Friday, 20/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Nëse dëshiron të jesh prej atyre që u pranohet lutja


Nëse dëshiron të jesh prej atyre që u pranohet lutja


lutje dua

Bëhu i sinqertë në lutjen tënde drejtuar Allahut të Lartësuar dhe mos lut askënd përveç Tij, ngase duaja është adhurim (ibadet), madje ndër ibadetet më të rëndësishme dhe më të vlefshme, sepse Allahu i Lartësuar pranon vetëm atë që është e sinqertë për Të. Ai thotë:Dhe (mua më shpallet) se vërtet xhamitë janë veçantë për ta adhuruar Allahun, e mos adhuroni në to askënd tjetër meAllahun!” (Xhin, 18) 

Gjithashtu thotë: “Pra, adhurojeni Allahun me një adhurim të sinqertë ndaj Tij, edhe pse jobesimtarët e urrejnë atë (adhurimin).” (Gafir, 14) 

Ndërsa Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të, thotë: “Kur të kërkosh, kërko prej Allahut. Nëse kërkon ndihmë, kërko prej Allahut.”1 
Duro dhe mos nxito në përgjigje. Nëse durimi yt mbaron, atëherë ti do të jesh humbës, je sjellë keq me Allahun. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “I pranohet lutja (lutësit) përderisa nuk nxiton e thotë: “Luta, por nuk m’u pranua lutja.”2 
Gjithashtu, nga ai transmetohet se ka thënë: “I pranohet lutja (e lutësit) përderisa nuk lutet për ndonjë mëkat ose për ndërprerjen e lidhjeve familjare dhe përderisa nuk nxiton.” I është thënë: “O i Dërguar i Allahut, ç’është nxitimi?” Tha: “Të thotë: “Bëra lutje, bëra lutje dhe nuk shoh se më është pranuar.” Me këtë rast pikëllohet dhe e lë lutjen (duanë).”3 

Pendohu për të gjitha mëkatet dhe kthehu tek Ai, ngase shumicën e atyre që ankohen nga mospranimi i lutjeve e kanë kapluar mëkatet. Mëkatet janë pasojë e çdo fatkeqësie. Vëlla i dashur, shembulli i mëkatarit në lutjen e tij është si shembulli i njeriut i cili lufton me ndonjë mbret të kësaj bote për një kohë të gjatë dhe pastaj shkon dhe i kërkon mbretit ndonjë të mirë. Çfarë mendon për këtë njeri? A do të arrijë ta realizojë kërkesën e vet? Do ta realizojë vetëm nëse dashuria e njeriut për mbretin është e sinqertë dhe e çiltër.

Kujdesu që kafshata e gojës të jetë hallall (e lejuar). Mos e fut në barkun tënd haramin (të ndaluarën). Nëse njeriu stoliset me këto që thamë, atëherë do të vërejë gjurmët e pranimit të lutjeve të veta. I Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “O ju njerëz! Allahu është i mirë dhe nuk pranon veçse të mirën.” Ai i urdhëroi besimtarët sikurse i urdhëroi të Dërguarit dhe u tha: “(Ne u patëm thënë): “O ju të dërguar, hani atë që është e lejuar dhe e mirë dhe bëni vepra të mira se Unë e di atë që ju veproni.” (Muminun 51). Gjithashtu thotë: “O ju që besuat, hani nga të mirat që ua kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse jeni që vetëm Atë e adhuroni.” (Bekare, 172) 

Pastaj përmendi njeriun i cili ka udhëtuar gjatë me flokë të shpupuritura dhe të pluhurosura dhe që i shtriu duart e tij kah qielli (duke thënë): “O Krijues, o Krijues!”, kurse ushqimi i tij është haram, pija e tij haram, veshmbathja e tij haram dhe është ushqyer me haram. E, si do t’i pranohet lutja?!'” 
Sa’d bin ebi Vekasi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, është bërë i njohur në mesin e sahabëve për pranimin e lutjeve të tij. Kur bënte dua, lutja e tij ngrihej dhe nuk kthehej vetëm se me realizimin e asaj që kërkoi. Ai thotë: “Çdo kafshatë që kam futur në gojë e di nga ka ardhur dhe si ka dalë.” Pikërisht këtu qëndron fshehtësia e pranimit të lutjeve, pra, kafshata e lejuar.

