Thursday, 25/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pse ne nuk e festojmë Vitin e Ri?


Pse ne nuk e festojmë Vitin e Ri?


shefqet krasniqi

Dr. Shefqet KRASNIQI

Ashtu siç kaluan shumë vite, dekada e shekuj, ashtu po kalon edhe ky vit. Me të, në fakt, po kalon edhe një pjesë e jetës sonë që do të thotë se jemi një vit më afër vdekjes, më afër dheut, më afër të të shndërruarit në ushqim për insektet brenda tokës.

Nëse e imagjinojmë se aq sa ka mbetur deri në fund të këtij muaji e të këtij viti, po të dinim se vetëm aq ditë kanë mbetur nga jeta jonë, a thua si do ta ndiheshim vallë? Eh, pak kush mendon për këtë, pak kush e ka në konsideratë se vdekja mund të jetë shumë afër, ndoshta më afër sesa rrobat në trup. E njerëzit vetëm njëherë vdesin, disa vdesin fizikisht, por me veprimtarinë e tyre mbeten gjithmonë në kujtesë, kurse disa vdesin përgjithmonë.

Ndaj, më tu përshëndetur nga kjo botë, nuk ka më kthim në të, por vetëm para. Para po, por për ku se?! Nuk e dimë, sigurisht se nuk e dimë, se çfarë na pret në botën e përtejme, megjithatë, ka shumë njerëz që luten dhe punojnë me zell për botën e amshueshme, ndaj edhe shpresojnë të jenë fatlumë dhe të jetojnë në lumturi të përhershme. Këta fatlumë do të jenë me siguri ata/ato që në këtë botë patën besuar Zotin, zbatuan porositë e tij dhe bënë punë të mira aq sa patën mundësi duke kujtuar vdekjen për çdo çast dhe çdo ditë.

Eh, sa mirë do ishte sikur të gjithë njerëzit ta kujtonin vdekjen e të mendonin për jetën pas vdekjes, por ja që të atillë nuk ka shumë. Madje një shumicë e madhe as që duan t’ua përmendësh vdekjen, nuk duan të mendojnë e as ta kujtojnë vdekjen. Ata ‘nuk kanë kohë’ me u marrë me vdekjen dhe jetën pas saj, sepse kanë për t’i shijuar ‘të mirat e kësaj dynjaje’, edhe pse, deshën apo nuk deshën, vdekja do të merret me ta.

Për fat të keq, shumë njerëz nuk e shohin fundin e vitit nga ky kënd, që po e shtjellojmë, por e shohin si një ‘dhuratë të madhe’ që duhet shfrytëzuar, e shikojnë si një ‘festë’ që duhet kremtuar e zbavitur pamasë. Andaj edhe harxhojnë duke u përgatitur sa më mirë për këtë festë, duke u munduar që nëpërmjet saj t’i përballojnë sfidat dhe problemet me të cilat ballafaqohen gjatë jetës. Duke menduar se me të po ngriten e civilizohen, etj. I bëjnë të gjitha këto veprime pa e lodhur mendjen se a ia vlen barra qiranë, se e kujt është kjo festë, se a e kemi të lejuar ta festojmë këtë festë, në veçanti ne si musliman, apo jo?! Ndoshta edhe nuk e dinë, e besa disa ndoshta edhe po harrojnë se kjo festë nuk ka të bëjë asgjë me Fenë tonë Islame, madje kjo në origjinal nuk ka të bëjë as me të krishterë e as çifut, sepse thjesht ajo në origjinë është një festë pagane e Romës së lashtë, e përcjellë dhe e futur më vonë edhe tek të krishterët, e kohëve të fundit edhe tek Muslimanët.

Andaj, pyetjen me të cilën e emërtova këtë shkrim ma kishte bërë një dëgjues shumë kohë më parë, dhe iu pata përgjigjur përse po më pyet pasi që po e ditke përgjigjen.

