Sunday, 19/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Një ateist në shtëpinë tonë

Një ateist në shtëpinë tonë

I ftuar i emisionit: Abdul Mexhid Zendanij

Drejtor i universitetit “Iman” në Jemen

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Paqja e Zotit qoftë mbi ju! Këtë emision e kemi titulluar “Një ateist në shtëpinë tonë” dhe i ftuari ynë është dijetari i njohur musliman, Abdul Mexhid Zendanij.

Shumë veta mund të habiten nga një temë me këtë titull “Një ateist nështëpinë tonë.” Por një temë e tillë është pasqyrimi i shqetësimit të shumë nënave dhe prindërve. Në një letër që ma dërgonte mua një nga këto nëna thoshte: ”E dërguam djalin në perëndim, ku qëndroi mbi shtatë vite derisa përfundoi dhe magjistraturën. Kur u kthye ai jo vetëm që nuk falej dhe agjëronte, por mohonte dhe ekzistencën e Zotit të Madhëruar….”

Të shumta janë ato familje në emigrim, të cilat vuajnë nga një realitet i tillë. Duke qenë se i ftuar në këtë emision është dijetari musliman, Abdul Mexhid Zendani, ne i urojmë mirëseardhjen dhe e pyesim mbi mendimin e tij rreth temës së këtij emisioni”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Një temë e tillë dhe shqetësimet në rritje, pasqyrojnë problemet që lindin nga takimi i kulturave, popujve dhe kombeve të ndryshme, nëpërmjet mjeteve të telekomunikacionit. Kjo ka bërë që e gjithë bota të duket si një qytet i vogël dhe i vetëm. Kjo është rezultat i takimit mes kulturave të ndryshme, ku kultura sunduese është ajo perëndimore, e cila lindi në Europë pas një konflikti të gjatë me kishën.

Ne muslimanët besojmë se feja e krishterë ka pësuar një sërë ndryshimesh tekstuale. Për këtë, kur shkencat moderne filluan të lulëzojnë, ato u përplasën me forcë me kishën dhe pushtetin e saj. Pasuesit e kishës, duke besuar se tekstet e tyre ishin të shenjta, u zhytën në konflikte të thella me pasuesit e shkencës dhe dijeve. Shkaku i kësaj përplasje është se vetë bibla e lufton dijen. Në besëlidhjen e vjetër thuhet se mëkati i parë i Ademit ishte njohja dhe se duke i shtuar dijet, hëngri nga pema e ndaluar. Me këtë akt, ai fitoi zemërimin e Zotit dhe u dëbua nga parajsa.

Ndërkohë që në Islam, nderi dhe fisnikëria më e madhe e Ademit a.s ishte pikërisht dija dhe njohuritë e tij. Ademi ishte më superior se vetë Melekët, për shkak të dijeve me të cilat e kishte pajisur Zoti.

Një konflikt i tillë bëri, që perëndimorët ta mënjanojnë fenë nga jeta e tyre duke e izoluar atë vetëm brenda mureve të kishës. Ata i përhapën ide të tilla në të gjithë botën bashkë me kulturën dhe civilizimin.

Për fat të keq dhe për shkak të dobësisë së muslimanëve, disa mendjelehtë muslimanë i përvetësuan këto ide dhe i reklamuan edhe mes muslimanëve.

 

Shkaqet e devijimit të njeriut drejt ateizmit

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Sipas mendimit tuaj, cilat janë shkaqet që e bëjnë njeriun të pranojë ateizmin në vend të besimit, edhe pse argumentat dhe faktet flasin qartë?”

 

Abdul Mexhid Zendani: ”Shkaku mund të jetë brenda karakterit dhe personalitetit të njeriut. Shkaqet mund të kërkohen dhe në atmosferën, ambjentin dhe shoqërinë.

Nga shkaqet personale mund të përmendim shkujdesjen, mos interesin mbi jetën e botës tjetër, dhënien pas kënaqësive të kësaj bote, neglizhencën e dijeve dhe argumentave fetare mbi besimin e vërtetë etj… Çështja e besimit dhe mosbesimit tek ky person është si çështja e një ndeshjeje futbolli mes dy skuadrave.

Dyshimet rreth besimit dhe ekzistencës së Zotit janë të shumta dhe nëse gjejnë një person të papregatitur dhe të paditur, ato e çojnë atë drejt ateizmit dhe mosbesimit.”

 

Dialog me një ateist

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Duam të dëgjojmë prej jush një dialog apo eksperiencë personale me ndonjë ateist”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Jam takuar me një profesor amerikan që quhej Robert. Ai është nga shkencëtarët më të dëgjuar në Amerikë dhe drejtonte një institut ku merrnin pjesë mbi pesëdhjetë universitete. Tema e diskutimit tonë ishte: “Mrekullitë shkencore në Kuran”.

Gjatë kohës që i rrëfeja mbi mrekullitë shkencore në Kuranin famëlartë, ai tundte kokën në shenjë miratimi. Sa herë që i përmendja në fakt shkencor, e krahasoja atë me ajetet e Kuranit që flasin rreth asaj dukurie. Duke parë që për çdo fakt që i flisja ai e miratonte, shpresova në Islamin e tij. Kështu i thashë nëpërmjet përkthyesit: ”A je i gatshëm ta vazhdosh kërkimin tënd rreth besimit në Zot? Unë pashë që për çdo pikë që përmenda, më dhe të drejtë dhe i konfirmoje faktet e mia”.

Ai mu përgjigj: ”Historia ime është e gjatë dhe unë rradhitem tek shkencëtarët agnostikë.  Ashtu siç kemi shkencëtarë besimtarë dhe fetarë, kemi shkencëtarë ateistë dhe shkencëtarë agnostikë”.

Unë e pyeta: ”Po cili është shkaku që e ke rradhitur veten mes shkencëtarëve agnostikë?”

Ai mu përgjigj: ”Duke qenë se isha specializuar dhe merresha me astronomi, fillova të ndjej se ekziston një Zot, të cilin duhet ta falenderoj dhe adhuroj. Kështu, para pesëmbëdhjetë vitesh, vendosa të shkoj në kishë. Me të hyrë brenda, u thashë: ”Uroj që të më pranoni dhe mua në mesin tuaj!”

Ata më mirëpritën dhe më ofruan të pij një gotë verë. Para se ta pij, më thanë: ”Para se t’a pish, duhet të besosh se kjo që po pi, është gjaku i Jezusit”.

