Saturday, 15/12/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Përse duhet të dhurojmë gjak? 



Përse duhet të dhurojmë gjak? 

Përse duhet të dhurojmë gjak?

Çfarë është dhe ç’rëndësi ka? Dhurimi i gjakut është një gjest vullnetar, periodik, anonim dhe bëhet falas. Kjo ndodh në raste aksidentesh të rënda, ndërhyrje kirurgjikale, transplantet e organeve, anemitë kronike, sëmundjet onkologjike dhe në shumë raste të tjera
Gjaku është komponenti përmes të cilit qelizat dhe indet e trupit mbahen në marrëdhënie me njëra-tjetrën. Substancat ushqyese, përfshi këtu edhe oksigjenin, kalojnë përmes gjakut; materialet e padobishme, acidi karbonik, kalojnë nga indet në gjak. Kjo lidhje e vazhdueshme furnizon indet me energji dhe lejon daljen e materialeve të padobishme. Para dhurimit të gjakut duhen plotësuar disa kushte: duhet të jeni nga mosha 18 deri në 65 vjeç dhe të keni një peshë më të madhe se 50 kilogramë. Gjithashtu nevojitet një vlerësim paraprak i mjekut të qendrës së transfuzionit ku do të drejtoheni. Sa herë që vendosni të dhuroni gjak, fillimisht duhet të plotësoni një pyetësor ku deklarohen disa të dhëna të gjendjes suaj shëndetësore. Po ashtu ju matet tensioni dhe hemoglobina.

Çfarë kërkohet në pyetësor?

Pyetje për mënyrën e jetesës (për marrëdhëniet e rrezikshme seksuale dhe përdorimin e substancave narkotike) që kanë nevojë për përgjigje të sinqerta, sepse shërbejnë për të garantuar transfuzion të sigurt. Veç të tjerash kërkohen informacione për gjendjen shëndetësore, ndërhyrjet e fundit kirurgjikale, marrjen e barnave dhe udhëtimet jashtë vendit.

Sa herë në vit mund të dhurohet gjak?

Meshkujt mund të dhurojnë gjak deri katër herë në vit, me një pushim minimal prej 90 ditësh. I njëjti interval vlen dhe për gratë, por nuk duhet të dhurojnëgjak më shumë se dy herë në vit. Përjashtohen periudhat para e pas ciklit menstrual, si dhe gjatë shtatzënisë. Pas lindjes duhet pritur një vit, pastaj mund të dhurohet gjak.

Dhurimi i gjakut, a ka ndonjë efekt anësor?

Asnjë, por për të pasur një mbarëvajtje të procesit duhen ndjekur disa rregulla të thjeshta menjëherë pas përfundimit të dhurimit: duhet konsumuar shumë ujë dhe të hani sërish ushqim, duke i dhënë përparësi sheqernave. Veç të tjerash, për të dhuruar gjak, duhet të keni ngrënë mirë dhe të keni konsumuar fruta të freskëta ose lëngje frutash të shtrydhura, çaj, kafe me pak sheqer. Gjithashtu ditën e dhurimit të gjakut nuk duhet të kryeni aktivitete sportive dhe ditën tjetër të kryeni një aktivitet fizik të moderuar.

Cila është situata e dhurimit të gjakut në Europë?

Sot, më shumë se 500 milionë qytetarë të BE-së, varen nga gjaku i dhuruar i 15 milionë dhuruesve. Kjo nuk mjafton për të përmbushur nevojat e të gjithë europianëve që varen nga gjaku për të mbijetuar, në rast aksidenti ose sëmundje kronike që kërkojnë transfuzione të herëpashershme.





Po në botë?

Çdo vit bëhen 92 milionë dhurime, por 30 milionë persona e bëjnë vetëm një herë dhe pastaj nuk e përsërisin më këtë përvojë.

A merret ndonjë leje për të dhuruar gjak?

Jo, sepse bëhet fjalë për një veprim vullnetar diktuar nga fryma e pastër e solidaritetit. Në disa kombe, dhurimi i gjakut kompensohet nga shuma të ndryshme të hollash, duke u bërë kështu një mjet jetese për të papunët. Nga ana tjetër, të paktën kështu, një herë në vit, kryhen të gjitha analizat e gjakut dhe një kontroll i përgjithshëm.

Përse është e nevojshme të dhurojmë gjak?

Gjaku i mbledhur ndahet në tri përbërës: rruazat e kuqe (eritrocitet), pllakëzat e gjakut (trombocitet) dhe plazma, që mund të përdoren për tre persona të ndryshëm. Për shembull një pacient i prekur nga leucemia akute, gjatë terapisë së induksionit, në harkun kohor të gjashtë javëve mund të ketë nevojë për 80-120 transfuzione rruazash të kuqe dhe pllakëzash gjaku; për të kryer një transplant të palcës së kurrizit, pacienti mund të ketë nevojë për 100 transfuzione të rruazave të kuqe dhe pllakëzave të gjakut; ata që vuajnë nga anemia e rëndë mesdhetare, për të mbajtur një nivel të mirë të hemoglobinës, nevojiten transfuzione rruazash të kuqe çdo 20-30 ditë.

Përse çdo vit dëgjojmë të flitet për mungesë gjaku gjatë verës?

Mungesa e gjakut gjatë muajve të verës është një e dhënë fiktive. Në këtë periudhë ka pakësime në mbledhjen e gjakut, ndërkohë që nevoja është jashtëzakonisht e madhe. Mesa duket vajtja e njerëzve me pushime ndikon në ndërprerjen drastike të dhurimit dhe grumbullimit të gjakut.