Saturday, 18/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Motivet dhe urtëstitë e festës së Fitër Bajramit

Motivet dhe urtëstitë e festës së Fitër Bajramit

Sedat ISLAMI

Bismil-lahi’rr Rrahmani’rr Rrahim
Me emrin e Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit!

Falënderimet i takojnë Allahut, Fisnikut të Mëshirshëm, Mirësi-Dhuruesit të përhershëm, Atij që na ligjësoi fenë me rregulla dhe etikë!
E falënderojmë dhe i përulemi për dhuntitë me të cilat na veçoi nga krijesat dhe popujt: Kur’ani, libri ynë, është libri më i përsosur, Profeti ynë, Muhammedi, është zotëria i tërë njerëzimit dhe i dërguari për njerëz dhe xhinë, e feja jonë është përmbyllëse për çdo fe.
O Zot, të falënderoj me falënderim që askujt nuk i takon
Ty, Zoti im, që tërë njerëzimi prej Teje ndihmë kërkon
Dyert tjera para sysh na mbyllen
E dera jote e hapur përherë qëndron
Dëshmojmë me sinqeritetin më të madh se nuk ka meritor për adhurimin tonë përveç Teje; Ti je Një dhe i vetëm, nuk ke as paraardhës dhe as pasardhës kurse fjalët e politeistëve dhe pretendimet e jobesimtarëve janë vetëm shpifje!
Dëshmojmë se Muhammedi është rob dhe i dërguar prej Teje! Me të fisnikërove shpirtrat tanë, ndriçove rrugën tonë, udhëzove mendjet tona dhe lidhe shpirtrat tanë ndërmjet vete.
O Allah Fuqiplotë! Mëshiroje Muhammedin dhe lartësoje në Mekamin Mahmud, lartësoje atje që të ndërmjetësojë për ne!
Mëshiroje edhe familjen e tij të nderuar, shokët e tij besnikë dhe neve pasuesit e tij, gjer në amshim!
Vëllezër të nderuar!
Mirë se vini në ditën tuaj, në këtë celebrim të fitores dhe ngadhënjimit, në këtë treg mëshire dhe dhuntish!
Mirë se vini në ditën kur poshtërohet e keqja dhe ithtarët e saj.
Mirë se vini në ceremoninë e ndarjes së shpërblimeve, ku mysafir nderi kemi melekët e Allahut Mëshirues!
Uroj dhe lutem që asnjëri prej nesh të mos privohet sot nga mirësia e kësaj dite dhe falja e mëshira e Allahut të Madhëruar!
Të nderuar!
Festat janë të një rëndësie të veçantë për jetën e njerëzve dhe shoqërive. Ato, siç është thënë, “pasqyrojnë më së miri kulturën, humanitetin dhe respektin e ndërsjellë të një populli”. Ndaj ne sot do të mundohemi të zbulojmë disa nga karakteristikat më themelore të festave tona islame për të parë se sa madhështore janë ato, se në çka udhëtojnë dhe për çfarë na mësojnë.

I. Motivet e festimit

Motivet e celebrimit në Islam janë vërtetë për tu përshëndetur. Karakteristikë por edhe kriter i tyre është humanizmi. Ato nuk janë caktuar për të shënuar e përkujtuar data që tek të tjerët shënohen si ditë zie[2]. Përkundrazi, ato ndërlidhen me shënime nga mirësitë e të cilave nuk privohet askush. Festa, celebrimin e se cilës jemi mbledhur ta shënojmë sot këtu, vjen pas një muaji të tërë adhurimi dhe kontributi, pas një muaji sfidues për shpirtin, pas një stine lëmoshe derisa festa e Kurban Bajramit vjen pas ritit madhështor të Haxhit, ku njeriu edhe praktikisht zhvishet nga identitet e dunjase dhe mjafton vetëm me atë të vërtetin, origjinalin, atë të besimit dhe barazisë me të gjithë…Nga këtu:

1. Festat janë falënderim
Shquhen për këtë karakteristik ngase ndërlidhen me gjëra, meditimi i rezultateve por edhe i pasojave të të cilave patjetër se të bën të falënderosh Allahun për mirësinë e tyre.