Unë u thashë: ”Doni të thoni se kjo gotë verë simbolizon gjakun e Jezusit?”

“Jo – më thanë – ai është vetë gjaku i Jezusit. Ajo pije e ka marrë shijen, aromën dhe ngjyrën nga vetë gjaku i Jezusit”.

Atëherë, ky shkencëtar mu drejtua mua dhe më tha: ”Unë tashmë jam gjashtëdhjetë vjeç dhe nuk besoj në asgjë, të pafaktuar dhe argumentuar. Kurse ti më propozon që të pranoj Islamin, pa fakte dhe argumenta. Jo, jo. Do të vazhdoj të mbështetem në llogjikën dhe arsyen time. Nuk kam nevojë për fenë dhe besimin tuaj”.

Duke parë që bazat ku mbështetej, i kishte të lëkundura, unë vazhdova dialogun me të dhe i thashë:

“A krijohet gjë nga hiçi?”

Ai u përgjigj: ”Asgjë nuk krijohet nga hiçi.”

Unë i thashë: ”Sytë e tu, këmbët dhe duart nuk ekzistonin më parë. Kush i solli në këtë jetë vallë? Të lutem mos më thuaj se ishte hiçi ai që i krijoi!”

Ai u përgjigj: ”Jo, nuk është hiçi.”

Unë i thashë: ”E gjithë rraca njerëzore nuk ekzistonte një herë e një kohë, siç e pohojnë dhe shkencëtarët e gjeologjisë. Madje, ka qenë një kohë kur mbi tokë nuk ekzistonin as bimët, as detrat dhe as malet. Mos ishte hiçi ai që i krijoi?”

“Jo” – u përgjigj.

Unë i thashë: ”Yjet dhe planetet… shpërthimi i madh i Bing Bengut, mbi të cilin flasin shpeshherë shkencëtarët. Ata pohojnë dhe një të vërtetë tjetër të madhe, që gjithësia nuk është e përjetshme (siç besonin komunistët), por ka një fillim dhe një mbarim. Kush i solli në ekzistencë të gjithë këto, që shohim sot?”

Ai u përgjigj: ”Natyra”.

Unë i thashë: ”A beson se kjo llambë që kam në dorë ka si përbërës dhe qelqin?”

“Sigurisht – më tha – e shoh me sytë e mi”.

Unë e pyeta: ”Ai që e ka prodhuar këtë llambë, a kishte pjesë metalike për llambën?”

Ai më tha: ”Sigurisht”.

Unë e pyeta: ”A e kishte mjeshtërinë e duhur për ta përpunuar metalin dhe për t’ia përshtatur atë grykës së qelqit?”

Ai u përgjigj: ”Besoj se po”.

Unë e pyeta: ”A mendon që ai ishte i sigurtë, se nëse rryma elektrike do të kalonte nëpërmjet telave të kësaj llambe, ajo do të prodhonte dritë?”

Ai u përgjigj: ”Po”.

Atëherë unë i thashë: ”Kjo, do të thotë që ti i beson disa cilësi dhe mjeshtëri të prodhuesit të kësaj llambe, apo jo? Por a e ke parë prodhuesin e kësaj llambe?”

“Jo” – u përgjigj.

Unë i thashë: ”Atëherë si i beson cilësitë, aftësitë dhe mjeshtërinë e tij, ndërkohë që ti nuk e ke parë?”

Ai më tha: ”Ngaqë shoh prodhimin e tij”.

Unë i thashë: ”Kështu është dhe Zoti me krijesat e Tij. Ti mund t’i njohësh disa cilësi të Zotit, duke parë krijesat e Tij. Pastaj fillova t’i përmend disa cilësi dhe emra të Zotit. Debati vazhdoi gjatë gjithë ditës deri në mbrëmje”.

 

Emancipimi i gruas dhe ateizmi

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Nëse do të ndalonim pak në çështjen e emancipimit të gruas, do të vërenim se sipas perëndimit ajo duhet emancipuar dhe çliruar nga çdo gjë, ideologji, besim, në punë etj… Ndërkohë që Islami nuk pranon të cënohet doktrina e tij, si namazi, besimi në njësimin e Zotit etj… Besoj se koncepte të tilla i kanë bërë fëmijët tanë, që studiojnë atje të lëkundur dhe skeptikë”.

 

Abdul Mexhid Zendani: ”Emancipimi i gruas është një çështje, e cila ka lidhje të drejtpërdrejta me ateizmin.

Padyshim që Zoti kishte mundësi, që t’i krijonte njerëzit të një gjinie të gjithë, por Ai deshi që të jenë dy gjini të ndryshme. Dallimi mes dy gjinive, do të thotë dallim në funksionet që kryen secili prej tyre.

Ajo që  trumpetohet sot me të madhe në perëndim dhe që i frikësohen, është se popullata e këtyre vendeve është në rënie. Duke parë se përqindja e vdekjeve është më e lartë se e lindjeve, ata kanë filluar të stimulojnë lindjet, duke u dhuruar nënave që lindin shuma të majme. Megjithatë, askush nuk i kushton rëndësi një çështjeje të tillë. Gruaja në perëndim vazhdon të refuzojë të lindë. Ajo ka frikë, se burri mund t’a braktisë të nesërmen dhe e ka të vështirë t’i përballojë e vetme shpenzimet e fëmijëve. Nëse pyet burrin mbi shkakun e braktisjes së fëmijës dhe nënës së tij, të thotë: ”I braktisa pasi dyshoja në ishte fëmija im apo jo”.

Ndërkohë që një nga objektivat e Sheriatit islam, është ruajtja e pasardhësve. Për këtë qëllim janë ndaluar imoraliteti, lakuriqësia është urdhëruar për pastërtinë morale, nderin dhe hixhabin. Kjo bëhet, me qëllim që fëmija të dijë babanë dhe nënën e vërtetë, me qëllim që as i vogli dhe as i madhi të mos shkojnë dëm.

Unë këtu nuk dua të mohoj ekzistencën e disa padrejtësive që ushtrohen ndaj gruas tek ne, të cilat kanë të bëjnë me zakone prapanike dhe të dëmshme. Por të mos harrojmë, se gruaja në perëndim vuan më shumë dhe gjendet përballë një qorrsokaku pa krye”.

