Monday, 23/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Palma e hurmës

Palma e hurmës

Palma e hurmës (arab. nahlun)
Phoenix

All-llahu i gjithëfuqishëm përmend palmën e hurmës në versete të ndryshme në Kur’an. Në Sahih është shënuar gjithashtu që Abdullah ibn Omeri , r.a., ka thënë: “Ishim duke ndenjur me Pejgamberin e All-llahut , salAllahu alejhi we selam, kur erdhi një njeri dhe i ofroi diçka nga palca e palmës. Pas pak, i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, pyeti: ‘Në mes drunjve ekziston një që i ngjan myslimanit dhe ajo nuk i humb gjethet. Më thuani cili është ai dru?’ Njerëzit thonin emra të ndryshëm të drurëve gjethembajtës, ndërsa unë mendova se ky dru do të mund të ishte druri i palmës. Shikova dhe pashë se unë isha më i riu. Për këtë shkak, dhe në shenjë respekti, vazhdova të mos flisja. Kur mendimi më erdhi ndër mend, i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, tha: ‘Ky është druri i palmës’”. Më vonë ia kam thënë babait tim (Omerit, r.a., i cili ishte aty me ne) çfarë kishte ndodhur, dhe ai u përgjigj: ‘Sikur atëherë të ishte përgjigjur, ajo do të ishte më e dashur për zemrën time sesa heshtja’”.(15)

Ka një mësim në këtë hadith, të cilin mësuesi duhet ta mësojë patjetër. Ai duhet të dijë si t’i pyet nxënësit e tij dhe si të testojë diturinë e tyre duke u shërbyer me parabollë dhe alegori. Në këtë tregim mund të mësohet për respektin e ashabëve ndaj të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam, dhe për ngurrimin e tyre për të treguar dhe shfaqur diturinë në praninë e tij. Nga ky tregim mësohet gjithashtu për ndershmërinë e ashabëve, respektin e ndërsjellë të tyre, nderimin dhe respektin e lartë të tyre ndaj të moshuarve dhe njerëzve të shquar në mesin e ashabëve të të Dërguarit të All-llahut , salAllahu alejhi we selam Këtu qëndron gjithashtu edhe lumturia, të cilën prindi duhet ta ndiejë kur fëmija i tij ka të drejtë dhe që fëmija të ketë mundësi ta shprehë në mënyrë të denjë diturinë e tij në prani të babait të vet, edhe kur babai i tij nuk e di përgjigjen.
Hadithi i cituar bën gjithashtu krahasimin në mes të myslimanit dhe drurit të palmës. Palma është gjithmonë e gjelbër, pra edhe në stinën e dimrit. Frutat e saj janë të mëdhenj dhe bën hije të përhershme. Fruti i saj është i dobishëm dhe hahet kur është i freskët, i thatë, i konservuar, bile edhe kur është i papjekur. Shkurt, për produktin e drurit të palmës thuhet se është i ushqyeshëm, ilaç, ushqim, ëmbëlsirë, pije dhe frut. Trungu dhe degët e palmës përdoren në ndërtimtari, për punimin e hasrave, koshave, enëve, tavolinave etj.
Fijet e drurit të palmës përdoren në prodhimin e litarëve dhe shërbejnë për punimin e dyshekëve dhe jastekëve për nevoja shtëpiake, ndërsa bërthamat e hurmave janë të dobishme si ushqim për devetë si dhe për preparate mjekësore dhe përdoret si pluhur i bluar për sy.
Bukuria e drurit të palmës në tërësi, kalaveshët e hurmës, pamja e freskët dhe dobitë e shumta krijojnë kënaqësi si për zemrën, ashtu edhe për lumturinë e njeriut. Ajo ia kujton atij Krijuesin e vet, All-llahun e gjithëfuqishëm, i cili me mençurinë e Tij të pafund e përsosi dhe e formësoi bukurinë e saj dhe ia përcaktoi dobitë që i ka ajo. Prandaj nuk ka asgjë që i përngjan më shumë se besimtari. Në të vërtetë myslimani është pasqyrë e këtyre të mirave dhe e dobive të brendshme e të jashtme.
Trungu i palmës është trungu mbi të cilin i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, hipte për të mbajtur hutben (ligjëratën) në xhami dhe është po ai trung që qajti me zë kur i Dërguari i All-llahut , salAllahu alejhi we selam, e la dhe filloi të mbante hutben nga mimberi i lartë pesë shkallë, të cilin e kishin ndërtuar ashabët. Atëherë trungu kishte qajtur duke u ankuar për mungesën e afërsisë fizike dhe për shkakun se nuk mund ta prekte njeriun e bekuar. Këtë vaj të tij me zë e kishin dëgjuar qartë të gjithë ata që ishin të pranishëm. Dhe, në fund, druri i palmës ishte ai nën hijen e të cilit Merjemja e ka lindur Isain alejhi selam.
Megjithatë, disa komentues dallojnë në mendimet e veta përsa i përket përsosurisë së shkëlqyer të drurit të palmës dhe të hardhisë. Gjithsesi, që të dytë kanë vlerat dhe dobitë e tyre, varësisht nga trualli ku rriten. All-llahu e di më së miri.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Dredhëzat te dobishme për zemër

Mjeksia e Muhamedit Alejhi Selam (Ibn Kajim)

Tags:

Categories

Archives