a. Fitër Bajrami ndërlidhet me fillimin e shpalljes së Kur’anit
Fitër Bajrami ndërlidhet me fillimin e shpalljes së Kur’anit, mision i të cilit është të udhëzojë, të drejtojë, të shpëtojë..Të na nxjerrë nga errësira e jobesimit në horizontin e besimit. Allahu thotë:
(Ato ditë të numëruara janë) Muaji i Ramadanit që në te (filloi të) shpallet Kur’ani, që është udhërrëfyes për njerëz dhe sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i të vërtetës nga gënjeshtra). E kush e përjeton prej jush këtë muaj le të agjërojë, ndërsa kush është i sëmurë ose në udhëtim, le të agjërojë aq ditë nga ditët e mëvonshme. All-llahu me këtë dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju. (Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” el-Bekare, 185.
Pra , e falënderojmë Allahun ngase na udhëzoi!!!
Vëllezër!
Ju lutem, shumë sinqerisht, ndaluni dhe pyesni veten vetëm për një gjë: Sikur të isha jobesimtar si do të ishte puna ime? Cili do të ishte raporti me Allahun? A do të më donte Allahu? A do të isha i udhëzuar? A do të shpëtoja? A do të më bënte diç tjetër dobi nëse nuk jam musliman?
E tash, nëse do përgjigjet, dëgjoji fjalët e Allahut dhe të Resulullahit, alejhi’s selam! Atë njeri që nuk beson Allahu nuk e fal. Allahu thotë:
S’ka dyshim se All-llahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan All-llahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” en-Nisa, 48.
Një gjë të tillë e vërteton edhe profeti Muhammed, alejhi’s selam:
Kush vdes duke i peshkuar diç Allahut, hyn në zjarr”Buhariu.
Dije se nuk ka afërsi as lidhje që të bën dobi para Allahut. Allahu në Kur’an solli shembuj familjarë të profetëve të Tij, të cilët mohuan Atë e kështu merituan zjarrin e Xhehennemit, edhe pse ishin kush ishin. Nuhut, alejhi’s selam, per djalë i tha:
(Zoti) Tha: “O Nuh, ai (djali) nuk ishte nga familja jote (për të cilën të premtova se do t’i shpëtoj), ai ishte punëkeq…” Hud, 46.
Per gruan e tij dhe të Lutit, alejhima’s selam tha:
Atyre që mohuan, All-llahu ua sjell shembull gruan e Nuhut dhe gruan e Lutit. Ato të dyja ishin në kurorë të dy robërve të mirë nga robërit tanë, por ato të dyja i tradhtuan (në fé) ata të dy dhe këta të dy nuk mund t’i mbrojnë ato fare te All-llahu, e atyre dyjave u thuhet: “Hyni të dyja në zjarr së bashku me ata që hyjnë!” et-Tahrim, 10.
Për Ibrahimin, alejhi’s selam dhe babanë e tij tha:
Edhe lutja e Ibrahimit për babain e vet nuk ishte tjetër, pos për shkak të një premtimi që ia pat premtuar atij, e kur iu bë e qartë se ai është armik i All-llahut, u largua prej tij. S’ka dyshim, Ibrahimi ishte shumë i ndieshëm dhe i butë.” et-Teube, 114.
Kurse për neve solli rregull:
Nuk është e drejtë për Pejgamberin e as për besimtarët të kërkojnë falje për idhujtarët, edhe nëse janë të afërt të tyre, pasi që ta kenë të qartë se me të vërtetë ata (idhujtarët) janë banues të xhehennemit.” et-Teube, 113.
Sado që të jesh i pasur dhe të kesh pushtet, prapë asgjë nuk të bën dobi. Allahu thotë:
Është e vërtetë se atyre që nuk besuan nuk do t’u vlejë asgjë para All-llahut, as pasuria e as fëmijët e tyre. Ata vetë janë lëndë e zjarrit.” Ali Imran, 10.

