Saturday, 22/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Njeriu shpërblehet sipas qëllimit



Njeriu shpërblehet sipas qëllimit

Tregohet se një djalë i ri beduin merrte gjithmonë këshilla nga e ëma e tij, që të mos shoqërohej me njerëz me dy qëllime.
Duke e dëgjuar shpesh këtë këshillë, një ditë djali e pyeti të ëmën:”Mirë moj nënë, po si ta dalloj njeriun me dy qëllime?!”
E ëma iu përgjigj:”Mos u mërzit o bir, se do të tregojë vetë dhe me gojën e tij.”
E ëma e djalit ndërroi jetë disa kohë më pas, gjë e cila e mërziti shumë djalin. Ai jetoi i vetëm në shtëpinë ku kishte lindur dhe filloi të mendojë të largohej diku tjetër, ta shesë shtëpinë e trojet, të blejë një deve dhe një armë, e të niset për rrugë.
Ashtu bëri.
Pasi i shiti të gjitha dhe u furnizua me gjithçka i duhej për rrugëtim, nisi rrugën e tij drejt të panjohurës që e priste.
Gjatë rrugës ai takoi një burrë që lëngonte ngaqë kishte thyer këmbën, në prag të vdekjes për shkak të etjes. Menjëherë djali zbriti nga deveja e tij dhe i dha ujë të sëmurit. Mandej, ai hoqi çallmën me të cilën kishte lidhur kokën dhe me të i lidhi këmbën e thyer. Pasi e solli në vete, i vuri mbi devenë e tij dhe të dy vazhduan rrugën.
Pasi këmbëthyeri e mori veten paksa, të dy udhëtarët filluan të bëjnë muhabet dhe të njihen më shumë me njëri-tjetrin.
“Nga të kemi o mik dhe si erdhe në këtë vend?” e pyeti djali burrin e huaj.
Ai u përgjigj:”Ishim në një betejë të cilën e humbën. Unë theva këmbën dhe mbeta krejt i vetëm, pasi shokët e mi më braktisën secili duke shpëtuar kokën.”
Mandej, këmbëthyeri pyeti:”Po ju, nga jeni e ku shkoni?”
I riu, pasi i tregoi nga ishte dhe për ku ishte nisur, shtoi:”Ime më, para se të ndërronte jetë, gjithmonë më porosiste që të mos shoqërohem me njerëzit me dy qëllime!”
Pa e lënë të plotësojë fjalën, burri i tha:”Unë jam me dy qëllime!”
I riu shpërtheu në të qeshura nga kjo sepse iu duk se po bënte shaka.
Ata vazhduan rrugën derisa mbërritën tek një pus.
Këmbëthyeri i tha:”Më ndihmo të zbres dhe të furnizohem me ujë!”
Por djali iu përgjigj:”Jo o mik jo. Ti ke këmbën e thyer, prandaj do të zbres unë.”
Kështu, ai lidhi litarin e pusit tek shala e devesë, pastaj mori enën dhe zbriti poshtë në pus për tu furnizuar me ujë. Ai mbushi ujin dhe i kërkoi mikut ta tërheqë ujin lart, për të shuar etjen ai dhe deveja.
Kur erdhi radha për të dalë, burri këmbëthyer këputi litarin dhe u largua, duke e lënë të riun poshtë në pus, mbi një gur të dalë.
“O mik! Çfarë po bën kështu! Ma lësho litarin e të dal që këtu!” i tha djali.
Burri këmbëthyer iu përgjigj:”Të thashë që kam dy qëllime, e megjithatë më besove. Tani kalofsh mirë aty poshtë!”
I riu i tha:”Pash Zotin, veç më nxirr, pa merre devenë, armën dhe gjithçka që është ngarkuar mbi deve!”
Këmbëthyeri iu përgjigj:”Jo more. Të të nxjerr dhe të më vrasëh ë?”
“Pasha Zotin nuk të vras!” iu përgjërua i riu.
Këmbëthyeri nuk e zgjati por mori devenë dhe u largua.
I riu mbeti i vetëm në pus, ndërkohë që në mendje i erdhën fjalët e nënës që të mos shoqërohej me njerëzit me dy qëllime. Kur ra nata dhe u shfaq hëna në qiell, mbi buzët e pusit u ndalën dy sorra të zeza si nata, të cilat në fakt kishin qenë shtojzovalle.
