Sunday, 27/5/2018 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Melekët i përulen Ademit a.s

Melekët i përulen Ademit a.s

Melekët i përulen Ademit a.s
Duke qenë se Iblisi edhe pse prej xhindeve, kishte qenë i lidhur me Zotin dhe e adhuronte Atë, Zoti e kishte bashkuar me melekët, edhe pse nuk i përkiste atyre. Ai nuk i kishte thyer kurrë urdhrat e Zotit. Për këtë, Zoti e kishte shpërblyer duke e ngritur me melekët në qiell.
Pasi përfundoi krijimin e Ademit a.s, Zoti i urdhëroi të gjithë melekët që t’i përulen atij, si formë nderimi për të. Meqë edhe Iblisi ishte me melekët, ky urdhër ishte i vlefshëm edhe për të.
“Ne ju krijuam e pastaj ju dhamë formën; e u thamë engjëjve:“Përuljuni në sexhde Ademit!” – Të gjithë iu përulën, përveç Iblisit. Ai nuk ishte nga ata që u përulën. Allahu tha: “Çfarë të pengoi ty të mos përuleshe, kur të urdhërova?” Ai u përgjigj: “Unë jam më i mirë se ai. Mua më krijove nga zjarri, kurse atë e krijove nga balta”. Allahu i tha: “Atëherë, zbrit prej andej (Xhenetit)! Ti nuk ke të drejtë që të krenohesh në të! Shporru, me të vërtetë, ti je prej të oshtëruarve”. Iblisi tha: “Më jep afat deri në ditën kur ringjallen njerëzit!” Allahu i tha: “Ti je nga ata që u është dhënë afati”. Ai tha: “Për shkak se Ti më flake tej, unë do t’u zë pritë njerëzve në rrugën Tënde të drejtë e do t’u qasem atyre nga përpara dhe nga mbrapa, nga e djathta dhe nga e majta, e kështu Ti do të vëresh se shumica prej tyre nuk të janë mirënjohës!” Allahu i tha: “Dil prej andej i përbuzur dhe i përjashtuar! Pa dyshim, Xhehenemin do ta mbush me ty dhe me të gjithë ata që
shkojnë pas teje!” (Araf, 11-18)
“Ne e kemi krijuar njeriun prej një balte të thatë të marrë nga balta e zezë pa formë, kurse para tij kemi krijuar xhindet nga zjarri pa tym. Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej baltës së thatë të marrë nga balta e zezë pa formë. Kur t’i jap formën dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, ju t’i përuleni atij në sexhde”, Të gjithë engjëjt së bashku iu përulën atij në sexhde, Përveç Iblisit. Ai nuk pranoi t’u bashkohej atyre që bënë sexhde.” Allahu i tha: “O Iblis, ç’pate ti që s’u bashkove me ata që u përulën?” Iblisi tha: “Unë nuk i përulem një vdekatari që Ti e ke krijuar nga balta e thatë e marrë prej baltës së zezë pa formë”. Allahu tha: “Atëherë, dil prej Xhenetit! Ti je vërtet i mallkuar! Le të jetë mallkimi mbi ty deri në Ditën e Kiametit”!Iblisi tha:“Zoti im, më jep afat deri në ditën kur ata do të ringjallen. Zoti tha:“Sigurisht që do të të jepet afat deri në një ditë të caktuar. Iblisi tha: “Zoti im, për shkak se më çove në humbje, unë do t’ju zbukuroj atyre (njerëzve) rrugën e gabuar në Tokë dhe të gjithë do t’i shpie në mashtrim, përveç robërve të Tu të sinqertë”. (Allahu) tha: “Kjo është rruga Ime e drejtë. Në të vërtetë, ti nuk do të kesh pushtet mbi robërit e Mi, përveçse mbi të humburit, që të pasojnë ty.” Pa dyshim, Xhehenemi është vendi i premtuar për të gjithë ata.” (Hixhr, 26-43)
“Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata të gjithë iu përulën në sexhde, përveç Iblisit! Ai tha: “Si?! Unë t’i bëj sexhde atij që Ti e ke krijuar nga balta?!” Gjithashtu, tha: “A e sheh këtë që Ti e nderove mbi mua? Nëse Ti më jep kohë deri në Ditën e Kiametit, unë do t’i shfaros me mashtrim pasardhësit e tij, përveç një pakice prej tyre!” (Allahu) tha: “Ik! Kushdo prej tyre që të pason ty, do të ketë Xhehenemin si shpërblim – një shpërblim i plotë. Bëj për vete, me zërin tënd, kë të mundesh nga ata! Lësho kundër tyre të gjithë kalorësinë e këmbësorinë tënde! Bëj pjesë në pasurinë e fëmijët e tyre dhe jepu premtime! -Premtimet e djallit janë vetëm mashtrime.” (Isra, 61-64)
Është sunet që njeriu kur fillon të hajë, të thotë “Bismil-lah”. Kjo me qëllim që shejtani mos hajë nga ushqimi i tij. Kjo vlen edhe gjatë marrëdhënieve seksuale mes bashkëshortëve.
Në të gjithë ajetet e lartpërmendura, trajtohet gjynahu i parë, me të cilin u thye urdhri i Zotit. Nuk kishte bërë vaki më parë që thyhej udhëri i Zotit. Duke qenë se thyesi i urdhrit të Zotit ishte pikërisht Iblisi, një krijesë të cilin Zoti e kishte nderuar, e quajti mosmirënjohës.
“Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një njeri prej balte. Kur t’i jap trajtë dhe t’i fryj prej shpirtit Tim, përuljuni në sexhde atij!”, të gjithë engjëjt së bashku u përulën në sexhde, përveç Iblisit; ai u bë mendjemadh e një nga mohuesit.” (Sad, 71-74)
Bazuar mbi këtë, dijetarët myslimanë thonë:”Origjina e të gjithë gjynaheve është mendjemadhësia dhe vetëmashtrimi.”
Duke pasur parasysh rrezikun e këtij gjynahu, Profeti a.s ka radhitur një sërë hadithesh, me të cila na bën thirrje që të qëndrojmë larg këtij vesi.
Thotë Profeti a.s:”Nuk hyn në xhenet, ai që ka në zemër qoftë sa një atom mendjemadhësi.”
Në shumë hadithe të tjera, Profeti a.s e ndalon zgjatjen e pantallonave nën nyjën e këmbës, nëse bëhet për mendjemadhësi. Thotë Profeti a.s:”Zoti nuk e shikon një njeri që i tërheq rrobat si shenjë mendjemadhësie.”
Kur Profeti a.s i dëgjoi një herë myslimanët duke u mburrur me fiset që i përkisnin, u thirri:”Distancohuni nga kjo gjë, se është diçka e qelbët!”
Fanatizmi fisnor, mendjemadhësia dhe mburrja, janë origjina e të gjithë gjynaheve të tjera. Prandaj mos u trego mendjemadh me punonjësit, shërbëtorët apo çdo kënd tjetër!
Pasi shpirti i depërtoi në të gjithë pjesët e trupit, Zoti i tha Ademit a.s:”Shko tek ai grumbull melekësh dhe u thuaj:”Es-selamu alejkum” (Paqa qoftë mbi ju). Gjuha që fliste Ademi a.s ishte arabishtja. Pra, gjuha e melekëve dhe e banorëve të xhenetit është arabishtja.
Ademi a.s vajti tek melekët dhe u tha:”Es-selamu alejkum” dhe melekët iu përgjigjën:”Ve alejkum selam ve rahmetullah” (edhe mbi ty qoftë paqa dhe mëshira e Zotit).
Zoti i tha:”Kjo do të jetë përshëndetja jote dhe e pasardhësve të tu.”

Categories

Archives