Thursday, 19/10/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

NUK KANË ASPAK FRIKË DHE AS BRENGOSJE

NUK KANË ASPAK FRIKË DHE AS BRENGOSJE

Thotë i Madhëruari: “Nuk ka dyshim se të dashurit e Allahut nuk kanë aspak frikë dhe as brengosje. Ata besojnë dhe janë të devotshëm. Atyre u jepen përgëzime në jetën e kësaj bote dhe në Jetën Tjetër. Premtimet e Allahut nuk mund të ndryshohen. Kjo është fitorja e madhe.” Junus 62, 64.

 

Shpjegimi i ajeteve

Allahu i Madhëruar na tregon rreth të dashurve të Tij të zgjedhur dhe shpërblimit të tyre të madh:

Nuk ka dyshim se të dashurit e Allahut nuk kanë aspak frikë dhe as brengosje.

Kështu, ata janë të sigurt nga dy gjëra:

1. Nga frika për atë që i pret në të ardhmen. Asgjë nuk e frikëson shpirtin e këtyre të zgjedhurve, për sa u përket gjendjeve nëpër të cilat do të kalojnë.

2. Nga dëshpërimi e brengosja për gjithçka që ka kaluar. E si të frikësohen, kur ata lënë pas vepra të mira, pendim të sinqertë e bindje ndaj Zotit?! Duke qenë të sigurt nga frika për të ardhmen dhe brengat për të shkuarën, ata do të jenë gjithmonë të qetë dhe të lumtur. Ata do të shoqërohen gjithmonë nga mirësi të shumta, që vetëm Allahu i Lartësuar i dhuron. Më pas, duke na nxitur të bëhemi si ata, Allahu i Madhëruar na tregon cilësitë e tyre:

 

“Ata besojnë dhe janë të devotshëm.

Kështu, së pari, ata besojnë Zotin, melekët, librat dhe profetët e Zotit, Ditën e Llogarisë dhe caktimin e së mirës dhe së keqes prej Tij. Besimi i tyre është korrekt dhe i bazuar në dritën që vjen nga Allahu i Lartësuar. Së dyti, ata e jetësojnë besimin përmes devotshmërisë, duke zbatuar urdhëresat dhe duke iu larguar ndalesave, në emër të dashurisë për Zotin, në formë nënshtrimi e përulësie ndaj Tij, duke iu frikësuar ndëshkimit të Tij dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij.

 

“Atyre u jepen përgëzime në jetën e kësaj bote dhe në Jetën Tjetër”

Çdokush që është i devotshëm ndaj Allahut, është edhe i dashuri ose miku i zgjedhur i Allahut. Përgëzimet që jepen në këtë botë janë fama dhe emri i mirë ndër njerëz, dashuria në zemrat e besimtarëve, ëndrrat e mira dhe shumë e shumë shenja të butësisë, mëshirës dhe bujarisë së Zotit. Formë tjetër përgëzimi janë edhe lehtësimet e krijuara, udhëzimi për të kryer shumë vepra të mira, pajisja me morale të larta, si dhe largimi nga rrugët e ligësisë dhe veset. Ndërsa përgëzimi në ahiret fillon që në momentin e marrjes së shpirtit, sikurse thotë Allahu i Madhëruar: “S’ka dyshim se atyre që thonë ‘Allahu është Zoti ynë’ dhe pastaj qëndrojnë të palëkundur në këtë, do t’u zbresin melekët (e do t’u thonë): “Mos u frikësoni e mos u pikëlloni, por gëzohuni me Xhenetin, që ju është premtuar! Ne jemi miqtë tuaj, si në jetën e kësaj bote, ashtu edhe në Botën Tjetër. Atje ju do të keni atë që dëshirojnë shpirtrat tuaja dhe gjithçka që kërkoni. Kjo është dhuratë nga Ai që është Falës e Mëshirëplotë” Fussilet, 30.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Mrekullia e sures Kehf: Ata flinin, mirëpo sytë u lëviznin!

Pastaj përgëzimet vazhdojnë në varr, ku robi do të përgëzohet se Zoti është i kënaqur me të dhe ai do të kënaqet me Zotin dhe mirësitë e përjetshme. Megjithatë, përgëzimi i plotë do të jepet në ahiret, në momentin kur të hyjë në Xhenetet e mirësisë dhe të shpëtojë përfundimisht nga ndëshkimi i dhembshëm.

 

Premtimet e Allahut nuk mund të ndryshohen”

Ajo që Zoti ka premtuar është e vërtetë e sigurt dhe askush nuk mund ta ndryshojë, tjetërsojë dhe as ta zëvendësojë. Ai është më i vërteti në fjalën dhe premtimin e Tij. Askush nuk ka mundësi që ta kundërshtojë e ndryshojë atë që Zoti e ka përcaktuar dhe vendosur në ligjin e Tij.

 

“Kjo është fitorja e madhe”

Sepse ajo përmban shpëtimin nga çdo gjë që ti i druhesh dhe fitimin e çdo gjëje që ti e synon dhe e dëshiron. I Madhëruari e përkufizon “fitoren” me këta fatlumë, sepse askush tjetër nuk meriton të jetë i fituar dhe i sigurt, përveç atyre që kanë të plotë imanin dhe devotshmërinë. Si përfundim, përgëzimi përfshin çdo mirësi dhe mbarësi që Zoti e ka premtuar në dynja dhe në ahiret, për ata që kanë iman dhe devotshmëri. Zoti e solli fjalën “përgëzim” të papërcaktuar, pikërisht që ajo të përfshijë të gjitha llojet e përgëzimit, por me kusht, arritjen e imanit dhe të devotshmërisë.

Tefsiri i Sa’dit

Përktheu: Uthman Agolli

Categories

Archives