Friday, 15/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Në gjurmët e mirësisë!

Në gjurmët e mirësisë!
Në gjurmët e mirësisë!
Autor: Agron Islami
Në librin e tij Virtytet e Imam Ahmedit Ibn Xheuziu ka përmendur një ngjarje që meriton vëmendje. Ngjarje që në vetvete për çdonjërin prej neve ka urtësi dhe këshilla për jetën. Dijetarët e hershëm tek njerëzit kanë qenë të njohur me anë të librave, emrave, shkrimeve dhe dijeve që kanë pasur. Por jo me atë të fizionomive. Pasi atëbotë nuk pati fotoaparat, internet, televizorë. Prandaj, ndofta ndonjërin prej tyre ke mundur ta takosh në rrugë, në xhami të falur afër teje, në një fushë a në një kopësht dhe nuk e ke ditur se është vërtet dijetari. Njëri prej tyre ka qenë edhe dijetari i famshëm i shkencave akademike islame Ahmed Ibn Hanbeli (Zoti e mëshiroftë). Një ditë prej ditëve të jetës së tij Imam Ahmed Ibn Hanbeli udhëtoi në një qytet larg nga qyteti i tij. Posa mbërriti atje, e zuri nata. Pa aty afër një xhami të vogël. Hyri në të, fali namazin e akshamit dhe mbështeti kokën që të bënte një sy gjumë. Porsa u shtri roja e xhamisë iu afrua dhe i tha:
– “O njeri? Ngrihu! Ngrihu dhe dil nga xhamia!”
Çdo t’i kushtonte rojes së xhamisë që ta pyeste këtë njeri të huaj: “O njeri? Përse jeni shtrirë? Keni ndofta ndonjë hall? Mos jeni i sëmurë? Kush jeni dhe nga jeni?” Jo. Ai asnjërën prej këtyre pyetjeve nuk ia bëri, por thjesht: e urdhëroi që të ngrihej.
– “O njeri, unë jam udhëtar, pastaj, jam edhe plak i shtyrë në moshë.” – iu përgjigj imami. Por nuk i tregoi se kush është. Po t’i tregonte, ai do ta kishte dëgjuar.
– Më fal! Por fjetja brenda xhamisë është e ndaluar. Ngrihu dhe dil!
Imam Ahmedi, dijetari i madh, plaku i urtë dhe mendari i thellë, u çua, eci pak dhe u ulë në pragun e derës së jashtme të xhamisë. Roja mbylli dyert dhe morri rrugën për në shtëpi, por Imamin e pa të mbështetur në pragun e derës. Tundi kokën dhe iu drejtua:
– O njeri? Ngrihu!
– Po unë jam në prag të derës, çke?
– Edhe në pragun e derës është e ndaluar të biesh. Ngrihu!
Imami u çua dhe u struk në një cep të rrugës. Ky dijetar i madh, emërnjohur, ata që e njihnin ia puthnin kokën dhe duart nga dashuria dhe respekti, ndërsa roja e xhamisë është duke e dëbuar nga xhamia dhe duke e penguar nga pushimi. Ah! Po ç’ngushëllim kërkon njeriu i cili lufton diçka që nuk e njeh në të vërtetë. Imami sa modest, sa i rëndomt ndjehej. Ndjehej në këtë botë, sikur një kalimtar, që pushon nën një pemë dhe vazhdon rrugën. Prandaj dhe nuk ia ktheu rojes: Ore? E dini ju se kush jam unë? Largoje dorën dhe mos më prekni! S’kishte vetëmadhërim! Imami u shtri në cepin e rrugës. Në cep. Një sy gjumë për të, ishte ura për ta ndihmuar që të kalonte për ta përmbushur synimin e tij. Ashtu siç kjo botë. Ai dhe ne, kemi ardhur për të kaluar në të, e jo për të mbetur përjetësisht. Synimi, është atdheu ynë!
Aty afër kishte një furrë buke. Njeriu doli nga dyqani dhe dijetarit iu drejtua, por nuk e njihte as ai se kush ishte:
– Ej! O plak? Eja, eja! Eja mbështetu këtu në dyqanin tim dhe flej deri në mëngjes.
