Wednesday, 26/7/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Pas 20-vitesh ; Si do të jesh ti vetë pas 20 vitesh?

Pas 20-vitesh ; Si do të jesh ti vetë pas 20 vitesh?
e ardhmja

Nga: Dr. Selman Aude

Numrit njëzet vite, shtoji çfarë të duash nga ambiciet e tua.
Si do të jesh ti vetë pas 20 vitesh?
Si do të duken fëmijët e tu?
Sa do të jetë pasuria jote?
Cilat janë gjërat që do të mbeten? Cilat gjëra do të shuhen?
E kam provuar këtë ide dhe kam gjetur ndikim të çuditshëm.
Pashë që jam i angazhuar dhe i zhytur gjer në palcë me gjëra të rëndomta, të vogla dhe dytësore. Kuptova që pas njëzet vitesh, këtyre vogëlsirave nuk do u kujtoja as emrin.

Kuptova se një lajm i vockël që më kishte bezdisur, një telefonatë që më kishte stresuar, një artikull që kishte ngritur një re shqetësimi mbi kokë, një mesazh që më kishte ndrydhur… do të harrohen, madje mund të shndërrohen në burim të qeshurash dhe humori.

Kuptova se punët e përditshme më marrin kohën më të madhe, më marrin ditën dhe një pjesë të natës. Ata nuk do të jenë prezente asokohe, sepse janë jetëshkurtër, ashtu siç janë disa insekte.

Kuptova se gjurmët pozitive do të mbeten për një kohë të gjatë, sepse janë akumuluar në kohë, njëlloj si aktiviteti i fizikut, i cili e refuzon plogështinë dhe rehatllëkun.

Efekti i veprave pozitive, sado të vogla qofshin, do të lënë pasqyrimin e tyre në shpirt, pasqyrim të kënaqësisë, optimizmit, shpresës, dashurisë për njerëzit, mendimin e mirë për ta dhe pritshmëritë e mira prej tyre.

Zakoni i harresës së gabimeve, lëndimeve dhe vështirësive që hasim në jetë, do të mbetet një zakon i bukur dhe i rrënjëzuar përgjatë viteve të jetës. S’ka përse ti zmadhojmë ca gjëra, duke hequr dorë nga moralet e virtytet tona dhe duke ia lënë vendin nervozizmit dhe zemëratës tonë në rritje, karshi personave që na rrethojnë.

Projektet tona të sinqerta dhe serioze janë ato që do të mbeten me ne dhe nuk do të na shqiten. Koha do të na falë kushedi sa dokumente dhe vërtetime suksesi, të shoqëruara me notën e meritueshme. Disa nga projektet dhe idetë tona kanë vetëm një vit jetëgjatësi, disa të tjera dhjetë vite, të tjera më shumë ose më pak. A thua do të kemi ndonjë projekt i cili e kapërcen jetën e kësaj bote, që të përjetësohet për brezat e ardhshme dhe të lërë emër të mirë pas? A nuk lutej profeti Ibrahim alejhi selam: “Bëj që të përmendem për të mirë te breznitë e ardhshme…” (Shuara, 84)

E përse jo?
Do të zbulojmë se shumë gjëra për të cilat kemi sakrifikuar kohën, mundin, gjumin dhe entuziazmin, ishin të pavlera. Tashmë, jam pothuaj i sigurt për këtë.

Kur lexova rreth shqetësimeve të një brezi më parë, të cilat i krahasova me njëzet vite më pas, gjeta imazhe dhe perceptime të ekzagjeruara rreth rreziqeve dhe pasojave. Gjeta iluzione të fryra rreth projekteve që mbartnin. Dikush, mbarte një projekt të cilin e përfytyronte si ndryshim të hartës së tokës dhe të jetës, një fitore dhe triumf të paparë. Por që njëzet vite, ishin garant për ta ulur në kufijtë realë, larg përfytyrimeve të shtrembëruara dhe ekzagjerimeve të pasakta.

