Tuesday, 17/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Për një vit të suksesshëm akademik

Për një vit të suksesshëm akademik

shefqet

Dr. Shefqet Krasniqi

 

Erdhi tetori, e me të erdhi edhe vjeshta, kjo stinë edhe pse e zymtë megjithatë e bukur, e cila ia ndryshon tërësisht pamjen natyrës. I lartësuar qoftë Allahu që çdo gjë krijoi urtësisht dhe prej nesh kërkoi zbulimin e këtyre urtësive ku në secilën prej tyre fshihet një kod i lumturisë

Vjeshta stinë e cila prek emocionet e artistëve, poetëve, mendimtarëve, e kujt jo se. Thuajse të gjithë emocionohemi gjatë kësaj stine. Si të mos emocionohemi gjersa një botë e tërë ndryshon para syve tonë duke sjellë tek ne një atmosferë dhe klimë, aq të përshtatshme për studim e meditim, sa që me të drejtë është përcaktuar edhe si fillim vit akademik.

E kur jemi tek viti akademik dhe muaji tetor, ky muaj i studentëve, i cili në kryeqytet na sjell çdo vit fytyra të reja. Mbi dhjetëmijë studentë të rinj, të cilët, janë pranuar në vitin e parë të studimeve, potencojnë statistikat. Kosovën ky tetor do ta gjejë me më shumë universitete shtetërore.

Nuk është ‘Hasan Prishtina’ i vetmi. Në Prizren, Pejë, Gjilan, Gjakovë, Mitrovicë, ose rreth 20% e qyteteve të Kosovës tashmë janë bërë qytete universitare. Me letra dhe godina po të ecim shumë, por praktikisht kemi ngelur shumë prapa. A thua vallë, kush është fajtori? Sigurisht, problemi nuk qëndron te mungesa e fakulteteve dhe objekteve për dije e shkencë, ani pse edhe ato nuk janë të ndonjë niveli shumë të lartë, por tek mungesa e cilësisë.

Studimet akademike nuk janë thjeshtë fakultete, diploma e më pas edhe vende pune dhe kaq. Studimet akademike kanë synim ma të madh, ato ngritin dhe formojnë personalitetin e njeriut, ato formojnë një elitë intelektualësh nga të cilët më pas varet ardhmëria e vendit. Ato krijojnë edhe një shoqëri të re, të vetëdijesuar, të edukuar e të arsimuar.

Prej tyre varet nesër politika, ekonomia, varet i tërë shteti. Andaj investimi në student në veçanti, e në nxënës në përgjithësi është investimi më i mirë e më i bekuar, është më frytdhënësi e afatgjati. Atyre duhet ofruar cilësi të lartë e të qëndrueshme në arsim. Ata duhet liruar nga çdo detyrë e obligim tjetër, pos kërkimit të dijes.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Shamia edhe kohën e ka fetarisht të caktuar

Ata kanë nevojë të jenë larg problemeve dhe telasheve me të cilat ballafaqohemi ne të tjerët. Atyre duhet krijuar një klimë sa më të përshtatshme dhe të favorshme për dije e shkencë.

Mendoj se universiteteve tona ju mungojnë këto gjëra. Ato kanë shumë nevojë për reforma të mëdha në shumë sektorë. Nuk mund të ecët para me një staf akademik i cili ka më shumë se një vend pune, bile disa nga ta më shumë se dy e tri vende pune.

Nuk mund të ecët para me profesorë të cilët studenti duhet t’i vihet pas, si qengji pas deles, me muaj vetëm sa për një nënshkrim apo për një notë. Nuk mund të ecët para me profesorë të cilët sa herë donë i shtynë provimet, i shëtisin e maltretojnë studentët si t’u teket.

Nuk mund të ecët para me profesorë të cilët i diskriminojnë studentë, e në veçanti studentet, mbi baza fetare, vetëm pse janë vajza të mbuluara apo djem me pamje fetare, duke i ndëshkuar në notim.

Falë Zotit një përparim i përgjithshëm ekziston dhe dita ditës po shihet një seriozitet dhe interesim më i madh, në veçanti në universitetin “Hasan Prishtina”, por rruga akoma është e gjatë dhe ka ende shumë punë për tu bërë.

E ne nga zemra ua urojmë të gjithë studentëve vitin e ri akademik duke ju dëshiruar suksese në studime dhe në jetë në përgjithësi. Gjithashtu duke ua përkujtuar se rruga e dijës është e gjatë, ajo as nuk fillon me fakultet e as nuk mbaron. Ajo fillon në djep dhe mbaron në varr. Andaj ende janë thuajse në fillim.

Zoti ju ndihmoftë atyre neve dhe të gjithëve në zënien e dijes, e na bëftë shërbëtor të këtij vatani dhe të kësaj shoqërie dhe mbarë njerëzimit. Amin.., deri në temën tjetër Es-selam alejkum.

Tags:

Categories

Archives