shumë t’ju shërbesh, aq më shumë prodhim cilësor dhe sasior të japin.
Një ditë, Profeti a.s ishte i ulur me gruan e tij Hadixhen dhe gjatë bisedës, i thotë:”O Hadixhe! Zoti i madhëruar të çon selam dhe të përgëzon me një pallat në xhenet prej diamanti, ku nuk do të ketë as lodhje dhe as shqetësim.”
Kur e lexova këtë hadith për herë të parë, menjëherë vajta dhe hapa librat që interpretojnë dhe shpjegojnë hadithet e Profetit a.s. Të gjithë autorët dhe dijetarët muslimanë, ishin të interesuar të kuptojnë se përse Zoti e gradoi kaq shumë Hadixhen. Çfarë kishte bërë ajo? Çfarë kishte sakrifikuar?
Në fund, dijetarët thonin:”Njeriu do të korrë atë që ka mbjellë. Hadixheja ishte marrë me edukimin e një familjeje dhe shtëpie tepër të veçantë. Për këtë, Zoti e shpërbleu me një pallat në xhenet.”
Po të shohim dhe studiojmë jetëshkrimet e vajzave të Profetit a.s, Ummu Kulthum, Rukajje, Zejneb dhe Fatime, do të zbulojmë se ishin të mirëedukuara. Hadixheja ishte lodhur dhe kishte bërë të pamundur për t’i mirëedukuar vajzat e saj dhe të Profetit a.s. Prandaj, vdekja e Hadixhes e hidhëroi shumë Profetin a.s. Madje, viti në të cilin vdiq Hadixheja, u quajt dhe akoma njihet me emrin “Viti i hidhërimit.”
Nëse Zoti e gradoi Hadixhen me një pallat diamanti në xhenet për shkak të edukimit të mirë të vajzave, besoj se këtë shpërblim e merriton çdo nënë dhe edukuese e mirë.

Mosha e përshtatshme për edukimin e fëmijëve. 

Kur duhet të fillosh ti o prind që t’i edukosh fëmijët e tu? Cila është mosha më e përshtatshme për t’a bërë këtë? 
Gjatë një trajnimi me prindër, i pyeta se kur e shihnin moshën më të përshtatshme për edukimin e fëmijëve. Disa prej tyre mendonin se edukimi i fëmijës fillon që në moshën dy vjeçare. Disa të tjerë e mendojnë në moshën shtatë vjeçare. Kurse dikush u përgjigj se ishte mosha pesëmbëdhjetë vjeçare.
Një nxënës e pyeti mësuesin e tij, se në ç’moshë duhet t’a edukonte djalin e tij. I dituri e pyeti:”Sa vjeç është djali yt?”
Nxënësi iu përgjigj:”Katër muajsh.”
I dituri i tha:”E paske humbur kohën e duhur të edukimit.”
I shtangur nga kjo përgjigje, nxënësi e pyeti:”Pse kur duhej të kisha filluar?!”
I dituri iu përgjigj:”Që atë ditë që ke zgjedhur bashkëshorten tënde.”
Që atë ditë që ke zgjedhur bashkëshorten tënde të ardhshme, ka filluar edukimi i fëmijëve.

Dallimet gjinore gjatë edukimit. 

