Sunday, 22/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Përgjigje e mjaftueshme për atë që pyet për ilaçin shërues


Përgjigje e mjaftueshme për atë që pyet për ilaçin shërues


lutje dua

Duaja

Falënderimi i takon Allahut dhe paqja e shpëtimi i Zotit qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhammedin (paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të), mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët e ndjekin rrugën e tij deri në ditën e fundit.

Është pyetur Shejh Shemsed Din Ebu Abdullah Muhammed bin Esh Shejh Es Salih Ebu Bekr i cili është i njohur me emrin Ibn Kajjim El Xheuzi:
Çfarë kanë thënë dijetarët, imamët e fesë, radijall-llahu anhum exhmein, për njeriun të cilin e ka sprovuar Allahu me ndonjë sprovë e ai e din se nëse kjo sprovë vazhdon do t’ia prishë dynjanë dhe ahiretin, dhe pasi është munduar që ta largojë atë në çdo mënyrë ajo veç e ka shtuar forcën e saj.
Çfarë duhet të veprojë ai për ta larguar atë?
Në çfarë mënyre mund ta zbulojë atë? Allahu e mëshiroftë atë të cilin e ndihmon një njeri të sprovuar! Allahu është në ndihmë të robit të tij përderisa robi është në ndihmë të vëllait të tij. Na ktheni përgjigje. Allahu ju shpërbleftë!

Shejhu pas falënderimit të Allahut është përgjigjur:

Ebu Hurejra – radijall-llahu anhu – transmeton se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Nuk ka zbritur Allahu sëmundjen përveç se asaj ia ka zbritur edhe ilaçin.” (Buhariu)

Xhabir bin Abdullahu tregon se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Për çdo sëmundje ka ilaç. Nëse ia qëllon sëmundjes ilaçin, shërohet me lejen e Allahut.” (Muslimi)

Usame bin Sheriki tregon se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Allahu nuk e ka zbritur sëmundjen pa e zbritur me të edhe shërimin (e mësoi kush e mësoi dhe e injoroi kush e injoroi). (Ebu Davudi, Tirmidhiu, Ibni Maxhe, Buhariu e të tjerë)
Ndërsa, në një transmetim tjetër thuhet: “Allahu nuk ka caktuar sëmundjen përveçse e ka caktuar edhe shërimin për të, përveç një sëmundjeje. Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut cila është ajo?” Tha: “Pleqëria”. (Tirmidhiu thotë se është hadith sahih)

Këtu përfshihen edhe sëmundjet e zemrës, shpirtit, trupit dhe ilaçet e tyre. I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – paditurinë e ka konsideruar sëmundje dhe ka thënë se ilaçi i saj është pyetja e dijetarëve. Xhabir bin Abdullahu ka thënë: “Ne ishim në udhëtim dhe njëri prej nesh u dëmtua, i ra një gur i cili ia çau kokën.
Më vonë ai pa një ëndërr gjatë së cilës u bë xhunub. Ai i pyeti shokët e tij: “A mund të marr tejemum?” Ata i thanë: “Jo, se ti ke mundësi që ta përdorësh ujin.”
Pas kësaj ai mori gusël dhe vdiq. Kur e lajmëruan të Dërguarin e Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – në lidhje me këtë ngjarje, ai tha: “E vranë, i vraftë Allahu!
Pse nuk pyetni për atë që nuk e dini? Ilaçi i mosdijes është pyetja. Do të kishte qenë e mjaftueshme për të të merrte tejemum dhe të hidhte pak ujë mbi plagën e tij apo ta fshinte atë dhe pastaj të lante pjesën tjetër të trupit.” (Ibn Maxhe)

Këtu i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – tregon se mosdija është sëmundje dhe ilaçi i saj është pyetja.

Allahu i Lartësuar lajmëron për Kur’anin se është shërim. Ai thotë: “Sikur ne ta bënim Kur’anin në gjuhë të huaj, ata do të thoshin: “Përse nuk janë ajetet e tij të kuptueshme (të shkoqitura), a është ai (Kur’ani) në gjuhë të huaj, e ai (pejgamberi) është arab?” Thuaj: “Ai është për besimtarët udhëzues e shërues…” (Fussilet: 44)
Dhe thotë: “Ne të shpallëm Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët…” (El-Isra: 82)

Këtu parafjala “Min” përdoret për të treguar llojin dhe jo një pjesë të Kur’anit sepse i gjithë Kur’ani është shërim për besimtarët ashtu siç u tha në ajetin e lartpërmendur. Ai është shërim për zemrat nga sëmundja e injorancës dhe dyshimit.