Sorra e parë i tha të dytës:”Moj motër! A di çfarë i ka ndodhur vajzës së beut të filan fshati?”
“Çfarë i ka ngjarë moj motër?” e pyeta e dyta.
E para shtoi:”Ajo është vajza më e bukur e fshatit. Shumë djem kanë vajtur të kërkojnë dorën e saj, por ajo i ka refuzuar të gjithë. E di përse? Sepse unë i kam bërë një magji, prandaj dhe është çmendur. Ajo ulërrin, grris rrobat dhe nuk mbahet, prandaj dhe e kanë lidhur. Është për të qeshur se zgjidhja e magjisë së saj është diçka krejt e lehtë.”
Sorra e dytë e pyeti:”Pse, si zgjidhet?”
Sorra e parë tha:”Ti lexojnë disa pasazhe nga Kurani, dhe do të shërohet menjëherë.”
Sorra e dytë e pyeti:”Asgjë nuk paske bërë. A e di çfarë i ka ndodhur filan qyteti që njihej për gjelbërimin dhe lumin me ujë të pastër?”
Sorra e parë pyeti:”Çfarë i ka ngjarë moj motër?”
Sorra e dytë shtoi:”I kam bërë një magji të madhe, prandaj dhe uji i lumit thau dhe gjelbërimi u bë pluhur e shkretëtirë. Të gjithë banorët e braktisën qytetin dhe enden sa në një vend në një tjetër.”
Sorra e parë e pyeti:”E si e bëre gjithë këtë?”
Sorra e dytë u përgjigj:”I bëra një magji dhe bllokova ujin e lumit aty ku takohen të gjithë lumenjtë brenda malit mbi qytet! Këtë magji mund ta prishin vetëm disa pasazhe Kurani nëse lexohen tek burimi i lumit.”
Këto fjalë i dëgjonte i riu poshtë pusit të errët.
Me të lindur drita e ditës së re, dy sorrat fluturuan secila në punën e vet. Nga dreka, pranë pusit ndaloi një karvan, të cilët hodhën kovën në pus për tu furnizuar me ujë.
Por kova jo që nuk u mbush, por u mbeti në ujë pasi litari u pre. Menjëherë hodhën një kovë tjetër por sërish litari pritej.
“Mos ka ndonjë shtojzovalle brenda pusit e tallet me ne?” pyeti dikush.
Por askujt nuk ia mbante të zbresë poshtë e të shohë. Më një fund, të etur sa s’ka më, guxoi njëri prej tyre dhe pasi u lidh me litar, zbriti poshtë. Sa mbërriti tek guri i dalë pa të riun, të cilit i tha:”Çfarë je ti, xhinde apo njeri?”
I riu iu përgjigj:”Jam njeri! Por po të isha kapur pas litarit që në fillim, do më kishit kujtuar ndonjë xhind, do ishit trembur e do ia kishit mbathur duke më lënë në pus.”
Kështu e nxorrën të riun nga pusi. Pasi mori veten, e pyetën:”Tani na thuaj, për ku je nisur?”
I riu u tha:”Për në filan fshat!”
Burrat e morrën me vete derisa mbërritën në fshatin e beut të cilit i ishte sëmurë vajza. Me të mbërritur në fshat, i riu u drejtua për tek shtëpia e beut, të cilën e gjeti dhe hyri brenda. E priti vetë beu dhe e nderoi si i huaj që ishte. Teksa bënin muhabet, i riu dëgjoi disa ulërima e të qara.
“Çfarë ka ngjarë o bej?” pyeti ai.
Beu, i zënë ngushtë i tha:”Është ime bijë. Është sëmurë këtu e katër vite dhe asnjë nga doktorët që e kanë vizituar nuk i kanë bërë derman.”
I riu i tha:”Po sikur të shërohet nga duart e mia, çfarë më jep?”
Beu zgurdulloi sytë dhe i tha:”Kërko sa të duash!”
I riu i tha:”Nuk dua gjë, thjesht dua të martohem me vazën tënde nëse shërohet!”
