Monday, 24/9/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mirësia e ditës së premte (xhuma)



Mirësia e ditës së premte (xhuma)

Allahu i Lartëmadhëruar në Kur’anin Fisnik ka thënë:“O ju që besuat, kur bëhet thirrja për namaz, ditën e xhumasë, ecni shpejtë për aty ku përmendet All-llahu (dëgjojeni hutben, faleni namazin), e lini shitblerjen, kjo është shumë më e dobishme për ju nëse jeni që e dini”. (El-xhuma, 9).

Transmetohet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Muhammedi (s.a.v.s) ka thënë:

“Dita më e mirë në të cilën ka lindur dielli është dita e xhumasë. Në këtë ditë është krijuar Ademi (alejhi selam), në këtë ditë është futur në xhenet, në këtë ditë është nxjerrë nga xhenneti dhe nuk do të bëhet kiameti vetëm se në këtë ditë”. (Muslimi).

Po ashtu thuhet se Muhammedi (s.a.v.s) ka thënë:

– “Myslimani nëse merr gusull (pastron tërë trupin) në ditën e xhuma dhe shkon në namaz të xhumasë, i falen mëkatet e një jave dhe për çdo hap i jepen sevape”.

– “Më vlefshmja prej ditëve është dita e xhuma. Dita e xhuma është më e vlefshme se ditët e Bajrameve, ashureve. Dita e xhuma është Bajram i besimtarëve në dynja dhe në ahiret (botën tjetër)”.

– “Ashtu siç iu është dhënë dita e shtunë hebrenjve, dita e diel të krishterëve, ashtu edhe dita e xhuma iu është dhënë myslimanëve. Në këtë ditë për myslimanët ka mirësi dhe bereqet”.

– “Pas namazit të xhumasë është një çast kur lutja e besimtarit atë çast nuk refuzohet”.

– “Ditën e xhuma, prej kohës së ikindisë, e deri në aksham, lutjet pranohen”.

– “Kush i lexon ditën e xhuma suret Bekare dhe Ali Imran, në ditën e gjykimit ato do të bëjnë shefa’atë (ndërmjetësim) për ata që i kanë lexuar”.

– “Pastrimi (i trupit) në ditën e xhuma është obligim për çdo person i cili ka mbushur moshën e pjekurisë”. (Buhariu dhe Muslimi)





– “Pastrimi në ditën e xhuma është obligim i çdo myslimani dhe atë ditë duhen veshur rrobat më të pastra. Dhe nëse ka parfum, le të parfumohet prej tij”. (Imam Ahmedi)

– “Kush e lexon suren el-Kehf ditën e xhuma, e mbulon drita prej këmbëve e deri në kupën qiellore, dritë që do të ndriçojë në Ditën e Gjykimit, dhe i falen të gjitha mëkatet (e vogla) midis dy xhumave”. (Hakimi)

Gjithashtu, preferohet që të shtohen lutjet në ditën e xhuma, sepse në atë ditë është një kohë kur Allahu i Lartësuar i pranon lutjet.

Ndërsa Muhammedi (s.a.v.s) ka thënë:

“Me të vërtetë, në ditën e xhuma është një kohë në të cilën, nëse myslimanët e kalojnë duke iu lutur Allahut, Allahu me të vërtetë do t`u përgjigjet atyre”. (Buhariu dhe Muslimi)

“Falja e pesë kohëve të namazit dhe xhumaja deri në xhumanë e ardhshme i shlyejnë mëkatet (e vogla) që bëhen mes tyre.” (Muslimi)

Muhammedi (s.a.v.s) ka thënë:

– “Kush më dërgon mua një salavat, Allahu do t’i dërgojë atij dhjetë salavate”.

– “Më dërgoni sa më shumë salavate ditën e xhumasë, ngase atë ditë salavatet e juaja më prezantohen mua”.