Thursday, 30/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame
Tirana
0C

Produktet kosovare në tregjet evropiane


Produktet kosovare në tregjet evropiane


Produktet të cilat prodhohen në Kosovë, ndonëse me shumë vështirësi, kanë arritur të depërtojnë në tregjet rajonale dhe botërore. Nëse për këto prodhime ka pasur paragjykime se nuk janë cilësore dhe nuk mund të jenë konkurrentë me produktet e shteteve më të zhvilluara, kjo ka filluar të zhduket, bëjnë të ditur përfaqësues të bizneseve prodhuese në Kosovë.

Kompania “ASK Foods”, në Gjilan, e cila merret me përpunimin e pemëve dhe perimeve është njëra nga kompanitë kosovare, e cila ka arritur të depërtojë me produktet e veta në shumë vende të botës.

Pronari i kësaj kompanie, Barlet Namoni, tregon për Radion Evropa e Lirë se produktet kosovare në tregjet e rajonit, si në Maqedoni, Mali i Zi apo edhe në Shqipëri, është më vështirë të depërtojnë, për shkak të subvencioneve që kanë këto shtetet për prodhuesit e tyre, derisa në tregjet e vendet tjera evropiane si Anglia, Gjermania apo Italia, produktet e Kosovës kanë gjetur treg.

Depërtimi në këto tregje, sipas Namonit, është bërë për shkak të cilësisë së mirë që kanë prodhimet e Kosovës.

Problemet, me të cilat ballafaqohen prodhuesit kosovarë, e që theksohen vazhdimisht, janë Tatimet e larta mbi Vlerën e Shtuar, taksat doganore për lëndën e parë, financimi i vështirë për bizneset, normat e larta të interesit.

Bizneset kishin kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të bëhen ndryshime në politikat fiskale, në mënyrë që prodhuesit kosovarë të jenë të barabartë me prodhuesit e vendeve rajonale.

Ndërmarrja për prodhimin e pijeve joalkoolike dhe energjetike “Frutex”, nga Suhareka, me shumë vështirësi ka arritur që produktet e saj t’i eksportojë në shumicën e vendeve të rajonit, por edhe në Austri, Itali, Afrikë dhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Nga 1h me Paulownia merr përfitime rreth 300.000 çdo 7 vjet

Pronari i kësaj kompanie, Shaqir Palushi, thotë se ka përmirësime sa i preket eksportit të produkteve të kësaj kompanie. Ai tregon se po arrijnë të jenë të pranishëm në tregjet e evropiane dhe të jenë konkurrentë me produktet e atyre shteteve.

Derisa produktet e Kosovës, siç thekson Palushi, depërtojnë me shumë vështirësi në tregun e Serbisë, për shkak të pengesave që shteti iu bën prodhimeve kosovare, në Kosovë ndodh e kundërta. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Serbia vazhdon të jetë importuesi kryesor në Kosovë.

Paragjykimet se produktet e Kosovës nuk mund të jenë cilësore, sipas përfaqësuesve të biznesit, janë të shprehura, ndoshta edhe për faktin se Kosova është një vend, që po kalon në një fazë të tranzicionit dhe me shumë probleme ekonomike.

“Fatkeqësisht, ka paragjykime për produktet kosovare, që ndoshta me arsye apo pa arsye bëhen, besueshmëria nuk është e madhe, po ka filluar të tejkalohet kjo. Por, ende vazhdon të paraqesë problem për ne”, shton Palushi.

Ndërsa, pronari i kompanisë “ASK Foods”, thotë se këto paragjykime më shumë janë të shprehura në Kosovë nga vetë qytetarët e saj sesa nga konsumatorët apo kompanitë në vendet evropiane, ku ata eksportojnë prodhimet e tyre.

Në vitet e paraluftës, Kosova kishte eksport shumë më të lartë se sa tani. Industria në Kosovë ishte në funksion të ekonomisë së Kosovës dhe kjo bënte që vendi të kishte çfarë të eksportonte.

Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, shuma totale e importit gjatë shkurtit 2013 ishte 156.3 milionë euro, kurse vlera e eksportit 22.6 milionë euro. /Telegrafi/

Categories

Archives