Tuesday, 17/1/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mjalti vetitë shëruese ,përbërësit dhe përdorimi


Mjalti vetitë shëruese ,përbërësit dhe përdorimi


Allahu i Madhëruar thotë: “Zoti yt e frymëzoi bletën, (duke thënë):

“Ndërto shtëpi në male dhe në drurë dhe në atë (kosheret) që kanë ngritur njerëzit! Ushqehu me gjithfarë lloje frutash dhe ec rrugës së Zotit tënd përulshëm!” Nga barku i tyre del lëng ngjyrash të ndryshme, në të cilin ka ilaç e shërim për njerëzit. Vërtet që kjo është shenjë për ata që përsiatin.” (En Nahl, 68-69) 

Mjalti është një lëng i ëmbël dhe i trashë që e prodhon bleta nga nektari i luleve dhe nga disa lëndë të ndryshme që i merr nga pjesë të ndryshme të bimës, të cilave u shton edhe një lëndë të posaçme nga vetë bleta (enzimat), e kjo i jep mjaltit vetinë ushqyese dhe shëruese. Bleta e ruan mjaltin brenda hualleve të dyllit në zgjua.

Përbërësit e mjaltit:

Ekzistojnë më shumë se 3000 lloj bimësh që janë lëndë e parë e mjaltit të bletës, kështu që mundet që i njëjti numër veçorish dhe vetish të ndryshme të jetë edhe te mjalti. Këtu po përmendim lëndët përbërëse të mjaltit në mënyrë të përgjithshme:

1. Ujë: 17-20%
2. Karbohidrate (sheqerna): fruktoz, glukoz, saharoz, maltoz. Këto përbëjnë 75% të mjaltit dhe janë pjesa kryesore e tij.
3. Poleni: përbën 5% të mjaltit përafërsisht, dhe kjo sqaron përse mjalti përmban: një sasi të konsiderueshme vitaminash, aminoacidesh dhe 0.05% proteina.
4. Minerale: 0.17% (kalium, natrium, kalcium, magnez).
5. Ngjyra: si karotina, zanthina dhe flavonoidet.
6. Enzimat. Mjalti përmban një numër enzimash që kanë funksione të ndryshme, prej të cilave përmendim:
Enzima Invertase: Lloji më i madh i enzimave që gjenden te mjalti. Roli kryesor i kësaj enzime është zbërthimi i sheqerit të dyfishtë në sheqerna të thjeshta: në sheqer rrushi (glukozë) dhe sheqer frutash (fruktozë).
Enzima Glukose Oxidase: Funksioni i kësaj enzime është shndërrimi i glukozës në Acid Glukonik, i cili prodhon lëndën Hydrogen Peroxide (ujin e oksigjenuar), që ka veti antibakteriale.
Enzima Diastase: Burimi i kësaj lënde është nektari i luleve dhe funksioni i saj është thyerja e amiloideve në sheqerna më të vogla dhe më të lehta për t’u tretur.
Enzima Catalase: Burimi i kësaj lënde është gjithashtu nektari i luleve kurse funksioni i saj është plotësimi i asaj që fillon enzima e Glucouse Oxidase, për të shndërruar këtë lëndë në ujë dhe oksigjen.
Zbulimi i mashtrimit në mjalt mund të njihet pikërisht nga përqindja e këtyre enzimave në mjalt. Mjalti me hile apo mjalti i nxehur në temperaturë të lartë përmban sasi shumë të vogël enzimash.
7. Acide: 0.57%. Mjalti përmban një numër acidesh të ndryshme që ndryshojnë në varësi të burimit të tij. Prej këtyre acideve është acidi formik, sitrik, glukonik, laktik, oksalik, tanik, tartarik, etj. Megjithëse mjalti ka veti acide, por ai në origjinë konsiderohet si ushqim alkalin (bazik), sepse të qenët e ushqimit acid apo alkalin, qëndron në llojin dominues të lëndëve minerale që gjenden në të.

