Sunday, 28/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pastrimi pas aksidentit në Fukushima


Pastrimi pas aksidentit në Fukushima


Punëtorët në centralin bërthamor Daiichi të Fukushimës në Japoni po bëhen gati për pjesën më kritike të pastrimit: heqjen e shufrave bërthamore nga një prej reaktorëve më të dëmtuar. Kritikët thonë se pronarët e centralit, kompania TEPCO, nuk duhet të besohen me këtë operacion – dhe paralajmërojnë se pasojat e një aksidenti do të jenë shumë të rënda.

Kjo është bërthama e prodhimit të energjisë në reaktorin 4 të centralit Daiichi të Fukushimës. Më shumë se 1500 shufra bërthamore ndodhen brenda kësaj depozite të dëmtuar, rreth 30 metra mbi tokë. Heqja e tyre në mënyrë të sigurtë është sfida e madhe e rradhës për pronarët e centralit, kompaninë TEPCO.
Menaxheri i përgjithshëm Masayuki Ono thotë se operacioni është planifikuar me kujdes.

“Ngaqë ndërtesa e reaktorit 4 u shkatërrua nga shpërthimi i hidrogjenit, na u desh të përforcojmë strukturën e saj. Kjo ndodhi gjatë vitit të parë dhe ndërtesa e re mund të përballojë një tërmet tjetër.” 

fukushima japoni

Shpërthimi i hidrogjenit, një nga imazhet kryesore të aksidentit të Fukushimës, e la depozitën ujore të mbushur me mbeturina.

Detyra e parë e firmës TEPCO është të heqë mbeturinat – dhe pastaj, një nga një, shufrat bërthamore duke përdorur këtë vinç mbi ndërtesën e reaktorit. Përsëri, Masayuki Ono.

“Ne kemi ndërtuar një mbulesë përmbi reaktorin 4 dhe kemi instaluar një objekt që na lejon të manovrojmë. Kjo strukturë nuk peshon mbi ndërtesën e reaktorit 4, dhe mund të përdoret për të hequr mbeturinat pa i shtuar asnjë peshë.”

Shufrat bërthamore duhet të mbahen të zhytura dhe nuk duhet të prekin njëra-tjetrën ose të thyhen. Ekspertët paralajmërojnë se ndonjë aksident bërthamor mund të shkaktojë një shpërthim shumë herë më të fuqishëm se ai që ndodhi në vitin 2011.
Gjatë 30 muajve të fundit, një mori problemesh, duke përfshirë edhe rrjedhjen e ujit radioaktiv, kanë vënë në pikëpyetje aftësinë e TEPCOs për të kryer këtë operacion kritik, thotë Mitsuhei Murata, ish-ambasadori japonez në Zvicër dhe aktivist anti-bërthamor.

Një shkrim tjetër i dobishëm  SHBA, aksidentohet treni me lëndë toksike

“Njësia 4 përmban 10 herë më shumë cezium-137 se Çernobili. Pra, nëse ndodh më e keqja, ky vend duhet braktisur plotësisht. Kjo mund të konsiderohet si fillimi i një katastrofe për botën dhe planetin.”

Zoti Murata thotë se krizës së Fukushimës i nevojiten mendjet më të ndritura shkencore të botës.

“Dy vite e gjysëm mundimi nga shteti dhe TEPCO kanë vërtetuar se aksidentet bërthamorë nuk mund të përballohen nga një kompani elektrike ose një shtet i vetëm. Prandaj Japonia duhet të bëjë thirrje për bashkëpunim ndërkombëtar.”

Japonia po angazhohet me ekspertë të huaj, thotë Hironori Nakanishi , Drejtor i Përgjithshëm për Politikat e Energjisë në Agjencinë e qeveritare për Burimet Natyrore dhe Energjinë.

“Përgjegjësia e vetme në menaxhimin e situatës në mënyrë të sigurtë është ende e TEPCOs. Por ne gjendemi në të njëjtën situatë dhe duhet të mbështesim aktivitetin e tyre. Kështu, në mënyrë që të arrijmë atë që duam, ne pyetëm specialistë nga e gjithë bota, gjashtë njerëz nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Rusia dhe Ukraina.”

Inspektorët nga Agjencia Rregullatore Bërthamore e Japonisë kanë miratuar operacionin e planifikuar të TEPCOs për të hequr karburantin nga reaktori 4. Procesi është planifikuar të fillojë në nëntor dhe do të zgjasë deri në 18 muaj.

Categories

Archives