Monday, 23/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Po keta kush i kujton?!


Po keta kush i kujton?!


Shefqet KrasniqiShkruan: Dr.Shefqet Krasniqi

 

Karakteristikë e lëvizjeve dhe rrymave filozofike e politike në kohën bashkëkohore është varfëria e koncepteve. Të dhëna tejmase pas materializmit, ato kanë humbur njerëzoren, gjë, që mbase herë pas here edhe i pengon. Për këtë shkak, jo rrallë, sidomos tek partitë politike që kanë një dozë të theksuar të nacionalizmit, has në tendenca dhe tentativa për përvetësim personalitetesh, që në disa raste arrin limitin e absurditetit, sidomos kur bëhet fjalë për disa personalitete që në histori kanë lënë gjurmë gjaku e tmerri. Me këtë nuk dua të them se historia nuk ka asnjë rëndësi për ne, jo, unë jam kundër formalizmit, ndryshe, për ne muslimanët respektimi i të parëve dhe atyre që kanë kontribuar për fe dhe atdhe, është fe. Ajo që, në fakt, më brengos shumë dhe më bën të ndihem keq, është injorimi shtetëror i figurave shqiptare që shquhen për kontribut fetar islam në botë. Ditë më parë, gjegjësisht më 19 shkurt, bota islame, në përgjithësi, por edhe kjo shqiptare, në veçanti, humbi njërin nga emrat më të spikatur të shkencave islame, dijetarin Vehbi Sulejman Gavoçi. Për çudi, askush nuk e përmendi. Ndonëse shërbeu për dekada të tëra, në trojet e tij vdekja e tij nuk ishte madje as lajm. E keqja e madhe është se vdekja e tij nuk preku shumë as hoxhallarët, të cilët e njohin mirë Shejhun dhe kanë përfituar prej librave të tij. Nejse, nuk e fsheh se jam paksa i mllefosur, por nuk mund të pajtoj me këtë injorim në heshtje të personaliteteve tona.

Vehbi Sulejman Gavoçi lindi në vitin 1923 në qytetin e Shkodrës, ndërsa në vitin 1937 në kohën e Ahmet Zogut, babai i tij së bashku me familjen u shpërngulën për në Damask të Sirisë. Në Siri nuk do të qëndron gjatë ngase i ati pas pak kohe do ta dërgonte në Egjipt për të studiuar në universitetin e Al-Az’harit ku qëndroi dhjetë vite të tëra. Pas diplomimit, kthehet sërish në Siri në vitin 1947. Ai vazhdoi të punonte e të kontribuonte në Siri deri në vitin 1966 kur udhëtoi për në Arabinë Saudite si mësimdhënës. Atje qëndroi gjashtë vite, për t’u kthyer prapë në Siri, ku do ta vazhdonte angazhimin deri në vitin 1980, kur edhe pensionohet. Më pas shkoi në Medinë në Arabinë Saudite ku qëndroi tri vite, për të kaluar më pas në Amman të Jordanisë, ku qëndroi dy vite. Në vitin 1988 shkon në Emiratet e Bashkuara Arabe si ligjërues në Fakultet ku qëndron plot 14 vite, derisa në vitin 2001 kthehet sërish në Damask për të kontribuar deri në fillimin e luftës. Për shkak të rrethanave të krijuara, Shejhu detyrohet ta braktis Sirinë për në EBA, ku edhe më 19 shkurt 2013 gjen vdekjen. Allahu e pastë mëshiruar!

Hoxhë Vehbiu, ani pse i vogël u shpërngul në botën arabe, ai kurrë nuk e harroi vendlindjen e tij, Shqipërinë e madhe, nuk e harroi kombin e tij, gjuhën dhe traditën e tij. Ai thotë për veten e tij se “…ndër artikujt e parë që kam shkruar në një revistë të quajtur Asal-xhenneh, kam shkruar për Shqipërinë dhe atë pas vitit 1944. I pari artikull i imi ka qenë për ju, për vendin tim. Pastaj kam vazhduar të shkruaj edhe në revista tjera, libra e gazeta për Shqipërinë, jam munduar që mos ta harroj vendin tim që më ka bërë nder të madh.” Ai digjej për vendin e tij, gjithmonë u mundua të kthehet atje, por një gjë e tillë nuk iu realizua derisa në vitin 1991, kur për herë të parë pas shpërnguljes, vizitoi Shqipërinë, Shkodrën e dashur dhe shumë qytete tjera. Ndërsa në Kosovë ai kishte ardhur më parë në vitin 1974. E kur hoxhë Vehbiu tregon për këtë vizitë të tij historike mes tjerash thotë: “Njerëzit atje (në Kosovë) u interesuan shumë për mua dhe më pritën shumë mirë. Mendova se çfarë t’iu jap si falënderim? Iu përvesha punës dhe botova një libër me titull “Si dhe pse” dhe iu thashë: Në vend që t’iu falënderoj me fjalë, po e bëj me vepra duke iu dhuruar këtë libër në besimin e Zotit dhe adhurimin e Tij”.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Dielli dhe era

Shejh Vehbiu kurrë nuk u ndal së punuari për fe e për atdhe. Që nga viti 1996 deri në përfundim të luftës çlirimtare në Kosovë e ka ndihmuar UÇK-në me para në zonën e Llapit, në kohën kur ishte Zahir Pajaziti gjallë. Me plumbat që i kanë blerë me paratë e hoxhës së nderuar i kanë shkaktuar dëme të mëdha armikut, dhe ja sot jemi të çliruar. Ai edhe sa ishte në Siri, por edhe në Emiratet e Bashkuara dhe kudo që ishte, gjithmonë ndihmonte studentët shqiptarë. Ai me ta kishte lidhje të veçanta, kënaqej me ta duke biseduar për tokat shqiptare. Ai nuk pranonte të fliste ndryshe me neve studentëve pos në gjuhën shqipe.

Vërtet ishte një patriot i madh i mbushur me gjak e traditë shqiptari. Allahu e pastë mëshiruar dijetarin e madh shqiptar, autorin e dhjetëra librave, të njohur e të pranuar gjithandej nëpër botën islame si një ndër dijetarët e famshëm të shekullit të kaluar, por mjerisht nga populli dhe kombi i vet gati se i harruar. Kjo është ajo që më bën të vuaj. Pse i harrojmë këta njerëz?! A vetëm pse për hir të Allahut dhe pa synime e interesa të kësaj bote janë munduar të kontribuojnë, apo për çfarë? Për këtë shkak edhe e titullova artikullin me këtë titull: ‘Po këta kush i kujton?!’ Unë kam bindjen e thellë në Allahun se Ai nuk humb mundin e askujt, e aq më pak të dijetarëve. Andaj e lus Allahun ta ketë mëshiruar Shejhun tonë dhe ta ketë shpërblyer me të mirat e Tij. Lutem dhe bëj dua që takimi ynë me Shejhun dhe me të gjithë dijetarët tanë, në radhë të parë me Resulullahin [Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të!], të jetë Xheneti!

image_pdf

Categories

Archives