Saturday, 18/8/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mirësia dhe begatia e dhimbjes



Mirësia dhe begatia e dhimbjes

Nuk janë dhimbjet gjithmonë të urryera dhe ato që sjellin gjithmonë mjerime e të këqija. Ndodh nganjëherë që robi të jetojë në dhimbje e të ketë dobi. Me të vërtetë, lutja e nxehtë vjen me dhimbjet, adhurim të vërtetë sheh atëherë kur të shoqëron dhimbja. Dhimbjet e nxënësit në kohën e lypjes së diturisë dhe arritjes së saj, durimit të vështirësive të rrepta gjatë kohës së përpjekjeve, bëjnë që ai ta korrë frytin e famës, si një dijetar i fortë e i rrallë, ngase u dogj në fillim e ndriçoi në mbarim. Dhimbjet e poetit dhe vuajtjet e tij kur nëpërmjet rreshtave të thurur i thotë,
prodhojnë një kulturë të bujshme. Gjithashtu edhe vuajtjet e një shkrimtari nxjerrin vepra të
gjalla, e tërheqëse që janë të mbushura plot këshilla e shembuj, mësime e përkujtime. Nxënësi që jetoi pa fije shqetësimi dhe aktiviteti pranë bankave, e as që e lodhi trurin pranë librave, mbetet gjithmonë margjinal, përtac dhe i panjohur. Po ashtu edhe një poet, i cili nuk njohi dhimbjet e as që ua shijoi idhtësinë, vetëm se humb kohën në poezitë e tij, se fjalët i mbeten shumë të lira, si një zbrazëtirë e flluskave të shkumës së detit që
në fund humbin dhe shuhen. Mbeten të tilla se fjalët nuk dolën nga muskujt e zemrës, por vetëm nga maja e gjuhës. Shembull më të lartë dhe të ngritur kemi jetën e besimtarëve të parë të cilët e përjetuan mëngjezin e misionit, rilindjen e ummetit, fillimin e shpalljes. Ata që kishin besimin më të madh, zemra të pastra, fjalë të vërteta dhe dituri të thella, ishin të tilë ngase përjetuan dhimbjet dhe
vuajtjet më të vështira: uri, skamje e varfëri, dëbim, përbuzje, dhimbje ndarje e izolim. Ata përjetuan ndarje zemrash, largim ëndjesh, dhimbje plagësh, vrasje, dhunë, e masakrime, por përsëri mbeten me të vërtetë shembuj legjendarë, pakicë e zgjedhur, shëmbëlltyrë e pastërtisë, simbole të virtyteve të larta, sakrifikues të mëdhenj.
“Nuk ishte me vend për banorët e Medines e as prej atyre që ishin rreth tyre nga beduinët, të ngelin (pa shkuar) pas të Dërguarit të Allahut e as s’i kursejnë vetet e tyre ndaj vetes së tij (Pejgamberit). Nuk ishte me vend ngase ata s’i godet as etja, as lodhja, as uria kur janë në rrugën e Allahut, dhe nuk shkelin ndonjë vend që i hidhëron jobesimtarët dhe nuk arrijnë kundër armikut çkado qoftë vetëm se të gjitha ato do t’u evidentohen si vepër e mirë. Allahu s’ua humb shpërblimin vepërmirëve” (Kur’an 9:120).
Në jetën e kësaj bote hasim në njerëz të cilët në momentin më të vështirë dhanë rezultatet më të shkëlqyeshme. …por Allahu nuk e pëlqeu ngritjen e tyre, ndaj i zmbrapsi, dhe u është thënë: ‘Rrini me të paaftit’” (Kur’an 9:47). Këtu po të kujtoj luftëtarin dhe poetin islam që jetoi në dhimbje, vuajte e ndarje. Këto fjalë i tha në momentet e frymës së fundit. Ai është Malik ibn er-Rejb. Duke dhënë frymë, ai tha këto fjalë: A nuk më pe kur dhashë të humburën, e mora të drejtën? Iu bashkangjita ushtrisë së Ibn Affanit dhe eca të përpjetën? Ah sa e mirë ish ajo ditë kur me dëshirë lashë vendin, mallin dhe fëmijët. Qëllim pata shehadetin dhe të mirat e Allahut t’i arrij.
Shokët e mi të rrugës, ndaluni, se vdekjen e shoh si më troket Ndoshta tani përfundoj, apo ca ditë këtu kam me mbet’. Me mua një ditë apo ca ditë qëndroni, e mos shpejtoni Se duart tuaja, nga trupi im i coptuar, shpejt do t’i lironi. Me majat e shigjetës që luftova, varrin tim ma çelni. Një skaj të xhybes shkoqeni e syt hapur mos m’i leni. Mos ma bëni varrin e ngushtë, në këtë tokë të gjërë
Shtëpin tokën në fund ne kemi, të gjithë do na nxërë. Deri në fund të zërit që herë i ndalej e i ndërpritej, nxirreshin këto fjalë. Me nxjerrjen e dhimbjes së shpirtit dhe me lotë e ofshama mbetën fjalët e fundit për të gjithë ata që do u lexojnë si një vullkan që lë gjurmët e tij të pazhdukshme. Këshillat, ligjëratat, fjalët që rrjedhin me flakë zemre, arrijnë dhe zënë vend në brendësinë e saj, notojnë në thellësitë e shpirtit, ngase ai që i flet i jeton ato dhimbje e përvëlime. Shpesh kam lexuar vepra të ndryshme në temat shkencore islame, posaçërisht në temat që të ngjallin shpirtin, por s’e kam gjetur ne fjalët e tyre atë fuqi që të dridh e të rrënqeth, për shkak se janë shkruar nga të palodhurit dhe të pamunduarit, që vetëm dorën dhe gojën kanë lëvizur, se brendinë e kanë patur larg asaj që ka shqiptuar gjuha. “Flisnin me gojë atë që s’e kishin në zemra” (Kur’an 3:167).
Nëse dëshiron të ndikosh me fjalën dhe poezitë e tuaja, mos fol e as mos shkruaj, përpos ato raste e ngjarje që të kanë djegur. Nëse nuk di se ç’nxehtësi ka flaka e zjarrtë mos u mundo t’ua tregosh të tjerëve, se nuk do të ndikosh tek ta. Le të jetë fjala jote ajo qe do te ngjallë ndjenjat e njerëzve si uji që ngjall tokën pas thatësisë E kur Ne ia lëshojmë asaj ujin ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rrit bimë të ndryshme”
(Kur’an 22:5).









Categories

Archives