A ka dallime dhe diferenca mes edukimit të një femre dhe të një mashkulli, të një djali dhe të një vajze? 
Padyshim që ka dallim, pasi vetë anatomia dhe struktura e djalit është e ndryshme nga ajo e vajzës.
Në një studim të kryer për të zbuluar dallimet mes mashkullit dhe femrës, u pa që edhe para lindjes, gjatë shtatzanisë, pulsi i embrionit mashkull ishte 136 rrahje në minutë. Ndërkohë që pulsi i embrionit femër 138 rrahje.
I njëjti studim, zbuloi se embrioni mashkull është një centimetër më i gjatë se embrioni femër kur lind. Dallimet janë edhe në peshën e foshnjeve të sapolindura, ku mesatarja e peshës se foshnjeve femra është 3.250 gram. Ndërkohë që pesha mesatare e foshnjeve mashkull është 3.500 gram.
Normalisht, dallimet mes mashkullit dhe femrës janë në shumë aspekte. Këto dallime na vlejnë edhe në edukimin e tyre, edukim i cili duhet t’a ketë parasysh diçka të tillë.
Gjithësesi, edhe pse ka dallime fizike dhe psikologjike mes mashkullit dhe femrës, këto dallime nuk duhet të çojnë në diferencime në të drejta.
Në natyrë, djali është më i dhunshëm, inatçor, i fuqishëm etj… ndërkohë që femra është më e brishtë, e ndjeshme, sensuale etj… Prandaj është mirë që prindi dhe edukatori t’i kenë parasysh dallimet mes djalit dhe vajzës gjatë edukimit të tyre.
Siç thamë dhe më sipër, edukimi i shëndoshë i fëmijëve fillon që me ditën e parë të fejesës apo martesës së babait.

Thirrja e ezanit dhe ikametit në veshët e fëmijës. 





Kushdo që studion legjislacionin islam, padyshim që do të vërejë që ky legjislacion e lidh njeriun që në fëmijëri me Zotin, Krijuesin e universit. Është në traditën dhe nga porositë e Profetit a.s që me të lindur një fëmijë, t’i thirret ezani në veshin e djathtë dhe ikameti në veshin e majtë. Kështu, fëmijës i jepet rasti të dëgjojë fjalët e besimit në një Zot, që në çastet e para të ardhjes në këtë jetë. Por edhe kur shkëputet nga jeta e kësaj bote, njeriut i kujtohet sa më shpesh fjala e dëshmisë “La ilahe il-lallah.” Diçka e tillë është porosi e vetë Profetit a.s. 
Me këto që thamë, shohim që edukimi nuk ka një moshë të caktuar ku duhet të ndërpritet. Ajo fillon që në çastet e lindjes së njeriut dhe vazhdon deri në çastet kur ai shkëputet dhe ndahet nga kjo botë.
Thotë Abdullah ibnu Mubarek:”Jam marrë me edukimin e vetes për njëzet vite me radhë. E gjithë kjo, për të ndryshuar vetëm një të metë, ndërhyrja në çështje që nuk më interesojnë. Edhe pse ka njëzet vite që përpiqem, akoma nuk ia kam arritur plotësisht.”
Sipas konceptit islam, edukimi i fëmijës fillon me lindjen dhe përfundon me vdekjen e tij. Gjithashtu, shpërblimi dhe grada që njëriu do fitojë Ditën e Kijametit, do të jetë sipas edukimit.
Një poet musliman tregon:”Fakti që ne thërrasim ezanin dhe ikametin në veshët e fëmijës dhe nuk falemi, më ka munduar për një kohë të gjatë. Është e ditur që një musliman, sa herë thërret ezanin dhe ikametin më pas, patjetër që do të falet. Kurse në rastin kur lind një fëmijë, kjo nuk ndodh. Përse nuk falemi pas ezanit dhe ikametit? Vetëm pas disa kohësh, më vajti mendja se namazi i ezanit dhe ikametit të thirrur në veshin e foshnjes të sapolindur, kryhet ditën që ai ndërron jetë. Dhe kjo është një tregues që jeta e kësaj bote është aq e shkurtër, sa koha mes ezanit dhe namazit.”
Pasi i thirret ezani dhe ikametit, fëmijës është mirë t’i rruhet koka, t’i peshohen flokët dhe pesha e flokëve të jepet flori ose para sadaka.
Gjithashtë, gjatë ditëve të para, zgjidhet dhe emri i fëmijës. Të gjithë këto, janë adhurime dhe vetë proçesi i edukimit të fëmijës është adhurim në vetvete.

Familja mes lirisë dhe izolimit. 

