Saturday, 27/5/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Medvegja e Bujanoci: Po na injoron qeveria e Kosovës


Medvegja e Bujanoci: Po na injoron qeveria e Kosovës


Vizita e ministres për Integrime Evropiane të Kosovës, Vlora Çitaku, në Preshevë më shumë ka indinjuar liderët e shqiptarëve në Bujanoc dhe Medvegjë. Ajo megjithatë thotë se vizita në Preshevë nuk është e fundit në atë rajon.

medvegja citaku

Gjatë kësaj vizite, Çitaku ka takuar përfaqësuesit shqiptarë në Preshevë, ndërsa përfaqësuesit e dy komunave tjera me popullatë shqiptare as që janë njoftuar për këtë vizitë.

Bujanoci me Preshevën i kanë vetëm 25 kilometra ndërmjet.

Agjendën e vizitës e ka përpiluar Qeveria e Kosovës, të cilën më pas ia kishte drejtuar EULEX-it, ndërsa këta të fundit kishin kërkuar nga qeveria e Serbisë në Beograd që t’i ofrohej siguri ministres Çitaku. Kryesisht njëjtë veprohet edhe me vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë.

Ministrja e Integrimeve ishte kujdesur të njoftojë mediat kosovare për ta regjistruar këtë vizitë të parë të saj si zyrtare e Qeverisë së Kosovës në Preshevë si vizitë historike.

Çitaku në kuadër të kësaj vizite takoi kryetarin e komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa, vizitoi shkollën fillore “Selami Hallaçi” si dhe takoi të rinjtë nga shoqëria civile.

Madje në takim me kryetarin e komunës së Preshevës ministrja Çitaku, tha edhe fjalën “Dua ta dini se nuk jeni vetëm”, fjalë kjo që sipas përfaqëuesve politikë të shqiptarëve në Bujanoc dhe Medvegjë i bëri që të ndihen të anashakaluar dhe të injoruar nga Qeveria e Kosovës.

Kryetari i komunës së Bujanocit, Jonuz Musliu, i kontaktuar nga “Zëri” tha se nuk ka qenë fare në dijeni që një zyrtare e Qeverisë së Kosovës po vjen në Luginë.

“S’kam pasë njohuri dhe nuk e kam ditur që vjen ministrja Çitaku në Preshevë. Vetëm përmes internetit që e kam pa që ka ardhur”, ka thënë Musliu.

Ai madje u shpreh tejet i zhgënjyer nga ky anashkalim dhe nga ky injorim që po u bëhet shqiptarëve të Bujanocit nga zyrtarët Kosovarë.

“ 25 kilometra rrugë nuk i kishin kushtuar asgjë që me ardhur deri në Bujanoc, nuk e di pse Bujanoci po ndahet nga Lugina e Preshevës”, ka thënë Musliu, duke shtuar se Bujanoci është alfa dhe omega e Luginës së Preshevës.

Një shkrim tjetër i dobishëm  Nga policat kufitare, Kosova për 8 muaj fiton 13 milionë euro!

Musliu ka thënë se me këtë veprim Qeveria e Kosovës ka anashkaluar dhe injoruar një pjesë të shqiptarëve.

Madje sipas Musliut vizita të tilla sa për të bërë një foto në Preshevë shqiptarëve të Luginës nuk iu nevojitën fare.

“Që tutën le të tregojnë, ka kush flet, unë nuk e di a ka ardhur për ndihmë Luginës apo ka ardhë me bo foto, për foto nuk na duhet”, ka përfunduar fjalën e tij Musliu.

Nga kjo vizitë të pakënaqur janë ndarë edhe lideri politik i shqiptarëve të Medvegjës. Ismet Zeqiri, ndihmëskryetar në komunën e Medvegjës, deklaroi për “Zëri” se kjo nuk është hera e parë që shqiptarët e Medvegjës nuk ftohen në takime të tilla.

“Nuk është hera e parë që anashkalohemi dhe injorohemi, por le ta dinë zyrtarët në Kosovë se Medvegja ka 525 kilometra katror, ku jetojnë më shumë se 800 shqiptarë”, ka thënë Zeqiri.

Kurse nikoqiri i kësaj vizite, kryetari i komunës së Preshevës Ragmi Mustafa, tha se ministrja Çitaku ka ardhur me agjendën e saj.

“Ne nuk kemi mundur të ftojmë përfaqësuesit e shqiptarëve të Bujanocit dhe Medvegjës ngase agjenda ka qenë e përpiluar nga Qeveria e Kosovës”, ka përfunduar Mustafa.

Këtyre ankesave ministrja Çitaku u është përgjigjur duke thënë se kjo nuk do të jetë vizita e fundit për shqiptarët atje.

“Jo assesi! Kjo ka qenë vizitë në Preshevë dhe do të vizitohen edhe komunat tjera. Assesi nuk bëhet fjalë për anashkalim. Ajo ka qenë vizita e parë po jo e fundit. Unë nuk kam agjendë personale këtu. Vizita dje ka qenë vetëm vizita e parë”, është përgjigjur ministrja Çitaku përmes mesazhit telefonik.

Përkundër gjithë kësaj, vizita e ministres Çitaku në Preshevë ishte e para pas 14 vjetësh.

Kjo vizitë ka thyer barrierat për ndalesat që kishte vendosur Qeveria e Serbisë për zyrtarët e Kosovës që të vizitojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Ministrja për Integrime Evropiane në Qeverinë e Kosovës është gjithashtu e para zyrtare kosovare e cila ka udhëtuar drejt Beogradit në qershor të këtij viti. Ajo në kryeqytetin serb shkoi si e ftuar e një organizate joqeveritare. /Zëri/

Categories

Archives