Thursday, 19/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pranvera dhe sëmundjet e organeve te tretjës

Pranvera dhe sëmundjet e organeve te tretjës

Për mjekët, gjatë ndërrimit të stinëve dhe ardhjes së pranverës, është gati “normale” të shfaqen probleme me aparatin tretës. Ata tërheqin vëmendjen që çdo simptomë të trajtohet me kujdes, në mënyrë që të parandalohen në kohë ndërlikimet që mund të shfaqen. Në një intervistë për “Panorama”, mjekja gastro-hepatologe, Valdete Malaj, jep disa këshilla se si mund të parandalohet riaktivizimi i simptomave të ulcerave:

Doktoreshë, çdo ndërrim stine dhe sidomos në pranverë, shfaqen probleme me ulcerat. Pse ndodh ky fenomen dhe cilët janë muajt më problematikë?

Zakonisht problemet rishfaqen menjëherë me fillimin e pranverës, pra, në muajt mars, prill dhe tentojnë të lehtësohen me afrimin e verës. Për sa i përket arsyes pse ndodh pikërisht në këtë periudhë, mendohet se lidhet me ndryshimet e theksuara klimaterike, karakteristikë për këtë stinë të vitit. Të gjithë faktorët klimaterikë ndikojnë në ndryshimin e ekuilibrit mes komponentëve të lëngjeve gastrike. Prodhimi i shtuar lëngjeve të stomakut, ndikon në acarimin e mureve të stomakut dhe për pasojë në rishfaqjen e simptomave të ulcerës. Nga ana tjetër mendohet se vetë “Helicobacter pilory”, mikrobi që konsiderohet si shkaktari kryesor i shfaqjes së ulcerave në 90% të rasteve, ndoshta për shkak të temperaturës së ajrit, shumohet dhe përhapet më tepër.

Çfarë ndërlikimesh mund të shfaqen ulcerat, nëse nuk trajtohen si duhet dhe në kohën e duhur?

Ndërlikimet më të shpeshta të ulcerave janë hemorragjitë. Rreth 20% e të sëmurëve me ulcera, kryesisht me ulcera duodenale, pësojnë të paktën një episod hemorragjik gjatë jetës së tyre.Një tjetër ndërlikim është stenoza e pilorit. Ky ndërlikim haset më pak se hemorragjitë dhe konsiston në ngushtimin e kanalit pilorik, që bën zbrazjen e ushqimeve nga stomaku në zorrë. Ndërlikim tjetër është ajo që në popull njihet si “plasja e stomakut”, etj.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Mjekra është e shëndetshme – Studim shkencorë

Çfarë mund t’u këshilloni personave që vuajnë nga kjo sëmundje gjatë kësaj periudhe të vitit?

Këshilla e parë është respektimi i skemës së mjekimit, në rastin kur këta pacientë trajtohen me medikamente. Mjaft e rëndësishme është që të tregohen të kujdesshëm për t’u mbrojtur nga korrentet e ajrit, djersitja, ftohja, sepse stomaku, është shumë i ndjeshëm ndaj të ftohtit dhe korrenteve të ajrit. Po ashtu duhet treguar kujdes në mënyrën e ushqyerjes, pa qenë nevoja të merren masa drastike, në drejtim të ushqimeve. Secili duhet të kuptojë se cilat janë ushqimet që e acarojnë, dhe se cilat janë ato që e lehtësojnë dhimbjen. Nuk duhet përdorur kafeja dhe duhani, në mënyrë absolute. Duhet të përdorni ushqime të ziera, supë, bukë të thekur për të thithur lëngjet acide, fruta dhe perime të freskëta./PK/.

Categories

Archives