Shqetësimet e prindërve përsa i përket një çështjeje të tillë janë të shumta. Sot kanalet satelitore me programe të shumëllojshme, faqet e internetit, telefonia celulare, revista, kaseta, filma të pahijshëm etj…gjenden në çdo anë dhe cep. Sot, ngado që të shikosh dhe kthehesh, do të ndalen sytë përballë një pamje të pahijshme, apo dhe të turpshme. 
Në një ambjent të tillë, lind pyetja:”Si t’i mbrojmë fëmijët tanë nga këto ambjente degjeneruese? Si t’i mbrojmë ata që të mos rrëshqasin dhe mos i përpijë dallga?”
Në lidhje me një çështje të tillë, ka dy shkolla:
Shkolla e parë mendon që fëmija të lihet i lirë t’i provojë të gjitha. Në fund të fundit, kjo është jeta dhe liria e tij. Pasi t’i ketë provuar të gjitha dhe të jetë moshuar, ai do të jetë ngopur nga një jetë e tillë
Shkolla e dytë mendon se si babai ashtu dhe nëna janë përgjegjës për të tashmen dhe të ardhmen e fëmijës. Ata nuk duhet t’i japin liri të plotë fëmijës, madje duhet t’a izolojnë dhe të mos e lejojnë të dalë, veçse me lejen e tyre. Fëmija nuk duhet të dalë jashtë shtëpisë, nuk duhet t’a hapë televizorin, nuk duhet të blejë revista, nuk duhet të shkojë në kinema etj… veçse me leje të prindërve. E gjithë ky izolim dhe mbyllje, bëhet me qëllim që fëmija të mbrohet nga shthurrja dhe degjenerimi i përhapur kudo.
Sipas shkollës së parë, fëmija duhe të lihet i lirë të provojë gjithçka, hallallin dhe haramin dhe në fund të vendosë ai kë të zgjedhë. Ndërkohë që shkolla e dytë e izolon fëmijën, me pretendimin që t’a mbrojë nga degjenerimi.
Ne si muslimanë, nuk jemi as me shkollën e parë dhe as me të dytën. Ne nuk jemi as me lirinë absolute, ku fëmija të lihet i lirë të veprojë ç’të dojë, dhe as me izolimin total të tij, por jemi me lirinë e pjesshme dhe izolimin e pjesshëm.
Ne e kemi në dorë, që gjatë fëmijërisë, t’a edukojmë fëmijën me dashurinë për Zotin dhe Profetin a.s. Gjatë fëmijërisë, ne e kemi në dorë t’ia kultivojmë atij dashurinë dhe frikën nga Zoti, dëshirën për të fituar xhenetin dhe frikën nga zjarri etj… Ne e kemi të mundur që t’a kontrollojmë një fëmijë pesëvjeçar, por e kemi të pamundur – sidomos në kohët moderne – të kontrollojmë një fëmijë pesëmbëdhjetë vjeçar. Gjëja e vetme që e kontrollon një fëmijë pesëmbëdhjetë vjeçar, është edukimi i tij në vitet e fëmijërisë.
Ajo që prindërit mund të bëjnë, është që t’i tregojnë se çfarë është e mirë dhe çfarë e keqe, çfarë është hallall dhe çfarë është haram. Ata duhet t’ia bëjnë të qartë se çfarë është e pëlqyeshme për ta dhe çfarë është e urryer.