Faktorët që çojnë në ateizëm

Një teleshikues nga Amerika: ”A mund të më thoni shkurtimisht cilët janë faktorët, që e shtyjnë një besimtar të ndershëm që të mohojë ekzistencën e Zotit?”

Abdul Mexhid Zendani: ”I dërguari i Zotit ka thënë:”Çdo fëmijë lind me besim të pastër, por janë prindërit ata që e bëjnë të krishter, hebre apo zjarrputist”.

Në një hadith tjetër, Profeti a.s thotë: ”Besimi është shtatëdhjetë e ca degë…”

Nëse besimi është i dobët, dyshimet dhe sëmundjet fillojnë të depërtojnë në zemër dhe e mveshin atë nga jashtë dhe brenda.

Kur besimtari vepron ndonjë gjynah, ai ndihet ngushtë dhe i pashpresë. Nëse këto gjynahe akumulohen, fillojnë t’a pengojnë dritën e besimit dhe nuk e lejojnë të depërtojë në zemër. Tashmë këshillat dhe porositë nuk i bëjnë dobi. Ai nuk dëgjon dhe është i verbër plotësisht, nuk e kujton më vdekjen dhe e harron takimin me Zotin. Të gjithë këto janë faktorë, që çojnë drejt ateizmit”.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A kanë ndonjë rol prindërit në këtë mes?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Padyshim që roli i tyrë është vendimtar. Por pasi fëmija del në shoqëri, fillojnë dyshimet, shkujdesja, gjynahet etj… Të gjitha këto akumulohen dhe e bëjnë njeriun të humbasë besimin në Zot. Pikërisht për të shmangur diçka të tillë, Zoti na ka urdhëruar t’a përkujtojmë sa më shpesh”.

I lirë të veprojë ç’të dojë apo i imponuar

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”A është njeriu i lirë të veprojë ç’të dojë, apo është i detyruar dhe i imponuar?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Zemra jote rreh pa dëshirën dhe vullnetin tënd, kështu ajo është e detyruar. Ndërkohë që gjuha jote flet me dëshirën dhe vullnetin tënd. Kjo tregon se ajo është e lirë të flasë ose jo. Disa nga muskujt e trupit, lëvizin dhe veprojnë me dëshirën tonë, ndërkohë që disa muskuj të tjerë siç janë muskujt e zemrës dhe të stomakut, lëvizin dhe funksionojnë pa vullnetin tonë.

Njeriu është gjithashtu i imponuar në ngjyrën e lëkurës, pamjen, ambjentin ku lindi dhe jeton, prindërit etj… Asnjë nuk e ka në dorë të zgjedhë ngjyrën e lëkurës, prindërit dhe kombësinë. Por në brendësi të këtyre gjërave, ne kemi lirinë e duhur. Kështu, ne jemi të lirë të zgjedhim gjumin nga pagjumësia, leximin e një libri ose shikimin e televizorit etj…

Përsa u përket veprimeve të imponuara, njeriu as nuk shpërblehet dhe as nuk ndëshkohet, as xhenet dhe as zjarr. Ndërkohë që në ato gjëra, që njeriu është i lirë të zgjedhë të mirën nga e keqja, ai ose do të shpërblehet ose do të ndëshkohet.

 

Përse dialogu me perëndimin?

 

Një teleshikues nga Bahrejni: ”Është një fakt, që gjuha ka ndikimin më të madh për ta bindur tjetrin me idetë e tua. Zoti e zgjodhi të dërguarin e fundit nga mesi i arabëve, por e dërgoi tek të gjithë kombet. Unë kam konstatuar se dijetarët muslimanë merren më shumë me dialogun me perëndimin, duke harruar popujt e Afrikës dhe të gjithë popujt paganë të tjerë. Mos vallë Islami ka ardhur vetëm për perëndimin?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Padyshim që Zoti i dërgonte të dërguarit e Tij me gjuhën që do të fliste ai popull.

Zoti thotë në Kuran: ”Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar, përveçse në gjuhën e popullit të tij, për t’u shpjeguar atyre (shpalljet e Zotit). Allahu e shpie në humbje kë të dojë dhe e udhëzon në rrugë të drejtë kë të dojë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti.” (Ibrahim: 4)

Zoti deshi që profeti i fundit, Muhamedi a.s të jetë nga mesi i arabëve. Është urtësi dhe mrekulli e Zotit, që edhe pse gjuhët e njerëzve janë të shumta, ata mund të merren vesh me njëri-tjetrin.

Fjalët e gjuhës arabe, kanë kuptime ekuivalente në një gjuhë tjetër. Ato përkthehen duke e bërë mesazhin t’ju arrijë të gjithëve. Një intelektual modern, e ka detyrë që bagazhit të tij intelektual dhe akademik, t’i shtojë dhe njohjen e një gjuhe të huaj. Sot anglishtja është gjuhë ndërkombëtare dhe lehtëson komunikimin mes të gjithë kombësive kudo qofshin.

Përsa i përket çshtjes tjetër, pra që vëmendja është përqendruar drejt perëndimit, dua të them se kjo nuk është diçka e menduar dhe e planifikuar. Sfidat më të mëdha vijnë nga të fuqishmit dhe sot perëndimi është i fuqishëm. Duke ditur që njerëzit imitojnë dhe ndjekin më të fortin, vëmendja më e madhe e dijetarëve muslimanë është përqendruar tek ky i fortë. Por kjo nuk do të thotë se janë shpërfillur dhe neglizhuar popujt dhe kombet e tjerë. Të gjithë njerëzit janë të barabartë para Zotit. Zoti thotë në Kuran: ”O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri – tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij”. (Huxhurat: 13)

 

Përkufizimi i ateizmit dhe shkaku i ekzekutimit të felëshuesit

 

Një teleshikues nga Amerika: ”Cili është përkufizimi i ateizmit dhe cilat janë pasojat e tij negative tek Islami?”

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Unë dua që pyetjes së teleshikuesit t’i shtoj dhe një pyetje tjetër: ”Përse duhet të ekzekutohet ateisti dhe felëshuesi? A nuk ka të drejtë të jetë i lirë në zgjedhjet e tij?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Përkufizimi i ateizmit (në arabisht ilhad) në origjinë është shtrembërimi i emrave dhe cilësive të Zotit të Madhëruar. Zoti thotë në Kuran: “Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to dhe largohuni nga ata, që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar”.) Araf: 180)

Kështu, emrin e Zotit El-Azizu e shtrembëruan dhe përdornin për idhullin me emër Uzza. Vetë fjala “Ilhad” tregon devijim dhe anim nga një anë. Kurse në kohët moderne, Ilhad (ateizëm) përdoret për dikë, që nuk beson farë në ekzistencë e një Zoti, Krijues.

