Monday, 25/9/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Përparim kundër malaries, kërcënimi ende i pranishëm

Përparim kundër malaries, kërcënimi ende i pranishëm

Malaria dikur ishte e pranishme në thuajse çdo vend të botës. Fushata për zhdukjen e kësaj sëmundjeje gjatë shekullit të kaluar e ka izoluar malarien në më pak se 100 vende. Megjithatë, në këto vende, kryesisht në brezin tropikal, sëmundja shkakton mbi 650 mijë vdekje në vit, kryesisht tek fëmijët.

Çdo minut që kalon, një fëmijë nën pesë vjeç vdes nga malaria. Kjo sëmundje diagnostikohet në çdo kontinent, por Afrika nënsahariane është rajoni i goditur më rëndë. Dr. Anthony Fauci, i cili kryeson kërkimet mbi malarien në Institutin Kombëtar të Shëndetit, e cilëson këtë sëmundje si një ndër vrasësit më të mëdhenj të botës:

“Kemi bërë përparim të ndjeshëm në komunitetin global kundër malaries, pasi ka një numër vendesh që parashikojnë se deri në 2015 do të kenë reduktuar ndjeshëm – më shumë se 50 për qind e deri në 75 për qind – numrin e infektimeve. Por përveç lajmeve të mira, shqetësimi mbetet se kemi 660 mijë vdekje në vit nga malaria”. 

Një numër strategjish janë përdorur për të luftuar malarien. Rrjetat mbi krevate spërkaten me insekticide për të mbrojtur banorët nga mushkonjat. Ata që infektohen mjekohen me ilaçe para se sëmundja të bëhet vdekjeprurëse. Po ashtu kryhen spërkatje me pesticide për të mbytur mushkonjat.

Studiuesit, përfshirë ekipe në Universitetin Johns Hopkins në Baltimorë, po punojnë për të ndryshuar gjenetikisht mushkonjën që përhap parazitin. Drejtori i programit kërkimor Peter Agee foli përmes Skype-it për Zërin e Amerikës:

“Mund ta ndalim këtë sëmundje dhe të kontrollojmë ndikimin e mushkonjave ose duke i eliminuar ato, gjë që është shumë e vështirë, ose duke i ndryshuar që të jenë sa më pak të efektshme në bartjen e infeksionit”. 

Mjeku thotë se studiuesit në Johns Hopkins kanë arritur sukses të madh me strategjinë e tyre të trajtimit të mushkonjave në Zambia, ku po bashkëpunojnë me një spital:

Një shkrim tjetër i dobishëm  Shkencëtarët danez afër gjetjes së ilaçit kundër virusit HIV

“Goditja e sëmundjes është reduktuar 98 për qind brenda një dekade. Nga 1500 fëmijë që shtroheshin në spital çdo vit, tani kemi vetëm disa dhjetra raste”. 

Por suksesi i fushatës mund të jetë njëkohësisht arsye për shqetësim, thotë Dr. Fauci:

“Shqetësimi im është se kur flasim për përparim, ndodh ajo që kemi vërejtur edhe më parë jo vetëm me malarien por edhe me sëmundje të tjera – njerëzit bëhen optimistë. Mendojnë se u arrit sukses dhe i ndalim përpjekjet, gjë që do të ishte gabim i madh”. 

Dr. Fauci vëren se ende nuk ka vaksinë kundër malaries, mushkonjat që përhapin parazitin po përftojnë rezistencë ndaj pesticideve dhe në disa zona paraziti që shkakton sëmundjen po fiton imunitet ndaj ilaçeve. Vetëkënaqësia mund të sjellë reduktim të fondeve dhe si rezultat malaria mund të rishfaqet në zona ku është nën kontroll ose është eliminuar. Rreziku është ende i madh. Sipas statistikave, gjatë kohës që dëgjuat këtë kronikë, tre fëmijë të tjerë gjetën vdekjen nga sëmundja.zeriamerikes/

Categories

Archives