Allahu i Lartësuar nuk ka zbritur prej qiellit asnjëherë shërim më të dobishëm, më madhështor dhe më të efektshëm në largimin e sëmundjes sesa Kur’anin.

Është vërtetuar në dy sahihat hadithi i Ebu Sadit në të cilin tregohet se një grup sahabësh u nisën në një udhëtim. Ata arritën në një lagje të arabëve, të cilëve iu kërkuan strehim por ata e refuzuan një gjë të tillë.
Në atë kohë ndodhi që të parin e fisit ta kafshojë një gjarpër helmues.
Ata u munduan që ta shërojnë duke i provuar të gjitha metodat e njohura mjekuese që i dinin, por nuk patën sukses.
Dikujt në atë fatkeqësi iu kujtuan edhe mysafirët, ndaj të cilëve nuk u sollën mirë dhe kërkuan prej tyre që t’iu ndihmojnë, sepse ndoshta ndonjëri prej tyre e njeh mjeshtrinë e shërimit.
Një sahabi u lajmërua që t’ia lexojë rukjen.
Por, ua përkujtoi atyre sjelljen ndaj sahabëve si mysafirë dhe refuzoi t’i bëjë rukje, përveçse me kompenzim. U morën vesh se, në qoftë se e shëron, do t’ia japin një tufë delesh.
Sahabiu filloi me pështyerjen dhe me këndimin e rukjes në formë të leximit e përsëritjes së “El-Hamdu lil-lahi rab-bil a’lemin-it”, deri kur i helmuari u ngrit sikur të ishte liruar nga prangat.
Ai eci aq sa i dëshiroi zemra. Ia dhanë atij tufën e premtuar të deleve.
Disa prej sahabëve kërkuan që delet t’i ndajnë mes vete.
Megjithatë, lexuesi i rukjes u propozoi që ata ta lënë këtë çështje derisa ta lajmërojnë Pejgamberin – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – për mënyrën se si kanë vepruar.
Kur erdhën tek ai dhe e lajmëruan për rastin e tyre, ai u pajtua me mënyrën e veprimit të tyre, qeshi dhe u tha: “Prej nga e din ti se kjo është rukje? Pastaj tha: “E keni qëlluar.
Ndani fitimin dhe më bëni edhe mua pjesëtar në të”.
Rukja (leximi i Fatihasë) ndikoi në largimin e kësaj sëmundjeje dhe ky njeri u shërua sikur të mos kishte qenë i sëmurë. Ky është ilaçi më i lehtë.
Sikur njerëzit të mjekoheshin me fatihanë do t’i shihnin gjurmët e saj në shërimin e sëmundjeve.

Shejhu ka thënë: Kam qëndruar një kohë në Meke, më kapluan sëmundjet dhe më nevojitej mjekim por nuk gjeja mjek dhe as ilaç.
E kuroja veten me fatihanë dhe e shihja efektin e saj.
Ua përshkruaja këtë atyreve të cilët ankoheshin nga dhimbjet dhe shumë prej tyre shëroheshin shumë shpejt.

Këtu është një çështje e cila duhet theksuar: Edhkaret, ajetet dhe duatë me të cilat bëhet rukja janë në vetvete të dobishme dhe shëruese. Ato duhet t’i përshtaten vendit dhe forcës së atij që i bën.
Kur mungon shërimi, mund të jetë dobësia e ndikimit të bërësit ose diçka tjetër që e ndalon suksesin e ilaçit.
Siç ndodh me ilaçet dhe sëmundjet e pashërueshme, mosndikimi mund të jetë edhe si shkak i mospranimit të natyrës këtë ilaç. Kështu që nëse zemra i pranon rukjet dhe edhkaret atëherë ky pranim do të bëhet sebep për shërimin e kësaj sëmundjeje.

Duaja është ilaç

Ndër shkaqet më të forta për largimin e fatkeqësive dhe arritjen e qëllimit të kërkuar është edhe duaja (lutja) por mund të ndryshojë ndikimi si shkak i dobësisë në vete.
Mund të jetë dua të cilën nuk e don Allahu sepse përmban armiqësi ose duaja është bërë nga një zemër e dobët e cila është larg Allahut në momentin kur bëhet lutja, zemër e cila i ngjan harkut të lirë të shigjetës që kur e gjuan shigjetën del e dobët ose lutja nuk mund të arrijë efektin si pasojë e ushqimit të haramit ose si pasojë e mëkateve të cilat ia kanë mbuluar zemrën personit që e bën lutjen.