Kurse përsa i përket pyetjes mbi ekzekutimin e felëshuesit në Islam, unë dua t’a pyes teleshikuesin që banonte në Amerikë: A e ka të mundur një amerikan t’a shkelë me këmbë flamurin e Amerikës? Kush është ai person, të cilit i lejohet të rebelohet kundër kushtetutës së vendit ku banon? Kështu shohim që shumë ligje dhe norma varen nga natyra e shoqërive. Është vetë shoqëria ajo, e cila vendos linjat e kuqe, të cilat nuk i lejohen askujt t’i kalojë dhe shkelë, dhe nëse dikush i shkel ai penalizohet. Këto linja të kuqe janë vendosur, me qëllim që shoqëria të mbrojë veten dhe individët e saj.

Besimi në një shoqëri muslimane nuk kufizohet në një çështje ideologjike dhe individuale, por përfshin të gjithë shoqërinë në tërësi. Objektivat kryesore të fesë dhe besimit janë mbrojtja e jetës, nderit, pasurisë etj… Të gjitha këto funksionojnë në bazë të besimit. Nëse shoqëria do të lejonte rebelimin kundër këtyre vlerave, kjo do të ishte fundi i vetë shoqërisë. Prandaj diçka e tillë konsiderohet si vijë e kuqe, e cila nuk mund të kalohet. Kushdo që ballafaqohet me dyshime ideologjike dhe doktrinare, Islami ofron si zgjidhje dialogun dhe debatin konstruktiv. Nëse vazhdon me ateizmin dhe mosbesimin e tij, kjo konsiderohet si shembje dhe shkatërrim i elementëve jetësore të një shoqërie të shëndoshë”.

 

Numri i shumtë i ateistëve

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një teleshikues musliman nga Amerika, ka dërguar një faks në redaksinë e emisionit ku thekson se ndihet më shumë i përkushtuar në Amerikë se ç’ndihen shumë muslimanë në shumë shtete islame. Gjithashtu ai thekson se në botën arabe gjenden shumë ateistë”.

 

Abdul Mexhid Zendani: ”Siç e cekëm dhe më lart, bota është afruar shumë në të gjithë nivelet, saqë duket sikur kemi një kulturë të përbashkët. Kultura e një populli të fuqishëm, kalon shumë shpejt në vendet e tjera ku nuk njihej më parë. Gjithmonë i fuqishmi ndikon tek më i dobëti dhe ky i fundit e imiton të fortin. E keqja është, se i dobëti ka filluar t’a braktisë fenë dhe të natyralizohet.

Unë pajtohem me mendimin e teleshikuesit, që në vendet arabe gjenden shumë ateistë. Megjithatë, në përgjithësi njerëzit vazhdojnë të jenë muslimanë dhe të përkushtuar. Edhe vetë qeveritarët e kanë parasysh diçka të tillë dhe u druhen debateve me tematikë fetare.

Ndërkohë që në perëndim shoqëritë jetojnë larg çdo vlere fetare. Duke qenë se ndodhen nën një presion të paparë më parë, muslimanët e përkushtuar atje përpiqen me mish dhe me shpirt, që t’i përkushtohen sa më shumë fesë dhe Islamit. Përndryshe humbasin identitetin dhe shkrihen në morinë e kulturave dhe ideve të shumta. Në perëndim kemi parë modele të tillë. Atje kemi hasur muslimanë, që në botën arabe ishin njerëz të shkujdesur dhe neglizhentë. Por kur vajtën në perëndim dhe u befasuan me sfida nga më të ndryshmet, i vunë në punë talentet dhe dhuntitë e tyre, që u kishte falur Zoti dhe u kthyen sërish në besim dhe Islam”.

 

Ftesa drejtuar ateistëve

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një teleshikues ka dërguar një faks ky pyet mbi marrëdhëniet që mund të ndërtohen me një ateist dhe mundësisë për t’a ftuar në islam. Ai pyet edhe mbi komentin e ajetit:

Ne do ta kapim për ballukesh, për ballukesh gënjeshtare dhe fajtore”. (Alek: 5-6)

Si mund të jenë balluket gënjeshtare dhe fajtore?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Përsa i përket ajetit të lartpërmendur, është një ajet që më ka lodhur dhe munduar gjatë pesëmbëdhjetë viteve të kaluara. Përgjigjen e cila më mundonte gjatë këtyre viteve, e gjeta vetëm kur u takova me një ekspert dhe shkencëtar, profesorin Kith Mur. Zbulimet shkencore kanë vërtetuar se truri i njeriut ndahet në qendra dhe çdo qendër kryen një funksion të caktuar. Qendra që ndodhet në zonën e ballukeve, është përgjegjëse mbi gënjeshtrat dhe fajet e njeriut, të cilat e kanë burimin pikërisht nga kjo zonë.

Kur e pyeta profesorin Kith Mur mbi këtë, më tha: ”Të gjithë urdhërat burojnë nga zona e ballukeve”.

Kur e pyeta unë, se cili është roli i njeriut pas kësaj, ai më tha: ”Ai është një ushtarak që zbaton urdhërat”.

Përsa i përket çështjes së parë, ftesës së ateistëve për të pranuar Islamin, dua të theksoj, se çdo njeri ka një derë për të depërtuar në zemrën e tij. Ftuesi musliman duhet t’a njohë mirë personin, të cilin po fton dhe duhet të dijë mirë derën, nga e cila duhet të përpiqet të depërtojë brenda zemrës së tij.

Fillimisht ftuesi duhet të ndërgjegjësohet, që duhet të zgjojë të shkujdesurit, të cilët jetojnë sikur nuk do të vdesin një ditë dhe sikur Zoti nuk ekziston.

Së dyti ai duhet të ndërgjegjësohet, që është në kulmin e nevojës për të shtuar dijet dhe njohuritë e veta.

