Wednesday, 23/8/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Optimist edhe pse në buzë të greminës!

Optimist edhe pse në buzë të greminës!

Pse të mos jemi optimist, a ka thënë ndokush që optimizmi në vetvete është i ndaluar?!

Apo mos ndokush guxon të thotë se nuk ka vend sot për optimizëm…

Prej kur ka qenë pikëllimi, ankthi, verdhësia e fytyrës, shenjë e pandashme e muslimanit…

Kush ka thënë, apo kush do të pretendonte se fytyra e ngrysur është shenjë e imanit….

A ka kush që brengoset më shumë për ummetin e tij se i Dërguari i Allahut?! E si është e mundur pra që ai qeshte dhe buzëqeshte, gëzohej, bënte shaka, madje luante me shokët e tij, ndërsa fuqia e tyre materiale nuk krahasohej me persianët dhe romakët të cilat konsideroheshin dy superfuqitë e asaj kohe.

Madje, kjo gjendje e përcillte të Dërguarin e Allahut gjatë gjithë jetës së tij, me gjithë ato luftëra dhe torturime që pësonin muslimanët.

Kjo dëshmon se sa ndikim të madh ka optimizmi në jetën e besimtarit. Por jo optimizmi i barkmëdhenjve, të cilët hanë, pinë, qeshin e luajnë gjatë gjithë kohës, duke mos vepruar asnjë punë të hajrit. Personi i tillë nuk është gjë tjetër vetëm se i mashtruar dhe një teveqel i turpëruar! Jo optimizmi i atyre të cilët mëkatojnë ditë e natë saqë të mbushet mendja se janë krijuar vetëm për lojë dhe pasim të epshit, dhe pas gjithë kësaj thonë: Allahu është falës i madh! Por jo edhe i atyre të cilët e kalojnë kohën nën hijen e pemës dhe pastaj thonë: Vërtet, ndihma e Allahut është afër!

Optimizmi që po e kërkojmë është atëherë kur muslimani punon pandërprerë dhe nuk pushon, atëherë kur bën projekte dhe realizon, kur mëson dhe atë që e mëson e praktikon, e pas gjithë këtij mundi ai ka për çka të gëzohet dhe ka çfarë të shpresojë. Personi i tillë qesh, gëzohet, por kokën nuk e zbraz asnjëherë nga preokupimet dhe detyrimet! Bën shaka, luan, por asnjëherë nuk i harron obligimet me të cilat është i ngarkuar! Atij i qesh fytyra, i buzëqesh goja, edhe pse në zemrën e tij ndoshta rënkojnë njëmijë plagë! Ai është i qetë, i heshtur, edhe pse në zemrën e tij një mijë plagë flasin!

Optimistin e tillë, kur e sheh në adhurime dhe punë të hajrit të duket se ai nuk ka angazhim tjetër pos tyre, kur e sheh sa lodhet dhe sa mundohet, të duket se gjitha punët e ummetit i ka mbi kokë, madje pas gjithë kësaj sakrifice ai vazhdimisht kritikon veten, e ul atë dhe kërkon prej saj më shumë, saqë detyrohesh ta mëshirosh dhe t’i japësh kohë për qetësi dhe rehati duke harruar se ai nuk qetësohet ndryshe vetëm se në atë gjendje që është!

Një shkrim tjetër i dobishëm  Çelësat e suksesit gjatë studimeve

Po përse të mos jetë optimist, kur e vërteta që e mbart është shtytësi kryesor i optimizmit pas së cilës çdo mundim është asgjë. Amaneti që e mban mbi supe e bën më të fortë se toka dhe kodrat të cilat nuk pranuan ta mbajnë atë. Shpërblimin që do ta arrijë, nuk e di fundit e tij as ndonjë xhin e as njeri. Sikur ndokush të lidhte ndonjë kontratë pune me ndonjë agjenci botërore dhe me një rrogë marramendëse, sigurisht se ai do të ndihej i dalluar dhe do të përjetonte gëzim të paharrueshëm. Nëse kjo është gjendja e këtij personi për diçka të ulët nga mbeturinat e kësaj bote, çfarë do te ishte gjendja e atij që ka lidhur kontratë me Krijuesin e çdo gjëje, ndërsa rroga e kësaj kontrate është xheneti, gjerësia e të cilit është më e madhe se qiejt dhe toka, në të cilin do të jetë përgjithmonë. Si të mos gëzohet ai që bën tregti me Krijuesin, si të mos i qesh fytyra atij që çdo ditë nuhat aromë të luleve dhe të trëndafilave, e si të mos jetë i lumtur ai në zemrën e të cilit troket lumturia çdo minutë e çdo çast.

Është optimist, sepse asnjëherë nuk ndihet i vetmuar, ngase është në shërbim të së vërtetës, e ai i cili i shërben të vërtetës është nën mbrojtjen e Allahut dhe kush është me Allahun nuk ka nevojë për dikë tjetër. Ai e ka në mendje çdo herë se Allahu nuk do ta humb, nuk do ta përul, andaj pas çdo vështirësie pret lehtësimin, pas çdo pengesë sheh zgjidhjen dhe pas çdo terri sheh dritën. Ai nuk e humb shpresën sepse shpreson në Allahun dhe kjo i mjafton.

Për të burgu është më i gjerë se toka, izolimi është veçim me Allahun, prangosja është liri dhe çlodhje ndërsa injorimi që ia bëjnë njerëzit është ngritje dhe privilegj për të.
Atij edhe gremina i duket fushë e gjelbëruar dhe në fund të saj e sheh rrugën duke ndriçuar. Ai është optimist edhe nëse dallgët e kanë dërguar në buzë te greminës, sepse mu aty sheh optimizmin i cili i është premtuar!

 

Xheladin LEKA

Shembulli.com

Categories

Archives