Beu iu përgjigj:”Hallall të qoftë!”
I riu iu afrua dhe i lexoi diçka nga Kurani dhe vajza menjëherë u qetësua dhe iu kthye normalitetit.
Beu sa nuk fluturonte nga gëzimi. “Kërko çfarë të duash!” i tha të riut.
I riu iu përgjigj:”Dua vetëm të martohet me vajzën tënde, nuk dua para.”
Beu i tha:”Përveç martesës me time bijë, ke dhe filan kullë si dhuratë.”
I riu i tha:”Jo, përveç martesës nuk dua asgjë tjetër. Veç dua të më çosh tek filan qytet i shkretë.”
Beu u shtangu dhe e pyeti:”Çfarë kërkon në një qytet të braktisur e të shkretë? Mos do të jetosh atje?”
I riu iu përgjigj:”Veç më ço atje se kam për të kryer një punë të rëndësishme.”
Pasi mbërriti në qytetin e shkretë, i riu gjeti atje vetëm tre familje, të cilat nuk e kishin braktisur qytetin, ngaqë e mbartnin ujin nga vende të largëta.
“Si e keni hallin?” i pyeti i riu.
“Ah more bir. Ka katër vite që ka tharrë lumi e kanë tharë çezmat tona.” Iu përgjigjën.
“Po sikur t’ua sjell ujin, çfarë më jepni?” i pyeti i riu.
“Kërko çfarë të duash!” i thanë.
I riu kërkoi një parcelë toke, një shtëpi dhe një shumë të hollash.
Pasi ranë dakord, ai vajti tek burimi i lumit të tharë dhe pasi lexoi disa pasazhe nga Kurani, u dëgjua zhurma e ujit që shpërtheu nga brenda malit. Nuk kaluan sekonda dhe rrjedha e lumit u mbush me ujë. Gjithashtu dhe çezmat filluan të furnizojnë shtëpitë me ujë.
Qytetit filloi ti kthehej jeta dhe gjelbërimi i dikurshëm.
Një vit më vonë, në qytet mbërrin një i panjohur, i cili për herë ta parë takohet me të riun dhe heroin e qytetit. Ai e njohu menjëherë. Ishte burri me dy qëllime, këmbëthyeri që e kishte braktisur në pus.
“A nuk më njeh?” e pyeti i riu.
“Jo” iu përgjigj ai.
“Jam i riu që braktise në pus” i tha ai.
“Po si dole dhe si e paske vënë gjithë këtë pasuri për një vit?” e pyeti burri.
Dhe i riu i rrëfeu fill e për pe historinë e tij, e cila nisi nga pusi ku e kishte braktisur atë natë.
Burri brofi në këmbë dhe i tha:”Pash Zotin më trego ku është ai pus!”
“Pse çfarë do të bësh?” e pyeti i riu.
“Lëre çfarë do të bëj, por më trego ku ndodhet se do të shkoj që sonte!” i tha burri.
I riu ia tregoi dhe ai u nis menjëherë.
Me të vajtur, zbriti poshtë në pus dhe qëndroi mbi gurin e dalë.
Pasi ra nata, ia mbërritën dy sorrat, të cilat e kishin zakon të takoheshin aty çdo vit.
“Hë moj motër, si të venë punët?” e pyeti sorra e dytë të parën.
“Lëre mos e pyet moj motër. Vajza e beut u shërua dhe u martua.” U përgjigj sorra.
E dyta shtoi:”Ah moj motër. Edhe qytetit tim i erdhi uji. Se kush e prishi magjinë time nuk e di.”
Sorra e parë shtoi:”Thua të na ketë dëgjuar ndonjë njeri një vit me parë, këtu tek pusi? S’ka si të bëhet ndryshe. Ka qenë ndonjë këtu brenda dhe pasi ka dëgjuar gjithçka, ka vajtur dhe ka prishur magjitë tona.”
Sorra e dytë tha:”Mendoj ta mbyllim këtë pus të mallkuar që na nxorri sekretet!” dhe ashtu vepruan. E mbyllën pusin bashkë me burrin me dy qëllime brenda, me dhera e gurë përgjithmonë.
Thuhet se njeriu shpërblehet sipas qëllimit.