Nëse dëshiron të jesh i sigurtë dhe i bindur në idenë që ke përqafuar, duhet të posedosh sa më shumë dije dhe informacion. Nëse dëshiron t’a bindësh tjetrin me idenë tënde, duhet t’a bësh këtë duke i ofruar informacionin dhe dijet e duhura. Nuk mund të ketë besim dhe siguri pa dije dhe as dije pa fakte dhe argumenta. Ti si ftues duhet të armatosesh me argumente dhe fakte rreth besimit. Veç kësaj duhet të mësohesh dhe të praktikohesh mbi mënyrat më efikase për t’ua ofruar dhe prezantuar Islamin shtresave të ndryshme”.

 

Të thellohesh në dije, nuk çon në ateizëm

 

Një teleshikuese nga Amerika: ”A është e mundur që një person të jetë musliman dhe në të njëjtën kohë të sillet si ateist pa e ndjerë këtë? A është e vërtetë që të thellohesh në dije çdo në ateizëm?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Disa njerëz, për shkak të injorancës në çështjet fetare, bien në gabime trashanike pa e ndjerë. Kjo, pasi ata nuk e dinë ç’është e drejtë dhe ç’është e gabuar. Ilaçi më i mirë për këtë, është që të pyesin dhe të interesohen. Zoti i Madhëruar thotë në Kuranin famëlartë: ”andaj pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk e dini.” (Nahl: 43)

Përsa i përket pyetjes së dytë, dua të them që thellimi në dije dhe shkenca, nuk çon drejt ateizmit. Kjo, pasi çështjet e fshehta dhe të mistershme (gajb) besohen, vetëm pasi të jetë vërtetuar dhe konfirmuar vërtetësia e mesazhit të të dërguarit të Allahut. Nëse do të ankoheshe nga një sëmundje dhe do të shkoje tek doktori, do të veproje sipas udhëzimeve dhe porosive të tij. Për të vepruar sipas porosive të doktorit, nuk është kusht të dish objektivat dhe synimet e doktorit me ilaçet dhe këshillat që të dha. E rëndësishme është që të ndihesh i sigurtë dhe i qetë, që ky doktor e njeh mirë sëmundjen dhe ilaçet për shërim.

Veç kësaj, shumë çështje të mistershme (gajb) kanë të bëjnë me botën tjetër dhe jo këtë botë. Çështjet e gajbit dhe të botës tjetër, nuk janë prezente siç janë ato të jetës së kësaj bote. Megjithatë ne i besojmë, ngaqë burimi i informacionit është Profeti a.s, mbi vërtetësinë e të cilit jemi të bindur dhe të sigurtë”.

 

Arsimi fetar është obligim thelbësor dhe i rëndësishëm

 

Një teleshikuese nga Bahrejni: ”A jam gjynahqare për shkak se e kam çuar vajzën të mësojë në një shkollë angleze? E kam bërë këtë, duke e ditur që në këtë shkollë ajo do të përfitojë më shumë se në shkollat qeveritare. Por nga ana tjetër atje nuk mundet të mësojë gjuhën arabe dhe lëndë fetare”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Detyrë dhe përgjegjësi e dy prindërve është që fëmijët t’i mësojnë me edukatën fetare. Ditën e Kijametit Zoti do na pyesë: “Ç’përgjigje iudhatë të dërguarve?” (Kasas: 65) Ai nuk do na pyesë gjë tjetër përveç kësaj.

Zoti na e ka dhënë mendjen për të medituar, sytë për të shikuar, veshët për të dëgjuar … Kështu, ne duhet të mendojmë mbi Atë që na ka krijuar dhe mbi përfundimin tonë.

Është detyra e prindërve, që t’ua mësojnë fëmijëve të tyre diçka të tillë në formën më të mirë dhe të pranueshme, me qëllim që këto mësime të zënë vend në zemrën e tyre. Si mund t’ia dorëzosh fëmijën tënde dikujt që nuk i kushton rëndësi fesë dhe Zotit? Si mund t’ia dorëzosh fëmijën tënd dikujt që mund t’a edukojë me vlera të gabuara?”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Me këtë ju e këshilloni teleshikuesen që për edukimin e fëmijëve të saj të lodhet më shumë në mënyrë individuale dhe si diçka dytësore?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Jo, unë e këshilloj që edukimin fetar të fëmijëve t’a ketë gjënë më kryesore dhe thelbësore. Më pas, nëse është e sigurtë që nuk mund të ndikohen nga ideologji të gabuara, ajo mund t’i dërgojë në shkolla të huaja.

Veç kësaj, unë e pyes: ”Si pranon kjo nënë t’a dërgojë vajzën e saj në një shkollë ku djemtë mësojnë bashkë me vajzat, ndërkohë që shkollat ku vajzat mund të mësojnë vetëm me vajza janë të shumta?!”

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Po niveli arsimor?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Nëse nivelit të lartë arsimor do i shtonim devijimet ideologjike në besim dhe doktrinë, a do të kishte vlerë ky krahasim mes dy niveleve?”

Si të sillemi me një ateist?

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Një teleshikuese në një faks të dërguar në redaksi, thotë se shumë ide ateiste kanë depërtuar në shtëpitë dhe familjet tona. Kjo, edhe pse shumica e prindërve janë muslimanë dhe njerëz të ndershëm. Vetë dërguesja e këtij faksi pohon, se familja e saj ka kaluar një eksperiencë të tillë, ku vëllezërit braktisën fenë dhe kanë përqafuar idetë ateiste. Ajo pyet sesi duhet të sillet me ta dhe nëse duhet t’i bojkotojë”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Mënyra më e mirë është mbledhja e argumenteve dhe fakteve, si dhe prezantimi i tyre në një formë dhe mënyrë të përshtatshme. Në shumë raste, disa familje përdorin metodën e dhunës, ofendimit dhe sharjeve në raste të tilla. Me metoda të tilla ata i largojnë njerëzit edhe më shumë nga feja dhe besimi.

Zoti i Madhëruar e urdhëronte Musain a.s kur e dërgoi tek Faraoni me fjalët:

”Thuajini atij fjalë të buta, se ndoshta kujtohet a frikësohet!” (Taha: 44)

Këto fjalë të buta, Musai a.s duhej t’ia drejtonte Faraonit, i cili pretendonte se është zot.

Vetë profeti Muhamed a.s kur dërgoi Muadh ibnu Xhebel dhe Musa El-Esh’arij në Jemen, i porositi: ”Lehtësoni dhe mos vështirësoni, përgëzoni dhe mos frikësoni!”

