Friday, 20/4/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Përdorimi i rukusë kundër kafshimit të gjarprit

Përdorimi i rukusë kundër kafshimit të gjarprit

gjarperi

Sunenin e Ibn Maxhxhes është shënuar se Ibn Shahab el Zahiri ka thënë: “Njërin nga ashabët e të Dërguarit të All-llahut, s.a.v.s., e kishte kafshuar gjarpri helmues. Për ta theksuar vlerën e rukusë, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., e kishte pyetur atë: ‘A e di ndonjëri prej jush rukunë e caktuar për këtë?’ Ashabët u përgjigjën: ‘Familja e Hazamit e kishte zakon të lexonte rukutë për eleminimin e pasojave të kafshimit të gjarprit, por, që nga koha kur është ndaluar, ata kanë hequr dorë nga kjo’. Pastaj i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., kishte thënë: ‘Thirrni Ammar bin Hazamin!’ Kur kishte ardhur ai, i kishte thënë të lexonte rukunë e saktë dhe, kur e bëri këtë, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., kishte thënë: ‘Nuk ka asgjë të keqe në këtë’, dhe ia lejoi ta lexonte këtë, kurse viktima e kafshimit të gjarprit u shërua më vonë”.179
1. 17. Shërimi me ruku i qelbit, i të thatëve ose i vendeve të prera
Aishja , r.a., tregon se kur dikush i ankohej të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., për ndonjë vend me qelb (lat. Pyosis), të thatë apo plagë, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., e kishte bërë zakon ta drejtonte majën e gishtit tregues dhe pastaj e prekte pluhurin (turab) me të dhe lutej: “Me emrin e All-llahut, i cili e ka krijuar pluhurin nga toka jonë dhe e ka bërë pështymën e ndonjërit prej nesh substancë mjekuese për të sëmurët tanë – me lejen Tënde, Zoti ynë”. I Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., pastaj, me pluhurin që i mbështillej rreth gishtit tregues të tij, ia prekte vendin e qelbëzuar dhe njëherazi e thoshte këtë lutje.180
Lutja e cituar është e lehtë dhe e dobishme, ndërsa konsiderohet trajtim që i lejohet gjithkujt. Kjo është një terapi e lehtë, e cila tregon një dituri të hollësishme dhe të thellë. Me anë të saj, individi mund ta shërojë vendin e lënduar e të infektuar të vëllait të vet, vendet e prera, të thatët, plagët ose qelbëzimet, sidomos kur nuk mund të sigurohen ilaçe të tjera. Nga ana tjetër, toka është burim dhe nënë e çdo ilaçi. Pluhuri i papërzier dhe i pastër është i ftohtë dhe i thatë, dhe hedhja e një sasie të vogël të tij mbi vendin e infektuar në lëkurë do të ndihmojë në tharjen e lagështisë dhe të qelbit që janë krijuar nën lëkurë.
Disa njerëz e ndiejnë veten keq pas një lëndimi të zakonshëm ose kur ai lëndim zë qelb. Ndjenja e tyre paksa e shqetësuar paraqet gjithashtu çekuilibrimin e nxehtësisë, si njëra nga katër temperamentet e trupit. Kombinimi i nxehtësisë së klimës natyrore, i nxehtësisë së temperamentit dhe i nxehtësisë së vetë plagës ose të qelbit të saj shërohen me pluhur të thatë të ftohtë, që është më i ftohtë se shumë ilaçe të tjera të thjeshta dhe të ftohta, e sidomos kur pluhuri është i pastruar dhe i tharë pikërisht për këtë qëllim.
Infeksionet e këtilla ndonjëherë shoqërohen me lagështirë që kundërmon erë të rëndë (qelbëzuese) dhe me lëng (lat. Pyorrhea), kurse pluhuri i thatë dhe i ftohtë ose glina merr pjesë në avullimin e lagështirave të tilla, të cilat, në të kundërtën, do ta pengonin përmirësimin e gjendjes. Ky progres ndihmon në vënien e ekuilibrit të sekrecioneve të trupit në vendin e infektuar, kurse si rezultat të kësaj kemi, me lejen e All-llahut, eleminimin e shkaktarit dhe të dhembjeve që e shoqërojnë atë.
