Friday, 26/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pasojat fatale socio-shpirtërore të sekteve të devijuara


Pasojat fatale socio-shpirtërore të sekteve të devijuara


shefqet krasniqi

Dr. Shefqet KRASNIQI

Lajmi për vdekjen tragjike të të miturit 13 vjeç nga Shqipëria na preku të gjithëve. Edhe më prekëseishin shkaqet që çuan në marrjen e atij vendimi të kobshëm. Kuptohet që mosha e tij e njomë nuk ia lejonte që ai vet të vendoste për fatin e tij të kobshëm.

Nuk vonoi shumë dhe u zbuluan shkaqet. Sipas familjes i mituri ishte ndikuar nga grupe të ndryshme fetare që ‘të shpëtojë veten nga ferri’ duke mbytur veten dhe kështu të arrijë ‘sigurt’ tek porta e parajsës. Mësime sa të palogjikshme, në kundërshtim të plotë me arsyen njerëzore, po aq edhe në kundërshtim absolut me mësimet fetare. Të keqpërdorësh dhuntinë më të madhe që na e dhuroi Zoti, pra jetën, dhe të mbysësh veten për të shpëtuar në botën e përtejme, kjo vërtetë është çmenduri? Dhe, thënë të vërtetën, ajo që është më shumë shqetësuese është  fakti se prania e grupeve apo sekteve të devijuara në mesin tonë vazhdon pa asnjë problem.

Nuk është hera e parë që ndodhin krime të këtilla në rajonin tonë, ndërsa kurrë nuk kam dëgjuar që dikush ta ketë ngritur zërin kundër këtyre organizatave, të cilat synime e mësime kryesore kanë shpëlarjen e trurit, konvertimin, degjenerimin, e madje edhe vetëvrasjen. Politikanët dhe organet e rendit kanë qenë të zëshëm dhe me dhjetëra herë kanë ngritur zërin kundër organizatave të ndryshme islame, edhe nëse ato ka qenë thjesht humanitare, vetëm pse ka bartur emër islam, apo pse kanë ardhur nga vende muslimane, ato janë sulmuar, etiketuar dhe kundërshtuar si njollë e zezë në shoqërinë tonë, por kurrë nuk dëgjuam dikë të flet kundër dhjetëra e qindra organizatave jo-islame. E kësaj nuk i thuhet tjetër veç se dyfytyrësi, mungesë guximi, hipokrizi dhe servilizëm ndaj të huajit, për të mos thënë ‘të fortit’. Njeriu duhet të jetë racional, atë që thotë ta thotë i mbështetur në fakte dhe argumente, pavarësisht se për kë bëhet fjalë.

Siguria e qytetarëve dhe mbrojtja e shoqërisë është obligim qytetar i secilit, në veçanti ndikimet dhe idetë negative e të dëmshme për vendin, e veçanërisht rininë, duhet kundërshtuar ashpër nga të gjithë, pavarësisht se çfarë kahje kanë apo nga ka ardhur, e zeza është e zezë dhe assesi nuk bëhet e bardhë, e keqja është e keqe dhe si të tillë duhet trajtuar gjithherë. E nuk ka dyshim se populli ynë shumë ua ka parë sherrin organizatave të huaja dhe vazhdon t’ua sheh edhe më tej, e kjo çka ka ndodhur në Durrës është vetëm një fakt i hidhur i këtij realiteti.

Konsideroj se tani ka ardhur rasti të shohim fytyrën e vërtetë të politikës, e në veçanti medieve karshi dukurive negative dhe se sa janë të interesuara ato për ta mbrojtur vendin nga këto dukuri. E di se disa prej medieve, ditë më parë, u munduan ta trazojnë tërë shqiptarinë për një të ashtuquajtur ‘kamikaz’ diku në Lindje të Mesme, por kur ‘kamikazi’ u vjen në Durrës dhe flijon veten në emër të një besimi tjetër, madje si i mitur, për të fituar ‘parajsën’, atëherë këto media të njëanshme lëre që nuk llomotisin, por bëhen sikur asgjë të mos ketë ngjarë. Ku mbeti informimi i paanshëm dhe profesional i qytetarëve. Përse mediet gjithmonë duhet të jenë për dikë ‘njerkë’ në Azi e për dikë ‘nënë’ në mëmëdhe e shtëpi edhe pse dukuria është prapë po aq kobshme sa e para vetëm se nga një bindje tjetër. Madje kjo edhe më e kobshme ngase në ‘shtëpi’ dhe nga të miturit.

A thua vallë ç’na duhet zhvillimi e përparimi nëse të rinjtë tanë vetëvriten me shpresë se do të arrijnë në xhenet, e që në fakt me akte të këtilla qyqare ata(ato) vetëm sa largohen nga xheneti dhe as aromën e tij nuk do ta shijojnë. Nuk ka fe qiellore që nxit njerëzit të vetëvriten, t’i japin fund jetës së tyre, përpos besimeve të dreqit të mallkuar i cili i inspiron ithtarët e vet të bëjnë diçka të këtillë.  E si të thërret feja në vetëvrasje kur jeta është dhuratë e Zotit. Ai i dhuroi njeriut jetën që ky ta përdorë atë, ta ruajë dhe të kujdeset për të e jo ta shuajë. Ngase vetëm Ai që jep jetë Atij i takon të marrë atë, askush tjetër. Tek e fundja ‘Kudo që të jeni vdekja do t’ju zë, qofshi edhe në pallate të fortifikuara.’ (Kuran: Nisa, 78) njeriu assesi nuk mund t’i shpëtojë vdekjes edhe po të përpiqet. Ne jemi në hall si t’i bëjmë njerëzit të jetojnë sa më gjatë e t’i shijojnë drejt të mirat e kësaj bote, por edhe të bëjnë sabër e durim përballë sfidave dhe problemeve me të cilat ballafaqohen gjatë jetës së tyre, sepse siç kanë thënë të diturit kjo botë është kopsht ‘ku mbillen pemët’ frutat e të cilave do t’i vjelim në botën tjetër. Nëse njerëzit ndalen vetëm pak e mendojnë e kuptojnë se ky është misioni i jetës, vetëm kështu fitohet sevapi dhe shpërblimi. E vdekja vije se vije, nuk ka shpëtim prej saj jo. Andaj të punojmë mirë, të veprojmë mirë, ashtu që edhe vdekja të na vije mirë.

Familjarët e atij vogëlushi të vetëvrarë i bënë apel strukturave të shtetit të veprojnë. “Apeli jonë është që prokuroria t’i zbardhë këtë ngjarje kaq të rëndë. Nuk ka pse të rrinë duarkryq, kemi të gjithë fëmijë. Jemi të trishtuar se çfarë na kanë parë sytë ditën e djeshme. Të gjithë kanë fëmijë dhe duhet që shteti të hetojë për të zbardhur shkaqet. Fëmijët ndikohen nga telenovelat, nga broshurat e sekteve të ndryshme. Ndalojini!’.

Edhe unë u bëj apel strukturave tona këtu në Kosovë që t’i kenë parasysh organizatat dhe besimet e tilla pasojat e të cilave janë fatale.

Allahu na ruajttë nga sherri i sekteve dhe grupeve të ndryshme, në Lindje qofshin ato apo në Perëndim, dhe nga çdo sherr dhe e ligë tjetër prej kujtdo që na vjen. O Allah ruaje këtë popull në përgjithësi, ndërsa rininë tonë në veçanti!

Amin dhe deri në javën e ardhshme me një temë tjetër, selam alejkum.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Trekëndëshi i degradimit medial

Categories

Archives