Ne muslimanët sot kemi nevojë për më shumë urtësi dhe mençuri, sidomos kur kemi të bëjmë me shoqëri perëndimore dhe amerikane.

Personat që janë të rinj në fenë islame, kanë një pozitë të veçantë. Ata përmenden bashkë me grupet e tjera të nevojshmë për dhënien e pasurisë së zekatit.

Motra që ka dërguar faksin, duhet të përpiqet të fitojë zemrën e palës tjetër. Në shumë raste, njerëz si vëllezërit e saj vuajnë nga një shkujdesje, dyshime, krizë etj… Kështu që, fillimisht duhet kërkuar burimi i këtij problemi. Përgjithësisht, në raste të tilla vihet re dhe një shpërfillje e të drejtës. Për këtë, mënyra më e mirë për ta bindur tjetrin, janë mrekullitë shkencore që janë vërtetuar kohët e fundit në Kuran.

Ajetet e Kuranit dhe hadithet e Profetit a.s që përmbajnë mrekulli, të cilat janë zbuluar vetëm kohët e fundit, janë rruga më e shpejtë për të depërtuar në trurin dhe zemrat e tyre dhe për t’i fituar ato. Ato sulmojnë pikërisht ideologjitë e kota dhe mashtruese. Shkenca është një shërbëtore e fesë dhe përkrahëse e saj”.

 

Si të këshillohet një ateist?

Një teleshikues nga Amerika: ”Një kolegu im është ateist, megjithatë e dëgjoj shpesh herë të thotë:”La haule ve la kuvvete il-la bil-lahil alijjil adhijm”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Duket qartë që një njeri i tillë është rritur dhe edukuar në një amjent islam. Tani, ai jeton në një ambjent jo musliman dhe jobesimtar, nga i cili merr dhe ndikohet. Ateizmi i tij, është një fakt dhe argument që ai është prekur dhe ndikuar nga ambjenti. Këshillat më të mira, që mund t’i ofrohen një njeriu të tillë, kanë të bëjnë me jetën mbi botën tjetër dhe vdekjen. Këto këshilla mund t’i ofrohen në formën e një libri, kasete, një vizite në xhami apo takimi me një të ditur kompetent”.

Mrekullitë shkencore të Kuranit, përballë një ateisti

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Do të dëshironim të na tregonit dhe rrëfenit një debat mes jush dhe një ateisti rreth mrekullive shkencore në Kuran”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Mrekullia e kohëve moderne është pikërisht fusha e shkencës, fushë në të cilën Kurani famëlartë ofron shumë informacion të dobishëm. Vetë Zoti i Madhëruar thotë: ”Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në hapësirat tokësore e qiellore, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta”. (Fussilet: 53)

Në një konferencë ndërkombëtare, e cila u mbajt në Demmam të Arabisë Saudite, unë isha përgjegjës i sesionit të mrekullive shkencore në Kuran. Kur sesioni ynë filloi punimet, erdhi një nga shkencëtarët më të njohur në Amerikë (Marshal Xhonson) dhe na tha: ”Çfarë detyre ka ky komision?”

Ne iu përgjigjëm: ”Detyra jonë është të kërkojmë mbi mrekullitë shkencore që ndodhen në Kuran dhe në traditën profetike”.

Ai na pyeti: ”Dhe çfarë do të thotë kjo?”

Ne iu përgjigjëm: ”Në Kuran, janë përmendur gjëra dhe fakte që para 1.400 vitesh, fakte të cilat vetëm në ditët e sonte janë zbuluar. Një fushë ku janë shënuar zbulime, të cilat kanë të bëjnë me Kuranin, është dhe në fushën e mjekësisë. Unë i përmenda një rast, të cilin ai e njihte shumë mirë.

Europa me doktorët e saj gjatë shekullit të shtatëmbëdhjetë (para se të shpikej mikroskopi) theksonte, se njeriu formohej i plotë që nga koka deri tek këmbët, që në spermatozoid. Madje, ata e kishin pikturuar sipas imagjinatës së tyre embrionin në spermatozoid. Kjo hipotezë vazhdoi të pranohej si e vërtetë përgjatë gjithë shekullit të shtatëmbëdhjetë.  Në shekullin e tetëmbëdhjetë, kur u zbulua vezorja e gruas, ata pohuan se njeriu nuk ishte tërësisht i krijuar që në spermatozoid, por krijohej si krijesë e plotë humane, në vezore. Sërish e pikturuan njeriun në formën e tij të plotë që me ngjizjen e spermatozoidit me vezoren, gjë e cila gjendet në të gjithë librat e mjekësisë së asaj kohe. Vetëm në mesin e shekullit të nëntëmbëdhjetë, shkencëtarët europianë zbuluan dhe u siguruan, se nuk ka krijesë njerëzore të plotë. Gjithçka arrihej në etapa dhe faza të ndryshme, derisa të arrihej në një formë përfundimtare. Embrioni fillon si një qelizë, më pas shtohen shumë qeliza, fillon merr një formë të caktuar, kalon nga një formë në tjetrën, derisa të marrë formën e plotë të një njeriu.

Atëherë i thashë shkencëtarit Marshall Xhonson: ”U deshën dy shekuj e gjysëm lodhje dhe kërkime, që të arrinit në përfundimin, të cilin Kurani famëlartë e përmend që para njëmijë e katërqind vitesh.

Zoti thotë në Kuran: ”Ç’është kështu me ju, që nuk e madhëroni Allahun siç duhet (duke e pasur frikë), ndërkohë që Ai ju ka krijuar në etapa (etapat e embrionit)?” (Nuh: 13-14)

“Ai ju krijon në barqet e nënave tuaja, fazë pas faze në një errësirë të trefishtë.” (Zumer: 6)

“Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej palcës së baltës, e pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin)”. (Muminun: 12-14)

Këto ajete e befasuan shkencëtarin amerikan, i cili shtoi: ”Unë kam vetëm tre komente për këtë që sapo dëgjova”.

Unë e pyeta: ”Cili është komenti juaj mbi këtë?”

Ai tha: ”Muhamedi, mund t’i ketë thënë rastësisht faktet e lartpërmendura”.

