Friday, 24/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

“Radikalizmi” nuk luftohet me Radikalizëm


“Radikalizmi” nuk luftohet me Radikalizëm


Shefqet KrasniqiDr. Shefqet Krasniqi

Janë për t’u dhimbsur ata që revoltohen, në vend se të kënaqen kur popullit i ofrohet strehim shpirtëror…, ata që me gjithë qenien e tyre përkushtohen të luftojnë “armikun e rrezikshëm”, të cilit ia ndryshojnë etiketimet çdo ditë për ta paraqitur me imazh sa më të keq, dhe kështu janë përherë në opozitë me atë që nuk e njohin, gjë që ngjason me shpifjen ndaj grave të ndershme thjesht nga paragjykimi.

Sido që të jetë, nuk mund ta imponojmë askënd ta ndryshojë këndvështrimin, siç thotë Allahu: “Ju jeni vetëm këshillues e qortues, e nuk jeni mbizotërues ndaj tyre”. Parim ky me të cilin Krijuesi na mëson se liria e bindjes, e mendimit dhe e shprehjes janë të garantuara për çdo njeri, dhe se diversiteti e pluralizmi janë vlera pozitive derisa me to nuk e dëmtojmë tjetrin. Por ne themi se të mos pajtohesh me dikë e të mos dëshirosh të ndërtosh ura komunikimi e afrimi është diçka tjetër, ndërsa ta pengosh tjetrin në ushtrimin e së drejtës së tij është diçka krejt tjetër.

Si është e mundur të pretendohet zhveshja e njeriut nga identiteti fetar kur historia nuk mban mend popull pa besim?!… A mund të arsyetohen tendencat që të mos i jepet fare hapësirë edukimit të shpirtit ndërkohë që gjithçka sillet rreth tij?!… Deri kur do të stërmbushen gazetat tona me materiale islamofobike?!… A nuk mjafton diskriminimi në të drejtat elementare si arsimi e punësimi që bëhet për shkak të manifestimit të bindjes fetare në publik, apo mos vallë duhet edhe të ushtrohet dhunë psikologjike pandërprerë?!

Këto dhe pyetje tjera ma përshkojnë mendjen në këtë kohë kur tashmë ka filluar të konsiderohet pengesë edhe ajo hapësirë e pakët modeste e edukimit fetar në medie. Në TV-të tona ka vend edhe për emisionet më të kota, joedukative, madje edhe amorale, por ato nuk na alarmojnë, ndërsa çfarëdo emisioni me përmbajtje fetare qenka jolegjitim ndonëse aty ngritet zëri për dituri, moral, nder, produktivitet e devotshmëri.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Ftesa për dasmë dhe rregullat e saj

Nuk di se për çfarë tolerance mund të krenohemi e për çfarë demokracie mund të flasim kur shkelim me dy këmbë çdo parim të drejtësisë dhe mirëkuptimit ndërnjerëzor! Nuk ndalet derdhja e mllefit të zemrave të sëmura, që asgjë tjetër pos dëmtimit të shëndetit të tyre nuk mund të fitojnë, por ne edhe kur pësojmë për shkakun e tyre prapë jemi të qetë se më mirë është të jesh viktimë se sa agresor.

Vërtet do të doja të besoj se e tërë kjo luftë është nga frika e një “ekstremizmi”, rrezikut të të cilit i frikësohemi dhe ndiejmë nevojë ta parandalojmë, sepse kjo brengë në esencë është e lavdëruar edhe nga këndvështrimi fetar, ngase njeriu i mirë nuk e do përçarjen e as shtrëngimin e gjërave ashtu siç thotë Allahu: “Lehtësoni e mos vështirësoni” dhe ”Bashkëpunoni në punë të mira e devotshmëri e mosni në mëkate e armiqësi”.

Mirëpo metodat poshtëruese që përdoren gjatë kësaj lufte flasin për njerëz që nuk janë sinqerisht të interesuar për të zgjidhur probleme, sepse “radikalizmi” nuk luftohet me radikalizëm edhe më të madh se ai, dhe kjo krijon përshtypjen që sikur disa njerëz i kanë vënë vetes qëllim ta shtojnë mjegullën sa më shumë në shoqëri vetëm e vetëm që ata të përfitojnë e ta kënaqin egon e tyre qoftë kjo edhe mbi kurriz të popullit.

Në fund me urimin që të flaket tutje fanatizmi, i cili fshehet prapa ujërave të papastra, ndërkohë që Krijuesi pyet: “E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?!”, duke u lutur që ndihma e Tij të jetë pranë çdo shërbyesi për të mirë të shoqërisë, ju përshëndes me selam alejkum – paqja e Allahut qoftë mbi ju.

Categories

Archives