I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Lutjuni Allahut duke qenë të sigurtë se do t’u përgjigjet dhe dijeni se Allahu nuk pranon dua nga një zemër indifirente dhe neglizhente.” (Tirmidhiu)

Duaja është ilaç i dobishëm për shërimin e sëmundjes, por neglizhenca e zemrës ndaj Allahut e dobëson forcën e saj.

Gjithashtu, ushqimi i haramit e dobëson efektin e saj siç ka ardhur në hadithin e Ebu Hurejres se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “O njerëz! Vërtet, Allahu është i mirë dhe nuk pranon vetëm se të mirën.
Allahu i Madhërishëm besimtarëve u ka urdhëruar po atë që u ka urdhëruar edhe të dërguarve, dhe ka thënë: (Ne u patëm thënë):
“O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që veproni.” (El Muminun : 51)
Dhe, ka thënë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që u kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.” (El Bekare: 172)
Më pas ai përmendi njeriun i cili rrin gjatë në udhëtim, flokëprishur dhe i pluhurosur, i cili ngrit duart drejt qiellit dhe lutet: “O Zot, o Zot!”, ndërsa han ushqim haram, pin pije haram, veshë veshje haram dhe jeton nga harami. E si t’i plotësohet duaja njeriut të tillë.” (Muslimi, Tirmidhiu dhe Ahmedi)

Abdullahu, i biri i Ahmedit, ka përmendur se në librin “Ez Zuhd” të babait të tij, ai (Imam Ahmedi) ka thenë: “I kaploi një e keqe beni israilët të cilët kërkonin zgjidhje për të. Allahu i zbriti shpallje profetit të tyre, për t’i njoftuar: Dilni në shesh me trup të pistë dhe ngrini lart duart tuaja të lyera me gjak. I keni mbushur shtëpitë tuaja me haram e tani që zemërimi Im mbi ju është më i fortë nuk do të shtoni nga unë vetëm se largësinë.”

Ebu Dherri ka thënë: “E mira i mjafton duasë aq sa i mjafton kripa ushqimit.”

Duaja është prej ilaçeve më efikase kundër fatkeqësive, është armiku i fatkeqësive, e dëbon atë dhe mbron prej saj, nuk e lejon të lëshohet ajo, e nëse lëshohet e largon, e pengon dhe e zbut goditjen e saj. Duaja është arma e besimtarit, siç transmeton El Hakimi në Mustedrekin e tij nga hadithi i Ali bin Ebi Talibit – radijall-llahu anhu – se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Duaja është arma e besimtarit, shtylla e fesë dhe nuri i qiejve dhe i tokës.” (El Hakimi)

Një shkrim tjetër i dobishëm  Rreth alkoolit

Duaja kundër fatkeqësisë në aspektin e forcës mund t’i ketë tri shkallë: Të jetë më e fortë se fatkeqësia në mënyrë që ta pengojë dhe largojë tërësisht.
Të jetë më e dobët se fatkeqësia në mënyrë që fatkeqësia edhe përkundër saj ta godasë njeriun por duaja e topitë dhe e lehtëson goditjen e saj.Të jenë njësoj të forta ashtu që luftojnë njëra – tjetrën.

Aishja – radijall-llahu anha – tregon se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Paralajmërimi nuk i bën dobi përcaktimit, duaja është e dobishme si për atë që ka ndodhur dhe si për atë që nuk ka ndodhur, fatkeqësia zbret e atë e takon duaja e kështu ato e luftojnë njëra-tjetrën deri në Ditën e Kijametit.” (Hakimi)

Ibni Umeri – radijall-llahu anhu – transmeton se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Duaja sjell dobi për atë fatkeqësi që ka ndodhur dhe për atë që nuk ka ndodhur. Bëni dua o robër të Allahut.” (El Hakimi)

I Dërguari i Allahut ka thënë: “Nuk e kthen mbrapsht kaderin vetëm se duaja dhe nuk e shton jetën diçka tjetër përveçse bindja. Njeriu privohet prej rriskut si pasojë e veprimit të mëkateve.” (Ibni Maxhe, Ahmedi e të tjerë)

Të insistuarit në dua

Ndër ilaçet më të suksesshme është: Këmbëngulja në dua. Ebu Hurejra tregon se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Allahu zemërohet me atë që nuk kërkon asgjë prej Tij.” (Buhariu, Tirmidhiu e të tjerë)

I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Mos pushoni në drejtimin e duasë, ngase askush nuk do të pësojë gjatë duasë.” (El Hakimi)

Transmetohet nga Katadeja se Imam Ahmedi në librin e tij “Ezzuhd” ka thënë: “Nuk kam gjetur për besimtarin shembull tjetër përveçse shembullin e një njeriu i cili në mes të detit, i ulur mbi një dërrasë, lutet: “O Zot, o Zot, ndoshta Allahu e shpëton.”