Unë i thashë: ”Ne kemi njëzet e pesë tekste të ndryshme nga Kurani dhe nga thëniet e Profetit a.s. Të gjithë këto tekste flasin mbi fazat dhe etapat e krijimit të embrionit, duke përmendur emrin e çdo etape. Si është e mundur që t’i përmendë Muhamedi a.s të gjithë këto etapa rastësisht?! Si mund të thuhen rastësisht të gjithë emrat e etapave dhe të zbulohen si të vërteta pas njëmijë e katërqind vitesh?!”

Shkencëtari amerikan tha: ”Atëherë Muhamedi i ka thënë qëllimisht faktet e lartpërmendura. Por duhet të ketë pasur një mikroskop të madh dhe të fuqishëm”.

Ne i thamë: ”Të kesh një mikroskop të tillë, do të thotë që pas teje të qëndrojë një industri e tërë. Kjo do të thotë që ti posedon fabrika qelqi për prodhimin e lenteve të fuqishme. Si mund të ndodhë diçka e tillë në shkretëtirën e para njëmijë e katërqind viteve?!”

Më pas unë i thashë: ”Do të të tregoj diçka tjetër… Kurani ka konfirmuar fakte në fazën e spermës, të cilat janë zbuluar vetëm pas vitit 1945”.

Ai pyeti: ”Për shembull?”

Unë iu përgjigja: ”Shembulli më i mirë është, kur zbuluat kromozomet. Ju gjetët se me formimin e qelizës së parë nga burri dhe  gruaja gjatë shtatzanisë, ajo mban të gjithë informacionin gjenetik. Informacioni gjenetik përbëhet nga gjene, të cilat mund të shihen vetëm me mikroskopë gjigandë. Janë këto gjene ato që kontrollojnë jetën e embrionit. Ky është një fakt i përmendur në Kuranin famëlartë. Kurani pohon që njeriu formohet nga ngjizja e spermatozoidit me vezoren. Më pas, atij i caktohen cilësitë, që do të trashëgojë nga e ëma dhe ato që do të trashëgojë nga babai.

Zoti thotë në Kuran: ”Mallkuar qoftë njeriu! Sa mosmirënjohës që është ai! Prej çfarë gjëje e krijon Allahu atë? Prej pikës së farës e krijon dhe e përcaktoi…” (Abese: 17-21)

Pra, e krijoi nga sperma dhe e përcakton informacionin e tij gjenetik dhe nëse do të jetë mashkull apo femër. Tani ne e dimë që nëse mbajtësi i kromozomit është me shkronjën Y, foshnja është mashkull dhe nëse mban shkronjën X është femër. Kjo është zbuluar vetëm pas vitit 1945. Ndërkohë që Kurani famëlartë e ka përmendur një fakt të tillë që para mijëra vitesh. Zoti i Madhëruar thotë në Kuran: “Ai krijon çiftet, mashkull e femër, prej një pike fare kur derdhet.”(Nexhm: 45-46)

Marshall Xhonson ndërhyri dhe shtoi: ” Atëherë nuk mbetet veçse një koment i vetëm, që Muhamedi është vërtet i dërguari i Zotit”.

 

Dërgimi i studentëve për t’u arsimuar në Perëndim

 

Një teleshikues nga Amerika: ”Si mund  të ruhem nga idetë ateiste, ndërkohë që unë banoj dhe punoj në perëndim? Çfarë më këshillon të veproj o dijetar i nderuar?”

Abdul Mexhid Zendani: ”Gjëja e parë është, që të arsimohesh dhe të mësosh realitetin e ekzistencës së Zotit. Shkenca dhe dija në udhëzon drejt njohjes së realitetit dhe të vërtetës, duke hedhur poshtë çdo dyshim. Vetë Zoti në Kuran thotë: ”Dije se nuk ka zot tjetër përveç Allahut”.

E dyta, të këshilloj të shoqërohesh me shokë dhe miq të ndershëm. Gjithmonë kujto fjalët e Zotit në Kuran, ku thotë: ”Atë Ditë keqbërësi do të hajë gishtat e duarve të veta, duke thënë: “Ah, sikur ta kisha marrë rrugën (e drejtë) me të Dërguarin! Ah, sikur të mos e kisha bërë filanin mik! Ai më ka larguar nga Këshilla (Kurani) që më kishte ardhur!” (Furkan: 27-29)

Sa për informacion, unë kam pregatitur një kasetë vidioje me titull “Ai është i vërtetë”. Kjo kasetë përmban katërmbëdhjetë debate dhe dialogje me profesorë të nderuar nga e gjithë bota, rreth mrekullive shkencore në Kuran dhe në traditën profetike. Nëse e gjen një kasetë të tillë, besoj se do të të ndihmojë shumë”.

Një teleshikuese nga Amerika: ”Gjatë studimeve të mia në fushën e filozofisë, kam hasur shumë vështirësi dhe probleme në çështjen e ekzistencës së një Krijuesi suprem. Një herë, mësuesi i filozofisë na ndau në dy grupe, ku një grup do të mbronte me argumente dhe fakte ekzistencën e Krijuesit, ndërkohë që grupi tjetër do të hidhte dyshime mbi ekzistencën e Krijuesit. Gjatë debatit u hodhën shumë dyshime mbi këtë temë”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Zoti thotë në Kuran: “Vallë, a mund të dyshohet në

Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?!” (Ibrahim: 10) Nëse i gjithë ky univers me krijesat e tij është prezent, kush e solli dhe kush e krijoi? Dikush mund të pyesë: “Nëse Zoti ka krijuar gjithësinë, po vetë Zotin kush e ka krijuar? Atij i themi: ”Cilësitë e Krijuesit janë tërësisht të ndryshme nga ato të krijesës. Cilësitë e marangozit, janë të ndryshme nga ato të derës që prodhoi. Nëse dera ka nevojë për një çelës, nuk themi dot që edhe marangozi ka nevojë për një çelës. Nëse cilësitë dhe tiparet e një prodhuesi janë të ndryshme nga ato të prodhimeve të tij, si mund t’a pranojmë barazinë e cilësive dhe tipareve të Krijuesit me krijesat e Tij?! Krijesat kanë nevojë për gjithçka, ndërkohë që Krijuesi nuk ka nevojë për asgjë. Nëse do të pranonim se Krijuesi dhe krijesat kanë nevoja dhe veç tyre nuk ekziston gjë tjetër në gjithësi, kush e krijoi gjithësinë atëherë? Mos është hiçi? Hiçi nuk krijon dhe nuk sjell në ekzistencë asgjë. Atëherë, përgjigja e vetme është Zoti i Madhëruar”.