Ki mendim të mirë për Allahun e Lartësuar. Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Luteni Allahun duke qenë të bindur në pranimin e lutjes. Vërtet Allahu nuk e pranon lutjen nga zemra e pakujdesshme.”4 
Vëlla i dashur, të jesh i bindur për pranimin e lutjes. Allahu pranoi lutjen e krijesës më të keqe, Iblisit, i cili është më i keq se ti.
Mos e tepro në lutjen tënde. Teprimi këtu ka për qëllim çdo lutje që është në kundërshtim me urtësinë e Allahut Fuqiplotë, në kundërshtim me ligjin dhe urdhrin e Tij, ose përmban në vetvete të kundërtën e asaj që ka lajmëruar Ai. Allahu thotë: “Luteni Zotin tuaj të përulur e në heshtje, pse Ai nuk i do ata që e teprojnë.” (Araf, 55) 
Mos iu lut Allahut për atë që nuk të përket ty, si diçka nga pozitat e të Dërguarve, mos e tepro në lutje duke përmendur çdo hollësi të panevojshme, ose duke kërkuar atë që nuk të lejohet të kërkosh, për shembull diçka nga haramet (të ndaluarat), ose ta ngresh zërin gjatë lutjes e të ngjashme me këto.

Urdhëro për të mirë dhe ndalo nga e keqja. Hudhejfeja, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë se i Dërguari i Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, ose do të urdhëroni për të mirë e do të ndaloni nga e keqja, ose do të zbresë Allahu dënimin mbi ju. Kështu që do t’i luteni Atij, por nuk do t’ua pranojë lutjet.”5 
Filloje lutjen me falënderimin e Allahut,pastaj dërgo salavate e selame mbi të Dërguarin e Allahut, lavdërimi dhe shpëtimi i Allahut qofshin mbi të, e pastaj lutu për atë që ke nevojë. Kthehu në drejtim të kibles, zgjidh shprehjet më të mira e kuptimplota, por s’ka fjalë më kuptimplote dhe më të mira sesa ato që kanë ardhur në Kuran dhe në hadithin e vërtetë, ngase ato kanë më shumë bereqet dhe janë shprehje përmbledhëse.
Kërko momente dhe kohë të vlefshme. Këto janë mbrëmja e natës së Arafatit ndër netët e vitit, netët e muajit të Ramazanit ndër muajt e vitit, e sidomos dhjetë netët e fundit të tij, e veçanërisht nata e Kadrit, dita e xhuma ndër ditët e javës, fundi i natës, koha mes ezanit dhe ikametit, koha kur zbret shiu, etj.. 
Shfrytëzo momentin kur je në sexhde, pas namazit, në muajin e Ramazanit, etj.. 
Shfrytëzo rastet kur je në vështirësi,kur je në udhëtim, kur je i sëmurë, kur je i dëmtuar, etj..
Ngriji duart gjatë lutjes. Selmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, transmeton se i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu është i turpshëm, është fisnik. Atij i vjen turp që, kur një rob i Tij i ngre duart, t’ia kthejë atij të zbrazura.”6 

Paraprije lutjen nga ndonjë vepër e mirë, si namazi, agjërimi, sadakaja… A nuk e sheh vëlla se më tepër shpresohet në pranimin e duasë pas namazit, ngase është bërë pas një vepre të mirë. Prandaj, vëlla i dashur, provo të lutesh pas një pikë loti nga frika e Allahut Fuqiplotë, ose pas ndonjë pune që i ke mbaruar ndonjë vëllai, ose pas sadakasë që ke dhënë në errësirën e natës…
Lute Allahun me emrat e Tij të bukur. Ai thotë: “Allahu ka emrat më të mirë, andaj Atë thirreni me ata.” (Araf, 180)
Fillo me lutjen për veten tënde, pastaj për prindërit e tu e pastaj edhe për vëllezërit e tu muslimanë, për dijetarët e për burra të mirë e të ndershëm.
Në fund, vëlla i dashur, mos u dëshpëro nëse nuk sheh përgjigje, nëse lutja jote s’pranohet. Ndoshta të është përgjigjur Allahu duke të të larguar ndonjë sprovë dhe fatkeqësi për të cilën ti s’ke njohuri, ose nuk të është përgjigjur, duke e ditur se ajo që ke kërkuar s’është e mirë për ty; pasuria që ke kërkuar ndoshta do të bënte që ti të prisheshe e të largoheshe nga Allahu, ose ke kërkuar djalë e Allahu e ka ditur që ai, kur të rritet, nuk do të të respektojë, ose ke kërkuar ndonjë punë, por ajo punë të hap rrugët e haramit (së ndaluarës). “Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju.” (Bekare, 216). Ndoshta nuk të është përgjigjur ngase ti ke futur haram në riskun tënd, ose sepse Ai dëshiron të shohë këmbënguljen tënde gjatë lutjes në fundin e natës. Allahu di më së miri!

1 Shënon Ahmedi 1/293, Tirmidhiu 2511. 
2 Shënon Buhariu 6340, Muslimi 2735. 
3 Shënon Muslimi 2735. 
4 Shënon Tirmidhiu 3479.
5 Shënon Tirmidhi 2169. Ahmedi 2885.
6 Albani e cilëson si sahih në Sahihul Xhami 1757.

image_pdf
Një shkrim tjetër i dobishëm  Rregullat lidhur me ëndrrat e këqija
Tags:

Categories

Archives