Gjatë një ligjërate, u thashë prindërve të pranishëm:”Unë personalisht jam me lirinë e pjesshme. Edhe nëse djali im më kërkon leje të dalë me shokë të cilët nuk janë të mirë 100 % por edhe të këqinj 100 %, unë e lejoj, pasi t’i kem dhënë udhëzimet e duhura. Nëse gabon, unë e bëj përgjegjës për atë që ka vepruar dhe njëkohësisht i tregoj se Zoti shtrin dorën e Tij natën, që të pendohet gjynahqari i ditës dhe shtrin dorën e Tij ditën, që të pendohet gjynahqari i natës.”
Nga këto fjalë që thashë gjatë ligjëratës, disa nga të pranishmit më kundërshtuan, duke më thënë:”Një mënyrë e tillë komunikimi me fëmijët është e gabuar. Ne jemi mësuar që nëse fëmija mund të rrëshqasë dhe të veprojë diçka të gabuar, t’a izolojmë dhe mbyllim në shtëpi.”
Unë u përgjigja:”Le të lëmë librin e Zotit, Kuranin, të gjykojë mes nesh. Vëllezërit e Jusufit a.s, thurrën dy plane për eleminimin e vëllait të tyre. Njëri plan, ishte që t’a vrasin, ndërkohë që plani tjetër t’a hedhin në pus. Pasi vendosën që do e hedhin në pus, të gjithë vëllezërit vajtën tek babai i tyre Jakubi dhe i kërkuan që t’a lejojë Jusufin të dalë me ta për të kullotur bagëtinë.
Jakubi a.s e dinte se fëmijët e tij mund t’i bënin diçka të keqe Jusufit a.s, megjithatë nuk e pengoi Jusufin a.s të shkojë me ta. Ai nuk u tha fëmijëve të tij:”Jo. Kurrë nuk do e lejoj Jusufin të vijë me ju.” Njëkohësisht, ai as nuk u tha:”Merreni dhe bëni ç’të doni me të!” Ai u propozoi një ide të tretë, kur u tha:”…kam frikë se mos do ta hajë ujku…” (Jusuf: 13)
Pas kësaj, Jakubi a.s e lejoi Jusufin a.s të dalë me vëllezërit e tij. Pasi e hodhën ne pus, fëmijët u kthyen në darkë në shtëpi dhe i thanë të atit që Jusufin a.s e kishte ngrënë ujku. Kjo tregon që ata kishin adoptuar idenë dhe propozimin e babait të tyre.
Përse nuk e mbajti Jusufin a.s në shtëpi dhe t’a izolonte, duke mos e lejuar të bashkohej me vëllezërit e tij?
Nëse do të ishte sjellë në këtë mënyrë, vëllezërit do të kishin vendosur që Jusufin t’a eleminonin, t’a vrisnin përfundimisht. Kështu, ata do të kishin gjetur një mënyrë për t’a vrarë, edhe brenda në shtëpi.
Ishte marifeti i Jakubit a.s dhe mendjemprehtësia e tij, ajo që e shmangu gjëmën më të madhe. Ai i peshoi mirë avantazhet dhe disavantazhet. Një gjë e tillë kërkohet edhe nga prindërit në komunikimin e tyre me fëmijët, sidomos me adoleshentët. Prindërit e sotëm, duhet t’i njohin dhe t’i ruajnë ekuilibrat. Atë që djali apo vajza adoleshente mund t’a bëjnë jashtë, sot mund t’a bëjnë edhe brenda shtëpisë nëpërmjet televizorit, internetit, celularit etj…
Në kohët e mëparshme, djemtë i ngacmonin, u flisnin dhe u propozonin vajzave. Ndërkkohë që sot po ndodh e kundërta, janë vajzat ato që u propozojnë djemve. Degjenerimi dhe e keqja sot janë përhapur në çdo vend.
Gjithësesi, unë i siguroj të gjithë prindërit, se dashuria për Zotin, Profetin a.s dhe për prindërit, ka ndikim të madh në psikologjinë e fëmijëve, gjë e cila dhe do i mbrojë nga rrëshqitja në gabime dhe gjynahe në të ardhmen.

