Wednesday, 22/11/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Mënyrat më të mira dhe ato më të këqija të të fjeturit

Mënyrat më të mira dhe ato më të këqija të të fjeturit

Tashmë do të flasim më gjerë për mënyrat më të mira dhe ato më të këqija të të fjeturit.

Gjumi është një gjendje kur nxehtësia instiktive (e trupit) bëhet joaktive, e kështu trupi gjen qetësi. Ka dy lloje gjumi: normal dhe jonormal. Gjumi normal nënkupton prehjen e energjive të brendshme dhe të ndjeshmërisë. Kur këto energji janë në gjendje prehjeje, trupi ndalet nga veprimtaria e tij e zakonshme. Ndërkohë, avujt dhe lagështia që, para këtij çasti, lëviznin dhe dekompozoheshin, ngjiten lart në tru, i cili është vendndodhja e këtyre energjive. Atëherë, truri bëhet joaktiv, dhe kjo është gjendja normale e gjumit. Gjendja jonormale (ose e rëndë) e gjumit ndodh për shkak të ndonjë aksidenti ose një sëmundjeje. Në këtë rast, lagështia e tepërt e mbisundon trurin, duke bërë që njeriu të zgjohet me vështirësi prej gjumit. Gjithashtu, mund të ndodhë që sasia e tepërt e avujve të ngjitet lart në tru, siç janë gjendjet pas ngrënies

ose pirjes së tepërt, kur truri ka nevojë të çlodhet, prandaj njeriun e zë gjumi. Ka dy dobi prej gjumit: – Shqisat bien në prehje, pasi ato i ka kapur lodhja. Shqisat çlodhen pas veprimtarive të mundimshme të kohës kur njeriu është zgjuar. – Dobia e dytë është tretja e ushqimit dhe përpunimi i përzierjeve, gjendjeve ose temperamenteve të ndryshme. Gjatë gjumit, nxehtësia instiktive përqendrohet te procesi i tretjes, e kjo është arsyeja që trupi ftohet dhe ka nevojë të mbulohet kur fle. Mënyra më e mirë e fjetjes është kur njeriu shtrihet nga krahu i djathtë, pozicion ky në të cilin ushqimi qëndron lirshëm në stomak, pasi, siç e kemi thënë, stomaku ndodhet disi në të majtë të barkut. Megjithatë, është e nevojshme që të shtrihesh edhe pak nga ana e majtë, me qëllim që të bëhet një tretje më e shpejtë, pasi stomaku mbështetet mbi mëlçinë. Pas kësaj, duhet të kthehesh sërish nga e djathta, për ta ndihmuar stomakun ta shtyjë ushqimin poshtë vetes. Në këtë mënyrë, njeriu e nis dhe e përfundon gjumin duke qëndruar i shtrirë nga e djathta. Po ashtu, gjumi nga e majta dëmton zemrën, pasi organet e trupit, në atë pozicion, e shtypin atë me të gjithë peshën e tyre. Ndër format më të këqija të të fjeturit është ajo në shpinë, ndonëse të pushosh duke u shtrirë kështu, pa fjetur, nuk është e dëmshme. Ndërsa mënyra më e keqe e të fjeturit është përmbys. Ahmedi dhe Ibn Maxhe sjellin rrëfimin e Ebu Umames se: – Pejgamberi (s.a.u.s.) kaloi njëherë pranë një burri që po flinte në xhami, i cili ishte shtrirë përmbys. Ai e preku atë me këmbën e tij, duke i thënë: “Ngrihu, sepse kjo është fjetje Xhehenemi!”1 Në librin e tij, Hipokrati thotë: “Nëse një i sëmurë fle përmbys, ndërkohë që nuk e ka patur këtë shprehi të tij kur ka qenë i shëndetshëm, atëherë ai ose tregon që ka të meta mendore, ose që ka dhembje stomaku.” Ata të cilët shpjegojnë librin e Hipokratit thonë se ai ka dashur të tregojë se kush fle përmbys, – zakon mjaft i keq ky – nuk ka ndonjë justifikim të drejtë për këtë veprim. Mënyrat e mira të të fjeturit ndihmojnë fuqitë natyrale të trupit të përmbushin detyrat e tyre, si edhe forcojnë shëndetin psikologjik të personit. Gjumi gjatë ditës është i keq për shëndetin dhe shkakton sëmundje të lagështisë, zverdhje, sëmurin shpretkën, dobësojnë nervat, sjellin dembelizëm e mungesë vullneti, përveç gjatë stinës së verës, rreth mesditës. Gjumi më i keq është ai i orëve të para të ditës dhe ai i pasdites (mes ikindisë dhe akshamit). Njëherë, Ibn Abasi, kur pa të birin të flinte në mëngjes herët (pas sabahut), i tha atij: “Çohu! Përse fle atëherë kur është duke u ndarë risku?!” Kanë thënë se gjumi i ditës është tri llojesh: – i mirë, dhe ky është gjumi rreth mesditës; – i shkujdesur, që është gjumi herët në mëngjes (pas sabahut), i cili e pengon njeriun nga të mirat e kësaj bote dhe ato të ahiretit; – gjumi i çmendurisë, që bëhet pas ikindisë.