Epidemia e cila ndalon efektin e duasë

Shenjat e epidemisë e cila e ndalon efektin e duasë janë:
Nxitimi i njeriut dhe kërkimi i shpejtë i përgjigjes; mërzitja e tij dhe braktisja e duasë, të lodhurit e tij nga të bërit dua. Shembulli i tij është si shembulli i një njeriu i cili e mbjell farën ose fidanin dhe më pas i qëndron afër dhe e ujit. Kur e shikon se rritja e saj po ngadalësohet e braktis atë.
I Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Dikujt prej jush duaja do t’i plotësohet nëse nuk nxiton të thotë: “Tanimë jam lutur, por lutja nuk më është plotësuar.” (Buhariu e të tjerë) Dhe thotë: “Njeriu vazhdon të jetë në hajër përderisa nuk nxitohet. Thanë: “O i Dërguari i Allahut, si nxitohet?” Tha: Të thotë: “E kam lutur Allahun dhe nuk m’i është përgjigjur lutjes time.” (Ahmedi e të tjerë)

Kohët e pranimit të lutjes (duasë)

Nëse duaja shoqërohet me prezentimin e zemrës dhe përqëndrimin e saj gjatë bërjes dua bën që të realizohet ajo çfarë kërkohet.
Duaja duhet të bëhet në kohët e përshtatshme në të cilat lutja nuk refuzohet.
Kohët e përshtatshme janë: 1/3 e fundit të natës, koha gjatë thirrjes së ezanit, ndërmjet ezanit dhe ikametit, pas namazeve farze, kur të ngjitet imami në minber në ditën e xhuma e derisa të përfundojë namazi i xhumasë si dhe ora e fundit pas namazit të ikindisë të së njëjtës ditë.
Njeriu i cili bën dua duhet ta bëjë këtë me zemër të koncentruar, me përulësi para Allahut të Lartësuar.

Gjatë bërjes dua duhet të drejtohemi nga kibla, nuk duhet të mungojë pastërtia, duhet t’i ngrisim duart, duaja duhet të fillojë me falënderimin dhe madhërimin e Allahut të Lartësuar, më pas duhet dërguar salavate të Dërguarit të Tij, duhet të pendohemi dhe të kërkojmë falje, duhet të jemi këmbëngulës gjatë bërjes dua, t’i lutemi Allahut duke i përmendur emrat dhe cilësitë e Tij, duasë t’ia shoqërojmë edhe lëmoshën,…
Nëse plotësohen kushtet që u përmendën më lart lutja nuk refuzohet dhe sidomos kur e lut Allahun me lutjet të cilat e ka lutur i Dërguari i Tij.

Dëgjojmë shumë raste kur njerëzit i janë lutur Allahut e Ai i është përgjigjur lutjes së tyre.
Kjo ka ndodhur për arsye se ndoshta ky njeri ka vepruar një të mirë e cila e ka afruar te Allahu ose lutja është bërë në momentet kur ajo nuk refuzohet.
Dikush mendon se sekreti është në fjalët që përmban lutja kështu ai i mënjanon faktorët shoqërues të saj.
Kjo është sikur njeriu i cili e përdor një ilaç të dobishëm në kohën e duhur, e kjo i ka bërë dobi. Dikush tjetër mendon se përdorimi i këtij ilaçi mjafton për arritjen e qëllimit të kërkuar por kjo është gabim.

Si shembull mund të marrim dikë i cili bën dua në mënyrë urgjente dhe lutja i pranohet kur ai është afër varrit.
I padituri në këtë rast mendon se sekreti që iu pranua lutja është se ishte te varri dhe nuk e din se sekreti është te nevoja dhe sinqeriteti ndaj Allahut.
E sikur kjo të ndodhte në një shtëpi nga shtëpitë e Allahut do të ishte më e mirë dhe më e dashur te Allahu.

Parashtrohet një pyetje e njohur në mes të njerëzve: Nëse Alllahu ka përcaktuar të ndodhë diçka ajo patjetër do të ndodhë si bëri dua njeriu si nuk bëri dhe nëse nuk e ka përcaktuar Allahu që të ndodhë ajo nuk do të ndodhë sido që të veprojë njeriu të bëjë dua apo jo.
Disa menduan se kjo është e saktë prandaj edhe e lanë duanë duke thënë se nuk ka dobi në të. Këta njerëz janë të paditur dhe të humbur.