Një njeri fetar dhe i edukuar me mësimet qiellore, të depërtueshme në palcën e zemrës, nuk i takonte, me siguri, që ta linte një plak në cep të rrugës dhe t’i ndodhte diçka, në sytë e tij. Por i bën nder, sepse Profeti i mëshirës e mësoi me: “Nuk është prej nesh, ai që nuk e nderon plakun!”
Imami kapi çantën e tij, shtriu pallton dhe u mbështet brenda. Ndërsa bukëpjekësi ndërsa po zinte brumin dhe piqte bukën, pa ndaluar asnjë çast, bënte dhikr Subhanallah, (I pa të meta është Allahu) La ilahe ilAllah (S’ka zot pos Allahut), Estegfirullah (I kërkoj ndjesë Allahut).
Njeriu ka mundësi që gjatë një veprimi, ibadeti e dhikri të lodhet, të ngopet dhe të pushojë. Por bukëpjekësi nuk stoponte asnjë minut. Imami si që ishte vetë dashuronjës i dhikrit, i Kuranit dhe ibadetit, i bëri përshtypje bukëpjekësi dhe i ndikoi fort në zemër aq sa e pyeti:
– Usta! Qe sa kohë ke që vepron kështu në raport me dhikrin?
– Oh! Që prej vitesh.
– Nuk ndjen lodhje?
– Fare. E kam shndërruar në zakon.
– Më thuaj, të lutem, për frytet e këtij dhikri kaq të madh?
– Nuk ka ndodhur njëherë të vetme që ta kem lutur Allahun për ndonjë gjë dhe Ai të mos ma jipte atë. Vetëm një lutje nuk më ka pranuar akoma dhe unë vazhdoj ta pres pranimin e saj.
– E cila është ajo?! – e pyeti Imam Ahmedi.
– Ta takoj dhe ta shoh me sytë e mi dijetarin e madh Ahmed Ibn Hanbelin – iu përgjigj.
Imam Ahmedi u habit dhe iu drejtua:
– Zot, O Zot! Qe! Ja ku të ka ardhur Imam Ahmedi. Më paska zvarritur Allahu deri tek ti!
Dhikri, nuk duhet të mungojë, të paktën, disa minuta në ditë, në gojën e besimdrejtit. Duke e përmendur Emrin më të madh që përbëhet nga më të bukurat shkronja. Sepse ky Emër, ia bekon jetën dhe ia ndriçon shpirtin. Ndërsa njeriu që dëshiron diçka, vërtetë, i bën përshtypje ta ndjek atë në çdo detaj, edhe nëse gjumin e ka në qerpik dhe lodhjen mbi shpinë. Sikur Mexhnuni që puthi qenin vetëmpse ecte në lagjen e Lejlasë. Ndaj, imamit iu pre gjumi, nga interesimi dashurues për shpirtëroren e furrtarit. Ndaj e pyeti: “Qe sa kohë ke që vepron kështu në raport me dhikrin?” Kishte interes!
Pastaj Imam Ahmedi e pyeti “a ndjeni lodhje?” ishte normale ta pyeste kështu. Ngase njeriu është qenie energjike dhe fizike. Lodhet, plogështohet, përgjumet. Dikush më herët, dikush më vonë, varësisht shëndetit, moshës dhe karakterit. Lodhja ndodh kurdo dhe në çfarëdo. Ndaj ajo, s’është turp. Por gjë normale! Ndaj Zoti i Lartësuar udhëzoi në Kuranin Fisnik: “Jini të devotshëm, sa të mundeni!” (Tegabun, 16)
“Jo” – i tha furrtari. “E kam shndërruar në zakon.”