b. Falënderim për kryerjen e suksesshme të Muajit të Ramazanit
Ramazani dhe agjërimi nuk janë adhurim i thjeshtë. Ata në vete ngërthejnë një thesar të çmueshëm mirësish, duke filluar nga falja e mëkateve, çregjistrimi nga lista e Xhehennemit, shansi i Natës së Kadrit, etj. Ndaj, të kryhet me sukses ky provim padyshim se është motiv i qëlluar për festim. Allahu thotë:
…(Të agjëroni ditët e lëshuara më vonë) Që të plotësoni numrin, ta madhëroni All-llahun për atë se u udhëzoi dhe që të falënderoni.” El Bekare, 185.
Falënderojmë Allahun ngase në këtë muaj përvetësuam edhe devotshmërinë, e cila sipas asaj që ka thënë Ibni Mes’udi është:
Ta adhurosh Allahun e te mos i bësh mëkat, ta përmendësh e të mos e harrosh, ta falënderosh e jo t’i përbuzësh mirësitë e Tij.”
Pastaj ky falënderim si virtyt duket të jetë trashëguar ndër breza nga profetët, alejhimu’s selam. Jusufi, alejhi’s selam kur u lirua nga burgu, arriti pushtetin dhe iu rikthye nderi tha:
(Pasi iu plotësua dëshira, Jusufi tha) Zoti im, Ti më ke dhënë mua pushtet, ma mësove mua komentimin e ëndrrave; o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në Dunja e në Ahiret, më bën të vdes musliman dhe më bashko me të mirë!” Jusuf, 101.

II. Domethëniet dhe urtësitë e festave islame

1. Janë simbol i Islamit të pastër
Festat në Islam kanë përkatësi fetare dhe përcaktimi i tyre është bërë drejtpërdrejt prej Allahut të Madhëruar. Pejgamberi, alejhi’s selam duke përshkruar alternativën islame, e cila vjen në vend të festave të mëhershme, thotë:
Vërtetë, Allahu ua ka ndërruar ato me dy ditë më të mira: Ditën e Kurban bajramit dhe Ditën e Fitër Bajramit.”[3]

2. Gërshetohet adhurimi me dëfrimin
Karakteristikë e festave islame, që i bënë të dallojnë prej festave tjera, është se ato, me gjithë pranin e elementit zbavitës, ruajnë me fanatizëm bërthamën dhe ambalazhin fetar. Festat për asnjë çast nuk mund të dalin jashtë asaj që përcakton feja. Nga këtu, Islami ka arritur të mishërojë adhurimin dhe dëfrimin. Muhammedi, alejhi’s selam duke iu referuar kësaj të vërtete thotë:
Ditët e Teshrikut (Kurban Bajramit) janë ditë ngrënie, pije dhe përmendje të Allahut.”[4]
Do të doja të mos kalojmë tutje pa tërhequr vëmendjen tuaj –të nderuar vëllezër- për disa urtësi të mëdha shkencore të nxjerra nga dijetari i famshëm, Ibni Tejmije, përkitazi me festat e jomuslimanëve. Ai, vë në pah se festat e tyre njëmend janë dëfrime e jo adhurime. Argument për këtë merr hadithin ku Muhammedi, alejhi’s selam qe pyetur për therje të kurbaneve në një vend, me ç’rast përgjigjen e kushtëzoi me:
A ka në atë vend ndonjë put ose a është zhvilluar në të ndonjë festë e periudhës paraislame?…”[5]
Ibni Tejmije shpjegon: Nga këtu mësohet se festat e tyre nuk kanë qenë adhurime ngase vendi i putave ishte tjetër ndërsa vendi i festave ishte tjetër…Ndërsa festat e ithtarëve të librit, të krishterëve dhe çifutëve, që bëhen me motive fetare, janë edhe më të ndaluara, ngase ta adhurosh Allahun me gjëra që e hidhërojnë Atë është më mëkat se sa vrapimi pas epsheve. Bazuar në këtë, shirku-idhujtaria-adhurimi i dikujt përveç ose krahas Allahut, është më mëkat se sa prostitucioni[6].

3. Demantojnë dyshimet e armiqve të Islamit
Edhe sot e kësaj dite ka njerëz që Islamin e paraqesin si një fe të vrazhdë, e cila di vetëm të urdhërojë dhe ndalojë…aty vetëm xhamia ka vend dhe asgjë tjetër…
Kjo është e pavërtetë ngase festat tek ne janë, përveç tjerash, edhe ditë gëzimi e hareje. Mu për këtë, natyra e këtyre ditëve vetvetiu demanton thëniet e shpifura të jobesimtarëve, siç thotë Pejgamberi, alejhi’s selam, kur kishte pare lojën e habeshëve në Xhami me rastin e Bajramit:
Që ta dinë çifutët se në fenë tonë ka vend për gëzim.”[7]

4. Është imazh shumëdimensional krenarie për besimtarin
Kjo krenari është në dy forma:
A- Verbale. Të jesh në fenë e Allahut të Madhëruar është nderi më i madh dhe në këtë ditë kjo ndjenje kur të shoqërohet edhe me tekbiret që këndohen, bëhet edhe më e fortë. Tradita e thënies së tekbireve prej momentit kur njeriu del nga shtëpia e deri në faltore, e më pas edhe aty derisa të filloj namazi, është diç që zemrat e hipokritëve dhe pabesimtarëve, edhe pse i kanë të “shurdhra”, i shqetëson shumë.

