Wednesday, 20/6/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mrekullia e hekurit në Kuran

Mrekullia e hekurit në Kuran

Në Kuranin famëlartë Zoti xh.sh. na tregon për shumë mrekulli shkencore. Njëra nga këto është edhe mrekullia e hekurit, e ne këtu jemi munduar ta paraqesim këtë mrekulli duke krahasuar aspektin shkencor të hekurit me ajetet kuranore.

Mrekullia e hekurit

Ajeti i mëposhtëm kuranor paraqet dy fakte shkencore dhe të paimagjinueshme për kohën e zbritjes së tij.
Fakti i parë ka të bëjë me origjinën e hekurit, e që vetëm në shekullin e XX-të është zbuluar nga shkencëtaret se ai është formuar jashtë sistemit diellor.
Fakti i dytë ka të bëjë me dobinë që njerëzit mund të përfitojnë nga përpunimi i hekurit. Për këtë Zoti xh. sh. në Kuran thotë: “…Ne e kemi zbritur edhe hekurin, që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëzit…” (El Hadid, 25)

Origjina e hekurit

Fjala” enzelna”, e përkthyer si “zbritur”, dhe e përdorur në ajet për hekurin, mund të mendohet se ka një kuptim metaforik për të shpjeguar se hekuri është dhënë që njerëzimi të përfitojë. Por, kur marrim parasysh kuptimin e drejtpërdrejtë të fjalës, që është, “zbritje fizike nga qielli”, si në rastin e shiut apo rrezeve të diellit, ne kuptojmë se ky ajet përfshin një mrekulli shkencore shumë të rëndësishme. Kjo, sepse gjetjet moderne astronomike kanë zbuluar se hekuri që gjendet në botën tonë ka ardhur nga yjet gjigante
të hapësirës kozmike.(1)
Sipas studimeve astronomike është zbuluar se minerali i hekurit (Fe) ka origjinë nga jashtë sistemi diellor, për arsye se sistemi ynë diellor nuk ka pasur kushte për formimin e hekurit. Sipas këtyre studimeve, minerali i hekurit mund të prodhohet vetëm në yje shumë më të mëdhenj se Dielli, ku temperatura arrin në disa qindra miliona gradë celsius. Nëse e shikojmë temperaturën e diellit, shohim se temperatura e tij në sipërfaqe është 6.000 oC, kurse në bërthamën e tij temperatura arrin në mbi 15 milion oC.(2)
Shkencëtarët mendojnë se hekuri që ndodhet në Tokë është formuar në ndonjë yll të madh, që i takon kategorisë së yjeve gjigantë. Yjet gjigantë, në fundin e jetës së tyre bëjnë një shpërthim të madh, të quajtur supernova, e mbetjet e tyre pas shpërthimit të madh shihen të shpërndara nëpër kozmos. Këto mbetje (meteorë), të cilët përmbajnë edhe hekur, janë tërhequr nga forca gravitacionale e planetëve, në rastin tonë Tokës, duke zbritur në aty,
e duke u futur deri në bërthamën e saj. Kjo ka ndodhur në kohën kur toka ishte planet pa atmosferë dhe në gjendje të zjarrtë, diku rreth 4.5 miliard vjet më parë.
Origjinën e hekurit shkencëtaret e argumentojnë edhe me ndërtimin e meteorëve, të cilët arrijnë të bien në Tokë dhe janë të përbërë nga nikeli dhe hekuri.(3)

Surja “El Hadid” në Kuran renditet e 57-ta. Vlera numerike e fjalës el hadid në gjuhen arabe ka kuptimin 57. Vlera numerike e fjalës së vetme hadid është 26. Siç mund të shihet nga tabela periodike, 26 është numri i atomit të hekurit.
Me ajetin e shpallur në suren El Hadid Allahu i Plotfuqishëm tregon se si është formuar hekuri, dhe me kodin matematikor që përmban ajeti Ai na zbulon një mrekulli shkencore.(4)

Dobia e hekurit

Metali i hekurit (Fe) ka fortësi dhe qëndrueshmëri shumë të madhe. Ky metal ka luajtur dhe vazhdon ta luajë një rendësi të madhe për jetën e njeriut, që nga krijimi i tij. Dobia e hekurit për jetën e njeriut është e gjerë, dhe shumëdimensionale. Ne do mundohemi që t’i përmendim vetëm disa nga këto dobi.