Mendonim se hapja e një faqeje elektronike e cila do të ndërvepronte me lexuesit në mënyrë të shpejtë dhe profesionale, do të shërbente si një planet informacioni. Por zbuluam se faqet ishin të shumta, konkurruese dhe të dobishme, ku secilës, koha i jepte vendin e saj të merituar.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Ai është qe i përgjigjet nevojtarit kur ai e thërret

Erdhi një besim tjetër, sipas të cilit, një revistë, një shtëpi botuese, një produkt elektronik etj… do të ndryshojë mendimin dhe modelin e sjelljes. Më pas, zbuluam se kushedi sa syresh punonin në këtë fushë, se njerëzit merrnin dhe jepnin, se me kalimin e kohës ulej dhe intensiteti i përmbushjes së ëndrrave dhe shpresave.

Sakaq, linçimi i një kanali satelitor, mbetet një ëndërr e pamundur, pasi do të thotë të sundosh dhe pushtosh hapësirën, se tashmë askush nuk mundet të vërë shkopinj nën rrotat e tua.

Nëse ngjitesh në hapësirë, do të zbulosh se je një numër i një serie të gjatë, partner i një liste të pasur diversiteti, e cila luhatet mes të mirit dhe të ligut, seriozit dhe joseriozit.
Mjafton që je një numër, jo diçka e neglizhuar, e lënë pas dore dhe pa asnjë ndikim.

Idetë që mbartim, i mbrojmë dhe u besojmë, vallë çfarë fundi i pret pas njëzet vitesh?
Por ka dhe çështje të cilave koha thjesht ua shton rëndësinë dhe thellësinë, sepse janë çështje të prera dhe të pakontestueshme. Besimi tek Zoti, thellohet dhe rrënjëzohet me kalimin e ditëve, shtimin e argumenteve, përsëritjen e veprave të mira, shtimin e të mirave, ndjesinë e rahmetit të Zotit dhe urtësisë së Tij tek vetja, familja dhe në jetë.

Por ka dhe ide insistuese dhe qëndrime të fuqishme, të cilat do të radhiten tek të vdekurit, edhe ne do i harrojmë dhe nuk do të duam ti kujtojmë, pasi duke i kujtuar do të zbulojmë se ne i kishim nxjerrë nga qarku i përkohshëm dhe i ngushtë që meritonin, në një më të gjerë, duke i trajtuar si të përjetshme.

Kur ta shohësh idenë, çështjen, qëndrimin dhe projektin që të shqetëson pas njëzet vitesh, nuk do të lodhesh me vogëlsira, pasi do u japësh vendin që u takon dhe në kohën e duhur.

Në këtë mënyrë, do ta shohësh veten në ekspert spontan, i cili e ndihmon arsyen si të mendojë, zemrën si të ndjejë, gjuhën si ti shprehë dhe trupin si ti aktiviziojë.

Kjo nuk është planifikim, por planifikim për planifikim, inxhinieri për të menduarin, edukim i shpirtit, mësim nga përvoja, ndërveprim me jetën, përtëritje e vizionit, çlirim nga pushteti i të tashmes drejt lirisë së një kohe dhe jete më të gjerë. Sa më shumë të jemi optimistë me një kohë dhe jetë të tillë, sa më pritshmëri të larta të kemi, aq më të shëndetshëm mendërisht, më shumë produktivë dhe më pranë të vërtetës do të jemi.

“Vallë, a nuk ta hapëm ty (Muhamed) kraharorin (për të pranuar besimin) dhe ta hoqëm barrën, e cila ta rëndonte tepër kurrizin, dhe ta ngritëm lart emrin?! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Me të vërtetë, pas vështirësisë – vjen lehtësimi! Prandaj, kur të çlirohesh (nga punët e ndryshme), përpiqu fort (në adhurim) dhe vetëm ndaj Zotit tënd përkushtohu!” (Inshira, 1-8)

Tags:

Categories

Archives