Themi: Nëse ngopja të është caktuar ty, kjo patjetër do të ndodhë si hëngre si nuk hëngre, e nëse nuk të është caktuar nuk do të ndodhë ajo si hëngre si nuk hëngre.

Nëse është përcaktuar lindja e fëmijës patjetër do të lindë, prandaj edhe nuk ka nevojë për martesë.

A mund t’i thotë këto fjalë një njeri me logjikë të shëndoshë? Përkundrazi, edhe kafshët janë krijuar që t’i marrin në konsideratë shkaqet për vazhdimin e jetës së tyre. Kafshët janë më të kuptueshme se këta njerëz të humbur.

Disa thonë: Lutja është të angazhuarit me dua, e cili është adhurim i thjeshtë dhe për të cilën robi shpërblehet pa pasur efekt te kërkesa e tij. Te këta nuk ka dallim mes duasë me zemër dhe gjuhë për pranimin e lutjes. Lidhja e duasë te ta është si lidhja me heshtjen, nuk ka dallim tjetër.

Disa të tjerë thonë: Duaja është thjesht një shenjë të cilën Allahu e ka bërë sinjal për realizimin e nevojës së tij.
Kur robi bën dua kjo është një shenjë për të se nevoja e tij është plotësuar, kjo është sikur kur e sheh një re të zezë të ftohtë në kohën e dimrit, kjo është një shenjë që sinjalizon se do të bjerë shi.
Kanë thënë: Kështu janë bindja me shpërblimin, kufri dhe mëkatet në lidhje me dënimin por jo se këto i kanë shkaqet, kështu e krahasojnë thyerjen me shkak e atë pa shkak, djegien me shkak e atë pa shkak, vrasjen me shkak e atë pa shkak.
Të gjitha këto sipas mendimit të tyre nuk janë shkaqe dhe nuk kanë lidhje mes tyre. Me këtë ata kanë kundërshtuar edhe ndjenjën me mendjen dhe fenë me natyrën.

Është edhe një grup tjetër i tretë i cili thotë: Caktimi është bërë në bazë të shkaqeve, prej shkaqeve është duaja. Kur robi realizon shkakun ndodh edhe caktimi, e kur nuk e realizon shkakun nuk ndodh caktimi.
Ngopja vjen si rezultat i të ngrënit ushqim dhe pirjes së pijeve, lindja e fëmijës bëhet si shkak i marrëdhënieve intime, të korrurat vijnë si rezultat i mbjelljes së farës, dalja e shpirtit të kafshës vjen si shkak i therjes së saj, hyrja në Xhenet bëhet në bazë të veprave edhe hyrja në zjarr bëhet në bazë të veprave.
Mendimi i grupit të tretë është i saktë.
Duaja është ndër shkaqet më të mëdha dhe nuk bën të themi se ajo është e padobishme. Gjithashtu, nuk mund të themi se njeriu nuk ka dobi prej ushqimit, pirjes, lëvizjes dhe punëve. Nuk ka sebep më të dobishëm për realizimin e kërkesës se duaja.

Sahabët – radijall-llahu anhum – të cilët janë më të diturit e këtij ummeti për Allahun, të Dërguarin e Tij dhe për dinin e Allahut e realizonin këtë shkak, kushtet dhe edebet e tij më shumë se çdo kush tjetër. Umeri – radijall llahu anhu – ju thoshte sahabëve: “Ndihma nuk vjen nga numri i madh që keni, por ndihma vjen nga qielli” dhe vazhdonte: “Unë nuk shqetësohem për pranimin e duasë por për gjendjen e saj. Në rast se e keni bërë ashtu siç duhet atëherë përgjigjen e keni me vete.”

Kur robi frymëzohet për dua kjo tregon se atij i është bërë gati përgjigja. Zoti juaj ka thënë: “Më thirrni Mua, Unë ju përgjigjem…” (Gafir: 60)
Dhe thotë: “E nëse robërit e mi të pyesin për Mua, atëherë thuaj Unë jam afër, i përgjigjem lutjes së atij që lutet…” (El Bekare: 186)

Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut – paqja dhe shpëtimi i Zotit qofshin mbi të – ka thënë: “Allahu zemërohet me atë njeri që nuk i lutet atij.” (është përmendur më herët ky hadith). Kjo tregon se Allahu kënaqet kur kërkojnë prej Tij dhe i binden Atij. Kur Allahu është i kënaqur e gjithë e mira është në kënaqësinë e Tij. Ndërsa, të këqijat vijnë si pasojë e hidhërimit të Allahut.

Shkruar nga Ibnu Kajjim El Xheuzi

Përshtati: Merita Rexha

image_pdf
Tags:

Categories

Archives