Monday, 25/9/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

PDSH: Nuk bashkëpunojmë me parti virtuale

PDSH: Nuk bashkëpunojmë me parti virtuale

A do të ringjallet apo jo fronti opozitar mbetet të shihet në muajt në vijim. Jozyrtarisht mësohet se po shqyrtohet mundësia për një bllok të fuqishëm opozitar pjesë e së cilës do të ishin Partia Demokratike Shqiptare (PDSH), Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) dhe disa parti tjera opozitare.

opozita ne maqedoni

Siç duket partitë politike kanë filluar qysh tani më seriozisht të mendojnë për zgjedhjet presidenciale në fillim të vitit të ardhshëm pasi nuk përjashtohet mundësia që bashkë me presidencialet të mbahen edhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Por , në PDSH mohojnë të ketë ndonjë nismë apo iniciativë sa i përket një bashkëpunimi apo koalicioni të mundshëm që do të çonte drejt një blloku të unifikuar opozitar. Nënkryetari i kësaj partie Ernad Fejzullahu thotë se PDSH-ja është partia e vetme opozitare. Ai thotë se partitë tjera janë virtuale të cilat formohen në periudha të caktuara dhe para zgjedhjeve.

“Parti e vërtetë opozitare është vetëm PDSH-ja ndërsa subjektet tjera janë parti virtuale. Kështu që çdo gjë tjetër është në kuadër të spekulimeve që tentojnë të marrin publicitet. Sigurisht edhe zgjedhjet e njëpasnjëshme vërtetojnë atë se instrumente të caktuara formojnë opozita virtuale, të rrejshme me qëllim që të bëhen parti opozitare. PDSH-ja ka platformën, ofertën, ka alternativën prandaj është si e tillë dhe parti e vetme opozitare. Çdo gjë tjetër janë mashtrime, manipulime dhe tentim për shpërqendrimin e vëmendjes së votuesve opozitarë”, deklaroi për “Zhurnal plus” nënkryetari i PDSH-së Ernad Fejzullahu.

Sipas tij, realisht nuk ka parti të mirëfilltë opozitare përveç PDSH-së. Numri dy i kësaj partie thekson se në çdo zgjedhje dëshmohet se ato subjekte politike krijohen për situata të caktuara.

“Vetëm për të dëmtuar trupin elektoral shqiptar dhe pastaj zhduken nga skena politike. Ato parti krijohen ‘ad hok’ dhe në fund përfundojnë në prehrin e BDI-së”, potencon mes tjerash nënkryetari i PDSH-së, Ernad Fejzullahu.

Lidhur me këto zëra se për një bashkëpunim të mundshëm mes PDSH dhe RDK-së por edhe partive tjera opozitare për krijimin e një fronti opozitar nuk arritëm të marrim qëndrimin e partisë së Osmanit.

Nga ana tjetër analistët politik janë skeptik se Thaçi dhe Osmani përsëri do ti shtrëngojnë duart dhe do të arrijnë një koalicion opozitar. Sipas tyre, krerët e PDSH-së dhe RDK-së ishin njëherë në koalicion dhe të njëjtin e prishën për një kohë shumë të shkurtër. Analistët potencojnë edhe faktin që në zgjedhjet e fundit lokale këta dy subjekte politike patën orvatje për ta eliminuar njëra tjetrën.

Analisti politik Bashkim Bakiu thotë se është e pamundur një bashkëpunim midis PDSH dhe RDK-së sidomos nëse analizohen sjelljet e tyre në të kaluarën, madje problematika kryesore tek këta dy parti është egoja që ekziston midis lidershipit.

“Por nga ana tjetër në qoftë se më hollësisht i analizojmë gjërat mund të vijmë në konkludë se Rufi Osmani si lider i RDK-së gjenezën e ka nga PDSH-ja si ish deputet apo funksionar, që realisht në opozitën shqiptare manifeston një ofertë e njëjtë. Acarimet e fundit si dhe kritikat që kanë qenë midis PDSH-së dhe RDK-së na çojnë në konkluzën e të pamundshmes për një bashkëpunim eventual, nga ana tjetër zgjedhjet e fundit lokale dëshmuan një urrejtje midis këtyre dy partive dhe orvatje për eliminim të njëra tjetrës që ndoshta madje edhe në disa komuna ajo ishte evidente”, deklaroi për “Zhurnal plus” analisti politik Bashkim Bakiu.

Ndërkohë analisti politik Mersel Bilalli është i mendimit se edhe sikur të bashkohen PDSH dhe RDK nuk do të mund ta sfidojnë partinë shqiptare në pushtet. Ai thotë se opozitës i duhet një lider i ri dhe vetëm atëherë ndoshta do të mund të ketë ndonjë opsion të mirë.

“Opozitës shqiptare i mungon udhëheqës serioz opozitar. Mendoj se krerët e PDSH-së dhe RDK-së janë të eksploatuar deri në fund dhe vlerësoj se nuk janë sfidë për pjesën shqiptare të pushtetit. Në këtë drejtim ndoshta ndonjë opsion i ri i mirë organizuar mund të jetë alternativë por këto dy struktura për fat të keq nëse nuk ndryshojnë do të jenë opozitë. Duhet lider të ri opozitar dhe vetëm në atë rast mund të sfidohet partia shqiptare në pushtet”, deklaroi analisti politik Mersel Bilalli. /albeu/

Një shkrim tjetër i dobishëm  Hapet fabrika "Elektro Sharr" investim prej 5 milion eurove

Categories

Archives