B- Praktike. Është imazh i një uniteti shumë të veçantë të besimtarëve. Takimet tona kolektive janë të përditshme (namazi me xhemat), javore (namazi i xhumasë), vjetore (Haxhi), vetëm se këtu tubimi, përderisa ka karakter gëzimi, është i kushtëzuar me:
– Ndjenjën e njëjtë tek te gjithë njerëzit. Askush sot nuk duhet të jetë i privuar. Thënë më qartë, kushtëzimi i dhënies së Sadaaktul Fitrit para faljes së namazit të Bajramit, e tregon më së miri këtë. Pejgamberi, alejhi’s selam duke sqaruar arsyen e dhënies së Sadakatu’l Fitrit, ka thënë:
…dhe ushqim për skamnorët.”[8]
– Preferohet falja e namazit në ambient të hapur me pjesëmarrje edhe të grave, qofshin edhe me të përmuajshmet e tyre, fëmijëve, etj, vetëm e vetëm që festa të jetë sa më globale. Ummu Atijje transmeton se Pejgamberi, alejhi’s selam ka urdhëruar që të gjitha gratë të dalin në festë (kurse ato me cikël menstruacional) vetëm namazin të mos e falin. Nëse ndonjë gruaje i mungonin kushtet, atëherë porosiste shoqen e saj që t’ia huazoj një rrobe vetëm e vetëm që mos t’i ikë ky gëzim.
– Krenarinë nëpërmjet zhdukjes së shtresave shoqërore në një shtrese të quajtur robër të Allahut. Pjesëmarrja e të pasurve dhe të varfërve dhe falja e tyre krah për krah njëri tjetrit, që në ditët e rëndomta ndoshta as nuk do ta ëndërronin, flet se si Islami njerëzit i ka ngritur me shpirt e jo me trup e pasuri. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
Allahu nuk shikon trupat dhe as fizionomitë tuaja por shikon zemrat duke aluduar me gishtërinj kah gjoksi.”Muslimi.
– Krenarinë nëpërmjet dëshpërimit të mëkatarëve. Kemi thënë shumë qartë se Allahu i Madhëruar me agjërim i është drejtuar besimtarëve[9], sikur qe Profeti Muhammed, alejhi’s selam, përgëzoi me dy gëzime: atë në iftar – Bajram dhe tjetrin në takimin me Allahun. Ka thënë Zuhriu: Ditën e Fitër Bajramit njerëzit shkojnë tek Allahu, i Cili thotë: O Robërit e Mi! Për Mua agjëruat dhe u falet, ndaj kthehuni duke qenë të falur!
Ndërsa Hasan Basriu ka thënë: Allahu caktoi që muaji i Ramazanit të jetë një lloj kursi për robërit e Tij, në të cilin garojnë me adhurimin për Të tek kënaqësia e Tij. Kështu, një grup paraprinë ndaj fituan, të tjerët ngelën mbrapa, ndaj humbën. E çudi është puna me atë që luan e qesh në ditën kur fitojnë bamirësit dhe humbin mëkatarët?!
Pas kësaj, do të doja të di si ndihen ata që pa arsye nuk agjëruan Ramazanin? Nëse besimtarët përgëzohen sot me shpërblim, mëkatarët si do ta ndiejnë veten?