I edukoni fëmijët për një kohë të ndryshme nga koha juaj! 

Është mirë që prindi dhe edukatori, të ketë parasysh kohën, vendin, ambjentin përreth dhe ndryshimet fizike dhe psikologjike të fëmijëve që edukon. 
Thotë Umer ibnul Hattabi:”I edukoni fëmijët për një kohë të ndryshme nga koha juaj.”
Një miku im, që ka dhe gradën doktor, më tregon:”Kur isha i vogël, para dyzet-pesëdhjetë viteve, nuk lija dy gurë bashkë. Për të më ndëshkuar, babai më mbyllte në një dhomë, gjë e cila më bënte të shpërthej në të qara. Pas dy apo tre orësh, babai vinte dhe hapte derën dhe më dukej sikur dal nga një burg i tmershëm.
Tashmë që jam prind vetë, një ditë desha t’a ndëshkoj fëmijën tim ashtu siç më ndëshkonte babai asokohe. Kështu, e mora djalin dhe e mbylla në një dhomë të shtëpisë. Pasi kyça derën, qëndrova pranë me qëllim që t’a dëgjoj kur të qajë, por kjo nuk ndodhi. Kur më mbyllte mua babai në dhomë, gati sa nuk çmendesha, ndërkohë që djali im sot nuk e paska problem. Tre orë më vonë, unë e hapa avash derën dhe zgjata kokën të shoh se çfarë po bën djali. Ai kishte ndezur kompjuterin, kishte hyrë në internet dhe po bisedonte (chatt) me një japoneze. Kjo më çmendi fare, saqë e kapa ekranin dhe e përplasa për muri. Jo që djali nuk kishte zënë mend, por ai e kishte shfrytëzuar ndëshkimin tim për të biseduar me vajza në internet. Përsëri e mbylla në dhomë dhe prita pas derës. Dy orë më vonë, hapër sërish derën dhe pashë që ai ishte shtrirë dhe me telefonin celular u dërgonte dhe merrte mesazhe nga shokët. Me thënë të drejtën, u dorëzova dhe nuk dija çfarë të bëj me shumë.”
Edukata dhe virtytet me të cilat do i edukojmë fëmijët tanë, është ajo që ka qenë edhe në kohën e Profetit a.s, por metoda dhe rrugët duhet të jenë të reja dhe të përshtatshme për mentalitetin e brezit të sotëm. Në ditët tona është e domosdoshme të përdorim edhe teknologjinë moderne, kompjuterin, internetit, telefoninë celulare etj.. për t’i arritur këtij qëllimi.
Tregon një prind:”Jam në emigracion, kurse familjen e kam në vendin e origjinës. Duke qenë se jam larg dhe nuk kam mundësi tjetër, kam krijuar një linjë komunikimi me djalin, me anë të internetit. Gjithçka që dua t’ia them, ia them nëpërmjet emailit. Gjithashtu, ai kërkon këshilla dhe mendimin tim për shumë gjëra. Kam parë që një mënyrë e tillë komunikimi ka dhënë rezultat, pasi kam arritur t’a orientoj drejt të mirës dhe t’a largoj nga e keqja.”
Objektivi final i edukimit është që të arrijmë kënaqësinë e Zotit, t’a adhurojmë Atë si duhet të të krijojmë kushte për një jetesë brenda ligjeve dhe kufinjve të caktuar në Zoti. Nëse ky objektiv arrihet, rrugët dhe metodat të reja qofshin apo të vjetra, nuk prishin punë.
Ajo që e bën një njeri të mirë dhe të dashur tek Zoti dhe një tjetër të keq dhe të urryer, është edukimi. Ajo që i dallon profetët nga njerëzit e mirë dhe gjithë njerëzit e tjerë, është pikërisht edukimi. Ajo që i dallon pesë profetët e vendosur (Musa, Nuh, Ibrahim, Isa dhe Muhamedi), nga gjithë profetët e tjerë, është edukimi. Ata u quajtën profetë të vendosur, pasi e kontrollonin veten dhe e frenonin aty ku duhej. Diçka e tillë arrihet vetëm me edukim të shëndoshë.
Një prind i dalluar dhe i suksesshëm, është ai që e pregatit fëmijën e tij për të ardhmen. Të gjithë heronjtë muslimanë dhe bëmat e tyre, burojnë nga edukimi i prindërve dhe shoqërisë në të cilën jetonin. Salahuddin Ejubi, Ebu Hanife dhe shumë dijetarë, komandantë dhe pushtetarë të suksesshëm, ishin mirëedukuar nga prindërit e tyre.





Categories

Archives