Sunday, 27/5/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mirësjellja me prindërit

Mirësjellja me prindërit

keshilla per te perfituar zemren

Një këshillë e Artë, bëni durim dhe lexojeni

Mirësjellja me prindërit:

 

– Jezid ibn Habibi (Allahu e mëshiroftë) thoshte:

“T’i mundësh prindërit me fjalë është sjellje e keqe.”

 

– Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) u pyet për një njeri, të cilit nëna i thotë të prish agjërimin vullnetar?

Ai tha:

“Le ta prish dhe nuk detyrohet me kompensim të asaj dite.

Po ashtu, ai shpërblehet për agjërim dhe mirësjellje ndaj nënës.”

 

– Prej mirësjelljes ndaj prindërve është kur fëmija të mundohet të kuptoj nevojat e prindërve para se ata t’i kërkojnë ato.

Kjo është më e plotë dhe ndikon më shumë tek ta

.

– Nëse Allahu të ka zgjedh për t’u kujdesur për prindërit apo njërin prej tyre, atëherë mos lejo që shejtani ta prish këtë pozitë duke të thënë: “Përse vetëm ti po kujdesesh për ta?

Ku janë fëmijët tjerë?”

 

– Hasen El-Basriu (Allahu e mëshiroftë) i tha njërit:

“Të ha dark me nënën, të jem plot ngrohtësi e i afërt me të, të jem i tillë që ajo të gjej prehje kur të më shikoj, është më e dashur për mua sesa kryerja e një haxhi vullnetar.”

 

– Tregohet se një njeri, edhe pse i martuar, për gjashtë vite me radhë natën e kalonte tek babai i tij i moshuar, në mënyrë që t’i shërbente.

Kështu veproi derisa babai i vdiq.

Ndërsa tani kujdeset e i shërben nënës së tij të moshuar.

 

– Nëse prindërit të lëndojnë, mos mbaj në vete diçka kundër tyre, por shfaqu atyre se nuk je prekur, edhe nëse zemra të copëtohet, sepse ata shpejt bëhen pishman; ndërkohë që pikëllimi yt ua thyen zemrën dy herë.

 

– Prej mirësjelljes ndaj prindërve është edhe kur para tyre shfaq raporte të mira me vëllezërit dhe motrat e tua, kur hesht ndaj gjërave me të cilat ata të lëndojnë, kur i arsyeton, kur flet për të mirat që i kanë dhe ua fsheh gabimet.

 

– Prej gjërave që të lëndojnë është edhe kur prindi ka disa fëmijë të rritur e të mençur, pastaj nuk i sheh me të.

Përkundrazi atë e shoqëron një shofer i panjohur deri te xhamia apo spitali.

 

– Sjellje e keqe me prindërit është edhe kur mjetet moderne, si për shembull telefonat e mençur, të pengojnë nga komunikimi me ta.

Është turp që në prani të tyre të angazhohesh me gjëra të tilla.

 

– Sjellje e mirë me prindërit është edhe kur ua mëson gjërat e fesë të cilat ata nuk i dinë, në mënyrë që ta adhurojnë Allahun me dije të ngritur mbi argumente. Mirëpo këtë bëje me fjalë të mira dhe edukatë të lartë.

 

– Folu për gjërat që ata i dëshirojnë, e jo për gjëra që ti i dëshiron. Jepu të kuptojnë se i do dhe se je i lumtur që u shërben.

 

– Nuk është prej sjelljes së mirë kur u jep të kuptojnë se vëllezërit e tjerë nuk kujdesen për ta dhe se ti je i vetmi që e bën një gjë të tillë.

Vazhdimisht kujtoju se ata dy janë prehje e syrit për të gjithë dhe se shkujdesja e ndonjërit prej vëllezërve ishte për shkak të ndonjë angazhimi të papritur.

 

– Shfaqi babait dhe nënës qoftë edhe diçka nga veprat e mira që i bën.

S’ka asgjë që e gëzon zemrën e tyre më shumë sesa kur shohin se fëmija i tyre është një musliman i mirë.

 

– Mos u grind me vëllezërit e tu para prindërve dhe mos e ngrit zërin, sepse kjo i shqetëson ata dhe është mos respekt ndaj pozitës së tyre.

 

– Duhet të dish se kur prindërit plaken, u shtohet nervozizmi, u shpeshtohen kërkesat dhe u pakësohet durimi.

 

– Përgjëroju Allahut me lutje që të të ndihmojë dhe të jap sukses për sjellje të mirë me prindërit.

 

“Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit.

Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por drejtoju atyre me fjalë respekti. Lësho para tyre krahët e përuljes prej mëshirës dhe thuaj: “O Zoti im, mëshiroji ata, ashtu siç më kanë rritur, kur unë isha i vogël!” (El-Isra, 23-24)

 

Categories

Archives