Kjo është arsyeja që disa njerëz nga tanët thonë se: “Kush ka fjetur pas ikindisë dhe pastaj ka luajtur mendsh, të mos fajësojë njeri tjetër për këtë, veç vetes.” Gjumi pas sabahut pengon ardhjen e riskut, me kuptimin që në orët e para të mëngjesit krijesat dalin për të kërkuar riskun e tyre. Kësisoj, të flesh në kohën kur ndahet risku do të thotë të humbësh shansin për të fituar këtë risk, veç nëse gjumi është i domosdoshëm. Jo vetëm kaq, por gjumi në këtë periudhë është tepër i dëmshëm për shëndetin, sepse shkakton mpirje të ndjeshmërisë dhe prish përmbajtjen e stomakut, e cila duhet të përpunohet nëpërmjet veprimtarisë fizike. Mpirja ose plogështia në trup shkaktohet sidomos kur njeriu bie në gjumë pa u liruar njëherë (nga jashtëqitjet), pa ecur disa hapa ose pa kryer disa veprime fizike, dhe pa futur diçka në stomak. Kjo vetë është një lloj sëmundjeje, e cila çon në shumë sëmundje të tjera.

Edhe fjetja në diell shkakton sëmundje gjumësie, sidomos kur një pjesë e trupit ndodhet në diell dhe pjesa tjetër në hije. Ebu Daudi sjell rrëfimin e Ebu Hurejrës, se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Nëse jeni duke qëndruar në hije, dhe pastaj hija largohet, duke iu nxjerrë një pjesë të trupit në diell, ndërkohë që pjesa tjetër është ende në hije, atëherë largohuni prej atij vendi.”1 Ibn Maxhe dhe Ebu Daudi sjellin gjithashtu hadithin, se: “I Dërguari i Allahut (s.a.u.s.) e ndaloi qëndrimin ndërmjet diellit dhe hijes.” Kjo tregon se nuk lejohet të flesh duke qëndruar pjesërisht në diell dhe pjesërisht në hije. Në dy Sahih-ët është rrëfimi i Bera ibn Azibit, se Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Gjithmonë, para se të bini për të fjetur, merrni abdes, ashtu si për namaz, shtrihuni në krahun tuaj të djathtë dhe thoni: „O Allah, unë ta dorëzoj veten time Ty, t‟i besoj Ty të gjitha çështjet e mia dhe mbështetem tek Ti që të më ruash shpinën time, duke patur njëkohësisht shpresë (tek Ti) dhe frikë prej Teje! Nuk ka shmangie prej Teje dhe nuk ka strehë tjetër shpëtimi e sigurie përveç Teje! O Allah, unë besoj në Librin Tënd (Kuranin), të cilin Ti ia shpalle Pejgamberit Tënd (Muhamedit), të cilin Ti e dërgove!‟ Le të jenë këto fjalët tuaja të fundit, sepse nëse vdisni atë natë, do të vdisni në fitrah (gjendjen e natyrshme, në fenë islame).”2 Ndërsa Buhariu sjell rrëfimin e Aishes, se: “I Dërguari i Allahut (s.a.u.s.), pasi falte dy rekatët (sunet) e sabahut, shtrihej nga krahu i djathtë.” Është thënë se urtësia e fjetjes në krahun e djathtë, është se në këtë pozicion, nuk bëhet gjumë i tepërt. Zemra ndodhet disi në të majtë të kraharorit, prandaj kur shtrihesh nga e djathta, e pengon zemrën të qëndrojë në vendin e saj normal e, rrjedhimisht, njeriu zgjohet kur nuk ndihet rehat. Kurse fjetja në krahun e majtë e rehaton zemrën, dhe kjo sjell gjumë të rëndë, prej të cilit njeriu humbet të mirat e jetës dhe fesë së tij. Meqë gjumi është i ngjashëm me vdekjen, ai nuk i përshtatet dhe nuk ka lidhje me të Përjetshmin, i Cili nuk vdes kurrë. Madje, gjumi nuk u përshtatet as banorëve të Xhenetit. Kur janë në gjumë, njerëzit kanë nevojë të mbrohen nga çdo lloj e keqeje ose rreziku, dhe meqë vetëm Allahu është Ai që mund t‟ua plotësojë këtë nevojë, Pejgamberi (s.a.u.s.) na mësoi ne t‟i lutemi Atij duke shprehur mbështetjen tonë tek Ai, frikën ndaj Tij, besimin e plotë në mëshirën, ruajtjen dhe përkujdesin e Tij, si edhe dëshirën që këto fjalë të jenë të fundit para gjumit, pasi kështu, nëse njeriut i merret shpirti gjatë asaj nate, ai ka për t‟u futur në Xhenet. Udhëzimi i Pejgamberit (s.a.u.s.) në këtë drejtim ka përfshirë të mirat për zemrën, trupin dhe shpirtin gjatë kohës së gjumit dhe qëndrimit zgjuar, për këtë jetë dhe jetën tjetër. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi atë, nëpërmjet të cilit ndjekësit e tij përfituan të gjitha llojet e së mirës. Thënia e Pejgamberit (s.a.u.s.): “…unë ta dorëzoj veten Ty…”, ka kuptimin: “të dorëzohem e nënshtrohem Ty”, ashtu si skllavi i nënshtrohet padronit të vet. Ndërsa: “…e kthej fytyrën time nga Ty…”, ka kuptimin: “e kthej të gjithë vëmendjen time kah Allahu, me sinqeritet e qëllim të qartë”, duke pohuar ndërkohë robërimin, nënshtrimin dhe bindjen ndaj Tij. Allahu thotë: “…Kështu që, nëse ata polemizojnë me ty (o Muhamed), thuaju: „Unë i jam nënshtruar Allahut (në Islam), e po ashtu edhe ata që më ndjekin mua‟.” [Ali Imran, 20] Dihet, gjithashtu, se fytyra është pjesa më e nderuar e trupit; ajo është vendi i shqisave dhe i njohjes. Dorëzimi i të gjitha çështjeve tek Allahu nënkupton nënshtrimin e shoqëruar me kënaqësi në zemër. Kjo është kënaqësi me atë që ka caktuar e zgjedhur Allahu për ty, caktim i cili është bërë me vullnetin dhe me kënaqësinë e Tij. Lidhja e të gjitha çështjeve me Allahun është një nga shprehjet më të larta të robërimit ndaj Tij. Në lutje thuhet: “…mbështetem tek Ti që të më ruash shpinën time…”. Kjo shprehje tregon forcën e mbështetjes dhe të besimit tek Ai. Kush e mbështet shpinën mbi një bazë të fuqishme, nuk ka frikë se mos bie e rrëzohet. Zemra karakterizohet nga dy llojet forcash: 1. kërkuese, e cila është, në fakt, ambicia e shpresa për të arritur gjithçka të mirë për dynjanë dhe ahiretin, dhe: 2. forca larguese, e cila është vetë frika për t‟u ruajtur nga çdo e keqe në dynja dhe ahiret. Kështu, Pejgamberi (s.a.u.s.) i përmendi bashkë këto dy forca, duke thënë: “…duke patur njëkohësisht shpresë (te Ti) dhe frikë prej Teje!” Pejgamberi (s.a.u.s.), më pas, e lavdëronte Allahun duke deklaruar se robi nuk mund të gjejë shpëtim e strehë gjetkë, përveçse tek Allahu. Allahu është i Vetmi tek i Cili robi kërkon mbrojtje e strehim, në mënyrë që Ai (Allahu) ta ruajë robin nga Vetja (vetë Allahu). Sipas një hadithi tjetër, Pejgamberi (s.a.u.s.) ka thënë: “Unë kërkoj mbrojtje me kënaqësinë Tënde prej zemërimit Tënd, dhe me lejen Tënde, (kërkoj mbrojtje) prej ndëshkimit Tënd! Unë kërkoj mbrojtje nga Ty nëpërmjet Teje!” Kështu, veç Allahu mund ta mbrojë robin e Tij dhe ta shpëtojë nga ndëshkimi i Tij, i cili ndodh me vullnetin e Tij. Ndëshkimi dhe shpërblimi vijnë vetëm nga Allahu. Robi i lutet Allahut për mbrojtje kundra gjërave që Ai sjell (sprovave dhe ndëshkimit) dhe vetëm Atij i kërkon strehë për siguri. Veç Ai është Zoti i gjithçkaje dhe gjithçka ndodh me vullnetin e Tij: “E nëse Allahu ju sjell ndonjë lëndim, askush nuk mund ta largojë atë veç Tij…” [Junus, 107] “Thuaj: „E kush mund t‟ju mbrojë ju prej Allahut, nëse Ai dëshiron t‟ju godasë e keqja?! Kush mund ta pengojë Atë, nëse Ai do që t‟ju mëshirojë?!‟…” [Ahzab, 17]

Në fund, Pejgamberi (s.a.u.s.) e mbyll lutjen duke deklaruar besimin te Libri i Allahut dhe tek i Dërguari (s.a.u.s.), i cili është çelësi i suksesit dhe i shpëtimit të vërtetë në këtë botë dhe në botën tjetër. Pra, ky ishte udhëzimi i Pejgamberit (s.a.u.s.) në lidhje me fjetjen.

Categories

Archives