Monday, 25/9/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Po vjen muaji i Ramazanit!

Po vjen muaji i Ramazanit!

kurani ajete

Shpallja e Kur’anit të shenjtë filloi pikërisht gjatë këtij muaji…

Muaji i Ramazanit po vjen… Muaji i Kur’anit, i meditimit, vëllazërisë, dashurisë dhe paqes.

Muaji i shenjtë i Ramazanit gëzon rëndësi të veçantë në kalendarin islam. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ky është muaji i vet Allahut.”
Muaji i Ramazanit është prijësi i të gjithë muajve dhe më i lëvduari. Siç e dimë, agjërimi është një prej kushteve të rëndësishme të Islamit dhe është muaji i Ramazanit gjatë të cilit agjërimi është bërë i obligueshëm për të gjithë të rriturit dhe të shëndoshët.
Duke agjëruar gjatë muajit të Ramazanit, muslimani lirohet nga obligimi i ngarkuar atij nga Allahu i Lartësuar dhe atij i jepet e drejtë në shpërblime të shumta në botën tjetër. Në anën tjetër, çdo gabim në këtë çështje është mëkat i madh. Agjërimi është nyjë e ibadetit dhe vetëm Allahu është Ai i cili shpërblen personin për të, në Ditën e Gjykimit.

Të mirat e muajit të Ramazanit nuk janë të kufizuara vetëm me agjërimin, sepse kryerja e të gjitha llojeve të ibadetit dhe veprave të mira gjatë këtij muaji është gjithashtu burim i shpërblimeve të mëdha hyjnore. Shpallja e Kur’anit të shenjtë filloi pikërisht gjatë këtij muaji dhe prandaj është detyrë për çdo musliman të lexojë dhe të mundohet ta kuptojë kuptimin e Kur’anit të shenjtë dhe në këtë mënyrë të arrijë të depërtojë në fshehtësitë hyjnore të ruajtura aty. Ai sjell paqe dhe dritë për mendjet dhe i jep pastërti shpirtit.

Ramazani është muaji i agjërimit, namazeve të shumta, sakrificës dhe adhurimit hyjnor. Gjatë këtij muaji muslimani i devotshëm agjëron gjatë ditës me kuptim të vërtetë të fjalës. Ai nuk abstenon thjesht vetëm nga ushqimi dhe pija, por siç është shpjeguar nga i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ai mban kontroll mbi gjuhën e tij, sytë, veshët, mendimet dhe veprat e tij dhe bën çdo gjë që është e mundur për të kërkuar kënaqësinë e Allahut të Lartësuar.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Vlera e faljes se namazit te teravive

Lutjet e sinqerta drejtuar Allahut të Lartësuar dhe pendimi nga ndonjë mëkat gjatë muajit të Ramazanit janë burime të bekimit dhe mëshirës hyjnore. Disa net, ndërmjet dhjetë netëve të fundit të Ramazanit, janë quajtur “Netët e Lavdisë”.
Ato janë netët tek. Muslimanët rrinë të zgjuar gjatë këtyre netëve dhe kryejnë namaze të posaçme.
Në këto dhjetë net është nata e Kadrit, e cila gëzon respekt mbi të gjitha netët e tjera pasi në të ka zbritur Kur’ani fisnik. Ajo natë është e shoqëruar nga mirësi të shumta dhe zakonisht muslimani i bën lutje Allahut të Lartësuar gjatë këtyre netëve.

Muaji i shenjtë i Ramazanit, përveç që është muaj i adhurimit dhe bekimeve hyjnore ka edhe një rëndësi historike. Siç u përmend më lart, shpallja e Kur’anit të shenjtë filloi në këtë muaj. Beteja e rëndësishme e Bedrit dhe ‘Çlirimi i Mekës’ gjithashtu ndodhën gjatë muajit të Ramazanit.

“Ramazani”, sipas disa thënieve jo të konfirmuara është njëri prej emrave të Allahut. Për këtë arsye ne s’mund të themi Ramazan pa e sqaruar se jemi duke folur për muajin, dhe për këtë gjithnjë duhet të themi muaji i Ramazanit. Udhëheqësi i besimtarëve Ali ibn Ebu Talibi, Allahu qoftë i kënaqur me të, ka thënë: ‘Mos thoni Ramazan, por thoni muaji i Ramazanit. Ju nuk e dini ç’është Ramazani.’ Kuptimi i njëjtë është transmetuar nga i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, në një fjalim gjatë Shabanit: “Muaji i Allahut po vjen…”

Allahu na i pranoftë namazet tona, agjërimin tonë, na i haptë zemrat tona dhe na ndihmoftë që të bëhemi më të mirë!

Urime muaji Ramazan!

Nga anglishtja: Fexhrie Kaçiu

Categories

Archives