Wednesday, 17/10/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Muhamedi a.s., vula e Profetëve



Muhamedi a.s., vula e Profetëve

Muhamedi a.s., vula e Profetëve

Muhamedi është i dërguari i fundit në vargun e Profetëve. Ai është vula e të gjithë Profetëve. Me fjalën vulë kuptojmë se me të Allahu vulosi dhe përmbylli përfundimisht dekretet dhe shpalljet hyjnore si dhe vargun e gjatë të të gjithë Profetëve të Zotit. Pas tij s’ka më Profet tjetër deri në Ditën e Gjykimit. Muhamedi (alejhissalatu uesselam) ishte i biri i Abdullahit dhe Aminesë; ata rridhnin nga fisi i madh i Kurejshëve. Ai i përkiste barkut Benu hashim që ishte më i miri mes barqeve të Kurejshëve. Ndërsa fisi Kurejsh ishte më i përzgjedhuri dhe më i njohuri mes të gjithë fiseve të tjera arabe.

Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam) ishte pajisur me virtytet më të larta, me sjelljet më të mira dhe me moralin më të bukur. Allahu në Kuran thotë: “Vërtet ti (o Muhamed) je në një shkallë të lartë të moralit”. el Kalem, 4.

Historia nuk njeh ndonjë personalitet qe mund t’i afrohet Profetit Muhamed(alejhissalatu uesselam) në thjeshtësinë, butësinë, mëshirën dhe bujarinë e tij. Ai është njeriu që, me karakterin e tij të fortë, duroi fatkeqësitë më të mëdha me një qetësi vërtet të mahnitshme. Kush ishte më i drejtë se ai në gjykim? Kush ishte më i devotshëm se ai në adhurim? Kush ishte më i urtë se ai në arsyetim?Kush ishte më bujar se ai për të vobektit?

Kush ishte më fisnik se ai në trajtimin e armiqve më të egër. Ai është njeriu i vetëm në botë për të cilin historia flet me imtësi mbi çdo detaj të jetës së tij. Librat autentikë ku janë transmetuar e shënuar fjalët dhe veprat e të dërguarit të Allahut, Muhamedit (alejhissalatu uesselam), na tregojnë me qartësi dhe imtësi çdo gjë të jetës së tij. Aty është përshkruar me besnikëri, si ngrihej, ulej, mbështetej e flinte, si qeshte e buzëqeshte, si hante dhe pinte, si vishej e zhvishej, si lahej e pastrohej, si falej dhe e kujtonte Allahun, si fliste dhe komunikonte, si hynte e dilte, si ecte dhe udhëtonte, si sillej e luftonte, madje deri te gjërat e imta bashkëshortore. A ka njeri në botë ta ketë jetën e tij kaq të ekspozuar duke qenë i njëjtë me njerëzit brenda dhe jashtë shtëpisë? Jo më kot Allahu e zgjodhi këtë njeri si Profet të fundit dhe e bëri më të dashurin nga Profetët e tjerë.

Një nga shenjat e vërtetësisë së Pejgamberit të fundit, Muhammedit (alejhissalatu uesselam) është se ai jetoi dhe vuajti ashtu siç jetuan dhe vuajtën Profetët e tjerë. Atë e kanë tallur dhe përqeshur, e kanë përgënjeshtruar, i kanë sjellë mundime nga më të ndryshmet dhe e kanë persekutuar.

Allahu në Kuran thotë: “Edhe para teje janë përgënjeshtruar Profetë të tjerë dhe duruan përgënjeshtrimet, u torturuan derisa u erdhi ndihma Jonë.” el En’am, 34. Në një verset tjetër kuranor Ai thotë: “Të dërguarit e tjerë para teje janë përqeshur, e ata që përqeshën pësuan (dënim) për shkak se u tallën.” el-En’am, 10. Mundime nga më të ndryshmet, Pejgamberi (alejhissalatu uesselam) ka përjetuar edhe pas hixhretit (emigrimit në medinë).

Uria, sëmundjet, komplotet kundër tij deri në atentatet për eliminim fizik, luftërat e njëpasnjëshme, prania dhe kërcënimi i armiqve brenda dhe jashtë medinës, bënë që ai të mos jetonte aspak një jetë të qetë. Megjithatë, Profeti Muhamed (alejhissalatu uesselam), me vullnetin e tij të hekurt dhe energjitë e tij të pashtershme, mundohej më shumë se çdo tjetër t’u sillte dobi njerëzve edhe në vlera materiale. Gjithnjë përpiqej me sa të kishte mundësi t’u largonte njerëzve urinë, t’u shlyente atyre borxhet, t’i mbante afër njerëzit e mjerë e të pafuqishëm, të ushqente të vobektët, të kujdesej për jetimët, t’u jepte lëmoshë nevojtarëve, të çlironte njerëzit nga brengat dhe hallet e kësaj bote, të vizitonte të sëmurët, të merrej me ceremonitë martesore, mortore etj. Në të njëjtën kohë ishte shembull i gjallë për njerëzit e familjes së tij, me kujdesin që tregonte ndaj tyre. Ku e gjente ai këtë forcë? Nga i merrte gjithë këto energji, si mundte ta planifikonte kohën e ngushtë që t’i përkushtohej Allahut me adhurim, njerëzve me ndihmë, të edukonte myslimanët me moral e arsim dhe të mbante në këmbë, në gjendje paqeje dhe lufte, shtetin e sapoformuar islam dhe administratën e tij!?





Nëse nuk do të ishte ndihma e Allahut dhe shpallja e Tij hyjnore, Muhamedi (alejhissalatu uesselam) nuk do të mund të bënte as gjysmën e këtyre veprave. Suksesi dhe reformat e gjëra shpirtërore dhe sociale që bëri Muhamedi (alejhissalatu uesselam) për një kohë tepër të shkurtër, tregojnë qartë për ndihmën e Allahut dhe vërtetësinë e Profetësisë së tij.

Profeti Muhammed (alejhissalatu uesselam) konsiderohet më i suksesshmi nga të gjithë Profetët e tjerë në aspektin fetar, organizativ, shoqëror, social dhe politik. Kush tjetër, përveç tij, do të mund të bënte për një kohë të shkurtër reforma aq të thella duke zhdukur idhujtarinë dhe besëtytnitë e kota, bixhozin, pijet alkoolike, prostitucionin, padrejtësitë e të tjera sëmundje shkatërruese për shoqërinë!? Ai ishte njeriu i cili nuk jetoi në pallate, nuk kishte truproja e as ushtri moderne, nuk kishte burime të mëdha ekonomike, megjithatë arriti t’i bashkojë fiset arabe dhe beduinët endacakë në një fjalë të vetme: “La ilahe il-lAll-llah.” me këtë fjalë arriti t’i bashkojë ata në një komb të fuqishëm e hijerëndë, nga i cili do të frikësoheshin perandoritë e mëdha.

Ai ishte njeriu i cili arriti, nëpërmjet fjalës së teuhdit dhe porosive të tij, të bashkojë popujt e racat e ndryshme në një popull të vetëm, i cili quhet: Umeti i Muhamedit. Pas Allahut, besimtari duhet ta dojë Profetin Muhamed më shumë se gjithçka tjetër, më shumë se veten dhe familjen e tij; duhet të ndjekë rrugën e tij dhe të ringjallë sunetin (traditën) e tij kudo që të jetë.

Myslimani asnjëherë nuk do ta plotësojë besimin e tij, nëse nuk e do Profetin Muhamed (alejhissalatu uesselam) më shumë se gjithçka tjetër, përveç Allahut.

Mustafa Terniqi