Ndaj, mendova të ua rikujtojë qytetarëve tanë se festimi i kësaj feste është i ndaluar rreptësisht, pra Haram i qartë. Ai i cili e feston këtë festë ka bërë mëkat të madh për nga ana e fesë. Po ashtu shpenzimet e mëdha që bëhen gjatë kësaj “feste”, kot e kot, janë shpenzime për të cilat besimtari do të jap llogari para Zotit fuqiplotë. Kjo në vete është një mëkat tjetër dhe një shkak më shumë për ta merituar hidhërimin e Zotit, e si duket kësaj radhe Allahu po na e rikujton, përmes sinjaleve të tij, se ne duhet përmirësuar raportet me Të. Kaloi pothuajse gjysma e dimrit ende pa borë, niveli i liqeneve dhe lumenjve ka rënë, puset e krojet pothuajse janë shterur. Në anën tjetër mjegulla e madhe na mbyti, ndaj këto nuk janë shenja të mira. Me festimin e kësaj feste nuk fiton kush pos djallit të mallkuar, që shkakton tollovi, huti, dehje e armiqësi në mes të njerëzve, e ndoshta edhe disa pronarë të restoranteve dhe disa tregtarë të shkujdesur e materialistë që nuk u intereson asgjë përpos parasë, pavarësisht se si është fituar ajo. Pra thjesht është interes komercial, ndërsa pëson populli i gjorë të cilit i mungojnë edhe gjërat më elementare të jetës.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Ushqimi i islamofobisë dhe prishja e ekuilibrit social

Sido që të jetë, ky vit po shkon si shumë të tjerë, por pas vetes po lë shumë gjëra, shumë ndodhi. Përgjatë këtij viti patëm gjëra pozitive e që mjerisht nuk ishin të shumta, ndër to mendoj se ishin edhe ndryshimet në zgjedhjet lokale, ku vërtet iu dha një grusht i mirë dështimeve politike, nuk doli fare si e kalkuluan disa nga politikanët. Disa prej tyre madje akoma ndihen ‘të shokuar’ e nuk po mund t’i gjejnë arsyet e humbjes, ani pse shumë prej tyre po i dinë, ne dhe ata së bashku, por po bëhen sikur nuk po i dinë. Populli i ndëshkoi mirë dështuesit e mashtruesit, u dha një grusht të mirë, e shpresoj dhe lus Zotin që ky grusht të jetë edhe ma i rëndë në zgjedhjet që do të vijnë.

Sa i përket gjërave negative, mund të shkruajmë derisa të lodhemi, sepse ato ishin të shumta në çdo sferë. Që nga sfera e fesë, ku disa nga liderët tanë vollën vrer kundër fesë së vet, e deri tek ato ekonomike e politike. Pra, këto ishin të zezat e këtij viti që mendoj se duhet të shënohen me shkronja të zeza në histori, duke filluar nga nënshkrimi i marrëveshjes famëkeqe me Serbinë deri tek formimi i komunave të udhëhequra nga strukturat paralele, të udhëhequra nga njerëz të cilët e luftuan dhe vazhdojnë ta luftojnë e ta shkatërrojnë Kosovën me tërë potencialin që kanë. Parlamenti i Kosovës, de-facto, ia bëri për hair Serbisë veriun e vendit apo ndarjen e tij, politikanë mjeranë. Belaja bëhet edhe më e madhe kur në fakt po shihet se ne i ndihmuam Serbisë të marrë rrugën për në Bashkim Evropian, ndërsa ne mbetëm të izoluar e të katandisur apo thjesht ‘me gishta në gojë’.

Sa shumë po më dhimbset ai gjak që është derdhur dhe ato vuajtje e tortura që i përjetoi ky popull i gjorë, ndërsa vendi po dëmtohet e cungohet përditë jo vetëm me paralelizma por edhe me marrëveshje zyrtare. Ndaj përsëri tek pyetja e dëgjuesit të asaj kohe pse po më pyet a bën të festojmë, po çka të festojmë se!, humbjet apo dështimet, apo mos dikush ka ndërmend të festojë për sukseset e armikut tonë.

Kaloi një vit i zakonshëm për nga ditët, por i pazakontë për nga ngjarjet dhe ndodhitë.

Lusim Zotin që të na drejtojë e të na udhëzojë, të na i sjellë punët më mirë sesa që meritojmë. Amin dhe deri javën tjetër të vitit të ardhshëm me një temë tjetër selam alejkum.

Categories

Archives