1. Hekuri i shkrirë, – i cili ndodhët në qendër të tokës, përkatësisht bërthamë, shërben si një dinamo gjigante i cili gjeneron fushën magnetike të tokës, nga e cila fushë formohen zonat e rrezatimit, të quajtura ‘Van Allen’,
e të cilat e mbrojnë sipërfaqen e tokës nga rrezatimet depërtuese kozmike me energji të lartë, si dhe e ruajnë shtresën e ozonit nga shkatërrimet e rrezeve kozmike.(5)
2. Që nga kohët e lashta njeriu ka prodhuar dhe vazhdon të prodhojë mjete të nevojshme në dobi të tij, si: vegla bujqësore, vegla për amvisëri, mjete ushtarake, si shpata parzmore etj., ndërsa në kohët e mëvonshme edhe mjete të rënda ushtarake të kohës moderne, pastaj mjete për ndërtimtari, industri të mjeteve motorike, energjetike, e shumë gjëra të tjera;
3. Metali i hekurit shërben për të zbutur reaktivitetin e oksigjenit, dhe si metabolizëm oksidues;
4. Pa atomin e hekurit nuk do të kishte as metal që do formonte hemoglobinën (në gjakun e njeriut);
5. Grimcat e oksidit të hekurit janë përdorur dhe vazhdojnë të përdorën në një trajtim të kancerit, duke dhenë rezultate pozitive.

Rreth përdorimit të hekurit Zoti xh.sh. na tregon edhe në një ajet tjetër kuranor, ku thotë: “Ne i patëm dhënë Davudit dhuratë të madhe nga ana jonë: “O male dhe shpezë, lartësoni (me tesbih) së bashku me të!” Ne ia zbutëm atij edhe hekurin (si brumë). (I thamë) Puno këmisha të plota (nga hekuri) dhe thuri me precizitet ato! Dhe bëni vepra të mira (o familje e Davudit), se Unë vëzhgoj atë që ju punoni!” (Sebe’ ë, 10-11)

Përfundim

Kurani ka shumë ajete që na tregojnë për veçoritë shkencore që vërtetojnë se Kurani është me të vërtetë libër i shenjtë. Prej shumë veçorive është fakti se një numër i konsiderueshëm i këtyre fakteve shkencore, edhe këtyre të përmendura më lart, njeriu i ka zbuluar vetëm me ndihmën e teknologjisë së shekullit XX, e të cilat janë shpallur në Kuran 1400 vjet më parë. Këto fakte shkencore në kohën e Muhamedit a.s. as që mund të perceptoheshin apo imagjinoheshin. Këto fakte shkencore e vërtetojnë edhe më tepër prejardhjen hyjnore të Kuranit.
Për këtë Zoti xh. sh. në Kuran thotë: “Është fakt se në krijimin e qiejve e të Tokës, në ndërrimin e natës e të ditës, të anijes që lundron në det e që u sjell dobi njerëzve, në atë shi që e lëshon Allahu prej së larti, e me të ngjall tokën pas vdekjes së saj, dhe në të përhap nga çdo lloj gjallese, në qarkullimin e erërave dhe reve të nënshtruara mes qiellit e Tokës, (në të gjitha këto) ka argumente për një popull që ka mend!” (El Bekare, 164)

___________________
(1) Kurani dhe shkenca (https.//www.scribd.com/doc/ll0932984/Kurani-dhe-Shkenca), shikuar më 25.12.2015.
(2) Koço Prifti, Pajtim Behjta, “Gjeologjia…”, f. 9.
(3) http//discovermagazine.com/2014/julyaug/13-journeys-to-the-center-of-the-earth, shikuar më 25.12.2015.
(4) Kurani dhe shkenca (https.//www.scribd.com/doc/110932984/Kurani-dhe-Shkenca), shikuar më 25.12.2015.
(5) httpr//discovermagazine. com/2014/julyaug/13-journeys-to-the-center-of-the-earth, shikuar më 25.12.2015

Ibrahim M. llijazi

Categories

Archives