Zakoni! Zakoni është ai që na bën në jetë të lumtur ose të përvuajtshëm. Të suksesshëm ose dështakë. Zakoni i mendimeve, zakoni i veprimeve, zakoni i planeve, sjelljeve, skicimeve. Zakoni i bukur, e bën jetën të bukur. Lum ai që ka ndërtuar në kokën e tij zakone madhështore. Jeta dhe fati ynë, varet nga zakoni. Njëri nga shokët e Profetit Muhamed a.s. i tha një ditë atij se e donte shumë kaptinën e fundit të Kuranit, kaptinën Ihlas. Ai e recitonte atë në çdo rekat dhe e lexonte pareshtur në çastet e tjera për ta qetësuar zemrën dhe freskuar shpirtin. Muhamedi a.s. e di çfarë i tha? I tha kështu: “Dashuria jote për të, të ka futur në Xhenet.” Sepse Profeti i bekuar pati thënë: “Vepra më e dashur tek Allahu është e vazhdueshmja. Po qoftë edhe ngapak” e kishte kthyer në zakon, duke e implementuar këtë dashuri të tijën. Sa bukur! Të prishim zakonet e këqija, t’i japim jetës krejtësisht një kahje të ndryshme dhe të larmishme dhe në vend të tyre të themelojmë zakone të bukura, që e përndritin shpirtin dhe mendjen tonë.
Dhikri? Nuk ka një njeri që ka brenga, borxhe, varfëri, zbrazëti dhe dhimbje, dhe ta përmend me përmendjet lavd-madhëruese Allahun e Madhërishëm nga një mijë e dymijë herë në ditë, dhe të mos ndjej se si rrezet gjallëruese depërtojnë në zemrën e tij dhe e ngrohin atë. Nuk ka!
“Ata të cilët besuan u qetësohen zemrat me të përmendur Allahun. E vërtet me të përmendurit Allahun qetësohen zemrat”. (er-Ra’d, 28)
Ai poashtu, kërkonte falje për mëkatet e tij të jetës. Po, e vërtetë është se kur shfaqet planifikimi, përpjekja e djersa, dhe nuk vjen suksesi, nuk realizohet ëndrra, është mëkati, ai që vë pengesë mes teje dhe atij. Në librin e tij Gjuetia e meditimeve filosofi monoteist Ibn Xheuziu ka shkruar kështu: “I mençuri duhet që të mbrohet nga mëkatet. Sepse zjarri i tyre, fshihet nën hi. Mund të vonohet qortimi. Po mund edhe të ngutet.”
Prof. dr. Ali Mensur Kayali shton dhe thotë:
“Istigfari është shpëtues nga të gjitha llojet e dënimeve qiellore. Trupore, mendore dhe shoqërore. Me istigfar, hapen të gjitha dyert e mirësisë për njeriun dhe hapen të gjitha bekimet. Istigfari shton fuqinë mbi fuqinë. Ngase mëkati pezullon vetëdijen dhe e vret frymëzimin. Ndaj istigfarin e konsideroj sekretin e sekreteve të globit tonë!”
Ibn Tejmija e pohoi këtë fakt duke thënë: “Kur më mbyllet një çështje, bëj istigfar njëmijë herë, më pak ose më shumë, dhe më pas ajo më zgjidhet”.
“Kërkoni falje Zotit tuaj, se Ai vërtet fal shumë. Ai ju lëshon nga qielli shi me bollëk, ju shumon pasurinë dhe fëmijët, ju bën të keni kopshte dhe ju jep lumenj. Ç’është me ju që Allahut nuk i shprehni madhërinë që meriton?” (Nuh; 10, 12)
Furrtari kishte patur dëshirë të flaktë për ta takuar Imam Ahmedin. Ca ateistë kanë thënë se kur njeriu e dëshiron një gjë fortë, është dikush që e vë në shërbim Universin që të realizohet ajo dëshirë. Ndërsa ne themi, sepse besojmë, Allahu – Zoti ynë, i afron rrethanat dhe i pjekë ato, për ta realizuar dëshirën tonë të brendshme që e përvëlon atë. Dëshira jonë e madhe dhe e flaktë për diçka, është lutja e heshtur, që Zoti Mëshirëplotë e dëgjon, e realizon, edhe nëse, pak vonon. Vetëm nëse dëshirojmë diçka fuqishëm, me plot ashk dhe dashuri, ne atë do të arrijmë dhe fitojmë. Të urosh dhe të dëshirosh diçka dallon. Më thuaj, sa e dashuron ëndrrën tënde, dhe sa herë e kujton në ditë, që të të tregoj, se sa je afër për ta realizuar atë.

Categories

Archives