Siç është thënë në hadithin e cituar, i Dërguari i All-llahut , s.a.v.s., pastaj e lëpinte majën e gishtit tregues dhe me të e prekte pluhurin, pastaj në vendin e lënduar, e vinte ngadalë gishtin e tij me tërë pluhurin që ishte mbështjell rreth gishtit të tij dhe e thoshte lutjen e cekur. Bekimet e një lutjeje të tillë e thërrasin emrin e shenjtë të All-llahut, besimin e të gjitha gjërave Atij dhe mbështetjen në mirësinë e Tij për shërimin e lëndimit. Prandaj, bërthamat natyrore dhe shpirtërore janë të kombinuara, ndërsa efikasiteti i qëllimit bëhet më i qëndrueshëm. Sa i përket zgjedhjes së togfjalëshit “toka jonë” nga ana e të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., do të mund të kishte kuptimin e tokës nënë, njësoj sikurse edhe toka e bekuar e qytetit Medinë. Mendimet skolastike lidhur me këtë janë të ndryshme, megjithatë gjëja e përgjithshme që njihet e dihet sot është se vënia e glinës së pastruar në lëkurë është më e dobishme për shumë lloje sëmundjesh dhe për sëmundjet e lëkurës. Në veprat e veta Galeni ka theksuar që ai kishte parë në Aleksandri (Egjipt) njerëz të sëmurë nga splenomegalia (rritja e shpretkës) dhe nga sëmundja e ujit, të cilët e kishin përdorur glinën egjiptiane duke e vënë në kërdhokullat, shpinën dhe në brinjët e veta, dhe dukej sikur kjo terapi u pëlqente. Kjo terapi është e njohur me emrin peloterapi ose pelopati.
Pastaj, mbështjellja e lëkurës me glinë të këtillë natyrore siguron veprimin e fuqishëm tharës, vepron si absorbues i fuqishëm dhe mund të ndihmojë në shumë lloje të të thatëve septikë, të helmimit të gjakut, njerëz me lëkurë të fishkur e të varur dhe me abnormalitete të tjera të lëkurës. Në disa raste të dokumentuara mirë, personat që vuajnë nga dhjamërat e tepërt si pasojë e rrjedhjes abnormale të gjakut abdominal ose vaginal, njësoj sikurse edhe nga purgacioni intensiv i prerjes sipërfaqësore të lëkurës së këmbëve ose të kërdhokulave të tyre dhe të sëmurët nga shumë sëmundje kronike, që godasin pjesë të ndieshme të trupit që mund të shërohen plotësisht, e kanë përdorur shumë dhe kanë pasur dobi të mëdha nga përdorimi i glinës natyrore.
Glina natyrore është e pasur me minerale dhe me silikatin e aluminiumit ujor që e pinë ujin në mënyrë shumë efikase. Një glinë e këtillë është krijuar nga shpërbërja kimike e shkëmbinjve. Për shëmbull terra sigillata është mjet që e ndal gjakderdhjen. Fuqia thithëse dhe mbyllëse e kësaj gline ndihmon gjithashtu tejdukshmërinë e qelizave, kontraktimin e indeve dhe formimin e qelizave të reja të cilat i mbyllin të thatët.
Nëse toka e zakonshme përmban glinë natyrore me veti të tilla, atëherë çka duhet të mendojmë për tokën më të bekuar të Tokës, siç është toka e qytetit të Medinës, qytetit të dritës, për më tepër kur ajo përzihet me pështymën më të bekuar të të Dërguarit të All-llahut , s.a.v.s., dhe kur një akt i tillë shoqërohet me shqiptimin me gjithë zemër të atributeve më të larta të Zotit të tij? Dhe, siç e kemi shpjeguar më herët, efikasiteti i rukusë varet shumë nga gjendja dhe besimi i atij që e bën, nga reaksioni që personi i sëmurë e shfaq ndaj kësaj, si dhe besimi i tij në efikasitetin e rukusë. Aspekte të këtilla nuk mund të përgënjështrohen nga asnjë mjek i mençur. Nëse ai që e bën një ruku të tillë gjen në vetvete se i mungon mjeshtëria (dituria) e vërtetë, ose e ndien veten që nuk është adekuat për të nxjerrë këso rezultatesh, ai le të shqiptojë lutje gjithfare, që mund t’i përmbledhë zemra e tij, dhe në fund do të duhej ta përfundonte duke thënë lutjen e tij me fjalët: “Mashaallah” (Do të bëhet me vullnetin e All-llahut).

Categories

Archives