5. Festa është sfidim
Ramazani është kolegj ku mësohen dhe përvetësohen vlerat dhe virtytet. Po dështove, rrezikon të bëhesh intelektual vlerash…
Ramazani më së miri jep leksionet për mëshirë, butësi, solidarizim, respekt të ndërsjellë, humanitet, me kërkesën që këto në formë virtytesh të mbjellën tash në këtë muaj kurse kultivimi i tyre të zgjas gjatë gjithë jetës. Ndaj, mos mendo se me përfundimin e Ramazanit mbyllet kapitulli i këtyre tipareve të çmuara. Mos mendo se me Sadakatu’l Fitrin ke dhënë tërë atë që duhet. Në fakt, Sadakatu’l Fitri nuk është hiç më shumë se aspekt teknik i festës. Qëllimi dhe synimi i festës nuk do të mund të realizohen kurrë përderisa të mos japësh edhe Sadakanë e shpirtit. Edhe për shpirtin tënd ka Sadaka, e ajo është: shkatërrimi i egos, unit, nefsit…
– Mos mendo se ndaj jetimit e ke kryer borxhin me sadaka. Jo, për Zotin, jo. Mungesën e prindit nuk mund ta shlyesh kurrë me para, ndaj sot, afroje në sofrën tënde, lëmoja kokën, puthe dhe duaje shumë vetëm e vetëm që të mos ndihet i pikëlluar.
– Mos mendo se sot duhet ta vizitosh atë që të viziton. Kështu, me këtë bindje, ti nuk ke kaluar provimin e Ramazanit dhe nuk je prej atyre që kanë pastruar zemrat dhe kanë larguar urrejtjen. Pejgamberi, alejhi’s selam ka thënë:
Mbajtësi i lidhjeve familjare nuk është me shpagim (reciprocitet: t’i shkon atij që i vjen), jo, mbajtës i njëmendtë është ai që i lidh marrëdhëniet me ata që i kanë shkëput ato”. Buhariu.
Përkujto tregimin e Jusufit, si deshën ta mbysin, e hodhën në gropë, u shit, u burgos…U ngrit në pozitë, u bë i famshëm dhe me pushtet…I erdhi mundësia të dnehskonte ata që e dnanë prej babait për shumë vite dhe i shkaktuan tërër ato fatkeqësi, por jo.
Ai tha: “Sot nuk ka qortim kundër jush, All-llahu ju faltë juve; Ai është më mëshirues i mëshiruesve!” Jusuf, 92.

6. Llogaria patjetër se do të vijë
Të nderuar!
Sikur që sot, të mbledhur kështu në këtë vend të bukur, presim shpërblimet e Allahut, presim kënaqësinë e Tij dhe e kërkojmë atë, lutemi për mëshirë dhe për falje, po kështu do të jetë puna edhe në botën tjetër. Sikur që sot jemi ndarë nga ata që refuzuan t’i përgjigjen Allahu dhe kundërshtuan urdhrin e Tij, po kështu do të ndahemi edhe në Mahsher, atje ku do të dalim për të dhënë llogari.
Ndaj, le të ngrijmë duart lart e me modesti, përulje, sinqeritet, lot, frikë dhe shpresë, ta lusim Allahun që të na falë nga tmerri i asaj dite!
Ta lusim që gëzimin për agjërim në ditën e takimit me Të ta bëjë aq të madh saqë të mos na privojë askënd prej tij!
Ta lusim që etjen e Ahiretit ta shuajmë me shpërblimin e agjërimit!
O Zoti ynë! Pranoje agjërimin tonë me mëshirën Tënde e të lutemi që për gabimet dhe lëshimet eventuale të na faleësh!
I Madhëruar qofsh o Allah, Ti që krijove njeriun dhe çdo gjë tjetër!
Le të jehojnë tekbiret, le të buçet zëri me madhërim për Allahun!
ALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER, LA ILAHE IL-LA ALLAH, VALLAHU EKBER, ALLAHU EKBER VE LIL-LAHI’L HAMD!

________________________________________
[1] Ligjëratë e mbajtur para Namazit të Fitër Bajramit 2009 në organizimin zyrtar të KBI-Vushtrri, në Palestrën Sportive.
[2] P.sh në Amerikë, festa e falënderimeve, e cila festohet në të enjten e katërt e muajit nëntor të çdo viti në fakt flet për shkatërrimin e indianëve dhe shtëpive të tyre. Çifutët kane një festë të Eburimit, ku bëjnë statuja qesharake të armiqve të tyre të cilat më pas i varin, etj.
[3] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[4] Albani në Sahihu’l xhamii, 2689, e ka cilësuar autentik.
[5] Transmeton Ebu Davudi. Kete hadith, Albani në Sahihu ve daifu Suneni Ebi Davud, 3315, e ka cilësuar autentik.
[6] Iktidau’s sirati’l mustekim, li muhalefeti as’habi’l xhehim, Ibni Tejmije, b. 1, Xhemijjetu ihjai’t turathi’l islamijj, ed-Dahijjeh, Kuvajt, 2000, f. 222
[7] Transmeton Ahmedi ndërsa Albani e ka cilësuar hasen.
[8] Albani në Sahihu’l xhamii, 3570. e cilëson autentik.
[9] El-Bekare, 183:. O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm.

Categories

Archives