Friday, 24/3/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Për magjinë dhe sihirbazët


Për magjinë dhe sihirbazët


Shefqet KrasniqiDitë më parë një debat televiziv për magjinë dhe trajtimin e saj ka ngjallë reagime të shumta. Pjesë e këtij debati, ndonëse jo drejtpërdrejtë në atë studio televizive, kam qenë dhe unë, me pyetjet që më janë parashtruar në emisionin tim në TV Vali, në radio dhe në webfaqen time, në këndin e fetvave. Me kërkesë të një numri vëllezërish dhe motrash, sot, në këtë artikull javor, do të trajtojmë magjinë dhe sihirbazët nga këndvështrimi islam.

Do të doja të bind lexuesit e dashur që në fillim se, sipas Islamit, për çdo sëmundje ka shërim. I Dërguari i Zotit [Paqja dhe mëshira qofshin mbi të! ka thënë: “Për çdo sëmundje ka ilaç, ashtu që nëse ilaçi e godet sëmundjen shërohet me lejen e Allahut.”

Shërimi për të cilin bën fjalë ky hadith është i përgjithshëm. Pra, edhe për sëmundjet shpirtërore dhe psikike ka shërim. Kësisoj, shërimi është caktuar nga Allahu, por robi duhet ta kërkojë atë. Edhe shkuarja tek mjeku dhe përfillja e terapisë së caktuar prej tij janë pjesë e shërimit të caktuar prej Allahut. Janë mjete që të çojnë tek shërimi.

Por, jo çdo sëmundje e shërojnë barërat. Ndonjëherë shërimi mund të bëhet në forma tjera. Sëmundjet shpirtërore si mendjemadhësia, zilia, urrejtja, shpifja e të tjera, nuk shërohen në mjekësi. Shërimi i tyre është me Kur’an, sepse, Kur’ani, përpos që është libër i shenjtë, ai, po kështu, është edhe shërues, siç thotë Zoti kur e përshkruan atë: “Ne të shpallim Kur’anin që është shërim dhe mëshirë për besimtarët.” (Isra: 82)

Kur’ani, pa asnjë dyshim, është shërim për besimtarët. Mësimet e tij janë shumë të efektshme në shërimin e sëmundjeve të kësaj natyre. Në fakt, është vet koncepti islam ai që ka përgatitur besimtarin me bindjen se asgjë, e mirë apo e keqe qoftë, nuk mund të ndodhë pa lejen dhe caktimin e Allahut. Nëse ndodh e mirë, atëherë falënderoje, e nëse ndodh e keqe, atëherë pas saj fshihet gjithsesi ndonjë urtësi.

Ndër sëmundjet që shëron Kur’ani është edhe sëmundja e magjisë. Një gjë e tillë është vërtetuar që moti dhe si praktikë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Kur’ani, sigurisht, nuk është magji e bardhë, jo, Kur’ani e lufton magjinë, pavarësisht se është e bardhë apo e zezë. Magjia, e tëra është e zezë, e tëra është e ndaluar, është haram. Magjitë i bëjnë njerëzit që bashkëpunojnë me djajtë, vetëm e vetëm që t’i dëmtojnë të tjerët.

Një shkrim tjetër i dobishëm  DASHURIA ËSHTË SHUMË LLOJESH

Magjitë duhet larguar me Kur’an, ndryshe, zjarri nuk shuhet me zjarr. Uji që shuan zjarrin e magjisë është Kur’ani. Format tjera mund të jenë të dëmshme.

Fatkeqësisht, edhe në vendin tonë, janë përhapur forma të ndaluara të shërimit të këtyre sëmundjeve psikike dhe shpirtërore. Ky lloj mjekimi i aplikuar nga këta pseudo-mjekë popullor është më bizari i mundshëm. Ata përdorin gjëra të ndryshme, si: përdorimi i gjërave të ndyta, si: gjaku i ciklit mujor, përdorimi i urinës, uji i xhenazeve, dheu i varrezave dhe gjëra tjera të ndyta, të cilat i përziejnë në forma të ndryshme dhe ia japin pacientit kinse për mjekim. E krejt këtë e bëjnë në bashkëpunim me shejtan. Me pak fjalë, personat e tillë janë vet shejtan, por në formë të njeriut, sepse shejtanët janë dy lloje: shejtanët njerëz dhe shejtanët xhinë. Njerëzit e tillë Islami i konsideron si njerëz më të ultë të mundshëm. Njerëz shumë të dëmshëm për shoqëri.

E si të mos jenë të dëmshëm kur ata manipulojnë me pacient të sëmurë duke pretenduar se shërojnë çdo lloj sëmundjeje, bile edhe ato sëmundje që ende mjekësia nuk ka arritur t’i shërojë?!

Si të mos jenë të dëmshëm ata njerëz kur u japin pacientëve “ilaç” të ndytë, me çka mund edhe të infektohen?!

Si të mos jenë njerëz të dëmshëm kur ata manipulojnë me xhepat e qytetarëve duke iu marrë para sa të duan dhe duke i rrejtur (gënjyer) sy e në sy?!

Andaj mendoj se shteti duhet të ndërhyjë urgjentisht tek personat e tillë dhe t’iu kërkojë licencën për të punuar. Nëse pretendon se është mjek, le ta marrë licencën prej Ministrisë së Shëndetësisë, e nëse pretendon se është hoxhë, le ta merr licencën prej Bashkësisë Islame. Nuk bën të lihen të lirë e të manipulojnë me qytetarët e gjorë dhe hallexhinj.

Allahu na ruajt sherrit të çdo njeriu të ligë

Shkruan: Dr Shefqet Krasniqi

Categories

Archives