Vetitë shëruese dhe shkaqet e përdorimit:

1. Fuqizues i përgjithshëm dhe aktivizues, pasi që konsiderohet si një nga burimet më të mira të energjisë. Mjalti fuqizon muskujt dhe nervat.
2. Përmirëson funksionimin e sistemit të tretjes në mënyrë të përgjithshme. Mjalti përmirëson funksionin e zorrëve nëpërmjet nxitjes dhe aktivizimit të florës në zorrë (bakterieve të dobishme të zorrëve), gjë e cila ndihmon në rastet e kapsllëkut, diarresë, ulcerave dhe infeksioneve. Mjalti vepron gjithashtu në lehtësimin e alergjisë së fytit, për shkak se ai është anti infektiv.
3. Aktivizues dhe ushqyes i mëlçisë.
4. Përmirëson funksionin e sistemit të frymëmarrjes. Mjalti është ilaç efektiv për kollën dhe gëlbazën.
5. Rregullon funksionin e sistemit imunitar.
6. Mjalti është mjet anti infektiv si rezultat i përmbajtjes së tij grupin e flavonoideve (një numër i të cilave i ngjan për nga përbërja lëndës Gromoglycate, e cila jepet zakonisht për parandalimin e krizave të astmës dhe jo si ilaç për të).
7. Sëmundjet infektive të syve (infeksionet e cornesë (bebes) së syrit, të bardhës së syrit dhe të qepallave të syve).
8. Antibiotik natyral (ka efekt kundër viruseve, bakterieve dhe mukozave).
9. Ndihmon në mbylljen e plagëve, në shërimin e ulcerave dhe djegieve, si rezultat i përmbajtjes së tij të enzimave që ndihmojnë në këtë gjë.
10. Përdoret si maskë për zbukurim, pasi që mjalti mbron lëkurën nga rrudhosja dhe ruan freskinë e saj.

*Këshilla që duhen pasur parasysh para përdorimit të mjaltit:

Mjalti konsiderohet prej ushqimeve të dobishme për shumicën e njerëzve, por ata që vuajnë nga sëmundja e sheqerit (diabeti) duhet të kenë parasysh që të mos marrin aq sasi mjalti sa të rrisin përqindjen e sheqerit tek ata.

*99.99% e atyre që e konsumojnë mjaltin nuk ndeshin asnjë lloj problemi, por ekzistojnë disa ndalesa të pakëta që duhet të kihen parasysh në përdorimin e mjaltit:

1. Të sëmurëve me urinë diabetike nuk mund t’u jepet mjalt në sasi të madhe, sepse ai përmban më shumë se 70% lëndë karbohidrate, dhe për të qenë brenda sigurisë, këtyre të sëmurëve mund t’u jepet vetëm 8-9 gram mjalt në ditë, d.m.th. një lugë e mesme, ose dy lugë, ose mundet edhe dy lugë, duke i marrë sipas mënyrës së njohur.
2. Alergjia, sidomos ajo e sistemit të tretjes, dhe kjo për shkak se mjalti përmban një sasi të vogël poleni. Zgjidhja në këtë rast është që përdorimi i mjaltit të fillohet me sasi shumë të vogla duke e holluar me sasi të mëdha lëngjesh.
3. Foshnjat nën një vjeç: dhe kjo është më e rëndësishme se rastet e mësipërme, pasi që zorrët e foshnjës nën një vjeç janë një ambient i përshtatshëm për zhvillimin e baktereve të dëmshme, sidomos bakteria e quajtur “clostridium botulinum”. Vetëm për këtë moshë duhet siguruar se mjalti që i jepet nuk e përmban këtë lloj bakterie.

Mënyra e përdorimit të mjaltit:

Preferohet që mjalti të përdoret i holluar me ujë, në mënyrë që të bëhet përvetësimi i lëndëve te tij sa më mirë. Po kështu preferohet që të merret një orë para ngrënies ose tre orë pas ngrënies. Doza e lejuar e mjaltit është 60-100 gram në ditë dhe jo më shumë. Preferohet që mjalti të përdoret në sasi të vogla dhe në periudha të ndara kohore.

Ruajtja e mjaltit dhe rezervimi i tij:

1. Nuk duhet lënë në dritën e diellit sepse ai i zbërthen shumë prej enzimave, dhe po kështu as në dritë të drejtpërdrejtë për një kohë të gjatë.
2. Duhet të ruhet në enë të posaçme për ruajtjen e ushqimeve, qofshin prej qelqi apo prej plastike që janë të posaçme për ruajtjen e ushqimeve (PET).
3. Ena ku ruhet mjalti të mbyllet mirë, sepse ai i thith me lehtësi aromat e jashtme të cilat ndikojnë në aromën e tij, dhe sepse mjalti thith ujin që gjendet në ajrin e jashtëm, e nëse përqindja e lagështirës në mjalt e kalon normalen, ai thartohet dhe prishet.
4. Mjalti duhet të ruhet në vend të ftohtë e të freskët dhe të mos ekspozohet nxehtësisë. Temperatura e dhomës ku ruhet mjalti nuk duhet t’i kalojë 25 °C.

image_pdf
Një shkrim tjetër i dobishëm  Mjalti i farave të zeza

Categories

Archives