 

Dëshmia e një burri është ekuivalente me dëshminë e dy grave

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Kameramani ynë doli në rrugë dhe pyeti disa kalimtarë: ”Përse mendoni se dëshmia e një burri është ekuivalente me dëshminë e dy grave?” Disa nga të intervistuarit përgjigjeshin: ”Me qëllim që njëra t’ia kujtojë tjetrës detajet e ndodhisë në rast harrese”. Disa të tjerë përgjigjeshin se gruaja mendon më shumë me ndjenja dhe jo me mendje”. Ne donim të dinim komentin tuaj dhe një përgjigje më të plotë rreth këtij fakti”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Shkencëtarët dhe studiuesit, kanë arritur t’a fotografojnë trurin e njeriut në çastet më kulminante të aktivitetit të tij. Një foto e tillë është botuar në revistën Time në SH.B.A, me datë 31 gusht të vitit 1995. Në fotot e marra nga truri i gruas dhe i burrit duket, që kur një grua flet, vihen në funksion të kësaj dy qendra të trurit. Ndërkohë që tek burri vihet në funksion vetëm një qendër. Ky fakt, na sqaron shkakun përse gruaja zakonisht flet më shumë se burri.

Fotot, gjithashtu tregojnë, se kur flet burri, qendra e kujtesës vazhdon të jetë aktive, ndërkohë që tek gruaja vihet në funksion vetëm një pjesë e kujtesës së saj dhe jo e gjitha. Kjo bën që disa informacione që ndodhen në memorien e saj të harrohen ose të shpërfillen. Kështu, zgjidhja më e mirë është që në vend të një burri, në gjykatë kërkohen dy gra, njëra flet dhe tjetra dëgjon.

Ky është komenti i ajetit të Kuranit: ”Thirrni dy dëshmitarë prej njerëzve tuaj e, nëse nuk gjeni dy dëshmitarë burra, atëherë thirrni për dëshmitarë një burrë dhe dy gra, nga ata që i quani të përshtatshëm; në mënyrë që, nëse njëra grua harron, t’ia kujtojë tjetra”. (Bekare: 282)

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Dijetarët dhe juristët muslimanë theksojnë, se dëshmia e dy grave nuk është në të gjithë çështjet gjyqsore”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Po. Dëshmia e dy grave, kërkohet vetëm në çështje që kanë të bëjnë me natyrën e gruas, si menstruacionet, shtatzania etj…”

Miqësia dhe shoqërimi me një ateist

 

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Disa teleshikues, kanë dërguar fakse në redaksinë e emisionit dhe janë të interesuar nëse është e lejueshme të miqësohen dhe shoqërohen me ateistë”.

Abdul Mexhid Zendani: ”Kjo varet nga rrethanat dhe vetë personat. Kur muslimanët janë të dobët, bojkoti është i padobishëm. Kjo, pasi ti ke bojkotuar veten tënde. Prandaj Profeti a.s i duronte sjelljet dhe keqtrajtimet e jomuslimanëve. Madje, ai shkonte në takimet dhe kuvendet e tyre dhe i informonte me realitetin e Islamit. Ndërkohë që në raste fuqie, muslimanët mund të përdorin mjete të tilla si bojkoti dhe ndërprerja e marrëdhënieve me ta”.

Dyshime rreth shejtanit

 

Një teleshikues: ”Disa njerëz pretendojnë se shejtani e meriton t’i bindemi dhe adhurojmë më shumë se ç’e meriton Zoti i Madhëruar. Për këtë, këta njerëz sjellin dhe argumente, ku thonë se shejtani është më i fuqishëm se Zoti, pasi ai arriti t’a kundërshtojë urdhërin e Zotit dhe Ai nuk e ndëshkoi”.

Një argument tjetër është se vetë Ademi a.s iu bind shejtanit dhe jo Zotit. Gjithashtu, të gjithë atë që i binden dhe ndjekin urdhërat e Zotit, janë të varfër dhe të vobektë. Ndërkohë që ata që i binden shejtanit, janë të pasur dhe të shëndetshëm. Cili është komenti dhe përgjigja juaj kundër këtyre dyshimeve?”

Abdul Mexhid Zendani: ”E vërteta është se dyshime të tilla, janë tregues i çrregullimeve dhe pështjellimeve në mendjen e atyre që i besojnë. Po të shohim në argumentet e tyre, ato janë aq të paqëndrueshëm, saqë vetë ky shejtan dhe dexhall, e pranon që shejtani është një krijesë e Zotit. Kush është më i fuqishëm, krijesa apo Krijuesi? A nuk është dyshim i çuditshëm dhe i paqëndrueshëm?

Përsa i përket faktit që Zoti nuk e ekzekutoi dhe ndëshkoi, shkaku është se Zoti e deshi që të jetë si sprovë për njerëzit. Ne e falenderojmë Zotin që shumica e shoqërive muslimane, e refuzojnë adhurimin e shejtanit dhe i binden vetëm Zotit të madhëruar.

Kurse mbi faktin që ndjekësit e shejtanit janë të pasur, unë them që pasuria dhe pushteti burojnë nga vetë Zoti i Madhëruar. Krijesat nuk kanë asgjë në dorë në këtë drejtim.

Zoti thotë në Kuran: ”Ato ditë (fitoreje dhe humbjeje) Ne i ndërrojmë midis njerëzve, që Allahu t’i dallojë besimtarët dhe për t’i bërë disa nga ju dëshmorë”. (Al Imran: 140)

“Sikur banorët e atyre qyteteve të besonin dhe të ruheshin prej gjynaheve, Ne do t’u dërgonim bekime nga qielli dhe toka, por ata mohuan, prandaj i dënuam për atë që bënë”.(Araf: 96)

Kështu, është Zoti ai, që e shpërndan rizkun, pasurinë dhe fuqinë.

Prof. Xhasim El-Mutava: ”Në fund të kësaj teme, ne e falenderojmë dijetarin e njohur, Abdul Mexhid Zendanin për informacinin e dhënë dhe urojmë që të kemi dhe një takim tjetër me të në të ardhmen. Paqja e Zotit qoftë mbi ju!”

Categories

Archives