Sunday, 19/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pengesat e lumturisë

Pengesat e lumturisë

Lumturia është një kërkesë e përgjithshme e njerëzve, disa prej tyre e kërkojnë në pasuri, disa në autoritet, të tjerët në pasjen e diplomave, mirëpo a thua vallë kanë hasur në atë që po kërkojnë?!
S’ka dyshim se shumë barrikada dalin përpara kërkimit të lumturisë, përpara jetës për të jetuar si i lumtur. Në vijim do të cek pengesat më kryesore për mosarritjen e lumturisë:

1-Kufri (mosbesimi): Allahu i Madhëruar thotë: “Atë që Allahu dëshiron ta lërë të humbur, zemrën e tij ia bën shumë të ngushtë si të ngjitej në qiell.” (El En-Am, 125) Kështu e përshkruan Kurani i Shenjtë mjerimin e mosbesimit.

2-Bërja e mëkateve, krimeve: Nuk dëshiroj të argumentoj për këtë çështje, se është e qartë, mirëpo vetëm sa për rikujtim do të përmend disa thënie nga mosbesimtarët për të qenë më i qartë.
Thotë Aleks Kariel: “Njeriu nuk mund të paragjykojë rezultatet që dalin nga gabimet, të cilat nuk të lënë të jesh i lumtur.”
Sokrati thotë: “Me të vërtetë krimineli është njeriu më i palumtur që ekziston, e nëse është kriminel dhe nuk është dënuar për krimin e tij është jo i lumtur.”
Kështu pra thonë jobesimtarët, ndërsa në një transmetim thuhet se një sahab kishte bërë një mëkat dhe erdhi tek i Dërguari alejhi selam dhe i tha: “Më ekzekuto, o i Dërguar i Allahut!” dhe këtë e përsëriti tri herë, derisa u ekzekutua.

3-Smira dhe zilia: Çështja e smirës është shumë e rrezikshme, prandaj Allahu i Lartësuar na ka urdhëruar të kërkojmë mbështetje tek Ai nga sherri i smirëziut. Thotë Allahu i Madhëruar: “Thuaj: “Kërkoj mbështetje te Zoti nga sherri i smirëziut, kur vepron me smirë.” (El-Felek, 5)
Gjithashtu thotë i Lartësuari: “A u kanë zili atyre njerëzve për atë që Allahu u dha nga mirësitë e Tij…” (En-Nisa, 54)
I Dërguari alejhi selam, duke këshilluar umetin e tij, thotë: “Mos hulumtoni as mos përgjoni të metat mes jush, mos kini zili, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos urreni njëri-tjetrin, por bëhuni robër të Allahut.”

4-Hidhërimi: S’ka dyshim se hidhërimi është njëra prej pengesave kryesore të lumturisë dhe rehatisë, prandaj Allahu i Lartësuar i ka lavdëruar besimtarët duke thënë për ta: “… dhe që, kur i zemëron dikush, falin.” (Esh-Shura, 37). I Dërguari i Allahut alejhi selam ka thënë: “Nuk shikohet i forti në shpejtësi, mirëpo i fortë është ai i cili e ndalon veten e tij në hidhërim.”

5- Padrejtësia: Ky akt përfundimin e ka shumë të hidhur, të keq. Njeriu që bën zullum ka kaluar të gjitha kufijtë. Po cek një shembull kohor, i cili pasqyron rezultatin e padrejtësisë në fund. Një person ishte kryelartë, mendjemadh, zullumi i tij arriti kulmin. Një ditë prej ditësh pengonte besimtarët, të cilët adhuronin Allahun, dhe u tha: “Ku është Zoti juaj? Do ta vendos në hekura.” Nuk shkoi kohë e gjatë ky njeri pësoi një aksident automobilistik me një kamion që po transportonte hekura dhe copat e hekurit ishin futur në trupin tij. Nuk mundën ta nxirrnin prej aty veçse duke prerë trupin e tij.

6- Frika nga dikush tjetër përveç Allahut të Madhëruar: Frika nga dikush tjetër përveç Allahut mbjell në zemër mjerim, poshtërim. Thotë Allahu i Lartësuar: “Kush është më fajtor se ai që pengon të përmendet nëpër xhamitë e Allahut Emri i Tij dhe përpiqet për shkatërrimin e tyre?! Ata nuk duhet të hyjnë në to, përveçse të frikësuar…” (El Bekare, 114)
Ndërsa Ibrahimi alejhi selam i tha kështu popullit të tij: “Unë nuk i kam frikë idhujt tuaj…” (El En-Am, 80)

7- Mendimi i keq, dyshimi: Allahu i Madhëruar ka thënë: “O ju që keni besuar! Mënjanoni shumë dyshime, se vërtet disa dyshime janë gjynah…” (El-Huxhurat, 12). I Dërguari alejhi selam thotë: “Kini kujdes (ruajuni) nga dyshimet.”

8- Konsumimi i pijeve alkoolike: Disa njerëz mendojnë se lumturia e kësaj bote është në gjërat e ndaluara, si alkooli, droga, prostitucioni etj.; nxitojnë drejt tyre duke ikur nga telashet e kësaj dynjaje, mirëpo bëhen si të ishin refugjatë të zjarrit, pasi këto gjëra e shtyjnë njeriun drejt mjerimit, kalbjes, defekteve, prishjes e degjenerimit.

9- Kibri, mendjemadhësia: Mendjemadhi është çdo herë në mjerim shpirtëror dhe vuajtje trupore, edhe në qoftë se është kryelartë ndaj robërve të Allahut. Thotë Allahu i Lartësuar: “Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!” (Lukman, 18)

Të nderuar lexues, pasi u njohëm me disa nga pengesat e lumturisë, atëherë nuk na mbetet vetëm se të përgatitemi për lënien e tyre dhe realizimin sa më të suksesshëm për të qenë të lumtur në këtë botë dhe në botën tjetër.
Lus Allahun Fuqiplotë të na lumturojë, të na begatojë dhe të na mëshirojë!

Eroll Rexhepi

Categories

Archives