Thursday, 14/12/2017 | : : UTC+0
Mjeksia Islame
Mjeksia Islame

Manastiri, qyteti i mjerimit, diaspora apo Çamëria shqiptare?

Manastiri, qyteti i mjerimit, diaspora apo Çamëria shqiptare?

 

manastiriManastirasit nuk e kanë të qartë se kush i prezanton interesat e shqiptarëve në këtë “dërzhavë”

Manastiri, qyteti me historinë shqiptare mbi supe, sot ka mbetur me pak pasardhës të atyre që bënë historinë. Ky fakt i shqetëson tej mase manastirasit, të cilët ndihen të harruar edhe përkundër kontributit të madh që ka vendi i tyre në historinë shqiptare.
 
“Është mirë që dikush pas aq kohësh po interesohet për ata pak shqiptarë të mbetur për t’ia ruajtur frymën shqiptare qendrës së dikurshme mbarëshqiptare-Manastirit”, thotë gazetari Qenan Hasani, për Portalb, duke e quajtur qytetin e tij, “Qytet të mjerimit”.

Ai shton se rrethanat në të cilën jetojnë shqiptarët e Manastirit,u ngjajnë atyre të diasporës, me dallimin që ata në diasporë ekonomikisht janë siguruar, kurse manastirasit në vendlindje këtë privelegj nuk e gëzojnë.

  ”Siç është Meka për myslimanët,ashtu është Manastiri për shqiptarët”, citon fjalët e Dr. Reshat Nexhipit, juristi, Fillor Mersimi për të dëshmuar rëndësinë që ka patur në historinë shqiptare ky qytet.

 Mersimi e cilëson Manastirin qytet të konsujve, vilajet me peshën me domethënëse, vend ku u mbajt Kongresi mbarëshqiptar kombëtar i alfabetit,vend ku jetonin dhe vepronin kokat më të ndritura intelektuale, tregtare, patriotike e fetare.

Por, edhe atij si gazetarit Hasani i qan zemra që sot, sipas tij ky vend mbetet pa letërnjoftim ose siç e quan diasporë apo Çamëri shqiptare.

Hasani thotë, se thonë se, pas 2001 fituam, dhe sipas tij, mbase dikush edhe ka fituar, por pakica  e Manastirit ka rënë në robëri të shekujve të mesëm.

Mersimi thekson se të flasësh për Manastirin është një kënaqësi-privilegj i veçante,por të jetosh si shqiptar është një sakrificë.

“Ne na dallon nga tjerët popuj pasuria fetare. i kemi  tre fe një atdhe, sot kemi 3-parti politike dhe vetëm një Manastir”, vlerëson Fillor Mersimi, duke shtuar se manastirasit nuk janë të përfaqësuar në institucionet vendore dhe qendrore, sepse slloganet politike janë mbi interesat nacionale.

Ai madje, thekson se nëse shqiptarët e kësaj ane  do të ishin unikë, do të  gëzoheshin, siç thekson ai,  njëlloj si Kërçova me Fatmir Deharin dhe për më tepër do të ishin të përfaqësuar në institucione, për t’i zgjidhur problemet me mungesën e shkollës së mesme në gjuhën kombëtare, punësimin në institucionet lokale…

“ Problemet më akute janë punësimi, pra gjendja ekonomike sociale e manastirasve të mbetur jashtë sistemit vetëqeverisës lokal, kryesisht si pasojë e përçarjeve ekstreme në baza partiake,ashtu si dhe kudo që jetojnë shqiptarë”, thekson Qenan Hasani.

Më tej ai përmend problemet në arsimin fillor dhe të mos flasim për atë të mesëm, që sipas tij as që e dëshirojnë shqiptarët, ata shqiptarë që deri dje ngrinin në këmbë të gjithë Maqedoninë me protesta, në të cilat kërkohej hapja e paraleleve në gjuhën shqipe.

Hasani gjithashtu evidenton problemet që kanë shqiptarët e Manastirit me infrastrukturën nëpër fshatrat e banuara prej tyre, diskriminimin në baza fetare, moslejimin e rindërtimit të xhamive në themelet ekzistuese, si dhe rrezikimin e atyre eksistuese në qytetin e Manastirit. 

        “Partitë politike janë prezente vetëm kur afrohen zgjedhjet parlamentare, kurse pastaj sillen sikur në Manastir s’ka shqiptarë dhe se s’kanë fituar asnjë votë. Manastirasit nuk e kanë të qartë se kush i prezanton interesat e shqiptarëve në kët “dërzhavë”. Pjesëmarrja e shqiptarëve nëpër institucionet shtetërore apo ndërmarrjet shtetërore apo publike,është raritet i rrallë”, thotë gazetari Hasani.

Të njëjtin mendim për rrethanat në qytetin e tij, ndan edhe Fillor Mersimi, i cili thotë se në qytetin  e konsujve, ku ka mbi 80-të konsullata, mungon Konsullata Shqiptare, ndërkaq sipas tij, kjo është një prej detyrave që i takon Politikës së Jashtme Shqiptare.

Ai gjithashtu e konsideron trishtuese gjendjen në të cilën ndodhet pallati, ku para 105 vjetësh u mbajt Kongresi i Alfabetit, nga horizonti i të cilit hymë në familjen evropiane, i cili më së paku i përngjan një muzeu.

“Janë këto shqiptarë që bënë luftën e Kosovës dhe Maqedonisë? Jemi ne populli, që na e kishin lakminë të gjithë për patriotizmin, bujarinë, mikpritjen, altruizmin? A s’kemi “pak patriotizëm “, që këtë vend të shenjtë ta rregullojmë, ashtu si na ka hije”, pyet Mersimi.

Për të mbetet enigmë, se pse kryeministrat Berisha e Thaçi dhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, sipas tij e kremtuan jubileun e Kongresit të Manastirit në Shkup, dh e lanë fëmijën jetim mu në ditëlindjen e tij. /Portalb

Categories

Archives